Atdhetari Elez Murrja


I – HYRJE

Hulumtimi për patriotin Elez Murrja është pjesa e tretë e studimit “Kronologjia e fisit Murrja në Luzni të Dibrës”. Elez Murrja, bashkë me vëllezërit Hasanin, Hysenin, Tafën dhe Limanin janë brezi i dytë i fisit Murrja. Ato janë djemtë e Halilit, i cili u zhvendos nga fshati Lishan i Poshtëm në fshatin Hotesh, po në Luzni. Ndërsa vëllai i Halilit, Osmani dhe djemtë e tij Tahiri, Sinani dhe Rrahmani qëndruan në fshatin e lindjes në Lishan të Poshtëm.
Figura 3.1 –Atdhetari Elez Murrja

Elezi është fisniku i pazëvendësuar i fisit Murrja. Pas vdekjes së të atit Halilit, ai trashëgoi Kreun e Malit të Luznisë. Edhe përse i ati u shqua si Prijësi i Luznisë, historia e tij ka patur dritëhije, sepse marrëdhëniet e tij me perandorinë Osmane ishin më shumë miqësore se armiqësore. Elezi në ndryshim nga i ati, si një nga Nëntë Paritë e Maleve të Dibrës, nuk u pajtua me reformat e perandorisë Osmane. Ai kundërshtoi pashallarë turq, ku në disa raste pati edhe mosmarrëveshje me Paritë e tjera të Maleve të Dibrës. Pa eklipsuar mundin, lodhjen, sakrificën, bujarin, ndershmërin, trimërin dhe atdhetarizmin e djemve të tjerë të Halilit, Elezi është pinjolli më i vyer i fisit Murrja dhe prijësi jo vetëm i vëllezërve të tij, por i luznakëve dhe i dibranëve.

II -KRITIKË PËR HISTORIANËT

Në kontekstin shkencor, historianët i kanë hyrë në hakë (nuk i kanë dhënë të drejtën e merituar) Prijësit të Malit të Luznisë Elez Murres. Misioni dhe vizioni i tij atdhetar ishte “Dheu i Luznisë i Lirë”. Ndaj studimi i veprës së tij do të kishte qenë një punë shumë e çmuar dhe pjesë shumë e bukur e fototekës historike të kombit, por dhe shumë e shpërblyer në këndvështrimin profesional. Për këtë memorje të munguar historike shpresojmë t’ia kemi arritur qëllimit dhe historianët e ardhshëm t’i japin vendin e merituar atdhetarit Elez Murrja.

III -VEPRIMTARIA ATDHETARE

Pasi mori drejtimin e Malit të Luznisë nga i ati, Elez Murrja përfaqësoi luznakët në Kuvendet e Maleve të Dibrës dhe ishte në krye të të gjitha luftrat për më shumë se tre dekada. Emrie Skuka në librin e saj “Sinoret e Luznisë” shkruan: Vdiq natyralisht. E shoi mosha, por jo zjarri, duke lënë një shtjellë mungimi në krahinë. Me emrin e tij, Luznia iu fal një urtësie më përçore, një urdhëri më të lashtë, një historie më në zë, një kështjelle më të fortë.

1-Elez Murrja në betejën e Gjoricës më 23 tetor 1844
Lufta e Gjoricës kundra Hajredin Pashës është aksiom historike. Sot kënga “Hajredin Pasha i vjen Radikës” është e përmasave kombëtare. Para betejës Kuvendi i Maleve të Dibrës kishte thirrë takimin në Gjoricë, për të kundërshtuar reformën e Tanzimatit, që kishte ndërmarrë perandoria Osmane. Kuvendi i Maleve të Dibrës në Gjoricë udhëhiqej nga Sheh Mustafa i Zerqanit. Ndër krerët që morën pjesë në takim ishin: Cen Leka e Sal Markja i Grykës s Vogël, Ismahil Kaloshi nga Çidhna, Elez Murrja nga Luznia dhe Nel Hoxha e Abaz Pira nga Muhurri.
Veprimtaria atdhetare e Elezit arrin kulmin me pjesëmarrjen e tij në luftë në krye të luznakve kundër Hajredin Pashës në pranverën e vitit 1844 (Kolgjegja 1991:38-41 dhe Ndreu 2003:163-164). Në lidhje me prezencën fizike të Elez Murres dhe luznakve në këtë betejë studiuesi Munir Shehu shkruan: -Elez Murrja me luznakë kishte zanë pritë në kodrat e Drinit të Zi gjer mbi Çerenec. Lufta e perandorisë ishte në disa fronte (Skuka, 2017:101). Si gjithmonë e kudo, pushtuesi bashkëpunon me “aktorët” e brendshëm. Haxhi Pash Zogolli nga Mati kishte ardhur në ndihmë të Hajredin Pashës (Kolgjegja, 1991:42), duke sulmuar Katër Grykët dhe Luzninë (Skuka 2017). Ndër luznakve të shumtë edhe Mustafa Nikollit nga Katundi i Ri po i digjeshin shtëpitë e tre djemve, por ato ishin në Gjoricë me Elez Murren (Skuka, 2017:100:101). Në nderin e Elezit dhe luznakve, frymëzuesit e këngëve këngë folklorike, thurën këto vargje:

Elez Murrja burrë i zi
Me malsor ka ra n’Dri,
Kan zan vend n’kodër t’par,
Luft po bajn me pashallar.
Daut Murrja burr idhnak,
Ka shem krahinën tan luzak’.

Shporru turk mos na mërzit,
S’ke ç’na ban more jezit.
Ndash simjet ndash n’mot,
Ta shtrojm’ vendin me barut.

2-Elez Murrja në Kuvendin e Maleve
tek Gjurra e Mazhicës më 2 qershor 1855
Edhe përse perandoria Osmane, ishte në dekadat e fundit të qeverisjes, karrieristët ushtarak turq merrnin përsipër aventura. Haki Stërmilli dhe Munir Shehu, në kujtimet e mbledhura nga populli, shkruajnë se pas humbjes së Hajredin Pashës në luftën e Gjoricës, Hysni Pasha edhe përse i ri në moshë kishte kërkuar që të vihej në krye të ushtrisë turke për të futur nën kontroll Dibrën. Për këtë u vendos thirrja e Kuvendit tek Gjurra e Mazhicës më 2 qershor 1855. Aty morën pjesë përfaqësues nga paritë e qytetit, përfaqësitë e maleve, krerët e fshatrave dhe burra të mendjes dhe pushkës.1 Nga Mali i Luznisë morën pjesë Elez Murrja, Sali Nikolli dhe Hysen Manuka (Skuka, 2017:106-107).
Në këtë takim, Elez Murrja hodhi mendimin se koha nuk priste për “lojra”, “marifete”, “kurthe”, “nënshtrime” e servilizma. Sipas tij vetëm lufta ishte zgjidhja dhe nuk kishte mënyrë tjetër. Por iu bind planit të Salë Markes për ta futur në kurth Haki Pashën. Kurthi ishte që ato të takoheshin dhe t’i kërkonin zgjidhjen e kundërshtive pa luftë. Mirëpo takimi nuk shkoi siç u parashikua. Elez Murrja me Pasha Hakiun u konfrontua verbalisht jo vetëm me fjalë, por edhe me xheste duke kapur armët që mbanin në brez. Nëse pashai turk fliste si harbut nën “hyqmin” e perandorisë, Elez Murrja i pakompromis për çështjen atdhetare nuk i la “kusur” (s’la gjë më shumë pa thënë). Kërcënimi i Hysen Pashës ndaj Elezit ishte dorëzimi i vulës së Kreut të Luznisë, i cili nuk hezitoi t’ia jepte (dorëzonte). Në ato momente debati, vula u administrua nga Salë Markja sepse kishte qëllim të fuste në grackë pashin turk, që të lironte të burgosurit, ku ishte edhe i biri dhe ta përzinte (largonte) atë pa luftë.

3-Elez Murrja me luznakë vrau Sekretarin e Vezirit të Shkodrës në Kullën e Zunës në Sohodoll
Ndryshimet e kufijve administrativ janë “epshe” të çdo qeverisje, e sidomos të pushtimit disa shekullor të perandorisë Osmane. Në hulumtimet tona nuk kemi gjetur datë dhe vit, por Veziri i Shkodrës kishte filluar përpjekjet për të futur nën “pashallëkun e tij” Dibrën. Për të bërë të mundur ndryshimin administrativ Skeretari Vezirit të Shkodrës ishte i deleguari për të dialoguar me krerët e Oxhaqeve dhe krerët Maleve në Dibër.
Në lidhje me këtë objekt bisede, Elez Murrja ishte thirrë nga Sekretari i Vezirit të Shkodrës bashkë me Salë Marken e Grykës së Vogël dhe Salë Demirin e Çidhës tek Hoxholli i Dibrës së Madhe (në Sheher). Në këtë bisedim pati oferta në monedha floriri, por Elezi nuk pranoi. Ai iu përgjigj Sekretarit të Vezirit të Shkodrës: “-Unë nuk e shesë dheun me pare”. Nga mos pranimi i ofertës Adminstratori i Lartë, i Pashallëkut të Shkodrës e ka fyer Elezin dhe ai është larguar nga takimi.
Vendqëndrimi i përkohshëm i Sekretarit të Vezirit të Shkodrës në këtë ekspeditë të ndryshimit territorial ishte kulla me katër pode e Zunës në Sohodoll të Dibrës së Poshtme. Elezi mblodhi luznakët dhe harton planin e hakmarrjes ndaj fyerjes dhe nënvlerësimit që i bëri Sekretari i Vezirit të Shkodrës në takimin tek Hoxholli në Dibër të Madhe. Në këtë atentat ai merr Cok Hasën, Ahmet Canin, Truc Manukën, Musli Skukën dhe Ibrahim Merën. Ndërkohë më parë, kishte porositur tek Abaz Pira në Kishavec, shkallë druri me palosje. Në një natë shiu e bore të ashpër Elezi me luznakët niset për tek kulla e Zunës në Sohodoll. Pasi asgjesuan rojet rreth kullës, kanë vendosur shkallët dhe Cok Hasa me plumbin e hutës ka ekzekutuar Sekretarin e Vezirit të Shkodrës në podin e fundit. Ngjarja është përjetësuar me vargjet folklorike të mëposhtme:

Kulla e Zunës me katër pode,
S’pranon vezir pa u ba vorre.
Mrena n’Shkodër u çudit Valia,
Haber t’keq na çoi Luznia.
Kush ja hoqi jetën pashës,
Ai Cok Hasa burrë i besës.
Kush i hyni kullës mbrapa,
Ahmet Cani, Truc Manuka e Musli Skuka.

Çidhna e Gryka e Vogël,
Janë vlla me Shkodër.
Në mes kemi Luznin’,
I lashim Perënin’.

IV –FAKTE ARKEOLOGJIE TË VEPRIMTARISË

1-Kulla e Elez Murres
Veprimtaria atdhetare e Elezit ka gjurmë të “gjalla” arkeologjike. Kulla e tij është e përmasave rezidenciale. Nga luznakët njihet si kulla me 12 qoshe e tre pode (kate). Elez Murrja mendohet se ka lindur para viteve 1810 dhe jetoi mbi 60 vjeç. Ndërsa kulla mendohet se është ndërtuar në 10-vjeçarin e katërt të viteve 1800. Gjendja e saj sot është e mjerueshme. Është e rrënuar dhe “rënkon” me za të naltë.
Elezi e ndërtoi kullën në majë të shkrepit/shkëmbit buzë Drinit të Zi në verilindje, në hyrje të fshatit Hotesh (Shikoni fotot në figurën 3.1). Ndërtimi i kullës në majë të shkrepit është shumë strategjike. Nga kulla kontrollohen të gjitha hyrjet për në fshat. Ndërtimi i saj i përket arkitekturës mesjetare të vonë. Para se të fillonte ndërtimi i kullës muratorët/ustallarët kanë bërë këtë provë: -Kanë bashkuar dy gurë me gëlqere të stazhinuar në vite dhe i kanë hedhur nga shkrepi ku ndodhet sot kulla. Gurët e ngjitur janë rrokullisur dhe kanë rënë në lendinën pa u ndarë. Atëherë ata i kanë thënë Elezit se gëlqerja është stazhionuar për të filluar ndërtimin.
Kulla i rezistoi luftrave, por jo sistemeve. Në sistemin socialist kulla jo vetëm nuk u mirëmbajt, por u degradua duke u përdorur si stall për bagëti të imta. Rreth viteve 70-80’ të shekullit XX (të kaluar) u banua nga njerëz të pastreh si Rexhep Jova. Kulla prej shekujsh mbeti në mëshirën e fatit. Në fund të viteve 90 të shekullit të kaluar filloi të rrënohej. Shkatërrimi i saj ekspozohet në fotot e Figurës 3.2.

2-Karakolli i Elez Murres në Qenok
Karakolli shërbente si pik vrojtimi. Munir Shehu në studimin e tij “Dibra në shekujt e sundimit osman” shkruan: -Elez Murrja për të qenë i sigurtë ndaj sulmeve të ushtarëve turq në majën e kodrave të Qenokut ndërtoi karakollin (vendrojen) me fshatarët nga Trepça, Peka dhe Pjeça. Karakolli kishte një kaush (dhomë e madhe) ku mund të sterhoeshin rreth 15 vetë, një kuzhinë dhe një zyrë. Kjo ndërtesë është përdorë më vonë edhe nga administrate turke dhe shumë më vonë nga ajo e kohës së Zogut. Karakolli gjerë në shembje quhej “Karakolli i Elez Murres”.

V-PËRFUNDIME

Elez Murrja mendohet të ketë lindur para viteve 1810 në fshatin Hotesh. Ai qeverisi dhe udhëhoqi luznakët në më shumë se tre dekada në konfrontimet ushtarake me perandorinë Osmane. Elezi refuzoi ofiqet dhe florijtë, dhe nuk shiti “Dheun e Luznisë” tek pashallarët turq. Elezi është korifej (maja) i/e patriotizmit në fisin Murrja në Malin e Luznisë dhe në Dibër. Për atdhetarin Elez Murrja duhet të “ulërasin” historianët, arkeologët, organizatat qytetare që zëri i tyrë të “shpojë” veshët e institucioneve qeveritare për të investuar në rindërtimin e kullës së tij. Lavdia historike e këtij patrioti të madh dhe rikonstruksioni i kullës së tij do të jetë një nga më të mirat, në më të shumtat vende për vizitorët vendas dhe turistët e huaj në Hotesh të Luznisë. Populli thotë: “Daullja bie për atë që kanë veshë”; por fatkeqësisht institucioneve qeveritare që e kanë detyrim ligjor të merren me “ringjalljen” e vlerave historike; u janë grisur xhepat e buxhetit nga babëzia dhe u janë errësuar sytë nga padituria. Si do që të bëhet, edhe nëse kulla të zhbëhet, Elez Murrja ishte atdhetar i madh i bashkimit të luznakve për çështjen kombëtare; ndërsa kulla e tij ishte fortesa e unitetit patriotik midis luznakve në luftrat kundra pushtuesit Osman.

1 Pjesëmarrësit e tjerë ishin: Cen Dacit, Maliq Zajmit, Kahreman Kodrës, Hasan Bllacës, Osman Shemsibegut, Dalip Karajt, Mustafa Shehut të Zerqanit, Sefer Lleshit, Rrahaman Demës, Salë Markes, Salë Demirit, Ali Lushës, Demir Nokës, Hasan Bulkut, Mahmut Trocit, Jusuf Dodës, Mahmut Methasanit, Bajram Bardullës, Bajram Zenelhasanit (Skuka, 2017:106-107).