Jeta dhe puna e Petrit Ramës, shembulli për t’u ndjekur


Nga Shaqir Skarra

Ishte e diel atë ditë. As vetë nuk e di se si një zë i njohur nëpërmjet telefonit më ftonte për një kafe.

-Alo! Jam Petrit Rama! Nëse keni kohë mund ta pimë një kafe të dy bashkë në Laprakë.

Ishte fund vjeshte dhe ai, pasi i kishte mbaruar të gjitha punët, si një fermer i mirë, kishte ardhur për një vizitë mjekësore dhe kafen e parë kishte shprehur dëshirën ta pinte me mua. Falë profesionit, unë kam shkruar për shumë ngjarje, histori, personazhe në Dibër e jashtë saj, por këtë radhë me të drejtë u ndala në Shumbat. Nuk di se si, por asnjëherë nuk më rastisi që qoftë edhe dy fjalë ti shkruaj për Petrit Ramën. Petritin e njohin jo vetëm në fshat, jo vetëm në zone, por edhe në Dibër se Petriti ka një aktivitet mbi dyzet vite që punon dhe drejton në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Jemi rritur bashkë, jemi të dy nga e njëjta lagje, pothuaj moshatar. Petriti ka lindur, është rritur dhe edukuar në një familje atdhetare dhe mjaft arsimdashëse. Shkollën tetëvjeçare e përfundon në vendlindje me vlerësimin maksimal dhe shkollën e mesme bujqësore në Peshkopi në vitin 1973 me notë mesatare 9. 8.

Në ato vite Peshkopia kishte bërë emër të mirë në fushën e arsimit, ku shquheshin shkolla e mesme bujqësore, shkolla e mesme pedagogjike dhe gjimnazi i qytetit. Në shkollën e mesme bujqësore dhe në atë pedagogjike vinin nxënës edhe nga rrethet e tjera të vendit si Mati, Kukësi, Tropoja, Hasi etj. Ishin shkolla model në shkallë vendi dhe me konvikt. Edhe Petriti, si nxënës i rregullt, e përfundon shkollën me mesatare të lartë, ku nuk kishte asnjë pengesë për të vazhduar studimet e larta dhe e drejta e studimit i doli për në Institutin Bujqësor Tiranë, dega zootekni, të cilin e përfundon me rezultate të larta në vitin 1977.

Gjatë studimeve në shkollën e mesme Peshkopi Petriti fitoi olimpiadën e matematikës mes tre shkollave më të mira të qytetit të Peshkopisë.

Pas përfundimit të studimeve të larta, Petriti do të kthehet në vendlindje, kur për mbi dyzet vite me radhë do të punojë në institucione të ndryshme si Sllovë, Fushë-Çidhën, në filialin e përmirësimit racor, si specialist në drejtorinë e bujqësisë rrethit, mësues në shkollën e mesme Sllovë dhe më kryesore radhitet ndër kuadrot e parë që fitoi statutin e nëpunësit civil.

Kur sapo i diplomuar erdhi të punonte në Peshkopi ishte i ri, plot ëndrra për jetën, por që u përplas me vështirësitë e para, pasi në ato vite sektori më i vështirë ishte bujqësia dhe blegtoria. Dhe Petriti ishte diplomuar që të kontrollonte bazën ushqimore të blegtorisë dhe të ndiqte nga afër mbarëvajtjen e saj.

Por në fakt duhet pranuar se si bujqësia edhe blegtoria vlenin për të dëshiruar. Petriti nuk u step, nuk u tremb, nuk u tërhoq përballë këtyre vështirësive.

Petriti për vite me radhë ka shërbyer si mësues i jashtëm, ka dhënë lëndët biologji, e zootekni dhe si mësues aktiv ka dhënë histori, gjeografi, aftësim për jetën dhe filozofi. Preferencat e tijë, edhe sot që i gëzohet pensionit të pleqërisë, është matematika, gjenetika dhe filozofia.   Një mësues i mirë i respekton nxënësit e tij. Në një klasë të një mësuesi të mirë, idetë dhe mendimet e secilit person vlerësohen. Nxënësit ndjehen të sigurt për të shprehur ndjenjat e tyre dhe mësojnë të respektojnë dhe të dëgjojnë të tjerët.

Për shumë kohë Petriti ka punuar në pushtetin vendor si kryetar i parë pluralist për Shumbatin, antar i këshillit komunës Sllovë, kryetar i këshillit komunës Sllovë.   Karakteri i njeriut formohet e forcohet në përpjekje për të arritur gjithmonë më të mirën, duke u kacafytur shpesh me të keqen, e cila ka për detyrë “të zërë rrugën”, të të mundojë e të të lodhë shumë që të dorëzohesh, por në fakt Petriti nuk ishte i tillë, nuk u dorëzua kurrë nga rruga e minuar ku shkelte, se e hidhte hapin me kujdes e maturi.

E njohu mirë jetën, me uljet e ngritjet e saj, duke e filluar atë nga hiçi për të arritur më vonë shumë në formimin e tij, dhe dinte fare mirë sa jepte e merrte për të ndërmarrë më pas veprime, që në fund të fundit, do të ishin si një shtërngatë për ti dhënë vetë jetës drejtimin e duhur.

Gjërat më të bukura apo ato që të dëshpërojnë në jetë, nuk mund të dëgjohen, të shihen e të preken. Ato vetëm mund të ndjehen. Brezi i Petrit Ramës ishte i vështirë, përjetuan kohra shumë të vështira, por ata që deshën të mbesin njerëz, njerëz mbetën, ashtu siç mbeti edhe vetë Petriti.

Në jetën me plot ngjarje të lakmueshme tek Petrit Rama gjen njeriun e bindur për të kryer veprime të guximshme, pa e ditur se ai ato i bën nën trysninë e ndërgjegjes së pastër dhe të njeriut idealist.

Kam parasysh këtu veprimtari të tij, të cilat kur i sjellim e i ballafaqojmë me atë çka bëjnë brezi i ri për vendin, për flamurin të cilit i këndojnë nga mëngjesi në darkë e nga darka në mëngjes, të duket sikur atdheu është në dorë të intrigantëve, të cilët të drejtët dhe idealistët i marrin për naiv e budallenj.

Jeta ka provuar se ai që shpërfill mundimin, vuajtjet, përgjithësisht sakrificën për të arritur diçka të vyrtytshme.

Në fund ndjehet i lumtur dhe i plotësuar në shpirt e në ndërgjegje. Petrit Rama i ngjan pa dyshim i ngjan, është “binjak” me çdo njeri që i ngjit shkallët e karrierës me urtësi, duke e konsideruar pozicionin apo një detyrë të lartë si një premtim të mundimit për të arritur deri aty.

Janë vetë sfidat ata që e bëjnë jetën interesante e këto sfida nuk munguan as në jetën e Petritit. Ai nuk ishte vetëm një ëndërrimtar për ti kryer punët ashtu siç duhej. Kishte edhe bindjen se brenda vetes fshihej forcë, durim dhe pasion për të gjetur fjalën me të gjithë.

Tashmë që i gëzohet pensionit të pleqërisë dhe dalngadalë po feston 70 vjetorin e lindjes, ende punon, puno dhe lexon. Në shtëpinë e tij gjen mjaft libra jo vetëm të profesionit por edhe libra artistik, studimor, filozofi e psikologji . Edhe kohën e lirë nuk e kalon kot, ndaj në kohë pushimi, mjet çlodhje për të mbetet vetëm libri.

Në tokën e tij, në Shumbat, ka mbjellë mbi 20 dynim pemtore, duke iu kthyer kështu traditës së bujqëve të parë të fshatit. Ka mbjellë drurë frutor si kumbull, mollë, qershi, të cilat tashmë prej vitesh i ka në prodhim. Të gjitha shërbimet e nevojshme ua bën vetë, së bashku me familjen. Petriti ndihmon dhe bashkëfshatarët duke i këshilluar dhe mësuar për krasitjen, rolin e kimikateve, kujdesin në përdorimin e pesticideve, shërbimet e tjera teknike që duan pemët etj. Kot nuk thonë se bujku i mirë ia merr me zor prodhimin tokës, dhe pa dyshim Petriti është bujk, agronom, zooteknik. Mbi të gjitha është njeri, njeri i dashur dhe i vlerësuar jo vetëm nga bashkëfshatarët por edhe të tjerë. Dhe megjithatë ka rezervat e tij. “Dibranët janë puntor, nuk ka mbetur cep toke e pa mbjellë. I kultivojnë të gjitha si drithrat e bukës, drurët frutor, jonxha e foragjere për bagëti etj. Problemi kryesor për to mbetet tregu. Qershia, molla e kumbulla e Shumbatit kanë krijuar identitetin e tyre tashmë, ashtu sikurse dhe fasulja, por ndodh tamam në kohën e vjeljes dhe prodhimi është i mbarë, ato kalben në arë, mbeten stok në parcelë. Dhe pse? Neglizhenca e shtetit, politikat e tij të gabuara ndikojnë që i gjithë tregu ynë të mbushet me prodhime nga Maqedonia, Bullgaria, Greqia dhe prodhimet shqiptare të kalben në parcela. Nga kjo ka ndikuar shpesh rebelimi i fermerëve që i kanë prerë drurët frutor, i kanë hedhur prodhimet e mbledhura”.

Jeta është një pasuri e çmuar, shumë vlerash, për kontribute personale e shoqërore. Ka plot intelektual që jetën e menaxhojnë thjeshtë për interesa personale dhe që i takojnë vetëm familjes së tyre. Por ka edhe të tjerë, që pasurinë e tyre intelektuale e vënë në shërbim të shoqërisë për ti kontribuar asaj drejt përparimit. Petrit Rama është njëri ndër ato intelektual që diellin e ka parë si burim energjie, jo thjeshtë për të ngrohur oborrin e tij familjar, por për të ngrohur e ndriçuar të gjithë .

Intelektualët si Petrit Rama nuk e shpërdorojnë jetën dhe kohën për të përfituar për interesa personale, por e përdorin atë edhe në shërbim të të tjerëve.

Petriti është pa dyshim një emblemë e gjithë zonës së bukur të Ujemujës dhe në veçanti të fshatit ku lindi dhe u rrit Shumbat. Ai me punën e tij vetëmohuese ka hyrë tashmë në elitën intelektuale. Ai është një specialist mjaft i zoti në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë që e kalon stekën e kohës. Është simbol i njeriut të punës, që flet pak dhe bën punë shumë, që vrapon më shumë se sa koha. Tërë jetën e tij e ka kaluar me dinjitet, personalitet në çdo vend pune deri në majat e pushtetit lokal.

Qetësia shpirtërore që pas shëndetit fizik është elementi kryesor për njeriun, ai e ka siguruar në mjedisin e shëndoshë familjar. Burimin e lumturisë dhe paqes shpirtërore, ai e ka gjetur tek puna pasionante për të komunikuar dhe shërbyer njerëzve. Edhe pse në sektorin privat, ai di ta menaxhojë punën, di të komunikojë dhe ti bëjë njerëzit për vete dhe kush futet njëherë të vetme në objektin ku punon , nesër do të vijë përsëri dhe do bëhet klient i rregullt i tij.

Raporti midis të mirës dhe të keqes, brenda vetëdijës së tij, ka ditur ti ndaj edhe nga ana morale dhe ajo intelektuale. Nuk është tunduar kurrë nga pasuria, se e di fare mirë se atë mund ta humbasësh një ditë, ndërsa emri dhe lavdia nuk humbasin kurrë por trashëgohen ndër breza. Emri dhe lavdia nuk vijnë fare rastësisht. Ato janë bilanci i një rruge të gjatë, plot punë, mund djersë e sakrifica. Njeriu vlen për atë, që mund të gjykohet nga personaliteti dhe vepra e mirë që lë pas.

Edhe pse tashmë Petriti në moshë të tretë, energjitë intelektuale nuk i kanë shteruar. Shkallët e dijes i ka ngjitur me vullnet, punë e këmbëngulje pa patur asnjë përkrahje politike apo shoqërore e miqësore.

Petrit Rama gjithmonë ka qenë vetvetja në çdo kohë, ka një individualitet superior i shprehur nëpërmjet punës pa shumë pretendime për tu dukur.

Pasuria ma e madhe e tij është padyshim personaliteti njerëzor dhe sjellja tepër e kulturuar me njerëzit. Dituria intelektuale dhe profesionale janë velloja e artë, që ia zbukurojnë personalitetin e tij shoqëror brenda dhe jashtë vendit.

Postet e larta që ka mbajtur, përfitimet hierarkike, privilegjet e pushtetit nuk e kanë larguar nga burimi i brendëshëm i qetësisë, që e ka gjetur në familje dhe shoqëri. Është i dashur   gjithmonë me të vërtetën dhe i rreptë me pa drejtësinë. Nuk ka bërë e nuk bën kompromis me karakterin e tij. Ai është i paisur me dhunti shpirtërore të atillë, që e bëjnë të lumtur kur dhuron lumturi tek të tjerët.

Pasuria shpirtërore është pasuria ma e madhe që bën dallimin mes njerëzve. Lumturinë e vet, mes të tjerave e sheh të përfshirë te puna, ushtrimi i profesionit. Lumturia për vetë njeriun, është e lidhur me botën shpirtërore të individit, se si e koncepton dhe çfarë pretendimesh ka ai për jetën.

Njerëzit me ndjenja të mëdha shpirtërore, dhe me aftësi të mëdha intelektuale e profesionale janë tepër të ndjeshëm dhe shumë human në shoqëri.

Petriti ka një botë mjaft të pasur shpirtërore intelektuale, që rrezaton ëmbëlsi, mirësi e shumë dashuri. Ai ka një zemër të madhe, që në fakt shëron çdo lloj sëmundje që burojnë nga ligësia dhe lakmia e vetë njeriut. Nderimin dhe vlerësimin për shokët, miqtë dhe bashkëfshatarët i ka cilësi të lartë morale të trashëguara nga tabani i fortë dhe i qëndrueshëm familjar ndër breza.

Në shoqërinë e sotme, njeriu shikon deri tek pragu i interesave të ngushta, ku zilia dhe urrejtja sundojnë në jetën e përditëshme. Tek karakteri i fortë i Petritit nuk ka kanë gjetur shteg hapur të depërtojnë. Ai e ka gjetur veten tek e vërteta, e drejta, dituria, mirëkuptimi, inteligjenca, shpirtmadhësia, humanzimi dhe bashkëpunimi me të tjetër.

Është gati e pabesueshme se si tek ai kombinohen gati në një, tiparet njerëzore si karakteri pozitiv, energjia pozitive dhe për të gjitha ato që bën, pa dyshim është edhe një mik mjaft i mirë për këdo.