Prof. Adem Bunguri zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave


 Ai ka formuluar dhe argumentuar shkencor për të parën herë hipotezën anatoliane të migracioneve të Bronzit të Hershëm në Shqipëri dhe Kosovë, në kundërshtim me hipotezën e migracionit “kurgan”, që ka mbizotëruar deri vonë në arkeologjinë prehistorike shqiptare. Kjo hipotezë e re, ka përmirësuar ndjeshëm dinamikën e proceseve të formimit të kulturës së Bronzit të Hershëm në Shqipëri, substrati mbi të cilën u zhvilluan më vonë proceset e formimit etno-gjenetik të popullsisë ilire.

Adem Bunguri vlerësohet sot si studiuesi më aktiv dhe më i suksesshëm në arkeologjinë shqiptare, si një nga studiuesit më të përkushtuar dhe produktiv të 10-vjeçarit të fundit në fushën e arkeologjisë prehistorike.  Vlerësohet për maturinë shkencore dhe për formulimin e përgjithësimeve të rëndësishme lidhur me protogjenezën e shqiptarëve dhe indoeuropianizimin e rajonit.

Tiranë, 6 shkurt 2023. – Profesor Adem Bunguri zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Akademisë së shkencave që u zhviluar më datë 6 shkurt 2023, u votua edhe për anëtarët e rinj të Akademisë, ku prof. Adem Bunguri u votua si anëtari më i ri në fushën e shkencave albanologjike.

Bunguri u vlerësua me titullin Akademik pas një pune të gjatë në fushën e arkeologjisë në Shqipëri, duke sjellë fakte të reja në këtë fushë.

Prof. Adem Bunguri gjatë një leksioni në Akademinë e Shkencave në mars 2022, mbi rivlerësimin e hipotezës së migracionit “kurgan” sipas evidencës arkeologjike nga Shqipëria dhe Kosova.

Kërkimet e tij arkeologjike në Kosovë dhe në Shqipëri si dhe duke bazuar në të rejat më të fundit shkencore në botë të kësaj fushe, argumentoi shkencërisht  për herë të parë hipotezën anatoliane të migracioneve të Bronzit të Hershëm në Shqipëri dhe Kosovë, në kundërshtim me hipotezën e migracionit “kurgan”, që ka mbizotëruar deri vonë në arkeologjinë prehistorike shqiptare. Kjo hipotezë e re ka përmirësuar ndjeshëm dinamikën e proceseve të formimit të kulturës së Bronzit të Hershëm në Shqipëri, mbi të cilën u zhvilluan më vonë proceset e formimit etno-gjenetik të popullsisë ilire.

Në terren, qershor 2008, duke drejtuar punimet e kërkimeve arkeologjike në Sofroçan, ku gjatë punimeve për hapjen e Rrugës së Arbërit u gjetën 2 përkrenare ilire.

Adem Bunguri, i lindur më 10 mars 1954 në Grevë të Dibrës, nuk i është ndarë studimeve në fushën e arkeologjisë që nga viti 1982, kur kryen specializimin pasuniversitar pranë Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike (më vonë Instituti i Arkeologjisë) të Akademisë së Shkencave Tiranë. Që nga viti 1983 punon si arkeolog në Departamentin e Prehistorisë të Institutit Arkeologjik, në vitet 1983-2003 në Bërthamën Arkeologjike të Peshkopisë, ndërsa nga viti 2004 e në vazhdim në Institutin e Arkeologjisë, pjesë e Akademisë së Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Në vitet 1984-1986 mbron shkëlqyeshëm të gjitha provimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës, përfshirë edhe atë të gjuhës angleze. Në vitet 1987-1989 kryen gërmimet e para arkeologjike në vendbanimin prehistorik të Topojanit (Dibër) që shërbyen si bazë e përgatitjes së disertacionit të fazës së parë të kualifikimit pasuniversitar. 

Në vitin 1991 ka mbrojtur me vlerësimin “shkëlqyeshëm” në Departamentin e Prehistorisë të Institutit të Arkeologjisë disertacionin me temë “Neoliti dhe Eneoliti në luginën e mesme të Drinit të Zi” për gradën “kandidat i shkencave”. Në vitin 1996 fiton me vlerësimin maksimal titullin Doktor i shkencave, në vitin 2000 ka fituar titullin “Prof. assoc. dr.” ose “Mjeshtër kërkimesh” dhe në vitin 2011 ka fituar titullin “Profesor” ose  “Drejtues Kërkimesh

Bunguri ka drejtuar gërmimet arkeologjike në fushën e arkeologjisë prehistorike në rajonin e Dibrës (1986-2011), ku ka kryer disa fushata gërmimesh sistematike në rajonin e Dibrës, si në vendbanimet prehistorike të Topojanit, të Pesjakës, të Manasdrenit, të Blliçes, të kalasë së Peshkopisë dhe të Burimit, si dhe disa gërmime shpëtimi në qendra arkeologjike të këtij rajoni, si në kalanë e Grazhdanit,  kapelën e Pesjakës, varret monumental të Zall-Sinës dhe të Kurtbegut , në varrezën e dystë të Sofraçanit etj. 

Në vitet 2010-2016, ai ka përfituar qëndrime studimore në DAI (Deutsches Archaeological Institute) në Frankfurt am Main (Gjermani) dhe DAI në Istanbul (Turqi), për të shfrytëzuar bibliotekat e tyre shumë të pasura, që kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e punës së tij shkencore. 

Gjatë qëndrimeve të tij studimore në DAI Frankfurt am Main, ai ka mbajtur leksione mbi çështje të ndryshme të Arkeologjisë Prehistorike të Shqipërisë dhe të Kosovës.  

Interesat e tij shkencore janë përqendruar në studimin e kulturës së epokës së bronzit në Shqipëri dhe në Kosovë, të lidhur ngushtë me proceset e formimit etno-gjenetik të popullsisë ilire në Ballkanin Perëndimor. Kontributi i tij kryesor në këtë fushë studimesh është, pa dyshim, argumentimi shkencor me artikuj, studime dhe prezantime në konferenca ndërkombëtare i hipotezës së tij mbi komponentin anatolian në etogjenezën e ilirëve (2013-2020), në kundërshtim me hipotezën e migracionit “kurgan”, që pati mbizotëruar edhe në arkeologjinë shqiptare për afro 60 vjet (1956-2013).    

Adem Bunguri vlerësohet sot si studiuesi më aktiv dhe më i suksesshëm në arkeologjinë shqiptare, si një nga studiuesit më të përkushtuar dhe produktiv të 10-vjeçarit të fundit në fushën e arkeologjisë prehistorike.  Vlerësohet për maturinë shkencore dhe për formulimin e përgjithësimeve të rëndësishme lidhur me protogjenezën e shqiptarëve dhe indoeuropianizimin e rajonit. Ka botuar mbi 70 artikuj shkencorë në revista arkeologjike në Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Kosovë, Slloveni, Gjermani Greqi, Poloni, Britani (Cambridge, Oksford) dhe SHBA (Harvard University). Ka marrë pjesë në disa kongrese ndërkombëtare të Arkeologjisë Prehistorike (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Slloveni, Francë, Greqi, Turqi, Gjermani, Poloni, Itali dhe Britani (Cambridge, Oksford) etj. 

Kontributi i tij në fushën e arkeologjisë prehistorike pasqyrohet në inkuadrimin  e kulturave Neo-Eneolitike të Shqipërisë në grupet dhe komplekset kulturor të Ballkanit dhe atyre të Bronzit të Hershëm dhe të Vonë në arealin Ballkano-Egjean. 

Interesat e tij shkencore janë përqëndruar në studimin e kulturës së epokës së Bronzit në Shqipëri dhe në Kosovë, të lidhur ngushtë me proceset e formimit etno-gjenetik të popullsisë ilire në Ballkanin Perëndimor. Ka formuluar dhe argumentuar në pikëpamje shkencore për të parën herë hipotezën anatoliane të migracioneve të Bronzit të Hershëm në Shqipëri dhe Kosovë, në kundërshtim me hipotezën e migracionit kurgan, që ka mbizotëruar deri vonë në arkeologjinë prehistorike shqiptare. Hipoteza e tij ka ndihmuar në njohjen më të mirë të proceseve të formimit të kulturës indo-evropiane të Bronzit të Hershëm në këtë rajon. 

Bunguri ka formuluar dhe argumentuar shkencërisht për të parën herë hipotezën e tri modeleve të ndryshme kronologjiko-kulturor të procesit Neolitizimit të Shqipërisë, mbi bazën e tre impulseve anatolian të Neolitit të Hershëm. 

Ai ka formuluar dhe argumentuar shkencor për të parën herë hipotezën anatoliane të migracioneve të Bronzit të Hershëm në Shqipëri dhe Kosovë, në kundërshtim me hipotezën e migracionit “kurgan”, që ka mbizotëruar deri vonë në arkeologjinë prehistorike shqiptare. Kjo hipotezë e re, ka përmirësuar ndjeshëm dinamikën e proceseve të formimit të kulturës së Bronzit të Hershëm në Shqipëri, substrati mbi të cilën u zhvilluan më vonë proceset e formimit etno-gjenetik të popullsisë ilire.

Gjithashtu, Bunguri ka hedhur hipotezën e zhvillimit të pavarur metalurgjik gjatë Eneolitit dhe Bronzit të Vonë në Shqipëri & Kosovë. Studimi i rolit dhe vendit të metalurgjisë në zhvillimin shoqëror dhe kulturor të bashkësive prehistorike të vendit tonë nga fillimi i Epokës së Eneolitit deri në fundin e asaj të Bronzit. 

Adem Bunguri ka botuar 7 monografi shkencore mbi prehistorinë e Shqipërisë, 4 si autor i vetëm dhe 3 në bashkëautorësi. Ka në poces botimi 3 monografi shkencore mbi çështje të ndryshme të arkeologjisë prehistorike në Shqipëri dhe Kosovë dhe një monografi divulgative mbi etno-arkeologjinë e Dibrës. Është bashkëautor i vëllimeve I-II të veprës “Harta Arkeologjike e Kosovës” (2006, 2012). 

Prof. Adem Bunguri ka dhënë edhe një kontribut të rëndësishëm në botimin e plotë të veprës shkencore të Prof. Frano Prendi të përmbledhur në tri vëllime  (2008, 2018) si dhe një monografi të Prof. Selim Islami (2013).

Botimi i tij i fundit, “Përkrenaret Ilire në Shqipëri dhe Kosovë”  është një përditësim i bazës së të dhënave mbi përkrenaret e tipit ilir në Shqipëri dhe Kosovë si dhe përforcon hipotezëën e Prof. Hasan Ceka mbi atdheun historik të përkrenareve ilire.

Ka udhëhequr një numër të madh mikrotezash të Programeve “Bachelor” dhe “Master Shkencor DND” dhe është udhëheqës shkencor i 3 tezave të doktoraturës. Në vitin 2021 është përzgjedhur nga Komisioni i përhershëm i Historisë dhe Arkeologjisë i Akademisë së Shkencave si autor i tekstit të ri “Historia e Shqiptarëve” (Pjesa e lashtësisë).  

Është laurat i çmimit të parë “Dea Dardanicae”, që jepet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës, në vitin 2018. Mban titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës. 

Përgatiti: Bujar Karoshi