Akademik Adem Bunguri, personalitet i shquar i arkeologjisë shqiptare


Copëza kujtimesh me akademik Bungurin nga profesor i asociuar doktor, inxhinier Vesel Hoxha

Kujtimet e takimet me profesorin e nderuar dibran Adem Bunguri janë të shumë. Zgjedhja e tij si anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është një nder dhe gëzim jo vetëm për profesor Bungurin dhe miqtë e tij por për gjithë Dibrën. Jetë sa më të gjatë akademikut më të ri të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, njeriut punëtor e të pa lodhur, një shembull për tu ndjekur në rrugën e ndritur të shkencës!

Takimi në Arrëmollë
Në verën e vitit të largët 1977, ndonëse punoja në zonën e Korabit për kërkim zbulimin e mineralizimeve të hekurit pa nikel, siç hyri në fjalorin e asaj kohe, do të shkoja për punë në zonën e Arrëmollës për tu njohur me disa shfaqje të bakrit që paraqitnin interes kërkimi, veçanërisht në përruan e Gështenjit, mbi shtëpinë e të mirënjohurit Çup Alia, babait të mikut tim të kahershëm Nezir Çupi, me të cilin dhe sot e kësaj dite vazhdoj të kemi marrëdhënie shumë të mira, falë dhe lidhjeve të tij miqësore me kolegun tim nga Lura, ose më saktë nga Pregjë Lura, inxhinierin Xhemal Mena, shtëpia e të cilit vite më vonë, do të bëhej për mua dhe jo vetëm për mua, një shtëpi e dytë, kur do të punonim bashkë, për kërkimin e bakrit në disa objekte si dhe në atë të kromit në Përruan e Ftujës etj. në rajonin e Lurës. Rastësia e solli që të takoj për herë të parë mësuesin e historisë dhe gjeografisë në shkollën e Arrëmollës (Arra në Mallë, e, nisur nga origjina e emrit më saktë do ishte Arrëmalla jo Arrëmolla), arkeologun dhe njëherazi akademikun e ardhshëm Adem Bungurin. Pas përshëndetjeve dhe pyetjeve të rastit muhabeti mori udhët e shkencës. Për çfarë nuk më pyeti, për gjeologjinë dhe mineralet. Kishte një kuriozitet të jashtëzakonshëm. Çështë e vërteta, unë në atë kohë sapo kisha mbaruar studimet dhe isha vetë i ri e i etur të bëja pyetje, jo tu jepja përgjigje pyetjeve për gjeologjinë për të shuajtur kureshtjen e madhe, të akademikut të ardhshëm. Në atë kohë, më i avancuar isha në njohjen e mineraleve, gjë që e kam patur pasion që kur isha në Teknikumin e Minierave dhe të Gjeologjisë në Përrenjas, (ndonëse në fund unë diplomën e mbrojta për Makshajderi) në vitet e largëta 1966-1970. Asokohe në atë zonë punonin teknik gjeologët Isa Mandri dhe Adli Baholli që më vonë do të transferoheshin në Ekipin e Hekurit në fillim të vitit 1979 dhe atje do të punonte për pak kohë Teknik gjeologu i talentuar Ali Bardhi. Punimet në zonën e Arrëmollës provizorisht u drejtuan nga inxhinieri gjeolog Ilir Alliu (sot profesor), i cili vite me vonë pas një specializimi për gjeokimi në Itali, do të punonte në institucione shkencore qendrore në Tiranë, dhe për shumë vite si pedagog në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave, ku dhe doli në pension.

Dicitura: Akademik Bunguri duke folur në Konferencën shkencore “100 vjet nga lufta e Dibrës”.

Ademi me atë thjeshtësinë dhe modestinë që e ka karakterizuar dhe e karakterizon, na ftoj tek dhoma ku kishin bazën e tyre të banimit. Kur shkelëm për herë të parë në Arrëmollë me 20 gusht 1976 – vijoj të na tregoj rrugës mësues Ademi – bashkë me kolegun Ramazan Mani, drejtori Osman Vladi na çoi në shtëpinë e Tij (të Zenel Musës) ku kishte organizuar gjithçka, e cila ishte një kullë mjaftë komode dhe cilësore, një shtëpi e madhe që ka dhënë bukë të madhe, shtëpi e përmendur në atë nahije. Më vonë u rregulluam në dy dhoma me krevat drrase, me nga dy krevate secila, të cilat ndodheshin në qendër të fshatit, afër zyrave të kooperativës dhe dyqanit, në vendin e njohur si Sheshi i Doçe. Nuk dua të komentoj kushtet dhe vështirësitë e mësuesve në atë kohë kur punonin e banonin larg shtëpisë së tyre. Drejtor i shkollës ishte Osman Vladi, një njeri i qetë, bujar dhe shumë i zgjuar. Vite më vonë, në kohën e demokracisë, kur jepja disa provime pasuniversitare ne universitet, e takoj në Tiranë. Ishte kujdestar konvikti në qytetin e studentit. Kujtuam me nostalgji ato vite që nuk kthehen pas, pse jo, fjala ra dhe për akademik Bungurin, asokohe një mësues i dalluar dhe i rrallë që pat fatin ta kishte Arrëmolla dhe Lura- vijoj komentin e tij lakonik z. Vladi.Njerëzit që takohen në jetë në rrethana specifike nuk harrohen. Kështu më ndodhi dhe mua me mësuesin e historisë dhe gjeografisë në Arrëmollën e largët, akademikun e ardhshëm Adem Bungurin, me drejtorin e shkollës z. Vladi, e sa e sa njerëz të tjerë të punës pasionante dhe me vuajtje të mëdha në zona të thella malore, që takova gjatë disa dekadave, në atë krahinë aq të njohur në të gjithë Shqipërinë. Nga ai vit i largët zënë fill marrëdhëniet e mia me profesor Bungurin të cilat kanë ardhur në rritje, duke u bërë kështu njeri nga miqtë e mij të çmuar prej të cilit kam mësuar dhe mësoj shumë, kjo dhe për faktin se arkeologjia dhe gjeologjia kanë afinitet midis tyre, merren me nëntokën dhe mbitokën. Unë nuk pata rastin ta takoj më në Arrëmollë mësuesin Bunguri, pasi ai ishte transferuar në Gur Lurë, kësaj here si drejtor i shkollës.

Takimi në Gur Lurë

Vlashnje, 2010, Gjatë matjeve.

Në prill të vitit 1980 do të shkoja në Gurë Lurë për vrojtime gjeologjike. Siç kam shkruar në botimet e mia, edhe pse emërimin zyrtar e kisha që të punoja në zonën e Korabit, për kërkimin e hekurit oksido-silikat dhe disa mineralizimeve të tjera, kurioziteti për të njohur gjeologjinë e vendit tim më gërvishte herë pas here mendimet dhe kësisoj caktoja rradhën e vrojtimevenë terren në periudhën e verës por, pa cënuar punën kryesore. Tashmë mësuesin e historisë dhe gjeografisë e dija se është transferuar në shkollën 8 vjeçare të Gurë Lurës në detyrën e drejtorit dhe nuk mund të rrija pa e takuar. Pas përshëndetjeve të rastit e ngacmoj:
-Hë u bëre drejtor, qenke ngritur në detyrë.
Me atë humorin e hollë që e karakterizon, mu drejtua duke më perifrazuar një fjalë të urtë turke: “Unë kam mendimin se është më mirë brigadier në Stamboll se sa drejtor në Anadoll”.
Qeshëm me të madhe. Më pëlqeu shumë për rastin edhe pse e kisha dëgjuar dhe herë të tjera.
– Domethënë kërkon të transferohesh “brigadier” në Peshkopi, afër familjes.
– Po, ke të drejtë – vijova unë – bëre shumë vite larg shtëpisë. – Dëgjo këtu zotni drejtor, – i thashë, – po të të tregoj edhe unë një të përafërt që ma ka treguar i ndjeri Koço Gushi, ish kryegjeologu i NGJ të Bulqizës në vitin 1979, disa javë para se të vriste veten, por jo nga Turqia, por nga Rusia ose ish BS. “Në kohën e Stalinit kishin mbaruar studimet e larta dy ushtarakë në BS dhe ishin në pritje të emërimeve. Futet i pari për të marrë emërimin dhe i thonë që je caktuar me punë në Vladivostok! ‘Rroftë Cari! – thotë, – që i shiti Alaskën Amerikës se do më kishit caktuar me punë atje’. Futet i dyti dhe i thonë që jeni caktuar me punë në rrethinat e Moskës. ‘Rroftë Stalini! – thotë”.

Hisar, 2004, Gjatë një interviste televizive

I pëlqeu shumë dhe më porositi që të bëja kujdes dhe të mos e tregoja në ambiente të hapura. Kishte shumë të drejtë, diktatura ishte tejet vigjilente dhe barsaleta të tilla të çonin në vende të errta ku nuk e shikoje dritën e diellit, ku Gur Lura apo Korabi, qendrat e punës asokohe të të dyve, ishin lule e shkuar luleve para tyre. Pasi më pyeti për qëllimin e ardhjes më tha: Unë sot do të nisem për shtëpi. Në se do ta kemi rrugën bashkë të bëjmë planifikimet e udhëtimit. Kisha biseduar me ato të Institutit të Gjeologjisë, të cilët do më nxirrnin shoferin e tyre Lahim Daci në Çidhën, pasi ai më kishte përcjellur një ditë më parë deri në Fushë Lurë. Në atë kohë punohej në temën qeveritare Zall Dardhë – Topojan nën drejtimin e gjeologut të shquar të ISPGJ-së, dr. Vangjel Qiricit, një minoritar por dhe një dashamirës i madh i shqiptarëve, që e flet gjuhën letrare shqipe më mirë se shqiptarët. Pasi i them planin drejtorit të shkollës, u gëzua shumë. “Kur të mbaroni punë Ju, nisemi”. “Po – i them unë, – por punë do të bëjmë edhe gjatë rrugës së Gjalicave, kësisoj pas orës 12 do të nisemi nga Gur Lura pasi në atë orë unë i kam mbaruar vrojtimet këtu dhe ato vrojtimet rrugës do ti bëjmë bashkë.”“U tha u bë-vazhdoj drejtor Ademi, duke e shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë në buzë, çka tregonte gëzimin për rrugën që do bënim bashkë dhe makinën që na priste e do të na çonte në Peshkopi.

Burim, 2007, çaste pune.

Rrugës së Gjalicave kaloja për herë të pare pasi shkova në Gur Lurë nga ana e Borie Lurës. Ademi e kishte bërë disa herë dhe kishte jo vetëm eksperiencën por, dhe kujdesin e veçantë kur kalonte aty. Nuk dua ti kujtoj ato momente të vështira pasi, dhe sot e kësaj dite, kur e kujtoj më merren mend. Për këtë rrugë kam shkruar dhe herë të tjera, por këtu do të ndalem në kureshtjen që pati mësuesi dhe drejtori i Gur Luës, Adem Bunguri. Një shkencëtari të ardhshëm i bënë përshtypje natyra që e rrethon. Pyeste pa ndërprerje për shumë gjëra dhe në veçanti për shkëmbinjtë e llojet e tyre, për depozitimet e Pliocen- Pleistocenit në Zonën e Xhaxhait, një dukuri e rrallë, për shpellat karstike, për formimin e kanionit të Setës, për orteqet, për burimet ujore, për çfarë nuk më ka pyetur. Unë i përgjigjesha brenda atyre që njihja në atë kohë të largët, ku dijet e mija për gjeologjinë regjionale ishin të cunguara. Pasi pushuam pak për një kafe në bahçen e vjehrrit tim, të ndjerit Shaqir Tola, ku na priste shofer Lahimi, u nisëm. Lahimi e kishte stacion të njohur shtëpinë e miqve të mijë në Çidhën, pasi punët gjeologjisë e kishin sjellur edhe herë të tjera aty. Në buzëmbrëmje arritëm në Peshkopi. Shoferi i papërtuar Lahim Daci, me origjinë nga Gjorica, nga fisi me emër i Dacit, me origjinë nga Zogjet e Grykës së Vogël, e përcolli deri në Grevë. Prof. Bashkim Lleshi, drejtori i asaj kohe i Institutit të Studimeve dhe Projektimeve të Gjeologjisë në Tiranë, kishte dhënë porosi që sa herë të ketë nevoja pune në shërbim të temës qeveritare, të na ndihmonin me makinën e tyre. Dhe ashtu ndodhi. Ndihmat dhe ngjarjet mbreslënëse nuk harrohen. Ato gdhenden si shkrimi në gur.

Takimet në Kosovë

Reshtan, 2011, Ekipi i punës.

Profesor Bunguri e shtriu aktivitetin e tij edhe në Kosovë. Këtu rastësia e solli ta takoj përsëri profesorin e nderuar që i kushtoi një jetë të tërë studimeve e gërmimeve arkeologjike anë e kënd viseve të Shqipërisë Etnike. Në Kosovë, jo vetëm kontribuoi drejtpërdrejtë në gërmimet e studimet e avancuara arkeologjike,duke kontribuar me argumente shkencore autoktoninë e shqiptarëve në ato troje dardane, por zgjeroi edhe më shumë njohjen e tij me kolegët kosovarë, të cilët i janë shumë mirënjohës, duke mësuan shumë prej këtij personaliteti shkencor. Tashmë, me profesorin e mirënjohur në gjithë Dibrën e Shqipërinë, kishim një njohje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm. Arrëmolla e largët mund të themi se “kishte ngelur ne hije”.
Prej tij mësova se puna e studimeve dhe gërmimeve arkeologjike në Kosovë, ishte fokusuar në dy drejtime kryesore:
– Në survejime arkeologjike kryesisht: në zonat ePejës në shtator 2000, në Gjakovë – 2001, në Prizren – 2002, në Rahovec – 2004, në Prishtinë – 2006, në Drenas, Skënderaj – 2012.
– Në gërmime të rregullta në bashkëpunim me dr. Shafi Gashi, me pjesëmarrjen e arkeologëve: Ma. Vesel Hoxhaj, dr. Premtim Alaj, dr. Sedat Baraliu, ma. Berat Ademi, ma. Azdren Shala, ma. Kushtrim Kuçi etj. si në: Vlashnje (Prizren: 2002, 2006 – 2008, 2010) (Dr. Shafi Gashi, Prof. Edi Shukriu (vetëm në fushatën 2002); Korishë (Prizren): 2002, 2006; Hisar (Suharekë): 2003 – 2004, 2007; Reshtan (Suharekë): 2010 – 2011; Kalaja e Prizrenit: 2012 – 2022 (gërmim dhe konservim); Tumat e Volujakut dhe Peçevës (Klinë): 2022 – 2013; Tumat e Lubozhdës (Istog): 2014 – 2015; Budriga e Epërme (Gjilan): 2015 etj
Gjatë kohës që profesori punoi në Republikën e Kosovës unë vetëm dy raste e takova në vitet 2014 dhe 2015. Në vitin 2014 e kam takuar në zonën e Istogut kur punonte në Tumat e Lubozhdës. Rastin tjetër në Kalanë e Prizrenit ku po realizonte gërmime dhe konservime, siç më thoshte profesori.
Aty më pati prezantuar dhe me arkeologun e ri me emrin Vesel Hoxhaj. Prezantimi i tij më tërhoqi vëmendjen pasi emri e mbiemri i tij ishin pothuaj të njëjta me inicialet e emrit e mbiemrit tim. Mendova se mos bëhej ndonjë shaka, duke më vajtur mendja se profesori i ka dhënë me qëllim që të prezantohet ashtu, por jo. Isha gabuar, ai ishte i sakt, atë emër e mbiemër kishte. Nuk thonë kot që rastësia është mbreti i botës. Unë do të ndalem në këtë rastësi që u bë shkas që të njihem nga afër me të dhe ta kem mik arkeologun e ri të Kosovës nga Prizreni, me emrin Vesel Hoxhaj.
Ma. Vesel Hoxhaj, aktualisht është Përgjegjës i Muzeut Arkeologjik në Prizren, pjesë e Institutit të Monumenteve Prizren, i varur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës. Veseli tani ka kryer Masterin shkencor pranë Institutit Arkeologjik Tiranë me rezultatin “shumë mirë” me drejtues shkencor profesor Adem Bungurin dhe është në proces të doktoraturës me temë: “Vendbanimi prehistorik i Glladnicës”, me drejtues po profesor Adem Bungurin.
Pas vitit 2009, pata përsëri fatin dhe rastin, siç theksova më lart, që gjatë viteve 2014 dhe 2015 të angazhohem me punë në Kosovë në periudhën e verës me nga një muaj në rilevime dhe redaktime gjeologjike në shkallë 1: 50 00, se bashku më një profesor të shquar të gjeologjisë së Shqipërisë. Në këto angazhime profesionale në Kosovë mu dha mundësia të takoj profesor Bungurin dhe të shikoj nga afër punën dhe përkushtimin e tij në hulumtimet dhe gërmimet arkeologjike. Po në këtë periudhë, duke mos qenë i saktë në data, takoj në Tiranë profesorin dhe Veselin e famshën të cilët ishin ulur në një kafe afër Akademisë së Shencave. U gëzova shumë, jo vetëm pse isha njohur me të në Kosovë, por dhe për një diçka tjetër. Pasi pyetemi e përshëndetemi, sipas zakonit të malësorëve më ofrojnë një ujë dhe kafe. Po, ju thashë, do ti marr por me një kusht, që ti paguaj unë të gjitha, pasi ju e keni kryer rradhën në Prizren, kur na shtruat drekën në një lokalet e bukura të qytetit historik, buzë lumit të Bistricës, duke më dhuruar shumë dashuri e respekt. Këmbëngula, por më vonë kuptova se si, me marifetin e dibranit të lashtë, si vetë Prehistoria e Dibrës, profesor Bunguri i kishte bërë pagesat. Këto kohët e fundit më ka bërë përshtypje një ndodhi jo e zakontë, i drejtohem unë arkeologut Kosovar nga Prizreni, të cilit profesori do ti udhëhiqte disertacionin.
Më kanë ardhur shumë e-maile dhe më kanë graduar duke më bërë Kryetar të Këshillit të Trazhëgimisë Kulturore në Institutin e Monumenteve të Prizrenit. Pasi i njoftova, po me e-mail, dërguesit e e-maileve, se unë nuk isha personi i duhur, u kërkova që mos mi dërgonit më këto, pasi nuk kam një detyrë të tillë, dhe me humor shtova, as nuk kam perspektivë ta kem. Ata mu përgjigjen me një ndjesë duke më falënderuar. Të dy filluan të qeshnin. Profesor Ademi tha se Kryetar i Këshillit të Trashëgimisë Kulturore në Institutin e Monumenteve të Prizrenit është ky adashi juaj që e keni përballë. Përsëri rastësia e bëri punën e vet. U befasova shumë pasi nuk e shkoja ndërmend, kjo dhe për faktin se ai mu duk një djalë shumë i ri, e brezi im jemi mësuar që në poste të tilla të jenë më të mëdhenj në moshë. Isha ulur në kafe me Kryetar të Këshillit të Trazhëgimisë Kulturore në Institutin e Monumenteve të Prizrenit, z. Vesel Hoxhaj, e-melet e të cilit më vinin mua. Qeshni, qeshni vijova unë por paga e një muaj si kryetar më takon mua .Është detyrë vullnetare vijoj me humor adashi im. Me të qeshura e humor u mbyll dhe ky takim.
Kujtimet e takimet me profesorin e nderuar dibran Adem Bunguri janë të shumë. Zgjedhja e tij si anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është një nder dhe gëzim jo vetëm për profesor Bungurin dhe miqtë e tij por për gjithë Dibrën. Jetë sa më të gjatë akademikut më të ri të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, njeriut punëtor e të pa lodhur, një shembull për tu ndjekur në rrugën e ndritur të shkencës!