Ramadan Perhati, heroi i gjallë e njeriu i urtë


Ramadan Hazis Perhati i Qafë Murrës është nderuar nga Bashkia e Dibrës me titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: Për kontribut të shquar si inxhinier, kryeinxhinier i drejtorisë së Përgjithshme të kërkimeve të naftës dhe Drejtor i Drejtorive të Shpimeve të Naftës, i metodave të reja e bashkëkohore në kantiere.

Ramadan Hazis Perhati është bir Qafëmurras, i Katër Grykëve të Dibrës. Ai lindi më 20 janar 1930 nga një familje me tradita te lashta patriotike dhe Atdhedashëse. Shkollën fillore e filloi në Katundin e vjetër. Ende pa mbaruar klasën e pestë, në moshën 13 vjeçare u arratis nga krahina dhe mbas disa peripecive u rreshtua vullnetarisht në radhët e ushtrisë partizane në trojet e Jugosllavisë “Vishnje Grad”. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të luftës, Ramadani kthehet në atdhe me 15 maj të vitit 1945 në Tiranë për të vazhduar mësimet e mëtejshme në shkollën Ushtarake “Skënderbej”. Ai mbasi mbaroi klasën e pestë, tre vitet e Unikës dhe dy vjet e gjysmë të shkollës së Mesme me nota e sjellje shembullore për arsye shëndetësore transferohet nga shteti me bursë në konviktin e shkollës “28 Nëntori” në Shkodër. Në këtë gjimnaz përfundoi shkollën e mesme me nota të shkëlqyera dhe Drejtoria e shkollës i transferoi dokumentet e tij Ministrisë së Arsimit për t’i dhënë mundësi që të vazhdonte arsimin e lart jashtë vendit. Ramadani është dërguar për t’u shkolluar në vitin akademik 1950-1951 në Bashkimin Sovjetik, në Moskë duke u regjistruar në Institutin e naftës me emrin e akademikut IM Gupkin. Në përfundim të studimeve pesë vjeçare në këtë Institut me nota shumë të mira në provime, mbrojti diplomën para komisionit shtetëror. Kishte për temë “Masat teknike e organizative për rritjen e shpejtësisë komerciale për Trustin e shpimeve në Baku të Republikës së Azerbajxhanit”. Mbrojtja e Diplomës me nota “Shkëlqyeshëm” “Otliçno” u shoqëruan me distinktivin e argjendtë, lëshuar nga Ministria e Arsimit të Lartë të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Me t’u kthyer në Atdhe, Ramadani me Diplomën e Inxhinierit të Minierave, por me specialitetin inxhinier për shpimin e puseve të naftës dhe gazit u caktua të punonte në Tiranë, në Komitetin Shtetëror të Gjeologjisë. Mbas katër muaj pune ai transferohet të punonte në ndërmarrjet e shpimeve të puseve në Patos. Në naftë Ramadani ka punuar 34 vjet e katër muaj. Gjatë këtyre viteve ka kryer detyra të ndryshme si: Kryeinxhinier e Drejtor ndërmarrje, Kryeinxhinier i përgjithshëm për naftë dhe gaz. Me organizimin e ri në naftë në Fier caktohet Kryeinxhinier dhe më pas Drejtor i Drejtorive të Ndërmarrjeve të shpimeve të naftës. Gjatë këtyre viteve ai ka punuar shumë për kapërcimin e ndërlikimeve gjeologjike për vendburimet e ndryshme të naftës duke vënë në jetë metoda dhe variante kohore, si kusht për zbulimin me rendimente të larta të vendburimeve me veti strukturore të ndryshme. Ramadani gjatë këtyre viteve shquhet edhe për vënien në jetë të metodave e varianteve vetjake e origjinale, të pashkruara në literaturën kohore. Ndër to po përmendim: Shpimin e brimës së shtrembër në kushte të rënda gjeologjike, përdorimin e “Thundrës fluturuese” për çimentimin e kolonave metalike, për trungjet e puseve me prerje karbonatike të zbuluara, përdorimin e “Urave artificiale” për mënjanimin e trungjeve të puseve të formacioneve të buta, të mesme e shumë të forta, kriko hidraulike nëntokësore për zhbllokimin e instrumenteve të bllokuara gjatë shpimit, përdorimi i kokës rrotulluese “Perhati” për rritjen e cilësisë së çimentimeve të puseve për shfrytëzimin e gazeve me trysni të lartë. Të tilla metoda kanë ndikuar në rritjen cilësore të metodave të shpimeve në vendin tonë dhe më gjerë.
Për këto aktivitete Ramadani është dekoruar me medalje dhe urdhra pune nga organet shtetërore dhe vendore. Përveç dëshmisë si veteran lufte dhe tre medaljeve përkatëse, veç tjerave është dekoruar me Urdhrin e Punës “Për merita të shquara në miniera dhe gjeologji” dhe atë “Për kontribute të shquara për zbulimin e vendburimeve të reja të naftës”. Është fitues i tre konkurseve kombëtare për industrinë e naftës. Ndër to ka marrë çmimin e parë për shuarjen e flakëve të fontanave të naftës dhe gazit me lëndë eksplozive (tritol).
Ramadan Perhati përveç punës drejtuese në ndërmarrjet e shpimeve ka një aktivitet 58 vjeçar në fushën e teknikës dhe shkencës. Ai ka botuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj shkencor në revista e buletine shkencore, ka botuar monografi si “Zjarret dhe fontanat”, “Një jetë për arin e zi”, “Unë kamikazi dhe ministri” etj. Ndër botimet e Ramadanit ai konsideron si kryevepër artikullin e botuar në revistën “Familja” me titull “Zemra e nënës ti Dan je”. Krahas këtyre aktiviteteve ai ka mbrojtur dhe udhëhequr shumë Diplomatë të USH Tiranë. Ka mbajtur disa referate dhe kumtesa në seminare kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka qenë delegat i naftës në kongresin e 20 Botëror të gjeologjisë, etj. Për të gjitha këto aktivitete në vitin 1972 ka marrë titullin “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor” dhe në vitin 1995 ka marrë titullin “Drejtues Kërkimesh”. Ramadani ka dalë në pension më 20 janar të vitit 1990 dhe ende vazhdon të mendojë dhe të shkruajë për naftë. Gjatë gjithë këtyre viteve dhe para viteve 1990 e deri në ditët tona kanë shkruar shumë artikuj kolegë dhe të profesioneve të ndryshme, për kontributet që ai i ka dhënë naftës.
Në vitin 1982 Këshilli Bashkiak i Patosit i festoi bashkë me Bashkinë e Shkodrës 82 vjetorin e lindjes së tij duke i dhënë titullin “Personalitet i Shquar për rajonin e naftës Patos ndër vite”. Ndërsa Këshilli Bashkiak i Dibrës me vendimin përkatës të datës 30.04.2019 i ka akorduar Ramadan Perhatit titullin “Qytetar Nderi i Dibrës” me këtë motivacion: Për kontribut të shquar si inxhinier, kryeinxhinier i drejtorisë së Përgjithshme të kërkimeve të naftës dhe Drejtor i Drejtorive të Shpimeve të Naftës, i metodave të reja e bashkëkohore në kantiere.
Inxhinier Ahmet Çollaku nga Boston (Amerikë) më 13 mars 2019 shkruan një artikull të gjatë në gazetën “Telegraf” me titull Ramadan Perhati Shkencëtari i Harruar. Ai e përfundon artikullin me shprehjen “Shqiptarë kur kaloni nëpër Shkodër, ju lutem takoni heroin e gjallë dhe njeriun e urtë Ramadan Perhatin”.
Ja pra ky është Ramadan Perhati, bir i Qafëmurrës.