HOMO IDIOTICUS
fluturojnë në ajër edhe gomerët më në fund
me maska në fytyrë që të mos infektohet Marsi
kam lënë tymosjen që të shpëtoj planetin
një cigare e imja ndezur në Afrikë
shkrin ajsbergun tënd në Arktik
ujërat përmbytin trutë bashkë me qytetin
pikërisht kur ti je duke u martuar me një ndërtesë
natyrisht pasi je divorcuar nga një pemë
që të tradhëtonte me një burrë
që deri në orën 12 të mesditës është grua
janë shtuar shumë ata që hedhin gurin në lumë
aq shumë sa nuk ka kush ta kërkojë më
në këtë botë ku nuk humbet asgjë veç mendjes
dhe mendja e humbur është uterusi ku ngjizen idiotët
dema të lumtur pasqyruar kokëposhtë
në sytë melankolikë të lopës së jetës…
Homo Idioticus ndryshe nga vëllai i tij Sapiens
për një grusht para nuk i shet Djallit vetëm shpirtin
por edhe mendjen…
Homo Idioticus është çfarë ai thotë që është
dhe këtë ti duhet ta pranosh pa kushte
e për të ti je çka ai vendos sipas rastit të të quajë
misogjin, homofob, racist, fashist, armik i njerëzisë
ka mikrofonin në dorë, altoparlantin, kërbaçin dhe pushtetin
me peshoren sakate të drejtësisë jep verdikte
ku inteligjenca jote shpallet kriminale, e jashtëligjshme
e dëmshme për fëmijët e 50 hijeve të Gjinisë…
rri në shtëpi dhe në ekran më shfaqet veç fytyrë e tij
me nofulla katrore dhe pa tipare
Homo Idioticus par exellence
shtyp butonin, ndërroj kanalin
por s’kam ku ta çoj, kudo shfaqet ai
e mbyll dhe marr udhën për në dyqanin e armëve
tjetër zgjidhje s’ka
duhet blerë një pistoletë patjetër…
në mos për ata
për veten…
NEKROLOGJI PËR ATA QË S’KANË VDEKUR AKOMA
Njeriun Natyral e shpallën të vjetëruar
dhe mendjet perverse krijuan Njeriun e Ri
në laboratorët ku prej kohësh nuk ka më minj
siç krijuan më parë lule të bukura pa erë
dhe Delen Dolly dhe deledashët
me vështrimin e pikëlluar
krim dhe idiotësi përzjerë
në raportin një me një…
ruhuni nga zhdukja, o njerëz të vjetër,
po shtohen çdo ditë ata që nuk e dinë ç’janë
me sy metalikë si dyert e varrezës tuaj
krijesa plastike pa din e iman
kujdes, o të vjetëruar!
nëse nëna e idiotit gjithnjë vdes e mbarsur
Njeriu i Ri ka edhe babain shtatzënë…
PUTHADORE DHE DOREPUTHUR
ka edhe njerëz që iu pëlqen të poshtërohen
puthadorë mjeranë dhe dorëputhur arrogantë
ndihen mirë që nuk janë të harruar
në ekzistencën e tyre transparente
butakë njëqelizorë me bërthamë frikën
të lumtur kur edhe xhelati
në shfaqjen e radhës iu puth dorën
para se t’i çojë në djall…
fundja edhe poshtërimi
qënka një farë vëmendjeje…
idiotë poshtë e batakçinj lart
kombinacioni perfekt i Të Keqes
kryqëzimi ku dinjiteti humbet udhë
buzët e deformuara humbasin kuptimin
fytyra shndërrohet në surrat
gojët ngatërrohen aq lehtë me bythët
gjuha mbetet muskuli më i fuqishëm
dhe puthja nuk është më puthje
por lëpirje…
sa më i dobët të jesh ti idiot
aq më i fortë do të jetë batakçiu
se…
…jeni ju që njihni frikën
ndaj janë ata që s’njohin turpin…
pa ju ata vdesin
si derrat pa llucën
si hienat pa kërmën…
si mizat pa mutin…
MANASTIRI I KARMËS
e lodhshme të presësh Godonë
por e ke pritur ndonjëherë Karmën?
një ditë do të bien kambanat
brenda brinjëve të tua a të mia
nuk do të ketë më rrahje zemre
veç ding dong e kambanar askund
pa dëshmitarë kjo vetmi e gjallë
besimtarët shpartalluar qëkur
po këtë litar vallë cila dorë e lëkund?
gjoksi do të na shndërrohet në Manastir
dhe brenda tij do të dremisë Karma
do të rrimë zbathur e s’do të pipëtijmë
do harrojmë të flasim a të mbrojmë veten
do të zvarritemi, do të fshihemi sikur s’kemi qenë kurrë
dhe për të vrarë kujtesën do të harrojmë alfabetet
predikimet, psallmet e pakënduara dhe abatin
nga frika e Saj do të na merret fryma çdo ditë të jetës
dhe në qofshim me fat që Ajo të mos zgjohet
do të vdesim të padenjë por të padënuar
krenarisht të dhjerë dhe para afatit…
PARADOKS I PASHMANGSHËM
ti nuk ke pse të dëshpërohesh
që çastet e bukur janë aq të paktë
dhe shëmtia mbulon njerëz e vende
pluhur për t’u fshirë jemi, e dashur,
hallet e jetës nuk janë rastësisht aty
jane kujtesa e errët e mbijetesës
dhe mbrojnë lumturinë tënde
nga drita e tepërt
si gënjeshtrat të vërtetën…
IDIOTICUS MAXIMUS
në udhën e mundimshme të besnikërisë
të ndryshme e të kundërta në dukje
nëna dhe bija njëkohësisht
motra
binjake
nganjëherë e njëjta
tradhëtitë dhe dashuritë njësoj më deshën
dhe i desha…
besnik ndaj vetes a tjetrit
në të vërtetë kjo është çështja
ku ngatërrohen paragjykuesit,
moralistët dhe kontrabandistët e zemrave
predikuesit dhe poetët…
tradhëtia është dashuria për një tjetër
dashuria tradhëti ndaj vetes…
por sa më shumë njeh tjetrin
dhe e do
aq më pak njeh veten
dhe e përçmon
të duket e huaj
dhe ajo fillon të të urrrejë
me zhgënjim pasqyrash…
Vetja – e keqkuptuara e përhershme
e pabesueshmja e pabesë
e panjohura e madhe
delja jonë e zezë
në bardhësinë tonë shtinake
akuzuar me krimin e Lirisë
në mungesë të provave
dënuar me jetëgjatësi…
vrasësja e përhershme e Tjetrit…
në dashuri me kufomën e tij…
pastaj vjen më e keqja e të këqijave
humbet veten dhe tjetrin….
ulesh përballë botës dhe filozofon
dhe shkruan poezi si kjo
mbi fajin që në të vërtetë
nuk ekziston
duke fajësuar planetet
horoskopët
e ndonjëherë edhe fshirësen e xhamave
të limuzinës që po pret
aty ku dikur shiu i ngjante asaj…
në mos nga flokët
të paktën nga sytë….
TRAU I DËSHIRAVE
idetë janë si lepujt
sa më shumë frikë të kenë
aq më shumë shtohen
nga mendja zbresin në gjoks
dhe bëhen dëshira
të etura
të verbëra
udhëhumbura
të hutuara zbresin teposhtë
avull mbi trup
zjarr nën lëkurë
me nxehtësinë e tyre
e zgjojnë nga gjumi…
ai ngrihet
ato kalojnë
ulet prapë
dhe unë i çlodhur për vdekje
nga kjo raskapitje kapitëse
ndez cigaren e famshme…