Fatmir Terziu mes dibranëve…


Eshtë hera e parë që sot takohem me Fatmir Terziun, që i jap dorën dhe i marr buzëqeshjen që i del nga shpirti, por nuk është hera e parë që e lexoj dhe ngrohem me fjalën e tij në rreshta e në vargje.
Për herë të parë ia kam lexuar shpirtin në gazetën lokale “Ushtima e maleve” kur ai shkruante për mësuesit dhe banorët e Ostrenit të Dibrës.
Nuk do ta kisha njohur në qoftë se nuk do të kishte qenë mes nesh mërgimi, “fjala e lirë”, aq e dëshiruar në rini e aq “pranë e larg” në pleqëri.
Fatmir Terziu ishte njëndër qindra mësuesit që i erdhën Dibrës nga e gjithë Shqipëria kur ajo kish më shumë se kurrë nevojë për njerëz të ditur që do ti jepnin dije e kulturë brezit të ri të saj në shkollat e mesme hapur në skajet më të largëta të mbi 1500 kilometrave katrorë të saj, nga Stebleva në Kala të Dodës, Reç. Lurë, Selishtë…
Ishte pjesë e atij brezi që siç më shkruante mësuesi im Gavril Kote nga Përmeti dhe mësuesja ime nga Berati NigjareVelçani, mësues në Brezhdan të Peshkopisë në vitin 1951…
GAVRIL KOTE: “Unë tash kam hyrë në vitin e 6-të të pensionit, por nuk mund të harroj mikpritjen e atij populli dibran, respektin dhe dashurinë që ata treguan për ne arsimtarët jabanxhinj. Shumë kujtime të pashlyera më janë fiksuar nga gjithë familjet e Brezhdanit. Mikpritja, bujaria, thjeshtësia, komunikimi reciprok na e lehtësonte detyrën tonë të vështirë por humane… Puna e mësuesit i del para sysh gjithsecilit. Është e vetmja rrugë që e kalon gjithkush, është pjesa më e bukur e gjithsecilit…”
NIGJARE VELÇANI: “Lexova me vëmendje shkrimin tuaj me titull “ Mësuesit – më të përkushtuarit dhe të harruarit”, botuar në gazetën “ Zëri i Popullit “ të datës 20 qershor 1993. Të them të drejtën ky shkrim më preku thellë në zemër mbasi më ktheu në kujtimet e 44 vjetëve më parë, në moshën time më të re.
Akoma pa mbushur 16 vjeç, pas një kursi metodik pedagogjik, lash Beratin dhe erdha në Peshkopi, fillimisht në fshatin Brezhdan, i cili më ka lënë mbresa të paharruara në kujtesë dhe pastaj në kufi, në fshatin malor të Cerjanit ku e ndjeva veten në shtëpinë time. Pra për herë të parë hyra në jetë, në punë si arsimtare për tu dhënë njohuritë e para të gjuhës sonë të bukur shqipe vocërrakëve aq të etur për dije..”
Ata, dhe shumë mësues të tjerë të atyre viteve që ditën u mësonin shkronjat e abetares fëmijëve dhe natën, nën dritën e pishës dhe kandilit, ua mësonin ato prindërve do të pasoheshin nga mësues të brezit të Fatmir Terziut, tash në një stad të ri dijesh e kulture.
Tek shfletoja koleksionet e “Ushtimës së maleve” në kërkim të jetës sime 55-vjeçare faqeve të shtypit (1957….2020), midis firmave të shumta që përbëjnë vlerën e pazëvendësueshme të saj, takova edhe Fatmir Terziun, emër tash i njohur nga ana ime në letërkëmbimet në adresat tona elektronike.
Ashtu si edhe shkrimi im i parë në faqet e gazetës “Sporti popullor” më 8 maj 1957 e shkrimet e tjera në “Zëri i Rinisë” në shkollë të mesme dhe në shkollë të lartë, shkrimet e Fatmir Terziut në “Ushtima e maleve” përbëjnë vlerë të madhe njohëse, vlerë në kohë e hapësirë, hapa të parë modestë faqeve të shtypit, faqeve të librave.
Do t’i citoj ashtu si janë shkruar, me thjeshtësinë dhe dashurinë gjer në amshim…
I pari daton më 10 mars 1984. Flet për punët e ditës në Ostren. Flet për Hajredin Koçin dhe brigadën e tij…
I dyti, ai i 21 prillit 1984 ka për titull “Flet puna e shokët”, flet për Vera Elezin, mësuesen e shkollës 8-vjeçare “Elez Koçi” Ostren. “Ajo erdhi familjarisht nga rrethi i Durrësit për të punuar vullnetarisht në këtë zonë të thellë malore. Kanë kaluar dy vite shkollore. Rezultatet e kanë shoqëruar gjatë këtyre viteve. Thjeshtësia, sinqeriteti, sjellja korrekte nga ana tjetër e plotësojnë akoma më mirë portretin e saj si një mësuese shembullore…”
Më 2 maj 1984 shkruan për pasurimin e bazës materiale në shkollën e tij. Shkruan për mësuesin e ri Ilir Jorgo, për mësuesit e tjerë- Veli Kajën, Shefik Elezin, Ismail Llagaçin…
Më 9 maj “Tingujt e daulles mblodhën përreth shkollës së mesme bujqësore të bashkuar Ostren grupet artistike të pesë çetave të pionierëve të shkollave 8-vjeçare të fshatrave Ostren, Tuçep, Lejçan, Okshtun e Pasinkë.” “Këngët e kënduara, thekson Fatmiri, nga Majlinda Muça e Fëllanxa Muça Ostren, Fatime Stojku Lejçan e grupi i Tuçepit u duartrokitën më shumë nga të pranishmit. U pëlqyen kënga e kënduar nga F. Muça kushtuar atdhetarit Eles Koçi, etj.
Më 30 maj 1984 portretizon punonjësit e tregtisë të Ostrenit, skicon portretin e Ramazan Tolës, Mehdi Ibrahimit e Semije Kurtit. Penelatat për portretet e tyre i ka marrë nga “fjalët e popullit”. Flet edhe për Luan Koçin dhe Ahmet Koçin, për punë të mirë e mangësi.
Më 2 qershor ndalet tek ndërtuesit, tek ata njerëz që me punë e djersë ndërtojnë vendin, tek ata nipër e stërnipër ndërtuesish duarartë që rrahën rrugët e Ballkanit, që ndërtuan veprat më të bukura të Perandorisë Otomane, tek ata për vlerën e punës të të cilëve një historian i madh i kohës shkruante “ Po të digjej Stambolli, Dibra do ta ngrinte të ri nga themelet, ndërsa po të digjej Dibra askush s’do lëvizte vendit”. Fatmiri në shkrimin e tij ndalet tek “15 ndërtuesit Gollobordas, që drejtohen nga mjeshtri i talentuar i ndërtimeve Adil Muça që shtojnë veprat e artit në rrugën e re të Ramnagorës që lidh Ostrenin me Shupenzën” . Shkruan përmjeshtrit në ndërtim, për Fatmir Mijën, Fiqiri Koçin, Halit Canin, për shoferët e palodhur Shyqyri Kurti dhe Liman Rena, për tu ndalë tek cilësia e lartë e punës, vlerë e ndërtuesve gollobordase, ndërtues që vetëm Trebishti ka nxjerrë 11 heronj të punës socialiste.
Fatmiri është një njeri që i dhemb kur gjërat ecin ngadalë apo qëndrojnë për vite në vend. Ai është i shqetësuar pse ndërtesa e dyqanit të Ostrenit të Vogël ka tre vjet që nuk ngrihet nga themelet dhe nuk vihet në shërbim të banorëve. Por ajo “ S’është e vetmja, ajo ka edhe shoqet e veta, që gëzojnë fatin e saj. Në të hyrë të fshatit ndodhet edhe shkolla 8-vjeçare e planifikuar, por e papërfunduar, ku të 250 nxënësit e këtij fshati, marrin rrugën akoma drejt fshatit Tuçep…”
Përcolla para jush fragmente të jetës dhe krijimtarisë të Fatmir Terziut në një fshat të Dibrës, në Ostren, Ostrenin e Madh siç quhet për ta dalluar nga Ostreni tjetër në anën tjetër të malit, Ostrenin e Vogël, në një krahinë të Dibrës me njerëz të punës e sakrificës, në një karakoll të madh të qëndresës shqiptare në historinë e Shqipërisë. Shkrimet modeste të Fatmir Terziut në gazetën lokale “Ushtima e maleve” më ngjajnë me gurët e grykës së Bunarit të tij, bunar që ai mori ujin e jetës së tij publicistike, letrare duke u bërë një publicist i dëgjuar, një shkrimtar i suksesshëm, një njeri me germa kapitale.
Dhe ajo që shoh tek Fatmir Terziu është se ai vazhdon të gërryej në bunarin e tij të jetës duke nxjerr prej andej ujin e pastër me të cilin selit fjalën, vargun.