Balluku: Kontratës së Rrugës së Arbrit nuk i është shtuar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit


Më 2 gusht 2022, gjatë prezantimit të Korridorit Adriatiko-Jonian, Milot-Fier, Ministrja Belinda Balluku u ndal edhe të problematikat e shfaqura në Rrugën e Arbrit.

“Do të ndalem një moment, pa dashur të marr kohë nga ky projekt i rëndësishëm, për të cilin nisim sot garën ndërkombëtare nga Korridori blu, do të ndalem vetëm një moment te rruga e Arbërit, e cila në nëntor të vitit të kaluar u bë e aksesueshme në një pjesë të saj, por sigurisht mbeten disa pjesë shumë të rëndësishme për t’u dorëzuar, siç është pjesa e tunelit të Murizit, një tunel ky i cili na ka vendosur përpara një vështirësie shumë të madhe për sa i përket gjeologjisë dhe na është dashur që rishikohej i gjithë projekti  dhe të lëvizej hyrja veriore me disa metra, me 120 metra duke e bërë kështu që të shtyhet dhe afati kontraktual i kësaj pjese të veprës së rrugës së Arbrit, duke i dhënë dhe 17 muaj kohë deri në përfundim.

Duhet thënë se një pjesë e mirë e kilometrave të atij tuneli ku nga 3.2 që ishte në fillim i projektuar sot me ndryshimet që janë përsa i përket lëvizjes për të gjetur një formacion më të mirë, ka shkuar në 3.8 dhe ka edhe gërmimin e një tuneli ndihmës që është 3.6 km që është i detyrueshëm sipas të gjitha kritereve për çdo tunel mbi 500 metra. Kështu që si tuneli kryesor 3.8 km si tuneli ndihmës vazhdon me ritme të avashta jo ashtu siç po ecim në Llogara fatkeqësisht, por në mënyrë konstante edhe ne besojmë që brenda 17 muajve edhe tuneli i Murrizit do t’i dorëzohet të gjithë qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve për përdorim.

Megjithatë, nuk duhet harruar që kësaj kontrate, kontratës së Rrugës së Arbrit, nuk i është shtuar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, vazhdojmë sot dhe kësaj dite dhe operojmë me të njëjtën sasi parash siç është nënshkruar kontrata, edhe bypassi i Murrizit është financuar nga vetë koncesionari pa shtuar asnjë qindarkë në kontratë. Ndalova pak më gjatë, pasi shpeshherë kemi pyetje për tunelin e Murrizit, por duke qenë se përmenda tunelin e Llogarasë dhe duke qenë që përmenda se sa shpejt kanë ecur punimet aty për t’iu treguar se formacioni gjeologjik luan një rol shumë të rëndësishëm, por rëndësi ka që ne i kemi adresuar të gjitha problemet teknike duke marrë padyshim tryeza të rëndësishme teknike qoftë nga këshilli teknik i ARSH, qoftë nga supervizori që ndjek projektin dhe nga vetë koncensionari.”