Libri “Eseistika e Kadaresë” është një vështrim kritik mbi esetë “Legjenda e legjendave”, “Kushëriri i engjëjve”, “Ra ky mort dhe u pamë” dhe “Ardhja e Migjenit në Letërsinë shqipe”
Me Ismail Kadarenë jam njohur kur ai ishte redaktor në gazetën “Drita” dhe unë student në fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega e Gjuhës dhe e letërsisë. I çova tre-katër vjersha për t’i parë dhe botuar. Ishte e para herë që takohesha me shkrimtarin më të madh të vendit. M’i mbajti vjershat dhe më tha që do t’i lexonte. Të dielën, si zakonisht, u ngrita herët dhe mora gazetën “Drita”, jo për vjershat e mia se, edhe nëse do të ishin pëlqyer, nuk shpresoja të botoheshin aq shpejt. Por, për çudi, vjershat e mia i pashë në faqen e dytë të gazetës. Kadare më botoi vjersha edhe dy-tri herë të tjera. Më përmendi si poet i ri i mirë në Konferencën e Talenteve të Reja disa vite më vonë. Të të përmendte Kadare, të të vinte në listën e më të dalluarve, ishte diçka me shumë rëndësi për një krijues të ri…
Kadarenë e kam pas një vit edhe pedagog. Na jepte letërsinë dekadente, siç quhej atëherë ajo lloj letërsie që në fakt përfshinte autorë të mëdhenj, si: Prusti, Xhojsi, Kamy, Sartri dhe të tjerë. Dita kur kishim leksion me të ishte si ditë feste, jo vetëm për ne studentët e gjuhës dhe të letërsisë, por për të gjithë Filologjikun. Dyert e sallës së madhe ku ai vinte për të dhënë leksion, rrinin hapur, se kishte plot studentë të degëve të tjera të Filologjikut, por edhe të fakulteteve të tjera që dëgjonin në korridor, i mbushur plot. Nuk pipëtinte asgjë veç zërit të Kadaresë. Ai të bënte për vete me mendimin e thellë, me fjalorin e pasur, me mënyrën se si i përcillte njohuritë që i kishte shumë të begatshme. Të bënte për vete edhe me staturën e tij: i ri, i bukur, elegant, me qëndrim të hijshëm dhe dinjitoz. Vajzat, kur kishim leksion me Kadarenë, zinin vendet e para në auditor, ndryshe nga ç’vepronin me pedagogët e tjerë kur strukeshin në fund dhe bënin çuçu gjatë gjithë orës.
Përmbajtja e leksioneve të Kadaresë ishte shumë interesante. Ai bënte sikur i kritikonte autorët e mëdhenj botërorë, në të vërtetë nxirrte në pah vlerat e tyre. Ai dinte që mbi një diçka të projektonte diçka tjetër. Kadare në çdo krijim kishte disa shtresa kuptimore. Kjo lëndë ishte vënë në program që studentët të mësonin dhe për një letërsi dekadente, borgjeze e revizioniste, që nuk zhvillohej sipas parimeve “të shëndosha” të realizmit socialist. Në të vërtetë mësuam se kishte një letërsi ndryshe nga ajo e realizmit socialist, një letërsi e pasur me autorë e vepra që kishin miliona lexues. Në vitet e demokracisë, kur këtë letërsi ne e kishim në dorë, kuptova se leksionet e Kadaresë kishin qenë orientuese, për të kuptuar një letërsi të madhe. Nuk e di ç’u bë me atë lëndë kur ne mbaruam shkollën. Sigurisht, nuk është zhvilluar më, se Kadare, që çdo ditë bëhej më i madh dhe më i njohur, i përkthyer jashtë, doli në profesion të lirë dhe, i zënë me vepra të tjera të mëdha,nuk kishte kohë për të punuar edhe si pedagog. Veç atij atë lëndë nuk mund ta jepte askush tjetër, të paktën, nuk do ta jepte si ai.
Kur mbarova shkollën e lartë, më emëruan mësues në Dibër, në shkollën tetëvjeçare të Fushë Alies, ku kisha dhënë mësim edhe para se të shkoja në fakultet. Aty, në qetësi dhe në vetmi, në paqësinë e jetës së fshatit që më pëlqente, megjithëse fshatin e kishte shkatërruar kolektivizmi, fillova të merresha me kritikën letrare. Shkrimet i dërgoja në gazetën “Drita”. Përgjegjës për kritikën në këtë gazetë aso kohe ishte Vasil Melo, që i pëlqente shkrimet e mia dhe i botonte. Kam shkruar mjaft artikuj për vepra të veçanta të letërsisë sonë ose për probleme të ndryshme që dilnin para saj. Bëra gati edhe një shkrim për romanin e Kadaresë “Kronikë në gur”, që u botua në gazetën “Drita” në një nga numrat e korrikut të vitit 1981. Shkrimi mbante titullin: “Jeta në gjerësi dhe thellësi”.
Kur shumë vite më vonë lexova shkrimin e Arshi Pipës për këtë roman, (Arshi Pipa: “Kronikë në tre akte”, në librin: “Subversion drejt konformizmit- fenomeni Kadare”, Tiranë 1999) pashë që jo vetëm unë, por asnjë tjetër nuk e kishte kuptuar dukurinë shumështresore të këtij romani. Arshi Pipa pati meritën që karakterin dhe përmbajtjen antidiktatoriale të kësaj vepre ta pohonte qysh në vitin 1987, kur parathënia e tij për “Kronikë në gur” u botua në revistën amerikane “Telos”, New York. Pipa, duke kuptuar artin e Kadaresë, arrin në përfundimin se dy të këqija e mëdha, lufta civile dhe lufta e klasave, e kanë burimin tek etja e Hoxhës për pushtet të pakufizuar, për ta pasur pushtetin vetëm për vete. Në një vend të parathënies së tij, Pipa thotë se Kadare, me mjetet e veta të sofistikuara, idealin komunist e quan një magji të zezë, si ato magjitë e magjistareve që i përgatisnin me lloj – lloj mbeturinash të ndyra që t’u bënin keq njerëzve.
Por shkrimi i Pipës për Kadarenë u mor si “punë armiqësore” e këtij shkrimtari, i cili, sipas mendësisë komuniste të kohës, përpiqej të denigrojë dhe të fajësojë shkrimtarin më të madh shqiptar. Edhe vetë Kadare ishte revoltuar me shkrimin e Pipës, duke e quajtur atë dashakeqës dhe denoncues. Ai shkruan: “Kur në fillim të viteve ‘80, shkrimtari I. Kadare është në gjendje të vështirë, shpejton ta shtyjë rrëzimin e tij në gropë. Shkruan një studim për të, ku rreket të vërtetojë se gjithmonë ky shkrimtar ka qenë kundër regjimit” (I Kadare: “Ftesë në studio”, Tiranë 1990, f. 311)
Por qëndrimi i Kadaresë ndaj këtij shkrimi të Pipës për romanin “Kronikë në gur” ka ndryshuar. Ja si shkruan studiuesi i Kadaresë, Shaban Sinani: Kadare “Pasi e pati akuzuar A. Pipën si “denoncues” në fundin e viteve 1980, në librin “Ftesë në studio” dhe në mënyrë të vijueshme për disa vite me radhë, së fundi i është mbajtur mendimit se A. Pipa ishte njëri prej studiuesve më të merituar të prozës së tij. Vëllimi i 4-t i botimit “Kadare – Vepra” , ku përfshihet romani “Kronikë në gur”, paraprihet pikërisht prej studimit të A. Pipës, shoqëruar me shenjimin: “Në këtë botim për herë të parë romani shoqërohet nga parathënia e prof. Arshi Pipës, emigrant antikomunist, i dënuar i ndërgjegjes në Shqipëri dhe i arratisur më 1960.” (Shaban Sinani: “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”., Tiranë 2011, f. 421).
Shkrimi im qëndronte larg vështrimit të Arshi Pipës për romanin “Kronikë në gur”. Dëshiroja të shkruaja një shkrim tjetër për romanin “Kronikë në gur”, duke korrigjuar kështu të metat e shkrimit të parë. Por, me kalimin e kohës, kjo dëshirë u mposht nga interesat e tjera letrare. Iu vura punës për të studiuar dhe shkruar për eseistikën e Kadaresë, se kjo është pak e prekur nga vështrimi kritik. Gjithashtu, është shumë e pëlqyer nga ana ime. Kadare ka shumë ese. Është e pamundur për të shkruar për të gjitha. Zgjodha katër më të mira dhe shpresoj të kem bërë një vlerësim të merituar dhe të drejtë të shkrimtarit dhe të kësaj pjese të krijimtarisë së tij.