Drejt majës së Korabit, destinacioni që nuk duhet humbur


Dikur Franc Nopca dhe Edit Durham vizitonin me muaj të tërë malet e Shqipërisë Veriore, kurse në kujtimet e tyre tregojnë se Ismail Strazimiri ka qenë prej shqiptarëve që me përshkrimin dhe orët që merr udhëtimi, ka qenë më i sakti prej gjithë njohësve të gjeografisë dibrane.

Nga Fitim Dika

Të udhëtosh në Korab është një sfidë më vete, jo vetëm për lartësitë që disponon, por edhe për shumë bukuri të pazbuluara që ekspozon në çdo stinë. Përkundër faktit që është kthyer në ‘bozë’ ngjitja e Korabit të Madh (2764m) nga Radomira ose Strezimiri, edhe pse në Maqedoni shtegu më natyral i ngjitjes do duhej të ishte nga Zhuzhnja, andaj, ne vendosëm një ngjitje më spektakolare të Korabit: aty ku bukuria shijohet njëherë dhe kap të gjitha pikat më të rëndësishme të saj.

Radomirë – Fusha e Korabit – Fusha e Panairit
Në një ditë të nxehte vere, disa ushtarë të UÇK-së, për nder të heroit Tahir Sinani, kishin vendosur që të ngjisin Fushën e Panairit, në vendin ku ata kishin qëndruar me muaj të tërë në atë zonë përgjatë vitit 2001.
Pasi gjerbëm kafen e mëngjesit në Maqellarë të Dibrës, sëbashku nisemi drejt Radomirës, ku një grup tjetër nga Kosova na prisnin për këtë ngjitje që ishte edhe përvjetor njëherësh.
Nga Radomira, që ngjan me fshatrat përrallorë të Zvicrës, kemi ngjitjen e shkurtër, por jo edhe të lehtë drejt Fushës së Korabit. Të ngjall habi që mes maleve aq të thepisura të ndodhet një Fushë e tillë tepër e madhe, që falë thatësirës kishte marrë pamjen e një qilimi të pafundmë ngjyrë kafe. E famshmja këngë “Moj Fusha e Korabit”, ia shton vlerën kësaj fushës edhe në aspektin historik e kulturor. Sipas shumë historianëve kjo këngë me vargje vajtuese tregon luftrat që kanë ndodhur në këtë zonë, por disa të tjerë mundohen të thonë se përshkruan vuajtjen e vajzës së dashuruar për bariun që kalon me muaj të tërë në stane duke ruajtur delet.
“S’asht nji ditë a dy – e, oj, mjera un-o, Janë gjashtë muej të zi – e, oj, mjera un-o!”
Nga Fusha e Korabit, që të kujtonte edhe filmat Ëestern, me pak kasolle e stane dhe udhëtime të gjata, nisemi për të ngjitur edhe një kodrinë për të dalë drejt një fushe tjetër, Fusha e Panairit, e cila është e gjelbër në çdo kohë, falë edhe burimeve ujore që e përshkrojnë mespërmes. Kjo fushë gjendet nën majën e Korabit, 2115m, është 800 metra e gjatë dhe deri në 230 metra e gjerë dhe ka formën e një amfiteatri të madh.
Në këto treva dominon delja e racës rudë, të cilës i kushtohet edhe një këngë e bukur popullore.
Në Fushën e Panairit, që lumenjtë mes fushës zhduken në thellësitë e tokës, ish ushtarët e Tahir Sinanit vendosin një pllakë përkujtimore për komandantin e tyre.

Korabi i Madh, 2764m
Nga Fusha e Panairit, përmes një shtegu të ngurtë nisemi drejt majës së Korabit, që tashmë ngadalë afrohemi drejt piramidës nr. 4, e cila në kohë e komunizmit ndante si Muri i Berlinit Korabin në dysh: pjesën lindore-jugosllave dhe atë perëndimore-shqiptare. Pikërisht, kjo ka mundësuar që Korabi të mos jetë shumë i eksploruar në Lindje dhe Perëndim, por ka persona që njohin vetëm njërën anë të saj.
Pasi tashmë barrierat mes shteteve ballkanike janë më të vogla, nuk përbën asnjë rrezik kalimi ndërkufitar malor. Duke kaluar pak në thellësi të territorit të Maqedonisë së Veriut, ngjitemi drejt Korabit të Madh që është edhe maja më e lartë e trojeve shqiptare, plot 2764m. Te piramida sot është një piramidë metalike, e cila shënon lartësinë e Korabit dhe shërben edhe si një dekor në fotografitë q ëbëjnë turistët që kapin majën. Sipas disa barinjve aty pranë, gjatë një kohë të kthjellët, për ata që bëjnë kamping në majë dhe shikojnë në mëngjes, shikimi nga maja kap deri edhe Durrësin e detin e Adriatik. Por kjo për mua mbetet akoma e paverifikuar, megjithëse që barinjtë janë të bindur për këtë.

Ujëvarë Përroi i Thellë-Llakqët e Gjipqve-Liqeni i Gramës
Prej majës më të lartë fillojmë të zbresim drejt një fushe tjetër të pasur me ujë, që tashmë njihet me emrin “Te Kryqi” në Maqedoninë Veriore, pasi deri para pak kohësh aty ishte vendosur një kryq nga ushtarët. Për të pasionuarit me off road, deri aty mund të shkohet me fuoristradë, megjithatë ne, tashmë me një grup tjetër, marrim majtas për të zbritur teposhtë, në një shteg të dëmtuar falë erozionit dhe që kishte vështirësi të shumta, veçanërisht për ata që kanë problem me lartësitë, për t’u afruar deri të Bjeshkët e Bashkueme ose Bjeshkët e Abezallarëve.
Këtu dukeshin edhe disa kazerma të dikurshme ushtarësh, por ne duhet të ecnim edhe disa qindra metra drejt lindjes për të parë ujëvarën më të lartë të Ballkanit, që mban emrin e toponimit shqiptar Përroi i Thellë.
Nga Përroi i Thellë kthejmë mbrapsht për të ngjitur Bjeshkët e Bashkueme, ku tash përsëri ndodhemi në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore.
Sëbashku me Pajtim Vranicin dhe Arben Hatellarin vijojmë drejt kreshtës së Korabit, ku arrijmë në Liqenin Izgrevono, liqeni ku lind dielli dhe ku nga aty fillonte të dukej edhe Ujët Kalar, një lum në formë gjarpri që zbukuronte fushën që ndante Majën e Madhe dhe Majën e Hullinit në njërën anë dhe Kabashin e Shkallën e Ribnicës në anën tjetër.
Prej aty përmes shtegut të paecur, por që natyra nuk e kishte prishur, vijuam drejt një Liqeni tjetër, poshtë së cilit ndodhej Llakqet e Gjipqve, ose Ciganski Premin siç e quajnë ndryshe.
Vërtet, për të kaluar më lehtë nga fshatrat e Rekës se Epërme drejt Lumës, do ishte ose nga Llakqet e Gjipqeve ose nga Skërteci, ku banorët kanë shfrytëzuar këto rrugë për tregti ose për rastin më të keq: emigrim. Nga kreshtat e Llakqet e Gjipqve, filloi të duket Perla e Dibrës, Liqeni i Gramës, që tashmë ishte afër.
Zbritja është e lehtë dhe përmes fushave pranë Gramës arrihet lehtë në Liqenin e Zonjave, një liqe afër liqenit të Gramës dhe më i vogël se ai, ku shumë burime lartë mbushin këtë symalor që mendohet se dikur janë larë edhe motrat e Skëndërbeut. Prej aty nisemi drejt Liqenit të Gramës me makinë, që është disa herë më i madh dhe që tashmë, uji i saj merret furnizimin me ujë të qytetit të Peshkopisë.
Kur vizitohet liqeni i Gramës, nuk ka sesi të mos ndalesh në një nga stanet e shumta, për të shijuar produktet natyrale të qumështit, për të vijuar plot freski ditën e nesërme në qytetet urbane ku pret puna.

Epilog
Thuhet se në botimet e vjetra, për fshatrat e Rekës së Epërme ose Lumës, përmendet edhe legjenda, se anija e Pejgamberit Nuh alejhis selam është ndalë në Malin Korab, që nga rusishtja do të thotë Anije. Si fillim, ai ka parë malin plot me ngjyra të Sharrit, kurse më pas anija është përplasur dyherë në Kërçinin e Madh dhe Kërçinin e Vogël, duke bërë kërrk-kërrk, për t’u ankoruar së fundi në malin e Korabit.
Pavarësisht gojëdhënave, ky shteg mbresëlënës është mirë të vizitohet nga çdo kush që ka përgatitje të mire fizike, por natyrisht edhe guidë të mirë të ndonjë bariu që jeton gjatë verës në Korab dhe mbledh lule në lindje dhe perëndim të saj. Ky shteg mund të quhet edhe ‘shtegu Durham-Strazimiri’.