Në malësinë e Martaneshit ka disa grupe liqene akullnajore, por ato të Dhoksit krijojnë një ansambël unik natyror, me rëndësi në disa drejtime.
Nga ADRIATIK BALLA
Liqenet akullnajore janë ndër objektet më të mrekullueshme të natyrës shqiptare. Të gjendur në lartësitë e maleve shqiptare, këta trupa ujorë kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve vendas e të huaj, madje për to ka thurje në të githa gjinitë letrare dhe histori nga më të pabesueshmet.
Në territoret shqiptare, ndoshta edhe më gjerë, njihet kulti i zanave. Zanat janë një fenomen mitologjik, që simbolizojnë bukurinë dhe pastërtinë hyjnore, përmbledhur në trupin e një femre të jashtëzakonshme për nga bukuria, e cila bën jetë ujore e shpesh edhe tokësore. Pra kemi të bëjmë me një nimfë, por në vende të ndryshme e intepretuar në forma të ndryshme e që njihet në më të shumtën e rasteve si “cuca e liqenit”, “e bukura e dheut” etj. Duke hyjnizuar Zanën, shqiptarët kanë lartësuar dhe shenjtruar mjedisin e tyre fiziko-gjeografik. Në Lurë, ka plot histori me zanat, por jo të pakta janë edhe ato të Dhoksit në Bulqizë. Sot po rrëfejmë një të tillë.
Në malësinë e Martaneshit ka disa grupe liqene akullnajore, por ato të Dhoksit krijojnë një ansambël unik natyror, me rëndësi në disa drejtime.
Në grupin e liqeneve të Dhoksit, spikat edhe liqeni i Thatë, ose ndryshe liqeni i Duriçeve. Ndryshe nga liqenet e tjerë që janë pjesë e pellgut ujëmbledhës të përroit të Sharrës, liqeni i Thatë është pjesë e pellgut të përroit të Duriçeve, por që të dy bashkohen pranë lagjes me të njëjtin emër në fshatin Vajkal dhe derdhen në zallin e Bulqizës.
Besohet se ai ka qenë një liqen shumë më i madh në sipërfaqe e vëllim ujor nga sot, nisur dhe nga forma e pozicioni i gropës, por me kohën është reduktuar. Në periferinë jugore e perëndimore ka kullota, kurse në lindje e në veri ka pyje ahu e pishe. I parë nga lart, ai ka formën e zemrës. Tani le të kalojmë në temë. Pse e quajmë liqen i dashurisë?
Gojëdhëna thotë:
Në liqenin e Thatë, që ishte më i madhi në Dhoks, jetonte në ujërat e tij një Zanë. Në ditët me kohë të mirë Zana dilte nga liqeni dhe ulej në breg, krihej e ngrohej.
Një bari, që bënte përditë rrugën nga Fusha e Ndërmjetshme pranë majës së Lopës (afro 2000 m) e deri në kurriz të Kaçilit (Maja e Kaculit 1999 m), e kishte pikasur Zanën, por sa afrohej ajo zhdukej krejt papritur. Kaluan ditë e javë të tëra dhe bariu s’po mundte që ta takonte. Ai ishte i dashuruar me të, por s’po mundte t’ia shprehte ndjenjën e tij. Madje kishte vrapuar për ta kapur por ajo zhytej me shpejtësi në liqen.
Një ditë prej ditësh, ai vendosi të fshihej pranë liqenit dhe nuk u gabua. Zana doli nga uji dhe u ul në breg. Ishte pambarimisht e bukur dhe me flokë të gjatë që krijonin një gërshet marramendës ngjyrë ari. Më në fund, bariu gjeti momentin e përshtatshëm që ta rrëmbente Zanën dhe doli nga vendi ku ishte fshehur dhe tentoi ta kapte atë. Por Zana rrëshqiti me shpejtësi në ujë drejt pjesës më të thellë, në fund të liqenit, duke lëshuar disa tinguj të çuditshëm. Bariu po përpiqej të kuptonte ku do të dilte dhe vrapoi poshtë drejt zbrazjes së ujërave të liqenit, duke ndjekur tingujt. Pasi kishte ecur disa minuta bariu gjeti gërshetin e Zanës, që krijon shkallare, ndërsa zëri i Zanës tani nuk dëgjohej më në ujë por në lartësi. Vendi ku u gjet gërsheti është sot Ujëvara e Duriçit, kurse vendi ku zëri rri në ajër quhet qoshi i Zavarit (Za varur, ose Zë i varur, pra zëri rri varur. Kuptohet, kemi të bëjmë me jehonën që shkakton në shpatet shumë të pjerrtë të malit të Duriçit ujëvara me të njëjtin emër, një monument natyre, e cila, e parë nga larg të jep një ndjesi të cuditshme).
Bariu, i pikëlluar që s’ia doli dot, nisi të mallkojë liqenin që ia fshihte Zanën. “U thafsh o l’qe, siç më thave mua pa Zanën”. Dhe liqenin e zuri mallkimi i bariut. Tani ai mban ujë dimrit por është i cekët dhe në fund të gushtit thuajse thahet tërësisht. E megjithatë, ai është një prej më të bukurve në malin e Dhoksit. Është i bukur, sepse aty ka jetuar Zana…
Përtej mitologjisë, Gatelli i Bulqizës, ku ndodhen edhe liqenet e Dhoksit, është një mrekulli e natyrës shqiptare. Në këtë vend, ka pyje ahu e halorësh të dendur, liqene ekzotike, kreshta të zhveshura magmatike poshtë të cilave ndodhet baseni më i madh krommbajtës i Shqipërisë. Gatelli është një ambient ku ka mjaft kafshë të rralla si dhia e egër dhe sorkadhja, e ku vetë fjala Dhoks do të thotë lavdi (madheshti, triumf), besuar se ka mbetur si toponim nga kohët e arta skënderbejane. Në këtë vend ndodhet edhe liqeni “Skanderbeg”, ujëvara, shpatet e rrëpirtë magmatike, përrenj me ujë të përhershëm dhe në lartësitë e mëdha bora që qëndron deri në mesin e verës.