Balluku: Tuneli i Murrizit është në 700 metrat e fundit


Rruga e Arbrit “është një projekt i cili është i kyçur në një kontratë me çelësa në dorë, nuk ka asnjë shtesë fondesh, nuk ka pasur asnjëherë gjatë këtyre viteve shtesa fondesh. Është detyrimi i koncensionarit që në këto 13 vite që kontrata do të zgjasë nga ndërtimi dhe deri tek mirëmbajtja, të qëndrojë në të njëjtat fonde financiare të cilat janë vendosur nga fillimi”.

“Në tunelin kryesor kemi një ecuri prej hapje 3100 metra, të cilat janë të gjitha të armatuara, pra kemi edhe 700 metra final që do të dorëzohet vepra. Megjithatë duhet të kuptuar që këto 700 metra marrin kohë të konsiderueshme. Deri më sot (22 korrik), te tuneli i emergjencave janë hapur 3600 metra, pra ka dhe 200 metra për t’u përfunduar”

“Rruga e Arbërit, e cila është hapur pjesërisht gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, ka pasur një impakt shumë të madh për shkak të shkurtimit të minutave që duhen për të ardhur nga Tirana deri në Dibër dhe anasjelltas”, tha Belinda Balluku, ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, njëkohësisht edhe e deleguar e Partisë Socialiste në Dibër, gjatë një takimi me kryebashkiakët e qarkut të Dibrës më 22 korrik në Pogradec.
Gjatë këtij takimi, ajo u ndal te problematikat e shfaqura në Tunelin e Murrizit, të cilat kanë bërë që të shtyhet afati i mbarimit të punimeve në fund të vitit 2023.
“Problematika ka ardhur për shkak të situatës gjeologjike që kemi hasur në tunelin e Murrizit dhe afati i kontratës për dorëzim ka qenë fundi i prillit i vitit 2022, por kjo kontratë është shtuar me 17 muaj në bazë të një vendimi të marrë nga këshilli teknik, i cili pasi ka marrë parasysh të gjitha faktet gjeologjike dhe teknike të tunelit të Murrizit, ndryshoi edhe një pjesë të drejtimit të këtij tuneli. Pra, tuneli ishte parashikuar në kontratën fillestare të ishte 3.2 km, ndërkohë që sot tuneli do të jetë 3.8 km gjatësi, duke u munduar të anashkalojë një pjesë gjeologjike me shtresë argjilore dhe për shkak të baseneve ujore që zona ka, bëhej e pamundur hapja dhe armatimi i tunelit”, theksoi Balluku.
Më tej Ministrja e Infrastrukturës tha se “ecuria ka qenë e mirë kohët e fundit, pasi në tunelin e madh, pra ai që quhet tuneli kryesor i lëvizjes, kemi një ecuri prej hapje 3100 metra, të cilat janë të gjitha të armatuara, pra kemi edhe 700 metra final që do të dorëzohet vepra. Megjithatë duhet të kuptuar që këto 700 metra marrin kohë të konsiderueshme ndryshe nga se jemi mësuar me tunelet e tjera”.

“Dibra si qark është e interesuar për shkolla profesionale të Hoteleri-Turizmit, shkolla bujqësore dhe gjithçka tjetër, por sidomos shkollat teknike, e cila do të arrijnë të prodhojnë teknikë që do t’i përgjigjen kërkesës së ndërtimit të Hidrocentralit të Skavicës, ku është ofruar edhe Bechteli për të dhënë ekspertizën, por edhe financim për ngritjen e këtyre shkollave. Sipas saj, këto investime qeveria duhet t’i ketë në fokus dhe është një lajm shumë i mirë për gjithë qarkun.

Duke folur për tunelin e vogël, atë të emergjencave, Balluku tha se ndërtimi I tij është një detyrim për shkak të sigurisë rrugore, ku në çdo 500 metra tunel kryesor lëvizje, duhet të kemi patjetër një tunel ndihmës. Sipas Ballukut, deri më sot (22 korrik), janë hapur 3600 metra, pra ka dhe 200 metra për t’u përfunduar.
Duke justifikuar vonesat në ndërtimin e tunelit, Balluku bëri një krahasim me tunelin e Llogarasë, ku nga 14 nëntor 2021 ku nisi punën deri më sot, janë hapur më shumë se 2400 metra vetëm në 7 muaj.
Sipas Ballukut, të dy tunelet kanë kosto të shtuara që po përballohen nga kompania.
“Në Llogara, për shkak të gjeologjisë së mirë, është gur gëlqeror, nuk kemi pasur problematika, madje është edhe një zonë ku ka mungesë të ujit dhe për të thënë të drejtën duke qenë se uji është i domosdoshëm nëpër kantierë ka edhe kosto të shtuara si projekt, por që nuk do të reflektohen në kostot finale dhe mbahen nga vetë kompanitë për të sjellë ujin në atë zonë”.
“Ndërkohë që në tunelin e Murrizit, pavarësisht se punohet në mënyrë intensive, për shkak të gjeologjisë argjilore që kemi hasur në atë zonë dhe burimeve të shumta nëntokësore që ka zona, detyrimisht ecet me hapa më të avashta, por çfarë është më e rëndësishme për ne është siguria qoftë e ndërtimit të tunelit dhe më pas siguria rrugore”.
Balluku tha se në pjesët e tjera vazhdon puna dhe brenda 17 muajve, sipas të gjitha gjasave dhe gjithë të dhënave nga këshilli teknik dhe nga supervizori i punimeve, kjo vepër do të jetë e dorëzuar.
“Duhet të theksoj diçka, pasi ka pasur shpeshherë aludime politike dhe propagandë të pastër mbi këtë projekt. Ky është një projekt i cili është i kyçur në një kontratë me çelësa në dorë, nuk ka asnjë shtesë fondesh, nuk ka pasur asnjëherë gjatë këtyre viteve shtesa fondesh. Është detyrimi i koncensionarit që në këto 13 vite që kontrata do të zgjasë nga ndërtimi dhe deri tek mirëmbajtja, të qëndrojë në të njëjtat fonde financiare të cilat janë vendosur nga fillimi”.

Balluku: Përmes Skavicës ne do të balancojmë të gjitha burimet energjetike

Gjatë takimit më kryebashkiaket e qarkut të Dibrës, Balluku u ndal edhe te çështje e ndërtimit të Hidrocentralit të Skavicës.
“Skavica është një nga projektet më të rëndësishme, i cili prek qarkun e Dibrës, jo vetëm për sa i përket rëndësisë që ka, se tashmë këtë e dinë gjithë shqiptarët dhe e kemi thënë. Sidomos, përsa i përket gjendjes aktuale të energjisë, e cila nuk duket të jetë e mirë, as në vitet në vazhdim, pasi përveç konfliktit gjeopolitik që ka tashmë Ukraina dhe Rusia që kanë ndikuar direkt në sektorin energjetik. Ky është një vit që po përballet e gjithë Europa me një thatësirë të paparashikuar përveçse të pahasur më parë dhe sigurisht vendet Mesdheut janë ato që po e ndjejnë më shumë thatësirën. E thënë kjo, Skavica merr një rëndësi akoma dhe më të madhe jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin, pasi Skavica nuk do jetë thjesht një vlerë e shtuar në sistemin tonë energjetik për sa i përket sasive që do të prodhojë, por mbi të gjitha Skavica është depozita jonë natyrore e prodhimit energjetik”.
“Përmes Skavicës ne do të fillojmë të balancojmë të gjitha burimet e tjera energjitike, edhe ato që po shtojmë, për sa i përket parqeve fotovoltaike apo parqeve të erës, pra ato eolike do t’i balancojmë në basenin e liqenit të Skavicës duke optimizuar kështu të gjithë kaskadën e Drinit me të katër hidrocentralet të cilët janë parashikuar për t’u ndërtuar atje”.
Gjatë këtij takimi, Balluku është ndalur edhe në investimet e tjera që priten të bëhen në qarkun e Dibrës.
“Fakti që Bechtel, përmes studimit të fizibilitetit, gjatë periudhës së ndërtimit dhe periudhës së operimit në këtë projekt, pra në projektin e Skavicës do të angazhohen më shumë se 3200 punonjës, të cilët duhet të jenë të gjithë të trajnuar, duke e nisur nga detyrat më bazike siç mund të jenë drejtuesit e automjeteve dhe deri tek inxhinierët, bën të nevojshme që në zonë të kemi një fokus për sa i përket rritjes së shkollave profesionale”, tha Balluku.
Sipas Ballukut, Dibra si qark është e interesuar për shkolla profesionale të Hoteleri-Turizmit, shkolla bujqësore dhe gjithçka tjetër, por sidomos shkollat teknike, e cila do të arrijnë të prodhojnë teknikë që do t’i përgjigjen kërkesës së ndërtimit të Hidrocentralit të Skavicës, ku është ofruar edhe Bechteli për të dhënë ekspertizën, por edhe financim për ngritjen e këtyre shkollave. Sipas saj, këto investime qeveria duhet t’i ketë në fokus dhe është një lajm shumë i mirë për gjithë qarkun.
Korresp. Rr.A.