Shaban Sinani, studiuesi më në zë i kulturës shqiptare  


Me rastin e 65 vjetorit: Shaban Sinani e ka emancipuar shkencën shqiptare

 Nga Xhafer Martini

Shaban Sinani është një figurë e njohur mediatike; gazetarët dhe televizionet dëshirojnë ta kenë mik në emisionet dhe ekranet e tyre. Ai, pra, nuk ka nevojë t’ia bëj unë portretin me fjalë, me të vetmen me të cilën operojnë shkrimtarët. Por unë do ta bëj këtë, sa të mundem e si të mundem, se, të shkruash për yjet e pedagogjikes së Peshkopisë dhe të mos përmendësh yllin më të ndritur, nuk shkon. Tani Shabanin e njohin të gjithë përmes shërbimeve që ofron televizioni. Në prill të këtij viti ai festoi gjashtëdhjetë e pesë vjetorin.

Kur flasim për botimet e Shabanit, ne kemi parasysh vetëm librat, kurse artikujt, referatet, kumtesat, intervistat dhe forma të tjera të shfaqjes së mendimeve, janë të pafundme për këtë autor. Më duket se të kohës kur ka punuar në Institut janë librat e tij: “Pengu i moskuptimit”, 1997; “Sipërore”, 1998; “Mitologji në eposin e kreshnikëve”, 2000; “Kështjella e virtytit” (2001) e të tjera. Instituti i Kulturës Popullore kurrë nuk i ka pasur këto hapësira dhe as që ishte i orientuar ndaj tyre. Shaban Sinani kishte interesa të mëdha që nuk mund të plotësoheshin vetëm me punën që merrte rrogën. Këto vepra që përmenda do të shkruheshin prej tij edhe sikur ai të mos punonte në Institutin e Kulturës Popullore. Edhe sikur të punonte, fjala vjen, në një Qendër Kulturore që merrej me kulturën masive dhe shaptilografonte broshura për këtë qëllim, ai do t’i shkruante këto libra. Nuk e bënë vendet e punës Shabanin të madh, ai u dha ndriçim të ri vendeve të punës. Kudo që punonte, ai do ta ndjente veten ngushtë. Kultura që ka dhe mbi të gjitha intelekti i jashtëzakonshëm e bën që të jetë gjithëpërfshirës. Ai, nëse do të punonte, fjala vjen, në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, ta zëmë në sektorin e hartimit të fjalorëve, nuk mund të rrinte i mbërthyer vetëm pas kësaj pune. Ai nuk ishte “punonjësi shkencor tipik”, që e ngarkonin me detyra dhe ai i kryen. Shaban Sinani e ka ngarkuar veten vetë, i ka zhvilluar vetë prirjet dhe aftësitë e veta.

Mbase i vetmi institucion që i shërbeu më shumë se të tjerët Shaban Sinanit është Arkivi i Shtetit, ku ai punoi shumë vjet si drejtues këtij institucioni. Drejtorët e tjerë të atij Arkivi mund të ishin drejtues të mirë si administratorë, por ata nuk e kishin aftësinë e Shaban Sinanit jo më për të punuar me arkivimin, por as për ta kuptuar pasurinë e tij. Shaban Sinani ishte një drejtor krejt tjetër. Duke qenë jo vetëm shkencëtar i aftë, por edhe nga natyra i zgjuar, ai kuptoi rëndësinë e artit që kishte nëpër duar dhe e shfrytëzoi atë në mënyrë të jashtëzakonshme për t’u pasuruar vetë, por edhe për të pasuruar të tjerët. Të gjithë librat e tij, kush më shumë dhe kush më pak, prej një mënyre ose në një mënyrë tjetër janë të lidhur me arkivin. Të gjithë librat e mirë janë të lidhur me arkivin. Nuk ka libër, i çfarëdo natyre qoftë, që nuk lidhet me arkivin. Këtu nuk duhet harruar se edhe populli është një arkiv i madh. Mbasi u njoh me gjendjen e fondit, ai përcaktoi drejtimin e punës së tij. Në Arkivin e Shtetit, ku kam pasur fatin të punoj për një kohë fare të shkurtër (kur merrja të dhëna për Elez Isufin), ka dokumente edhe për një gjel që i është marrë fshatarit pa të drejtë. Shaban Sinani u kap mbas majave. Kodikët, mbase, ishin maja më e madhe. Kadareja, që mbas fillimit të proceseve demokratike, u vu në qendër të opinionit shoqëror pothuaj më shumë se kushdo tjetër, ishte një tjetër majë. Por nuk ishte fjala vetëm për Çështjen Kadare, por për një vështrim më të gjerë: për raportet e shkrimtarëve me diktaturën në të cilën u detyruan të jetojnë.

Studimet për letërsinë shqipe

Shaban Sinani e ka studiuar letërsinë jo vetëm, si të thuash, drejtpërdrejt, nëpërmjet autorëve si De Rada, Camaj, Agolli, Kadare, por edhe me vepra të veçanta, si: “Për letërsinë shqipe të shekullit XX”, Tiranë 2010; “Historia e letërsisë shqipe: çështje të hapura”, “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K.” e të tjera. Shaban Sinani nuk shkonte në zyrë për t’u kapardisur, ai shkonte me mendimin se çfarë të kërkoj dhe të gjej sot, se nesër më duhet të kërkoj dhe të gjej gjëra të tjera. Kishte një aftësi të jashtëzakonshme, siç thonë, për t’i orientuar studimet e tij dhe për të kërkuar edhe ndihmën e të tjerëve pa dëmtuar funksionimin e gjërave. Librat dhe shkrimet e tij me burim të drejtpërdrejtë me Arkivin janë të shumta dhe me vlerë të jashtëzakonshme. Shaban Sinani besoj është nga të parët në shkencën tonë që ka kuptuar se dokumentet nuk kanë vlerë si të tillë, pa interpretim. Ai di t’i interpretojë faktet, di që jetën e letrave, të shkresave, të dokumenteve ta përfytyrojë si prodhimtari, si një shtresë shumë e rëndësishme e jetës së gjallë që është pasqyruar në ato dokumente. Çdo fakt, çdo dokument është produkt i një kohe të caktuar, i një dore që e ka shkruar që ka bërë përpjekje për ta “ngrirë” dhe për ta bërë të përjetshme. Koha që jetohet, e tashmja, vetëm nëpërmjet dokumenteve, “ngrin”, që të mos na bëhet ujë, vetëm nëpërmjet dokumenteve ajo “kthehet prapë”. Në këtë shtresë shkresore, prej letre, depërtohet si nga një derë e madhe, për të hyrë në të kaluarën, në marrëdhëniet, interesat, luftërat, përpjekjet. Duhet që këtë shtresë shkresore ta zgjosh nga memecllëku, t’i japësh jetë, ta vësh në lëvizje, ta ngresh si një perde të madhe të skenës ku janë luajtur tragjedi njerëzore dhe ku janë kryqëzuar dhe përplasur fate njerëzish, me qëllim që kohën e dikurshme, ta biesh në kohën tonë. Kjo është një fjalë goje ta thuash, por ta bësh është shumë e vështirë dhe përpara se ta bësh, duhet ta kuptosh. Vetëm Shaban Sinani, nga të gjithë drejtuesit e atij institucioni, e kuptoi ç’ishte arkivi.

Në veprën “Kodikët kronografikë të Shqipërisë” – dorëshkrime prej Rilindjes Europiane deri në Rilindjen tonë Kombëtare, me të dhëna të rëndësishme për kishën, si një pjesë e kujtesës kombëtare që shfaqet në shkrime të shumta letrare, historike, çka përbëjnë të gjitha tekstologjinë e kombit tonë, nëpërmjet të cilit del mënyra e organizimit shoqëror të jetës në atë periudhë historike, në qytetet më në zë të Shqipërisë që kanë pasur “Kanunet” e veta prej të cilave janë qeverisur, – është historia jonë për shumë  shekuj. Historia e Shqipërisë dhe shumë shkenca të tjera albanologjike që kanë të bëjnë me të kaluarën e popullit tonë, nuk mund të studiohen pa studiuar Kodikët. Kodikët e kultit të krishterë janë jo vetëm dëshmi të mëdha shpirtërore, por edhe shprehje të emancipimit kulturor të studiuesit, i cili, ndonëse vetë është mysliman, nxjerr në pah dhe studion një ndër monumentet më të mëdha të kulturës sonë kristiane.

Mbrojtja e hebrenjve

Një kontribut i madh i këtij studiuesi lidhet me nxjerrjen në dritë me fakte e dokumente një prej të vërtetave të mëdha të shekullit të kaluar: hebrenjtë dhe fati i tyre në Shqipëri. Por ishte Shqipëria e asaj kohe që ishte e pushtuar nga gjermanët. Gjermanët, edhe pse pushtues, ishin dashamirës me qeverinë shqiptare që u ngrit dhe nuk do të përziheshin në punët e saj, por për çështjen e hebrenjve ata nuk lëshonin pé: do t’ia kërkonin qeverisë listat e tyre dhe do t’i mblidhnin hebrenjtë edhe nga Shqipëria, siç bënë në të gjitha vendet e tjera. Hebrenjtë u përndoqën dhe u persekutuan skajshmërisht në të gjitha vendet ku ata ndodheshin. Në këtë batak ranë shumë personalitete botërore nga më të shquarit. Vetëm Shqipëria e vogël dhe populli i saj krenar i ruajti dhe i mbrojti hebrenjtë, me çka i ka ngritur vetes një monument të madh lavdie. Ne flasim çdo ditë edhe sot e kësaj dite për holokaustin, por nuk e dimë mirë tragjizmin që shkaktoi ai dhe mënyrat e shfaqjes. Shaban Sinani i bën një shërbim shumë të madh çështjes kombëtare, kur para botës prezanton Shqipërinë me dokumente dhe fakte, si mbrojtëse të hebrenjve. Është nga studimet më të plota të këtij autori. Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, z. John L. Withers II, kur flet për këtë kontribut të madh të autorit shqiptar, thotë se “Në Shqipëri ndodhi një bashkim i të gjitha kaheve politike dhe të besimeve fetare-antifashistë dhe profashistë, komunistë dhe nacionalistë, myslimanë dhe të krishterë, besimtarë dhe jo besimtarë për të siguruar që asnjë hebreu të strehuar në Shqipëri nuk do t’i hynte gjemb në këmbë”. Natyrisht, kjo ndodhi, por ky bashkim për të mbrojtur hebrenjtë nuk ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe as që ka lindur vetëm për hebrenjtë. Ky humanizëm ka lidhje me kodin tonë zakonor, me Kanunin, i cili institucionin e Mikut e ka më të rëndësishmin dhe më të shtrenjtin. Për mbrojtjen e Mikut shqiptari ka dhënë jetën e djalit të vetëm. Strukturat shtetërore këtu nuk kanë asnjë rëndësi. Në vitet e para pas çlirimit në Peshkopi mbeti një doktor hebre, doktor Shyqyriu, i cili ka shërbyer në këtë qytet dhe në rreth për pesë-gjashtë vjet, derisa u arratis prej regjimit komunist po me ndihmën e shqiptarëve. Ai bëri tri orë në këmbë për të ardhur në Fushë Alie dhe për të vizituar një vajzë të re që ishte prekur nga tuberkulozi. Në një bisedim miqësor me fshatarët e këtij fshati, ai u shpreh kështu: “Ne izraelitët, çdonjëri prej nesh, ia ka borxh çdo gjë popullit shqiptar, lavdia e të cilit qëndron në faktin se asnjë nga bashkëkombasit e mi nuk u dorëzua te gjermanët, në një kohë kur ndër shtete të tjera janë dorëzuar të gjithë ata që u kapën ose u identifikuan. Lavdia juaj ka të bëjë me kodin tuaj zakonor, me Kanunin, i cili institucionin më të fortë ka atë të Mikut”.

 

Zbulimi i dosjes së Kadaresë

Burim i Arkivit të Shtetit janë edhe veprat “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, “Një dosje për Kadarenë”. Në të dyja këto libra ka vëzhgime interesante. Dukurinë e shtypjes së personalitetit të shkrimtarit Shaban Sinani e ka vërejtur vetëm te Kadare. Ai ishte shkrimtari më i madh, por jo më i persekutuari prej regjimit. Këtë të gjithë e dinë. Autori me të drejtë preferon të merret vetëm me shkrimtarë të mëdhenj, por letërsinë shqipe nuk e kanë bërë vetëm ata. Nga ana tjetër, nuk mund të nxjerrësh konkluzione të drejta për procesin kur kapesh nga majat, nuk mund të nxjerrësh konkluzione të drejta kur e përcakton qëndrimin apriori dhe jo duke u nisur nga vepra. Kur merret posaçërisht me Kadarenë, autori, për mendimin tim merret në mënyrë të njëanshme: vetëm për të nxjerrë në pah meritat e tij. Kadare, nuk ka dyshim, është një gjeni, por gjenitë kanë edhe të meta dhe dobësi, nganjëherë të mëdha, në karakter, që duhen studiuar bashkë. Shaban Sinani është i kësaj linje mendimi që jeta e shkrimtarit dhe vepra e tij duhen parë në unitet. “Biografia, për shembull, ka qenë dhe mbetet një përbërëse themelore e krijimit në të gjitha kohërat, një shtysë parësore për krijimtari. Sepse, përderisa letërsia është shprehje e një gjendjeje të lartë shpirtërore, jeta e shkrimtarit nxit krijimtarinë”. (Shaban Sinani: “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, 2011: 133) Unë kam mendim të kundërt, por, meqë Shabani është i asaj linje, duhet t’i qëndronte besnik asaj. Vepra e Kadaresë shpeshherë është e ndryshuar. Ka disa variante për një vepër, duke e larguar secilën prej tyre nga shtrati fillestar. Nuk janë kurdoherë ndryshime artistike, kanë edhe motive të tjera. Shabani, ashtu si kalimthi shkruan: “Nuk mund të përjashtohet një fazë e tretë, ku është e vështirë të ndahet frymëzimi, pranimi vullnetar i realizmit socialist, prej ndikimit apo imponimit të kanoneve zyrtare. Në 1968 ai boton vëllimin “Motive me diell”, me poezi të tilla, si: “Dalja e shqiptarëve nga Traktati i Varshavës” dhe “Shqiponjat fluturojnë lart”, që “e vunë Kadarenë ndër shkrimtarët më pranë partisë”. Dy poemat e njohura: “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe “Përse mendohen këto male”, si dhe romanet “Kështjella”, i shkruar në 500 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit, mbajnë shenjën e kësaj faze. Botimi i romanit “Kështjella” përkon njëherësh me daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës dhe fillimin e vetveçimit të vendit ndaj botës. Nëse në gjithë periudhën e mëvonshme historia ka qenë gjithnjë një shkas për aludim kundër bashkëkohësisë, në këtë roman aludimi – të paktën sipas receptorëve të parë – ishte për ta lartësuar epokën e re. Ikja prej historicizmit dhe aluzioni pozitivist për Shqipërinë e rrethuar, për qëndresën historike, për demonët e pafund përqark saj, bashkojnë vullnetarizmin me kanonizmin. “Dasma” do të ishte lëshimi i fundit i kësaj periudhe. Më vonë, Kadare romanin “Kështjella” do ta ripunonte thellë, kurse “Dasmën” do ta qortonte më shumë se gjithë kritikët e tij të marrë së bashku: Arshi Pipa, Martin Camaj, Bilal Xhaferi, Petro Marko, Rexhep Qosja dhe të tjerë”. (Shaban Sinani: 2011: 94) Por përveçse këtu në këtë faqe dhe me aq sa citohet, Shaban Sinani nuk i fryn askërkund tjetër kësaj kundërshtie. Ai thotë se romanin “Kështjella” e ripunoi thellë. Po përse? Cilat qenë motivet? Dhe Kadare nuk e ka bërë këtë vetëm në një vepër!

Si studiues i kulturës popullore

Për mendimin tim veprat më të shquara të Shaban Sinanit i përkasin studimit të kulturës popullore. Këtu ai është, si të thuash, në shtratin e vet. Të marrim vetëm njërën prej tyre: “Pyetje në albanologji”, Tiranë 2013. Në të janë përmbledhur një sërë shkrimesh për dukuri dhe personalitete të kulturës sonë, janë studiuar kaq thellë, kaq me kompetencë, janë shkruar kaq bukur, lirshëm dhe me stil elokuent, sa e bëjnë Shaban Sinanin një dijetar të madh, që komunikon me lexuesin jo nga pozita të ftohta akademike, por si një stilist i shquar. Përmendim disa artikuj dhe studime që janë përmbledhur në këtë libër, si: “Etnosi shqiptar dhe eposi shqiptar”, “Beteja e Kosovës 1398 – një ep shqiptar”, “Mbeçë, more shokë, mbeçë”: këngë nizamësh apo pelegrinësh”, “Një koleksion këngësh popullore nga dom Nikollë Kaçorri”, “Letërkëmbimi i Dora d’Istrias me Angelo de Gubernatis, “Personaliteti i Hasan Cekës dhe fillimet e arkeologjisë shqiptare”, “Lef Nosi dhe Margaret Hasluck”  e shumë e shumë artikuj dhe studime të tjera, i japin këtij autori lavdinë e merituar.

Shaban Sinani këtu është në një truall të fortë prej guri, ka themele që nuk lëkunden. I trajton për herë të parë vetë këto tema, por, edhe kur ndonjë e kanë trajtuar të tjerët, ai del mbi të gjithë si për freskinë e trajtimit, ashtu edhe për përfundimet që nxjerr. Ai jep definicione dhe sqaron koncepte. Ai është i saktë në formulimet që i jep me superioritet. Kështu, si shembull, për të studiuar eposin dalin para lexuesit terma si parahistoria dhe historia, që janë dy disiplina të ndryshme. Ç’është historia njerëzit e dinë, por ç’është parahistoria, e thotë shumë bukur Shabani: “Parahistori në studimet për letërsinë gojore është gjithë ç’i përket kohës prej fillimeve të vetëdijes estetike njerëzore deri në shfaqjen e epikës historike”. (Shaban Sinani: “Pyetje në albanologji”, 2013, f. 9) Dhe më tej vazhdon të sqarojë koncepte të tjera: “Në vështrimin e A. Budës etnosi ilir dhe etnosi shqiptar janë dy nocione të ndryshme, të cilët i bashkon vazhdimësia gjenetike, historike dhe territoriale. Prej formimit të etnosit ilir deri tek formimi i etnosit arbër/shqiptar janë më shumë se njëmijë vjet, gjatë të cilave ndodh përveçimi, lulëzimi dhe shuarja e njërit qytetërim dhe lindja, mëkëmbja dhe pohimi i tjetrit”. (Sinani: 2013: 9) Ka shumë njerëz që u bien në qafë studimeve nga fusha e kulturës popullore dhe i bëjnë gjërat lëmsh se nuk kanë asnjë koncept. Shaban Sinani është një mësues i madh për të gjithë ata që duan të mësojnë. Ai në veprat e tij ka shumë koncepte, formulime origjinale për shumë dukuri të fushave të ndryshme: “Fillimet e epikës historike Buda i gjen në ciklin e Gjergj Kastriotit që është ruajtur midis arbëreshëve, në formë popullore tradicionale dhe në formë të redaktuar prej romantikëve, si “Rapsodi e një poemi arbëresh” e De Radës”. (Sinani: 2013: 12)

Dora-dorës, me një përsosmëri metodike, me një stil që vetëm sa vjen e bëhet më i qartë dhe më implusiv, Shaban Sinani jep koncepte të reja: “Në eposin legjendar ka vetëm heronj kulturorë, heronj historikë nuk ka. Në këngët heroike legjendare nuk ka as Shqipëri, as Arbëri, as atdhe të përkufizuar. Trojet, bjeshka, mali, janë nocione të përgjithshme që mundësojnë përfytyrimin e një atdheut poetik”. (Sinani: 2013: 15)

Shaban Sinani, edhe pse merret me kulturën popullore, siç është eposi i kreshnikëve, ai sjell të dhëna me interes edhe për fusha të tjera, sidomos në fushën e historisë, për problemin më kardinal,- kalimin nga pavetëdija e arbërve në lidhje me kombësinë, kalimi në vetëdijen e një kombësie të dallueshme në periudhat e mëvonshme – gjë të cilën historianët nuk e kanë kryer ose e kanë kryer me konfuzion dhe të meta të natyrave të ndryshme. Shikoni sa bukur dhe qartë shprehet Shabani: “Vetëdallimi etnik i arbërve ka qenë një proces shumë i vështirë, për shkak të gjendjes së organizimit shoqëror të tyre, të ndërhyrjes së kufijve perandorakë dhe të shtyrjes së ndërsjellë të autoritetit të kishave. Kjo vjen deri në periudhën heroike të Gjergj Kastriotit, kur arbërit bëhen të njohur në Europë për qëndresën e tyre antiosmane, por duke u quajtur e vetëquajtur herë epirotë, herë maqedonas, herë albanë”. (Sinani: 2013: 18) Sigurisht, Shaban Sinani nuk ka lindur i ditur, edhe ai ka mësuar si të gjithë të tjerët. Por ai din prej kujt mëson dhe atë që mëson di si ta shprehë. Për shembull, po të shikosh referencat e tij, ato janë jo referenca për referenca, por dëshmi e hulumtimit, studimit dhe përzgjedhjes së mënyrës së paraqitjes së veprave të mëdha të autorëve të mëdhenj. Shaban Sinani e ka shumë të lartë shkallën e asimilimit, përvetësimit, të thithjes dhe të absorbimit të asaj që merr prej të tjerëve. Formimi kulturor i tij ka ardhur sa prej shkollës, aq edhe prej studimeve; sa prej mendjemprehtësisë, aq edhe prej punës së palodhur dhe vullnetit të çeliktë.

Të shikojmë çfarë thotë Shabani për këngën shumë të njohur “Mbeçë, more shokë, mbeçë”. Ne, sipas folklorit tonë, e kemi mësuar atë si këngë nizamësh. Kjo ide ka përshkuar studimet tona për këtë këngë. Kuptohet, se një nisje e gabuar të çon në përfundime të gabuara. Ajo nuk është këngë nizamësh dhe, duke mos qenë e tillë, komentet që i janë bërë janë të gabuara. Folkloristika jonë ka arritur në këto përfundime, se studimet e saj kishin një natyrë të klishetizuar, niseshin nga disa ide dhe përfytyrime abstrakte dhe nuk studiohej në imtësi vetë kënga, teksti i saj. Përfundimet jashtëtekstore janë gjithnjë të gabuara. Ja si shprehet Shaban Sinani për këtë këngë: “Por të dhëna dhe detaje brenda tekstit të këngës të çojnë në mënyrë bindëse në përfundimin se kjo është një këngë pelegrinësh, këngë e ritualit të haxhillëkut, përmes së cilës subjekti në mënyrë eufemike linte porositë e fundme në familjen e tij, duke qenë i pasigurt në fatin e rikthimit; një këngë dhimbjeje për mundësinë e humbjes së familjes, atdheut, vendit të të parëve”.  (Sinani: 2013: 47) Shaban Sinani tregon edhe arsyen pse ka rëndësi përcaktimi i saktë i tipologjisë së këngës, pra, që nuk është këngë nizamësh, por këngë për haxhillëkun. Sepse ajo, duke u konsideruar si këngë nizamësh, ka futur në hullinë e saj edhe krijimtarinë letrare të kultivuar të shekullit XX. Kujtojmë këtu, thotë Shabani, “Baladë nizamësh” e I. Kadaresë, me vargun hyrës “O ju korba që më hani”; “Kaloje urën, zemra ime” dhe “Këngëtari i maleve” të Xh. Spahiut; integrimi tërësor i këngës në poemën “Nënë Shqipëri” të D. Agollit…, si dhe dhjetëra këngë kushtuar Demir Zykos; janë vetëm prej pak ilustrimeve që dëshmojnë se si një metatekst mund të transmodelojë (unë do të thosha të fusë në rrugë qorre -xh.m), prej keqkuptimit krijimtarinë që mbështetet në të”. (Sinani: 2013: 52) Po kështu, krejt i gabuar është përcaktimi i tipologjisë për këngën e njohur dibrane “Oj fusha e Korabit”, si këngë mërgimi. Shabani për këtë këngë shkruan kështu: “Rasti më flagrant i largimit të motivit popullor prej kuptimit burimor është ai i këngës “Oj fusha e Korabit”, e cila është një këngë e mirënjohur shtegtimi (“Bajne si t’ja bajsh / për Gjallajc t’më vajsh”) janë dy vargje që shënojnë saktësisht kthimin e barinjve nga bjeshka në vërri), por studiuesit e paraqitën në skena festivalesh si këngë mërgimi, duke ia ndryshuar krejtësisht frymën”. (Sinani: 2013: 63). Kështu shtrembërime pa fund ka në të gjitha këngët e tjera të Dibrës. Shumë veprime të kësaj natyre janë bërë jo nga padija, por nisur nga qëllime ideologjike. Për shembull, të heqësh nga një këngë historike disa protagonistë historikë të papëlqyer prej regjimit dhe t’i zëvendësosh ata me të tjerë “patriotë” është më shumë se një lajthitje shkencore. Kështu, si shembull, ka ndodhur me këngën për Hajredin Pashën, kur këngëtarët dhe përdoruesit e kësaj kënge kanë fshirë dhe kanë shtuar emra sipas oreksit të tyre. Gabimet në tipologji janë të ndryshme. Këto gabime i bëjnë jo vetëm amatorët e sotëm dibranë, por edhe Haki Stërmilli në ndonjë rast, kur fjala vjen, një këngë e trimërisë individuale merret si këngë trimërie atdhetare, një vrasje pas ferrave, sipas neneve të Kanunit, merret si akt trimërie i mirëfilltë, një hakmarrje personale interpretohet si veprim i madh atdhetar.

 Studimet mbi Kanunin

Ky autor është marrë edhe me problemet e Kanunit. Por ai ka parasysh vetëm Kanunin e Lekë Dukagjinit, pse ai është më i pari kanun i njohur, në një kohë kur janë botuar edhe shumë kanune të tjerë. Por këto Shaban Sinani i fut tek ndryshorët, domethënë te variantet e Kanunit të Lekë Dukagjinit. Në shenjimin nr. 122, në faqen 146 të librit “Etnos në epos”, Tiranë 2011, f. 146, ai shkruan: “Ndër të tjera mund të veçohen këto botime: Xhemal Meçi, “Kanuni i Lekë Dukagjnit” – varianti i Pukës, Tiranë 1996; idem: “Kanuni i Lekë Dukagjinit në variantin e Mirditës”, Tiranë 2002;  Shefqet Hoxha, “Instituti i kuvendit në Lumë – punim etnologjiko-historik”, Tiranë 2002; Xhafer Martini: “Kanuni i Maleve të Dibrës”, Tiranë 2003; idem: “Kanun i Dibrës” , Tiranë 2007; ibidem: “Gjakmarrja: komente, raste, situata”, Tiranë 1999 etj.”

Shaban Sinani te “Kanun e kuvend”, në librin “Kështjella e virtytit” bën konstatime të mprehta dhe origjinale, që orientojnë studimet tona të mëtejshme për kanunet shqiptare se ata, me të drejtë, shikohen prej këtij studiuesi jo vetëm si e drejta zakonore tradicionale, por edhe si modele të organizimit tradicional të jetës së shqiptarëve që nga koha kur ata kanë jetuar në këtë tokë. Njerëzit, sapo u dalluan nga kopja e kafshëve kishin nevojë për një rregullator të jetës dhe ky ishte kanuni, i cili as nuk u krijua përnjëherë, as u krijua nga një njeri. Ai është prodhim shkencor i shekujve dhe mijëvjeçarëve dhe i mijëra brezave njerëzorë. Prandaj mua nuk më duket e drejtë ajo që thuhet në librin “Etnos në Epos”, Tiranë 2011, f: 66: “Rendi etnojuridik që sundon në epikën heroike legjendare dhe në statutet e qyteteve shqiptare të periudhës osmane është shumë më i hershëm se ai kanuneve”. Nuk po flas për epikën heroike legjendare, se unë nuk e konceptoj se si në të të kishte një rend juridik, por e them me plot bindje se kanunet që kanë rregulluar jetën e shqiptarëve, janë shumë më të lashtë se statutet e qyteteve shqiptare. Derisa janë zhvilluar qytetet dhe ka filluar organizimi i tyre, sa janë hartuar rregullat e të tjera, kanë kaluar mijëra vjet që kur njerëzit kanë ndarë  “imja” nga “jotja”. Por unë i jap shumë të drejtë Shaban Sinanit kur ai e shikon kanunin jo vetëm si dëshmi e një rendi juridik, por edhe dëshmi e lashtësisë që shkon deri në papërceptim: “Vetëm një popull i ngulitur prej kohësh mund të arrinte të përpunonte në atë shkallë me të vërtetë të lartë elementë të vetëdisiplinës dhe të autopërgjegjësisë. Një popull që arrin të krijojë një kod të normuar bashkëjetese duhet të ketë zotëruar më parë një kulturë të ngulitur etnike. Një mënyrë bashkëjetese e pranuar pa kushte nga të gjithë do shekuj të tërë të rregullohet me norma të njësuara. Kanuni shpreh ekzistencën e një jetë urbane qytetare dhe të një ndërgjegjeje bashkësie të hershme” (Shaban Sinani: “Kështjella e virtytit”, Tiranë 2001, f. 57) Mua më vjen mirë që Shaban Sinani si studiuesi më në zë i kulturës shqiptare ka këtë mendim për kanunin, ndryshe nga të ashtuquajtur “dijetarë” që tremben prej kanunit si prej djalli dhe e quajnë atë mjerimin e këtij populli, që nuk po i ndahen mjerimet. Në tej Shabani e pasuron këtë mendim kur thotë: “Ishte ky kanun jo vetëm e drejta e rregullimit të bashkëjetesës (convente), por edhe e drejtë familjare, e drejtë civile, e drejtë pune e procedure, një ansambël i vërtetë drejtësie, ku përcaktoheshin në mënyrën më të sintetizuar raportet e njeriut me familjen, me fisin, me miqësinë, me flamurin dhe me atdheun”. (Shaban Sinani: “Kështjella e virtytit”, Tiranë 2011, f. 58). Nuk ka si të thuhet më saktë dhe më bukur. Këto janë postulatet e Shabanit që i ka me dhjetëra në veprat e tij. Kemi të bëjmë me një autor orientues, përkufizues, formulues i koncepteve  saktë, qartë dhe shkurt, çka përbën një bazë të shëndoshë për të ecur pa frikë se gabon në gjurmët e tij. Për mua, sado gabime të vogla të bëjë Shaban Sinani në lidhje me shfaqje të ndryshme të kanuneve, nuk kanë asnjë rëndësi përpara këtyre përcaktimeve bazë, përpara këtyre shinave që shtron ai në rrugën e kanuneve shqiptare.

Shaban Sinani e ka emancipuar shkencën tonë me luftën e drejtë që ka u bërë miteve, tabuve, klisheve dhe lloj-lloj lëmyshqeve, fryt i studimeve në periudhën e diktaturës.

 Marrë me shkurtime nga libri “Pedagogjikja, personalitete”, i autorit Xhafer Martini.