Seminari bujqësor i Dibrës


Nga Osman Xhili

Në ditët e fundit të muajit maj në Dibër u organizua një takim shumë frytdhënës për fermerët e bujqësisë. Ishte një organizim perfekt i disa partnerëve të rëndësishëm, si projekti i Giz-it, Drejtoria e Bujqësisë, Fondacioni NOA, kompania Sygenta e mbrojtjes së bimëve, si dhe kompania greke Vitros Hellas, në lidhje me mekanikën bujqësore, por jo vetëm.

Merrnin pjesë fermerët më të mirë të rrethit të Dibrës, ata, që me punën, përkushtimin e pasionin e tyre kanë arritur nivele të larta profesionalizmi. Nuk do të mungonin Veip Salkurti, Premtim Agolli, Bedri Topuzi, Lulzim e Hamit Abazi, vëllezërit Zebi dhe shumë emra të tjerë, të cilët duan që njohuritë e tyre t’i freskojnë vazhdimisht me të rejat e fundit të shkencës e prodhimit. Si zakonisht, do të ishte i pranishëm dhe eksperti i bujqësisë dibrane dhe miku i fermerëve, Dali Horeshka.

Pas fjalëve të mirëseardhjes dhe përshëndetjeve, radhën e kishin lektorët, që me fjalën e tyre, shembujt e qartë, monitorin që shpjegonte deri në detaje, komunikonin me fermerët.

Njëri nga lektorët ishte nga Moldavia dhe quhej Ananie Pesteanu. Ai mban titullin e profesorit dhe është konsulent ndërkombëtar i frutikulturës. Fillimisht ai na tregon se si vendi i tij, edhe pse pak më i vogël në numër se Shqipëria, prodhon 800 mijë ton fruta, nga të cilat 600 mijë ton janë mollë. Vendi ynë prodhon shumë herë më pak, kur kushtet e mundësitë janë për nivele shumë të mëdha. Kjo duhet të jetë një kambanë alarmi për autoritetet shqiptare, që e kanë lënë disi pas dore këtë burim të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

Më pas profesor Pesteanu flet për rolin e jashtëzakonshëm të rrallimit të pemëve e në veçanti, rrallimin kimik. Sipas tij, ngarkesa e frutave në një pemë nuk duhet të jetë më shumë se 80 deri në 100 kokrra. Nëse ne do ta përdorim rrallimin me korrektesë, efektet pozitive do të ishin të shumta.

-Rritja e masës së frutave dhe cilësia e tyre.

-Rritja e lulëzimit për vitin e ardhshëm.

-Ruajtja e shëndetit të pemës, fuqisë dhe strukturës.

– Rrallimi kimik është i shpejtë dhe kostoja e tij është minimale.

Duke parë të gjithë këto vlera të këtij procesi të rëndësishëm në hallkat e prodhimit, lypset që ai të bëhet në kohë dhe në cilësinë e duhur. Ai duhet të aplikohet në periudhën e lulëzimit dhe në përfundim të saj, duke bërë korrektimin përfundimtar.

Së fundmi, profesor Pesteanu flet dhe për produktet kryesore që përdoren për rrallimin e frutave. Si më të mirët e tyre përmende ureja në masën 0,6 deri në 0,8 përqind, Ammonium Thiosulphat, që aplikohet në kohën kur lulëzimi është zhvilluar në masën 20 deri në 80 përqind. Preparate të tjerë për rrallimin mund të përmendim Ethephon, , N.A.D, Brevis, Regalis plus, Perlan e shumë të tjerë.

Ligjërata e profesor Pesteanus u ndoq me shumë vëmendje dhe u përcoll me pyetje të shumta nga fermerët.

Më pas fjalën e merr koordinatori i Giz-it, Aurel Grabocka. Edhe pse në profesion është ekonomist, leximet dhe trajnimet e shumta e kanë bërë atë një ekspert të fushës. Ligjërata e tij është në lidhje me elementet kimikë, që i duhen pemës dhe frutit e në veçanti,kalciumit. Ai bashkëvepron me elementë të tjerë ushqyes, duke stimuluar hormonet natyrale të të vegjetacionit dhe ato të riprodhimit. Ndikimi i këtij elementi kimik është i rëndësishëm, jo vetëm në rritjen e rendimentit dhe cilësisë, por dhe ruajtjen më mirë të frutave në frigorifer.

Kur theksojmë rëndësinë e kalciumit, nuk duhet të kalojmë në ekstremin tjetër. Dhënia me tepricë e çdo elementi ushqyes është shpesh shkaku i sëmundjeve apo presionit nga insektet. Mungesa e ekuilibrit ushqimor sjell më shumë probleme me imunitetin e bimëve, se sa mungesa e elementëve ushqyes në bimë. Që të bëjmë një punë sa më efikase dhe shkencore duhet të bëhen analizat e tokës, ku do mbjellim pemët frutore. Por, duhet theksuar, se dhe kur janë shifrat në parametrat normale, ata nuk janë gjithçka për një ushqim të garantuar, pasi ajo varet dhe nga aftësia thithëse e këtyre elementëve nga bima.

Përfaqësuesi i kompanisë “Sygenta”, profesor Vasil Zafirati, flet për spërkatjet që duhen kryer te pema në faza të ndryshme të zhvillimit, si dhe cilët janë preparatet më të mira kimikë. Detyra e tyre është, jo vetëm të mbrojnë frutin nga sëmundjet dhe dëmtuesit, por të mos bëhen të rrezikshëm për konsumatorin. Fermerët i njohin një pjesë të tyre, por ka dhe të reja me shumë interes. Ndaj ata mbajnë shënime dhe pyesin ku mund të gjejnë të dhëna të mjaftueshme për ta.

Jo pak interesante ishte dhe paraqitja e Aris Konstandinis, përfaqësues i kompanisë greke, Vitros Hellas. Kompania e tyre, e themeluar në vitin 1986, është e njohur në promovimin e mekanikës bujqësore, por jo vetëm kaq. Arisi tregon se ata prodhojnë dy milionë fidanë hardhie, 30 përqind të tregut për pemët frutore dhe 70 përqind të tregut për kivin. Serioziteti dhe profesionalizmi e kanë bërë këtë kompani shumë konkurruese në shtetin grek e më gjerë akoma. Ata e bazojnë punën e tyre në kërkesat e konsumatorëve, që ndryshojnë vazhdimisht.

Së fundmi, përfaqësuesi grek paraqet në monitor një gamë të gjerë mjetesh mekanike të llojeve dhe përmasave të ndryshme, fushore dhe malore, që mund të jenë të nevojshme për fermerët në shumë procese pune.

Lektorët e kanë thënë fjalën e tyre. Fermerët kanë mbajtur shënime, bëjnë pyetje e diskutimi, paraqesin dhe ndonjë problem që kanë pasur në fermën e tyre dhe është momenti të konsultohen për zgjidhjen e tyre. Më pas shtrohet dhe një koktej, i cili shndërrohet përsëri në një mënyrë për të diskutuar akoma.

Ilir Pilku, eksperti   i shquar i bujqësisë shqiptare, moderatori i takimit, premton se evente të këtij lloji do të ketë akoma për Dibrën dhe ndoshta do të zhvillohen në kushtet e fermës. Ndjekja rigoroze e këtyre hallkave të punës në fermë, shoqëruar me një mbështetje financiare, akoma më të madhe nga shteti, do të rrisin më shumë prodhimin, cilësinë dhe të ardhurat nga frutikultura, kjo degë kaq e rëndësishme e bujqësisë shqiptare.