Nga Akad. GJOVALIN SHKURTAJ
Do ta nis përshëndetjen time për t’i uruar 80-vjetorin e ditëlindjes prof.dr. Hajri Shehut, duke sjellë në mendje “monë e shkuom”, vitet kur kemi qenë të rinj në moshë e të rinj si punonjës shkencorë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë dhe, përditë, shihnim profesorët e moshuar që ecnin para nesh kur shkonim në bufenë më të afërt për të pirë kafen, zakonisht përballë Kishës në Rrugën e Kavajës, te pallatet afër Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, që ishte ca më larg, por që e pëlqenim më shumë sepse aty edhe takoheshim me “grigjën” e përkthyesve dhe të redaktorëve e, derisa na vinte radha për kafen tonë, flisnim me disa prej atyre që i njihnim. Ishin vitet kur përktheheshin shumë libra nga gjuhë të huaja dhe aty shihnim Jusuf Vrionin, Zef Simonin, Petro Zhejin, Edmond Tupjen dhe të tjerë më të rinj e, natyrisht, shuanim edhe kureshtjen se çfarë librash të rinj po përktheheshin e do të botoheshin së afërmi. Hajriu që dinte mirë anglishten dhe disa gjuhë të tjera të huaja, kishte edhe njohje me disa prej përkthyesve dhe natyrisht shkëmbente “kumtet” me ta, sepse ishte edhe vetë përkthyes. Natyrisht, edhe ua kishim lakmi sepse përkthyesit e Shtëpisë Botuese i kullotnin sytë në libra të rinj e mbanin gjallë edhe gjuhët e huaja që i kishin nxënë me mundim në fakultet ose, disa syresh edhe me qëndrime të gjata jashtë. Në atë log pune mund të kishte qenë edhe Hajriu, sepse kishte studiuar për filologji e gjuhë angleze, dhe, para se të vinte në sektorin e leksikologjisë të Institutit tonë, kishte përkthyer disa libra e kishte hartuar edhe disa tekste mësimore për të nxënë anglishten. Ne të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, natyrisht, duke pasur si profil kryesisht disiplinat gjuhësore, leksikun dialektor e letrar, strukturën gramatikore e fjalëformuese të shqipes, termat apo kulturën e gjuhës etj., merreshim kryesisht me disa procese pune që, aq sa janë të domosdoshme për njohjen e studimet sipas sektorëve përkatës, po aq janë edhe të mundimshme e, madje, të mërzitshme, si vjelja e fjalëve, skedimi, klasifikimi e shkencorizimi, që përbëjnë bazën kryesore të pasurimit të kartotekave sipas sektorëve përkatës. Ajo është një punë e mbyllur, një punë e imët, që kërkon ta rrudhësh ballin për orë të tëra mbi librat letrarë apo diturorë e shkencorë, si dhe në gazetat e revistat e ndryshme, të hershme e të sotme, për të nënvizuar fjalët e kuptimet e reja (në mos tjetër, të përdorura me ndonjë vlerë të shtuar kuptimore), të cilat, pastaj, sipas një planifikimi të caktuar, duheshin hedhur në skeda – secila fjalë e përfshirë në një periudhë a frazë, që futej në kllapa katrore. Pastaj vetë vjelësi ose ndonjë prej forcave ndihmëse (që më vonë do të quheshin “filologe”) i shkruanin në skeda të veçanta, duke i prerë më gërshërë e duke i ngjitur me zamkë, ose duke i kopjuar me dorë, kur libri ose gazeta e revista nuk mund të pritej. E përmenda këtë rrethanë, që lidhet me punën e prof. Hajriut dhe të gjithë neve ish-punonjësve të IGJL-së, për të kuptuar më mirë edhe disa prej cilësimeve që i janë dhënë atij (si dhe shumë të tjerëve), si njerëz të punës në heshtje, apo pa zhurmë e pa bujë. Mbase duhet theksuar që prof. dr. Hajri Shehu ka vjelë fjalë të gjuhës shqipe nga rreth 100 mijë faqe librash për pasurimin e fondit leksikor të gjuhës shqipe pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ai ka drejtuar edhe dhjetëra ekspedita gjuhësore në shumë qendra banimi të vendit tonë për vjeljen e fjalëve të panjohura nga thesari i gjuhës së popullit. Prandaj, po e them me bindje të plotë, të punoje në një nga sektorët shkencorë të IGJL-së në kohën tonë, kishte një paradoks: Quhej punë zyre, sepse vërtet bënim punë ndenjëtare, kishim nga një tryezë pune e nga një karrige të thjeshtë dhe zbatonim orarin zyrtar; porse aty, mjediset e pajisjet ishin mjerisht aq të pamira, pa sistem ngrohjeje qendrore në dimër e natyrisht, pa sistem freskimi me ajër të kushtëzuar për mot të nxehtë, pa makina shkrimi vetjake (për kompjuterët nuk e dinim se ekzistonin). Kishte vetëm një zyrë kopisterie me tri daktilografiste dhe sigurisht, për çdo artikull a studim, që të daktilografohej, duhej pritur radha, sepse ato kishin edhe një normë të caktuar, një sasi faqesh që mund ta bënin brenda një dite. Ehu, po t’i kishim pasur kushtet e sotme, kur secili ka kompjuterin e vet dhe, pa u munduar fare, mund ta dërgosh artikullin ose studimin për botim, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, me siguri, nuk do të kishim qenë as aq “të heshtur”, as aq “të ngadalshëm” në botimet tona. Kur, sa për të qeshur, aq për të qarë, në vitin 1983, në një nga vajtjet me shërbim në Itali, pata arritur të blija një makinë shkrimi “Oliveti” të përdorur, më është dukur vetja “shumë i pasur”, sepse, më në fund, do të lirohesha nga “zinxhirët” e pritjes në radhën e daktilografimit të shkrimeve të ndryshme.
Prof. dr. Hajri Shehu ka veprimtari të pasur shkencore, si filolog, si përkthyes e si hartues tekstesh mësimore për gjuhën angleze. Ai është bashkautor dhe autor i 22 fjalorëve të gjuhës shqipe dhe të fjalorëve anglisht-shqip, shumica të botuar dhe ca në dorëshkrim, por që po përgatiten për në shtyp. Është autor i disa monografive dhe i më shumë se 80 artikujve shkencorë, kushtuar problemeve të gjuhës së sotme letrare shqipe, të leksikologjisë, të leksikografisë dhe të fjalëformimit
Hajriu ka ardhur në Institut disa vjet më vonë se unë, në vitin 1971, në sektorin e leksikologjisë dhe të leksikografisë. Ai ishte sektori me më shumë punonjës shkencorë dhe forca ndihmëse, sepse edhe lënda që duhej vjelë, skeduar, klasifikuar e shkencorizuar para hartimit të fjalësit përkatës të Fjalorit ishte e gjerë dhe gjithmonë në shtim. Në këtë Institut ai punoi vite të tëra (1971-1993, 1997-2010), derisa doli në pension. Hajriu ishte në zyrën e madhe (apo si të themi, në zyrën “amë” të leksikologjisë), ku, së paku, deri në vitin 1990, kur unë jam larguar nga Instituti, aty kanë pasur tryezat Anton Krajni, Pashko Geci, Palok Daka, Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Pavli Haxhillazi, Miço Samara, Josif Kole, Kornelia Sima, Beatriçe Keta, Thanas Feka, Agim Hidi, Sofokli Gjermeni, Ina Arapi, Ardian Vehbiu, Dhori Qiriazi. Sot, disa nga ata nuk janë më midis së gjallësh; disa të tjerë janë larguar nga Instituti, kryesisht për shkak të daljes në pension ose kanë shkuar jashtë shtetit. Por janë shtuar leksikologë të tjerë, si Valter Memisha, drejtues për vite me radhë i Institutit të Gjuhësisë dhe bashkëdrejtues i FJMGJSH-së, Artur Lama, Tomorr Plangarica, Enkeleda Kapia, Rafaela Marteta, Juliana Kume etj.
Për studiuesit e sotëm të IGJL-së do të duket e çuditshme kjo që do të them. Përveç orës së kafes dhe rasteve të mbledhjeve të mëdha në bazë instituti, që zakonisht i bënim ose në sallën e bibliotekës në katin e parë, ose (më shpesh) në zyrën e madhe të sektorit të gramatikës e të dialektologjisë, që quhej “zyra e Spiros”, pastaj e Menellës, rasti i përditshëm i takimit ka qenë gjimnastika e mëngjesit, që e bënim në oborrin e institutit para se të fillonte puna (pra, duhej të vinim disa minuta para fillimit të orarit zyrtar), si dhe gjatë dimrit, në depon e druve, ku mbushnim arkat me dru për të ndezur sobat. Pas gjimnastikës së mëngjesit, secili ulej në tryezën e vet dhe zbatohej parimi i njohur “secili për vete”, për të realizuar planin, natyrisht, duke hartuar edhe relacionin përkatës për çdo tremujor, gjashtëmujor, nëntëmujor dhe për krejt vitin. Natyrisht, shqetësimi kryesor ishte realizimi i planit të punës dhe, ndonëse kemi qenë në sektorë të ndryshëm, por të ngjashëm, ua kam qarë hallin gjithmonë kolegëve të leksikologjisë, sepse atyre nuk u mbetej kohë për t’u marrë me tema studimore ngaqë kohën kryesore ua merrte Fjalori. Jam marrë edhe unë me fjalorin dialektor, prandaj kam thënë e shkruar shpesh se hartimi i fjalorëve dhe i gramatikave gjithmonë është konsideruar nga punët më të rënda mendore. Me një metaforë bukolike, mund të thuhet se është si puna me parmendë e me kosë në bujqësi. Në këtë fushë, sa të vështirë e të rëndësishme për leksikologjinë shqipe, prof.dr. Hajri Shehu ka punuar si duhet, pa u ankuar asnjëherë, gjithmonë me qetësi e përvujtëni asketike dhe, si fryt i asaj pune, po deshët edhe ta quajmë sizifiane, ka përgatitur si autor dhe si bashkautor, veprat e mëposhtme:
- “Fjalor shumëvëllimësh i gjuhës shqipe”, vëllimet II, III (vepër në dorëshkrim) (bashkautor);
- “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë, 1980 (nderuar me çmimin e Republikës) (bashkautor / shkronjat D (pjesërisht), E, Ë, F, P / pjepër / prridhje, V / 270 f.);
- “Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë, 1984 (bashkautor / 165 f.);
- “Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë, 1984 (sistemim e përpunim i frazeologjisë së gjithë Fjalorit / mbi 4000 njësi);
- “Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë, 2002 (bashkautor / 216 f.);
- “Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe”, Tiranë, 2004 (bashkautor / 314 f.);
- “Fjalor i gjuhës shqipe”, Tiranë, 2006 (bashkautor / 179 f.);
- “Fjalor i gjuhës shqipe” (për shkollën), Tiranë, 2020 (bashkautor);
- “Fjalor i gjuhës shqipe” (për shkollarë të vegjël) (vepër për shtyp) (bashkautor);
- “Fjalor i termave të artilerisë (shqip-anglisht-rusisht)”, Tiranë, 1987 (bashkautor dhe bashkëredaktor);
- “Fjalor i termave të prapavijës (shqip-anglisht-rusisht)”, Tiranë, 1987 (bashkautor dhe bashkëredaktor);
- “Fjalor themelor i termave të bujqësisë”, Tiranë, 2006 (bashkëredaktor);
- “Fjalor frazeologjik sinonimik anglisht-shqip” (vepër në dorëshkrim) (autor);
- “Fjalor anglisht-shqip” me rreth 400 emërtime bimësh (vepër në dorëshkrim) (autor);
- “Fjalor arabisht-shqip”, Tiranë, 2009 (bashkëredaktor);
- “Fjalor anglisht-shqip”, Tiranë, 2010 (autor / 834 f.);
- “Fjalor persisht-shqip”, Tiranë, 2010 (bashkëredaktor);
- “Studime për leksikun dhe për leksikografinë e sotme shqipe”, Tiranë, 2015, që përfshin mbi pesëdhjetë artikuj, pothuajse të gjithë të botuar në revistat shkencore “Studime filologjike”, “Gjuha jonë”, “Gjuha shqipe” etj.;
- “Fjalor me fjalë e shprehje popullore nga e folmja e Ujemujës”, Tiranë, 2016, 436 faqe;
- “Fjalor tematik bashkëbisedimor anglisht-shqip (vepër në dorëshkrim);
- “Fjalor anglisht-shqip i thënieve dhe i njësive frazeologjike” (bashkautor me të birin, Bledarin; vepër për shtyp);
- “Fjalor xhepi anglisht-shqip dhe shqip-anglisht” (bashkautor me të birin, Bledarin; vepër për shtyp).
Qyshkur e kam njohur për herë të parë, pastaj edhe në të gjitha rastet, kur e kam dëgjuar si fliste e si shkruante prof. Hajriu, kam formuar bindjen se natyra e tij e heshtur vinte nga modestia shembullore, nga ngrohtësia e shpirtit, ndërsa, sikundër e kanë vlerësuar edhe kolegë të tjerë, që e kanë njohur edhe më nga afër se unë, dijet e tij në lëmin e gjuhës shqipe dhe të gjuhës angleze janë me të vërtetë për t’u adhuruar e vlerësuar. Hera e mbarë e ka sjellë që me Hajriun të kemi qenë së bashku edhe në ndonjë ekspeditë gjuhësore në Kosovë, në vitin 1978 (në mos u gabofsha) dhe kemi disa fotografi të përbashkëta me studiuesit kosovarë, asohere ende të rinj e të reja, si Shefkije Islamaj, Ibrahim Goci, Skënder Gashi, Ragip Mulaku etj.
Prof.dr. Hajri Shehu është marrë intensivisht edhe me përkthime nga anglishtja në shqip dhe me redaktime përkthimesh nga arabishtja në shqip në Organizatën Ndërkombëtare Islamike të Ndihmave (International Islamic Relief Organization), me qendër në Arabinë Saudite, zyra e Shqipërisë. Këtë lloj aktiviteti e ka ushtruar në vitet 1993-1995. Si një specialist i shkëlqyer i gjuhës angleze, prof.dr. Hajri Shehu pati tërhequr edhe vëmendjen e katedrës së gjuhës angleze të Universitetit të Tiranës, e cila e ftoi në detyrën e pedagogut të anglishtes në vitet 1995-1997.
Gjatë viteve të punës në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, prof. dr. Hajri Shehu vendosi lidhje me Shtëpinë Botuese të Oksfordit (Oxford University Press). Ai është anëtar i Euraleksit (Shoqata Europiane e Leksikografëve), si edhe i “Alex Nash Fellowship of Albanian Studies” pranë Universitetit të Londrës.
Prof. dr. Hajri Shehu ka veprimtari të pasur shkencore, si filolog, si përkthyes e si hartues tekstesh mësimore për gjuhën angleze. Ai është bashkautor dhe autor i 22 fjalorëve të gjuhës shqipe dhe të fjalorëve anglisht-shqip, shumica të botuar dhe ca në dorëshkrim, por që po përgatiten për në shtyp. Është autor i disa monografive dhe i më shumë se 80 artikujve shkencorë, kushtuar problemeve të gjuhës së sotme letrare shqipe, të leksikologjisë, të leksikografisë dhe të fjalëformimit, të botuar në revista të tilla shkencore, si “Studime filologjike”, “Studia Albanica”, “Gjuha jonë”, “Gjuha shqipe”, “Lexicography” (Oxford).
Prof.dr. Hajri Shehu është autor i disa zërave për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, si edhe i më shumë se 30 recensave dhe oponencave shkencore në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në Katedrën e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në Sektorin shkencor të Akademisë Ushtarake. Ai është autor i disa kumtesave shkencore, të cilat i ka mbajtur në konferenca e kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare që janë zhvilluar në Tiranë, në Prishtinë, në Ohër, në Oksford, në Teheran etj.
Gjatë viteve të punës si leksikolog dhe leksikograf në IGJL, krahas ngarkesave të tjera, prof. Hajriu ,ashtu si kolegët e tjerë, ka drejtuar dhjetëra ekspedita gjuhësore në shumë fshatra të vendit tonë për vjeljen e fjalëve të panjohura nga thesari i gjuhës së popullit.Ai ka përkthyer dhe redaktuar 10 mijë faqe libri nga letërsia islame. Ka botuar “Treguesin e Kur’anit”, artikuj studimorë dhe parathënie për librat që i kushtohen Kur’anit. Ai, po ashtu, është autor i shumë artikujve shkencorë – popullarizues në disa organe të shtypit.
***
Të bëhesh 80 vjeç, siç thoshte Dritëroi i Madh, është njëfarë trimërie, sepse jo gjithkush e mbërrin këtë “kuotë” të jetës. Natyrisht, në mendësinë e intelektualëve shqiptarë, besoj edhe më gjerë, kur ngjitesh në këtë lartësi, si vetë jubilari për veten e vet (ashtu edhe të tjerët për të) shtrojnë pyetjen: Çfarë bëra (unë)? Dhe, unë, si koleg e mik i Hajri Shehut mund (po sot, besoj edhe më takon) të them se ai ka pasur një jetë të mbushur me punë e me kontribute si mësues e hartues tekstesh shkollore, si leksikolog e leksikograf, me përkthime librash e studimesh të dobishme, me studime e shqyrtime të rëndësishme për anglicizmat në shqipe etj. Ai asnjëherë nuk e ka harruar kujdesin për ruajtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe.
Në kufijtë nevojisht të rrudhur të kumtesës sime, për të mos pasur edhe përsëritje të vlerësimeve të kolegëve për veprat e tjera të tij, po ndalem kryesisht në një prej botimeve më të rëndësishme të prof. Hajri Shehut – “Fjalor me fjalë e shprehje popullore nga e folmja e Ujemujës”, Tiranë, 2016,436 faqe. Në fakt, kur ma pati dhuruar Fjalorin, i pata premtuar autorit se do të shkruaja një recension vlerësues për të, sepse gjeta aty shumëçka të vyer për t’u njohur e për t’u vlerësuar e këshilluar për ta shtënë në përdorim: fjalë krahinore shqipe e të bukura, frazeologjizma të pikuara me urtësinë e krahinës së Ujemujës, që shkojnë në hullinë e mirënjohur të urtësisë dibrane, si dhe trajta dialektore interesante që, mua, si dialektolog, natyrisht më vinin në të mirë të njohjes sa më të thelluar të të folmeve anësore të shqipes, si ajo e Ujemujës së Dibrës.
“Fjalor me fjalë e shprehje popullore nga e folmja e Ujemujës”, Tiranë, 2016, 436 faqe, siç e ka theksuar edhe akademik Jani Thomai, është shkruar nga “një leksikolog e leksikograf i njohur, me përvojë të pasur si bashkautor në hartimin e fjalorëve kombëtarë (vepra madhore të leksikologjisë shqipe, si “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” 1980,”Fjalor i shqipes së sotme “1984 e 2002, “Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe” 2004, “Fjalor i gjuhës shqipe” 2006, “Fjalor elektronik i gjuhës shqipe” 2014 etj.), ose autor, bashkautor a bashkëredaktor në hartimin e disa fjalorëve gjuhë e huaj-shqip e shqip-gjuhë e huaj (Fjalor anglisht-shqip 2010, “Fjalor i termave të prapavijës/shqip-anglisht-rusisht” 1987, “Fjalor themelor i termave të bujqësisë/shqip-anglisht-frëngjisht-italisht-rusisht 2006 etj.), me formim të plotë edhe në teorinë leksikografike dhe me seriozitetin shkencor të nevojshëm për një gjuhëtar të mirëfilltë”. (Shih: Parathënie, shkruar nga akad. prof.dr. Jani Thomai, f.11).
Qyshkur e kam shfletuar e lexuar për herë të parë këtë Fjalor, pastaj edhe duke e lexuar me kujdes e duke nënvizuar shumëçka që më interesonte edhe për punën time si dialektolog e sociolinguist, kam formuar bindjen se vlerësimi i parë i rëndësishëm për këtë vepër është lënda e tij e pasur, po edhe që vjen nga një krahinë e vogël, që ndodhet në anët e Dibrës dhe që ka emrin tërheqës Ujemujë ngaqë rrethohet nga ujëra në tri anë: Veleshica (në veri),Drini (në perëndim), Përroi i Gramës (në jug). Jo vetëm me etimologji popullore,po edhe si emërtim real, toponimi del si emër i përbërë nga përngjitja e një togfjalëshi: ujë-e-më-ujë. Ujemuja ka simotra në krahina të tjera, p.sh. Përtejuja e anëve të Matit, Shpella e Delujit në Malësinë e Mbishkodrës, Ujëmira e Ujëbardha etj., që i ndeshim anekënd trojeve shqiptare.
Dhe, për të shkuar sa më për shkurt te thelbi i asaj që më pëlqen ta vlerësoj për këtë Fjalor, shtrojmë pyetjen: Çfarë gjeta unë në “Fjalor me fjalë e shprehje popullore nga e folmja e Ujemujës”? Përgjigjja ime është: Kjo vepër e prof. dr. Hajri Shehut, përtej (e krahas) vlerësimeve të përgjithshme, që i kam bërë edhe më lart, mund dhe duhet të shihet si prurje me vlera të shumta, jo vetëm mirëfilli leksikore e frazeologjike, por edhe si lëndë e begatë, e parashtruar dhe e shembullsuar me kujdes, që mund të shërbejë edhe për shqyrtime etnogjuhësore.
Kam nënvizuar e nxjerrë në skeda shumë të dhëna nga Fjalori,të cilat, sigurisht, do të më vlejnë për plotësimet e përpajnimet e hulumtimeve të mia në fushën e onomastikës, të etnolinguistikës e të sociolinguistikës, si dhe, ndoshta mbi të gjitha, shumëçka që vjen në një fjalor leksikor, por që ka edhe vlerë dialektologjike.
Paçim jetë e shëndet për të mos i lënë me kaq vlerësimet e shqyrtimet përmbi këtë Fjalor – pak të thuash të pasur, të vyer e të rëndësishëm të prof.dr. Hajri Shehut.
I urojmë kolegut e mikut tonë jetë të gjatë, shëndet e ndezëlli për punë të tjera të vetat dhe, mbi të gjitha, punë të përbashkëta e botime me të birin, Bledarin, ish-studentin tim të mirë, duke shkuar sipas urimit të anëve tona për atë që këndon bukur: Ia laç djalit!
Tiranë, 7 qershor, 2022