Basir Bushkashi, poet i aromave të shpirtit 


Rrëth vëllimin poetik “S’më pyesin vitet”, Poezi, botimet ADA, Tiranë 2023

Nga MEVLUD BUCI

Basir Bushkashi është një poet liriko-filozofik në dritën e shpirtit njerëzor, ku çmon njeriun, virtytet me nota prekëse dhe qëndis një verb komunikues. Vargjet e tij janë të frymëzuara, me detaje që reflektojnë një këndvështrim human, duke qëmtuar nga jeta, çaste, zbulime, meditime, kujtesë e mall. Ai është poeti që do dhe entuziazmohet nga bukuria e jetës dhe në shpirtin e njeriut gjen blerim e mirësi. Mesazhet e realitetit i përcjell me ide të hapura e të nënkuptuara ku asesi nuk përjashtohet thellësia e tyre evokuese, të cilat e bëjnë lexuesin të meditojë gjatë, të shohë në to përvojat e tij, të bukurën dhe madhështinë e jetës kur ajo jetohet me kuptim. Kështu, nuk vjen rastësisht përkushtimi i tij për figura të shquara, por edhe për njerëz të zakonshëm, për shokë e miq, për të njohur e të panjohur, që zënë vend në këtë poezi lirike-refleksive.
Në librin e tij të fundit “S’më pyesin vitet”, botim i shtëpisë botuese ADA, autori i është përmbajtur idesë se vitet bëjnë punën e tyre, por poeti sikur don t’i ndalojë ato të mos shkojnë deri te plakja dhe ia arrin kësaj poetiksht, duke na prezantuar një libër me frymë rinore. Poeti është në kërkim të gjurmëve më të bukura të viteve, ato gjurmë që u njomën me frymën e dashurisë, respektit e të mirënjohjes, që, në një pikë të caktuar të vëzhgimit kohor, kur kthen kokën pas, të bëjnë që të mos skuqesh. Poeti kërkon nga jeta maksimumin, ndërsa shprehet: Dhe kur do të iki / Përgjithmonë, / S’më pyesin, / s’ma thonë.
Vështrimi i jetës, kohës, kombit, mirësitë, jepen aq natyrshën në poezitë (të sugjeruar veçmas për t’u rilexuar): Ftesë e një vendlindasi, Po sikur?, A Z Çajupi, tungjatjeta!, Bukuria, Përgjithkund ca zogj, Krejt i vetmuar, Dritëro Agolli, Dhimbje, Kur u largova, Fluturim, Libri i burrërisë, Pse kaq mjegullim? etj.
Si poet i Mallunxës së Matit, i lidhur fort me trevën e vet, me punën si mësues dhe me ndjesi të shumta të takimeve me njerëz, ai nuk harron të shpërfaqë çaste, të përthekojë motive, të veçanësojë vlera e tipare të këtyre njerëzve në udhën e bukur të artit, si për të përcjellë idenë se arti i takon njeriut dhe zbulohet përmes botës së tij.
Poeti e traskripton dhe e transfiguron peizazhin në ndjenja, mendime e konkludime origjinale: Këndojnë plot zogj / në harenë e vet /sa harbohet pylli / po mbi të gjithë / drithërohet bilbili.
Ajo që duhet spikatur te ky poet është trokitja emocionuese e vargut, ngrohtësia, që përbën pikën më të fortë të origjinalitetit të tij të spikatur. Vizioni njerëzor i shpirtlirisë, i veshur me një vel të hollë romantik, është një veçori që haset rrallë te poetët që turren pas metaforave të vështira, pas kalambureve të figurës dhe trandeshencës së ftohtë e atmosferave mjegulluese, por kur i largohesh kësaj tip-poezie, asgjë nuk të mbreson.
Lirizmi i Bushkashit është i dallueshëm dhe vetëm i tij, që të kujton një poet i cili shkruan për atë që njeh, që ndien dhe që e transmeton me vetvetishmëri si burimet e kristalta malore; është një lirizëm në substancë jo i kërkuar, i buruar, me gjelbërimin e një shpirti që përçon mirësi.
Më mirë se në poezinë “Një bli” kjo nuk mund të shprehet kur poeti ngre kumtin: Një bli harliset / mbi të tjerë / më madhështor / më mbretëror / Dhe e dini pse / ju miqtë e mi, / se rrënjët i ka / në thellësi.
Poeti e zgjedh figurën e blirit, po herë edhe të të lisit, të bredhit, panjës a të ndonjë druri tjetër, se poezinë e do të gjelbëruar si drurët, si vetë natyra, ndaj vargjet e tij vijnë natyrshëm me kërkime të sinqerta e zbulime lirike, pse jo edhe dramatike, që përcjellin e gulfojnë rrjedha malli mbi jetën, të bukurën , shpirtin, arratinë e kujtesës duke u ndalur në ato çaste me një bukuri të pashlyer.
Stinët zënë vend herë- herë jo thjesht si përmendje, por të përmendura përmes vetëndjerjes së tyre në një kalendar poetik ditësh; te femra, bukuria e saj, dashuria si shpërblim i fizikut dhe karakterit, poezia e Basirit gjen prehjen e saj, e prej kësaj prehje arrin të shkëputet dhe të përndizet. Një vajzë e bukur / një police / shenja policie / mban përmbi gji”
Intesiteti i ndjenjës që gjendet këtu nuk e shteron hovin e tij ndërsa përcillet përmes vargjeve: honeve të shpirtit / kërleshen erërat / kërleshen aq egër/ sa gjoksi më dhemb; dhe: siç e vëmë re, këto fjalë dallohen për minimumin e vargjeve dhe maksimumin e ideve.
Basiri është poet i konstatimeve të holla, që shprehen në kursim fjalësh e flasin e nënkuptojnë mjaft ide, alternojnë situata të bukura me njëra-tjetrën.
Bushkashi është një konstruktor i vargut. Poezitë e tij nuk janë shumë të rrjedhshme. Fillojnë e mbarojnë si një çast mahnitje. Mobilizojnë estetikisht dhe të këndellin prej joshjes që sjell ëmbëlsia e fjalës. Ky lloj ndërtimi e sjell poezinë e tij në një nivel të mirë realizimi duke fryrë si një fllad i ëmbël bjeshkor, si një nimfë liqenore e Ulzës dhe e kodrave magjike përreth saj.
Edhe kur Basiri rrok tema sociale e përdor satirën, heshtat goditëse të saj me një parfumim lirik, sepse ai është poet i butë, më tepër shpreh keqardhje dhe kërkon sa më shpejt ndreqjen e ca veseve që duhet të kuptohen e të mos përsëriten përmes vetëkorrigjimit.
Poezia e tij është e pastër si kristali, jo kristal i ftohtë, e kthjellët si një qiell mbi kreshtat e maleve, e shtrirë, si kodrat e valëzuara të Burrelit plot lule dhe hijeshi, është një poezi që nuk ka qëllim mbylljen dhe tjetërsimin absurd, poezi e konkretësisë, por edhe e përgjithësimit dhe e reflektimit. Ajo nuk zhytet në brenga lënduese e në qarje të një ligështuesi pesimit, përkundrazi të afron optimizëm dhe gëzim, edhe pse koha ikën, thinjat zbardhen edhe më, vitet mprehin presën, por poeti nxiton ta mbushë vargun me aroma të bukura të dashurisë njerëzore si lirik i heshtur, pa bujë, por që tërheq vëmendjen e një rrethi të madhe lexuesish dhe mban respektin si poet me zë dhe dashamirës, larg çdo hipokrizie, e për nga lirizmi ta kujton Seremben tonë të madh, por edhe bardët popullorë e lirikën agolliane, natyrisht duke qenë vetvetja.
Koncentrimi i mendimit jepet përmes një lakonizmi për t’u pasur zili, ngrehina e vjershës vjen përmes zhvillimit të një mendimi me peshë, që ka një bërthamë rrezatuese, kjo ngrehinë është e hijshme dhe komode, e ngrohtë si një vatër e thjeshtë ku duhet të trokasësh lehtë, pa bujë, sepse e di që aty gjen vetëm dashuri.
Në përfundim, mund të themi se Basir Bushkashi me librin e tij me poezi “S’më pyesin vitet”, realizon një ligjërim poetik në hulli të ligjërimit të tij të më parshëm, por ajo që sjell të re është se ai edhe pse tashmë vitet i ka më të shtuara mbi supet e tij, freskinë, energjinë e vargut e shpërfaq në mënyrë të tillë sikur i ka prapësuar disa vite dhe gjendet në një moshë më të re. Kjo, se sa ç’jeton kohën reale, aq jeton kohën e vet poetike të artistit të frymëzuar e të sinqertë. Poeti matjan Bajram Canameti, ka të drejtë kur e përkufizon portretin e Basirit me vargjet: Te fjala jote, poet fisnik / mbruhen udhët malore / si një diamant shndrit / agimeve mëngjesore”.