Kujtimet e një pedagogjikasi


Foto nga takimi me Hajdar Haxhihysenin (majtas

Foto nga takimi me Hajdar Haxhihysenin (majtas

Nga Shemsi Manjani

Ndër kujtimet e periudhës shkollore, ato të viteve të shkollës së mesme, si për mësuesit ashtu dhe për nxënësit, janë më të shumtë e më mbresëlënës. Ndodh kjo për faktin se lidhjet nxënës-nxënës, nxënës-mësues kanë një përmbajtje më të pasur e më të qëndrueshme se sa në çdo kategori tjetër të shkollave, përfshirë dhe ato të shkollave të larta, me lidhje e afrim më të zbehtë. Për nxënësit janë kujtime të moshës së rinisë, moshës së energjisë, përpjekjeve, shpresave, dashurive e dëshirave të zjarrta për t’u arsimuar e qenë dikush në jetë, për t’i shërbyer sa më mirë vetes, familjes dhe shoqërisë. Është mosha më e lidhur me mësuesit për qëllimet e sipërme, me besimin e respektin më të madh për ta.
Vetë mësuesit e këtyre shkollave janë më të angazhuar në detyrën e tyre duke ndjerë kënaqësi në arritjen e rezultateve sa më pozitive, rezultate që, siç është provuar në shumicën e rasteve, përcaktojnë ecurinë e arritjet e këtyre nxënësve në jetë. Kënaqësi ndjejnë këta mësues edhe në moshën e pleqërisë të larguar prej vitesh nga detyra. Ndjehet kjo kur të takojnë me përzemërsi ish nxënësit e tu, disa dhe pensionistë, kur të dërgojnë të fala apo urime, kur të bëjnë vizita apo të ftojnë në promovimin e librave të tyre..Akoma më shumë, kur mëson për arritje të dallueshme gjatë jetës në detyrat që kanë kryer apo kryejnë, përfshirë edhe arritjet e fëmijëve të tyre që janë dhurata mbi të gjitha dhuratat e jetës për çdo familje.
Mendimet e mësipërme mbështeten kryesisht nga përvoja disavjeçare si nxënës, mësues e drejtues në shkollën e parë të mesme Pedagogjike të Dibrës, që u hap 70 vite më parë, shkollë për gjithë zonën verilindore të vendit tonë. Veçanërisht ne më të moshuarit, sot mbi 80-vjeçarë, ish nxënës e mësues në këtë shkollë, të paktë në numër, të rralluar e të përmalluar për ish nxënësit tonë pedagogjikas e për njëri-tjetrin, ruajmë kujtime të shumta.
Mua më shoqëruan këto kujtime duke mbetur të freskëta dhe pasi u largova nga pedagogjikja me mbylljen e parë të saj ngaqë me këta, ish nxënësit e mi, do të vazhdonte një lidhje tjetër ato mësues e drejtorë, unë në Seksion të Arsimit e Kulturës, drejtues i tyre me konsiderata reciproke që në vitet e shkollës , kënaqësia më e veçantë në këtë detyrë me probleme e shqetësime të vazhdueshme. Ndjeja kënaqësi kur gjatë viteve të punës në seksion, shkoja nëpër shkolla për të parë punën e ish-pedagogjikasve, i mirëpritur nga ata, apo kur vinin në seksion për ndonjë kërkesë apo problem tjetër, të pritur nga unë me përzemërsi. Nuk i harroj qëndrimet e tyre pozitive edhe në rastet kur nuk kisha mundësi t’ua plotësoja kërkesat, siç më ndodhte ndryshe me disa të tjerë, të njohur me mua prej vitesh, me një qëndrim hatërmbetës, kur nuk u plotësohej kërkesa.
Ringjallja e kujtimeve do të vazhdonte jo vetëm në takimet e mësipërme e të tjera si këto, por dhe shumë vite më vonë kur isha në pension. Mbresa të bukura më kanë lënë kremtimet e përvjetorëve të maturave në Peshkopi, pranë ish-Shkollës Pedagogjike me pjesëmarrjen dhe të mësuesve, ku gëzimi e hareja arrinte kulmin. Takimi i fundit shumë mbresëlënës, 50-vjetori i maturës të vitit 1967, maturës që shënoi mbylljen e parë të pedagogjikes, u bë në vitin që shkoi. Unë, fillimisht ftesës së bërë me telefon nga Kryetari i Komisionit, Ilmi Cani, ju përgjigja me pamundësinë për pjesëmarrje nga rruga e largët, e pabërballueshme nga mosha, apo gjendja shëndetësore. Ndërrova mendim, kur ai me të drejtë, nguli këmbë për t’i përballuar këto vështirësi nisur nga fakti se ky ishte 50-vjetori i klasës jo vetëm kur unë kisha qenë mësues e drejtor, por më e rëndësishmja, e harruar prej meje për t’u vlerësuar, ngaqë ishte klasa ku mësuese kujdestare për katër vite kishte qenë bashkëshortja ime e ndarë nga jeta 25 vite më parë, me shumë konsiderata për të nga ajo klasë dhe të gjithë pedagogjikasit pa përjashtim. Atë takim nuk do ta harroj kurrë. Disa nga ish nxënësit kishin ardhur me bashkëshortët apo bashkëshortet e tyre. Për t’u përmendur çifti Ballabani nga Burreli, të dashuruar që kur ishin nxënës në pedagogjike.
Në muajin prill të këtij viti, më qëlloi që të kisha një takim jo vetëm mbresëlënës por dhe të papritur e të pamenduar. – Jam Hajdar Haxhihyseni, më thotë me zë të ulët në telefon. Nesër do të vij nga Durrësi në Tiranë, vetëm për t’ju takuar. Kam mall. Në moment u befasova. Ishte ish kujdestari i konviktit të shkollës pedagogjike i viteve të para, elbasanas, për të cilin kisha vite pa dëgjuar. Refuzoi dëshirën time që unë të shkoja në Durrës për t’u takuar, gjë që sipas mendimit tim më takonte. Ndahemi nga biseda e shkurtër, duke lënë orën dhe vendin ku do ta prisja në Tiranë.
Takimi qe shumë i përmallshëm më të dhe djalin e tij që e kishte sjellë me makinë. E si të mos ishte i tillë? Takoheshim pas më shumë se 60 vitesh, ai që në ato vite kishte lënë gjurmë të pashlyera punë e përkushtim për ne, sot 89 vjeçar dhe unë(ish konviktor në ato vite), sot 84 vjeçar. Që në fillim të bisedës u shua kurioziteti se si i kishte lindur mendimi e dëshira për të më takua. Kishte pasur njohje me Gafurr Zotën, historian, ish mësues e drejtues, tani banues në Durrës, i cili i kishte dhënë një ditë gazetën lokale të Dibrës “Rruga e Arbërit”, për lexim, ku ishte një shkrim imi me titull “Shkolla pedagogjike e Dibrës, vatër e ndritur e dijes për gjithë zonën verilindore” shkrim sensibilizues për të kremtuar 70-vjetorin e saj. Shkrimi e kishte emocionuar duke i kujtuar atë periudhë, marrëdhëniet me ne. Sapo mësova për mundësinë që na kishte krijuar për këtë takim shumë të mirëpritur nga unë e ftova Gafurrin të na bashkohej ne takim. Bisedat vazhduan me ish kujdestarin tonë të nderuar nga mëngjesi deri në orët e pasdites.
Fillimisht unë shpreha disa konsiderata për të që tërhoqën vëmendjen dhe të djalit të tij, Ardjanit, në moshë mbi të pesëdhjetat, të cilin gjithashtu e falenderova për gatishmërinë për të ardhur dhe sjellë në këtë takim babain e tij, shumë të nderuar e të respektuar, të paharruar nga ne. Përmenda përkushtimin dhe interesimin e tij të vazhdueshëm për ne konviktorët, për gjendjen tonë shëndetësore, për përparimin në mësime duke u përqendruar tek vlerësimi për orët e studimit, për të mos munguar e mbajtur rregull e qetësi. Shumë i lidhur me prindërit tonë që vinin shpesh për të na takuar. Kënaqësi të veçantë na jepte në organizimin e aktiviteteve në kohën e lirë, sidomos ato sportive, lojërat me top, duke luajtur me ne në oborrin e shkollës, përveç aktivizimit të tij në ekipin përfaqësues të rrethit në futboll, ku ishte një ndër më të mirët. Për herë të parë na solli një tavolinë ping-pongu e na njohu me këtë lojë, shumë të preferuar nga ne dhe disa mësues. I pari ai që na ngjalli dashurinë për sportin. Disa prej nesh në futboll dhe ping-pong,në atë kohë e shumë vite më vonë, do të përfaqësonim rrethin në aktivitetet kombëtare përfshirë dhe lojën e volejbollit. Nuk mund të lihet pa u përmendur kontributi i tij në veprimtarinë artistike. I papërtuar tregohej në mbrëmjet e vallëzimit që organizoheshin në shkollë duke mos e hequr nga krahët fizarmonikën me orë të tëra, të vetmen vegël muzikore që kishim, të cilën vetëm ai dinte ta përdorte. Ndonjëherë i entuziazmuar ngrihej nga vendi, futej në mes nesh që ishim në valle apo në vallëzim duke i rënë fizarmonikës.
Ish kujdestar Hajdari, fillimisht shprehu interes dhe i tregova për ne dibranët që në kohën e tij ishim konviktorë e që pas mbarimit të studimeve të larta do të ktheheshim si mësues e drejtues të kësaj shkolle e shkollave të tjera të mesme e arsimit e kultures në shkallë rrethi etj. Ndamë opinione e kujtime për të ndjerët, Zenel Sula Mois Cami dhe Nuri Abdiu. Për Nuri Abdiun, ish pedagogjikasi i parë me tituj të lartë, “Profesor-Doktor”, “Mësues i Popullit”, etj., i ndarë nga jeta më 29 prill 2014, dinte shumë, përfshi dhe për studimet e tij në Bashkimin Sovjetik, e disa vite zëvendës-drejtor në Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Mois Cami, i përkushtuar në të gjitha shkollat ku punoi e drejtoi, “Mësues i Merituar”, shef i seksionit të arsimit dhe kulturës, deputet i parë nga radhët e arsimit, ndarë nga jeta në vitin 1991. Zenel Sula, nxënës i shkëlqyer i pedagogjikes, i pari nga kjo shkollë që shkoi për studime në BS, ku përfundoi po me rezultate të shkëlqyera, disa vite Drejtor i Pedagogjikes e specialist në Ministrinë e Arsimit, i ndarë nga jeta në vitin 2016. Pas interesimit të tij, në vijim i tregova mikut tim të vjetër Hajdar Haxhihysenit, gjithçka për Ismail Erebarën, ish mësuesin e drejtuesin e përkushtuar në shkollat e qytetit;kujtuam Riza Likën, të ndjerin Esat Caka etj.
I kujtova dhe dy pedagogjikas të tjerë të shkëlqyer, të kohës së tij, që nuk i mbante mend, Shefqet Hoxhën nga Kukësi dhe Esat Sulën nga Mati. Shefqet Hoxha, ish nxënës i shkëlqyer në pedagogjike dhe në universitet me korrespondencë, me shumë kontribute në arsim, me tituj “Mësues i Popullit”, “Profesor i Asociuar”, “Doktor i Shkencave”, deputet një legjislaturë. Ka botuar deri më sot 60 libra, rast i veçantë. Edhe sot në moshën 84 vjeçare, e gjen çdo ditë në Bibliotekën Kombëtare duke studiuar e shkruar. Esat Sula, ish nxënës i pedagogjikes që mbaroi gjithashtu shkëlqyeshëm, me kontribute si mësues i fizikës në gjimnazin e Burrelit e drejtor në këtë shkollë. E veçanta për të, drejtoi për 12 vite seksionin e arsimit e Kulturës në rrethin e Matit, i dyti në Shqipëri për numrin e viteve në këtë detyrë, pas legjendës së arsimit dibranë, “Mësuesit të Popullit”, Selim Alliu, i cili drejtoi arsimin në Dibër mbi 20 vjet.
Kujdestar Hajdari u gëzua shumë kur mësoi për respektin që kishim treguar ne ish nxënësit e tij për Jorgji Sinjarin, i ardhur nga Berati, që krijoi familjen në Dibër, për shkrimin për të në gazetën lokale. Po kështu shkrimet që bëmë për dy drejtorët e Pedagogjikes, Shefik Osmani e Zenel Sula, përfshirë dhe përkujtimin e 80-vjetorit të jetës së tyre, ku së bashku me ta, ishin ish mësues të tjerë të kësaj shkolle të atyre viteve të para.
Së fundi, me kujdestar Hajdarin ndamë të njëjtin mendim se shkolla pedagogjike e Dibrës, falë personelit të kualifikuar dhe përkushtimit të tyre, ndër vite ka nxjerrë nxënës të shkëlqyer, të cilët pas mbarimit të studimeve të larta u shquan në fushat ku punuan. Përmendëm disa ish pedagogjikas të periudhave e rretheve të ndryshme, me disa arritje të dallueshme si shkrimtarë, diplomat, gazetarë, artistë, sportistë, historian, deputetë, ushtarakë, drejtues apo punonjës të institucioneve të ndryshme, shumë prej tyre me tituj shkencorë. Për t’ju përmbajtur hapësirës së shkrimit ndalemi vetëm tek disa:
Shaban Sinani, Profesor Doktor, studiues dhe historian i letërsisë, etnolog, eseist dhe publicist shqiptar, shumë i vlerësuar në drejtimet e mësipërme nga studiues e personalitete vendas dhe të huaj. Ish pedagogjikas me shkëlqim të pandërprerë prej atëherë e deri më sot, kudo ku punoi e drejtoi, Akademiku i parë dibran, një nga njerëzit e studiuesit e rrallë të kulturës e shkencë shqiptare. Ka botuar mbi 35 libra. Librat dhe studimet e tij kanë të veçantë se, veç cilësisë së lartë, trajtojnë probleme madhore të kombit, kulturës dhe letërsisë shqiptare, nga letërsia e Kadaresë, Dritëro Agollit e disa të tjerëve, te Kodikët e Beratit, nga studimet madhore për Mitologjinë shqiptare apo Ciklin e Kreshnikëve, tek pritja dhe shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri.
Xhafer Martini, shkrimtar i mirënjohur, botues i tre romaneve, 10 monografive, 11 librave studimorë, disa tregime, përralla, poema, letërsi për fëmijë, disa poezi e tregime që i përkasin letërsisë artistike, shumë shkrime me vlerë të botuara në gazetën “Rruga e Arbërit” e organe të tjera.
Naim Plaku, mësues i pasionuar e i talentuar i gjuhës dhe letërsisë, me disa botime në këto drejtime. Duke qenë bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Kulturës Popullore e atij të Gjuhësisë dhe Letërsisë, ka dhënë një kontribut me vlerë në mbledhjen dhe studimin e folklorit letrar, leksikut dhe dialekteve të shqipes. Shumë I përmendur për dhjetëra poezi e tekste këngësh, shumë prej tyre të botuara në librin “Fllad e Frullizë” botuar në vitin 2006.
Abdi Baleta, matjan, i shkëlqyer në pedagogjike. I dalluar si diplomat së bashku me disa të tjerë ish pedagogjikas si Sulejman Tomçini, Përparim Sinani, Maxhun Peka, Lazam Koldashi, Ivzi Çipuri, Adem Ymeri, etj. Baleta, disa vite përfaqësues i vendit tonë në OKB, në një rast shumë i duartrokitur në Parlamentin e parë pluralist shqiptar, duke folur për marrëdhëniet dhe problemet e vendit tonë me një nga vendet fqinje, botuesi gazetës “Rimëkëmbja” dhe i 10 librave si “Dilema Historike”, “Kundërshpifografi”, etj. Botues i shumë shkrimeve me vlerë në vazhdimësi edhe sot, të botuara çdo muaj në faqet e para të revistës “Shenja”, revistë e përmuajshme, mbarëkombëtare politike, ekonomike dhe kulturore.
Të njohur janë në të gjithë Shqipërinë e më gjerë, ish pedagogjikasit drejtues në organet qendrore të partisë, pushtetit e institucioneve kryesore të vendit, Xhelil Gjoni, dy ministra, Tefta Cami e Safet Zhulali, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu, Kryetarja e Bashkimit te Grave të Shqipërisë Lumturi Rexha etj.
Të gjithë ruajmë kujtimet më të mira për Shkollën Pedagogjike të Dibrës, që rrezatoi dritën e dijes në gjithë zonën verilindore, elita e parë për përgatitjen e mësuesve dhe gjenerimin e personaliteteve vendase, të munguar prej shumë vitesh.