Myslim Shehu, me punën e tij të shkëlqyer si mësimdhënës dhe me sjelljen e tij me të gjithë prindërit e të tre fshatrave, u bë personi më i respektuar. Jo vetëm ne nxënësit, por edhe të gjithë fshatarët i flisnin me Zotni Mësues dhe jo në emër.
Zemërgjerësia e mësues Adem Shehut dhe dashuria për nxënësit shfaqej në çdo moment që i jepej mundësia. Ai ishte metodist shembullor. Në çdo orë mësimi me mësues Ademin ne e ndjenim veten shumë mirë.
Kadri Zhulali, përveç punës shumë të mirë si mësimdhënës, e cila u pasqyrua në rezultatet në mësime të të gjithë nxënësve, profesori qe edhe edukator shembullor. Ai shoqërohej me të gjithë nxënësit, sikur të ishte shok i tyre
Nga Rasim Hoxha
Si të gjithë të tjerët që kanë mbaruar mësimet në shkolla të ndryshme dhe kanë respekt për mësuesit e tyre, edhe unë kam respekt për të gjithë mësuesit e mi, që nga klasa e parë e shkollës fillore e deri te pedagogët në shkollën e lartë. Meqenëse nuk mund të shprehem për të gjithë, dua të shprehem për tre mësues.
Myslim Shehu (Baftjari)
Fillova klasën e parë në shkollën “Demir Gashi” në Peshkopi. Në klasë të parë kisha mësuese një zonjë nga Elbasani, e cila quhej Zyra. Vitin e dytë e fillova me mësuesen e nderuar dhe të respektuar Drita Zhulali. Bëmë vetëm semestrin e parë, mbasi në semestrin e dytë u hap shkolla fillore në Pilafe, ku do të mësonin të tre fshatrat: Pilafe, Tomin dhe Rashnapojë.
Mësuesi që do t’i jepte mësim klasës së dytë e të katërt (mësim me klasa kolektive I dhe III bashkë dhe II dhe IV bashkë) ishte zotni Myslim Shehu.
Që ditën e parë të mësimit mësuesi na priti me dashamirësi, sikur të ishim fëmijët e tij. Mbasi bëri njohjen me të gjithë fëmijët, ai u interesua për të mësuar edhe për prindërit tanë dhe për ndonjë problem që mund të kishte ndonjëri prej nesh.
Mësuesi, si një mësues me shumë përvojë dhe metodist i shkëlqyer, që në orët e para të mësimit na bëri që ta ndjekim me shumë vëmendje. Mësuesi nuk kishte nevojë të na tërhiqte vërejtjen për ta ndjekur, mbasi të gjithë nxënësit e ndiqnin me vëmendje. Edhe kur bënte kontrollin e dijeve, mësuesi ishte shumë i vëmendshëm dhe na bënte ne nxënësve të tij që të ishim të qetë gjatë përgjigjes. Rezultatet e shkëlqyera të punës së tij u konkretizuan në mbarim të vitit shkollor. Në atë kohë në klasën e katërt fillore jepeshin provime në disa lëndë. Shkolla e Pilafes i dha provimet në shkollën “Demir Gashi” në Peshkopi. Rezultatet e nxënësve të Pilafes qenë në nivel më të mirë se të atyre të qytetit. Ky ishte rezultati i punës së kujdesshme dhe plot pasion të mësuesit tonë.
Shkolla e Pilafes, si e re që ishte, kishte mjaft probleme për të zgjidhur. Problemi kryesor ishte sigurimi i druve për ngrohje. Ditët e fillimit, të gjithë fëmijët merrnin nga dy copa dru për të siguruar ngrohjen. Mësuesi mendoi se kështu nuk mund të vazhdohej gjatë gjithë dimrit. Ai takoi të tre kryetarët e këshillave të tre fshatrave dhe arriti ta zgjidhte: për gjithë dimrin drutë do të vinin nga kryetarët e këshillave.
Vitin tjetër shkollor isha nxënës i klasës së tretë. Mësuesi mori në atë vit klasën e parë e të tretë. Gjatë atij viti puna vazhdoi në një nivel më të lartë, sepse tashmë mësuesi na njihte ne dhe ne, gjithashtu ishim mësuar me mësuesin. Ne e respektonim atë jo, thjesht si mësues, por edhe si prind. Për çdo problem, sado të vogël që të kishte një nxënës, ai menjëherë do të kontaktonte me prindin për të sqaruar gjithçka dhe për të bërë të mundur që nxënësi të mos kishte shqetësim. Mësuesi merrte kontakt me të gjithë prindërit e fëmijëve. Këtë e bënte jo duke i thirrur që të vinin në shkollë. Ai shkonte në çdo familje në të tre fshatrat dhe bisedonte me prindërit e nxënësit për të rregulluar të gjitha problemet që mund të kishte. Rezultatet në mësime vazhdonin të ishin shumë të mira e të qëndrueshme. Kjo u vërtetua edhe nga kontrolli që erdhi nga seksioni i arsimit të rrethit.
Mësuesi u familjarizua me të gjithë fshatarët. Ishte koha kur besimi ishte i lirë dhe mbahej ramazan e bëheshin festa fetare. Mësuesi ishte i ftuar gjithmonë. Sipas mundësive ai merrte pjesë në këto festa. Kjo e bënte mësuesin të respektueshëm, jo vetëm nga ne nxënësit, por edhe nga të gjithë fshatarët. Duke marrë pjesë në këto festa, ai konstatonte se nxënësit e tij, ndonëse ishin fëmijë, mbanin ramazan. Pas këtij konstatimi ai ndërhyri te nxënësit që ta prishnin ramazanin. Pati nxënës që nuk e pritën mirë atë veprim. Mësuesi për të na bindur ne për veprimin që bëri, ditën tjetër solli në shkollë djalin e tij, Hasanin, i cili ishte moshatar me ne dhe nuk mbante ramazan. Kështu na bindi ne që të mos mbanim ramazan.
Me punën e tij të shkëlqyer si mësimdhënës dhe me sjelljen e tij me të gjithë prindërit e të tre fshatrave mësuesi u bë personi më i respektuar. Jo vetëm ne nxënësit, por edhe të gjithë fshatarët i flisnin me Zotni Mësues dhe jo në emër.
Adem Shehu
Mbarova shkollën fillore dhe në vitin shkollor 1958-1959 fillova shkollën shtatëvjeçare “Demir Gashi” në Peshkopi.
Në këtë shkollë në atë vit ishte drejtor zotni Adem Shehu, të cilin e kishim edhe mësues të gjuhës dhe të leximit.
Ishte metodist shembullor. Në çdo orë mësimi me mësues Ademin ne e ndjenim veten shumë mirë. Që në fillim mësuesi u kujdes që nxënësit që vinin nga fshati të mos diferencoheshin nga nxënësit e qytetit. Kam shumë kujtime nga mësuesi. Ato kanë ngelur të freskëta në kujtesën time.
Një orë mësimi në “ lexim letrar” – kështu quhej në atë kohë lënda. Tema e mësimit “Dashuria e nanës”. Flitej se si një zog shpëton të vegjëlit e tij, duke hyrë edhe në gojë të gjarprit. Shpjegimi qe aq i mrekullueshëm, sa pothuajse të gjithë nxënësit po qanin. Përvetësimi i mësimit nga shpjegimi ishte 100%.
Mësuesi i vinte shume rëndësi përvetësimit të dijeve nga nxënësit. Por ai vlerësonte shumë edhe kalitjen e vullnetit për punë. Kërkonte nga të gjithë nxënësit që të punonin duke i lexuar sa më shumë të gjitha mësimet. Në një orë mësimi pyeti dy nxënës. Njëri ishte nxënës i mirë dhe mësuesi e vlerësoi me 3 e gjysmë (nota më e mirë ishte 5); tjetri ishte nxënës mesatar dhe mësuesi e vlerësoi me 4 plus. Përgjigjja sipas konceptit të nxënësit ishte e njëjtë. I bëmë pyetje mësuesit për vlerësimin. Ai na u përgjigj, duke pyetur dy nxënësit. E pyet nxënësin e mirë sa herë e kishte lexuar mësimin dhe ai përgjigjet: 2 herë; nxënësi mesatar përgjigjet: 13 herë. Pas këtyre përgjigjeve mësuesi na tha: Ky që e ka lexuar dy herë, po të vazhdojë kështu, nuk do jetë më nxënës i mirë, ndërsa ky që e ka lexuar 13 herë, nuk është sot nxënës i mire, por do të bëhet shumë shpejt nxënës shumë i mirë.
Drejtor Ademi bënte punë shembullore në drejtimin e këshillit pedagogjik. Mundohej që nxënësit që vinin nga fshatrat të mos ndiheshin inferiorë me nxënësit e qytetit. Këtë e bënte vazhdimisht gjatë gjithë punës në shkollë. E bënte edhe në aktivitetet jashtëshkollore, duke i aktivizuar edhe nxënësit që vinin nga fshati.
Kujtoj kur u bë mbrëmja e fundit të vitit. Nxënësit më të mirë dërgoheshin në mbrëmjen qendrore që bëhej në shkallë rrethi. Dhe drejtori, për herë të parë dërgoi edhe një nxënës nga fshati. Ky ishte Kalosh Tomçini.
Kur unë mbarova shkollën shtatëvjeçare dhe fillova shkollën pedagogjike mësues Ademi tani ishte nëndrejtor konvikti i shkollës pedagogjike. Në këtë detyrë mësuesi qe më shumë një prind sesa një drejtues.
Do të kujtoj tri gjëra:
Ishte dimri i vitit 1962-1963. I ftohtë ekstrem. Temperaturat arritën në minus 22 gradë. Drejtori kishte shqetësimin për t’u siguruar fëmijëve kushte për të fjetur. Në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës vendosën që një pjesë të nxënësve konviktorë t’i merrnin nxënësit e jashtëm nëpër shtëpitë e tyre (nga 2-3 veta); pjesën tjetër – në një kapanon me soba me dru për t’i ngrohur. Nxënësit flinin, ndërsa drejtori rrinte gjithë natën duke i kontrolluar e mbuluar jo si drejtor, por si prindi që rri zgjuar për fëmijën e vet.
Nxënësit konviktorë që thyenin disiplinën mund të përjashtoheshin nga konvikti. Ishte masë për thyerje disipline. Mësues Ademi nuk e bëri as edhe për një rast të vetëm këtë.
Zemërgjerësia e tij dhe dashuria për nxënësit shfaqej në çdo moment që i jepej mundësia. Meqenëse ishte nëndrejtor konvikti, kishte informacion edhe për mundësinë për të futur në konvikt nxënës. Meqë kishte një variant të tillë, njofton një nxënës mesatar, por që kishte nevojë ekonomike. Nxënësi shkon në konvikt dhe e regjistron. Kur nxënësi futet në mensë dhe ha një vakt, “vigjilenca e Partisë” e konstaton dhe e detyrojnë mësues Ademin ta largonte nga konvikti se ishte me biografi të keqe.
Kur unë arrita në vit të tretë të shkollës, mësues Ademi kaloi si mësues i pedagogjisë praktike, që e bënin nxënësit e viteve të treta e të katërta. Si normalist, me aftësitë e mrekullueshme për mësimdhënien, të gjithë ne që patëm fatin ta kishim mësues të pedagogjisë praktike, mësuam shumë prej tij dhe u përgatitëm për të qenë të aftë për të bërë mësim në të gjitha shkollat, ku na emëruan pasi mbaruam shkollën pedagogjike.
Kadri Zhulali
Pasi mbarova shkollën shtatëvjeçare, në vitin shkollor 1961-1962 fillova shkollën e mesme pedagogjike, Peshkopi. Shkolla kishte një staf pedagogjik të një niveli të lartë pedagogjik – duke filluar nga drejtori i shkollës, Zenel Sula dhe gjithë të tjerët. Por unë dua të veçoj pedagogun Kadri Zhulali.
Profesor Kadriu jepte lëndët e matematikës. Ishte i ri në moshë dhe në eksperiencën e punës, por me dëshirë dhe vullnet të madh për punën e tij si mësues, për të përgatitur mësues të rinj. Prezantimi i tij para nxënësve qe i thjeshtë dhe mbresëlënës. Ai na ftoi ne nxënësve për bashkëpunim me të për të bërë të mundur realizimin e programit mësimor, që ishte detyrë e të gjithëve – e nxënësve dhe mësuesit. Siç dihet, lëndët e matematikës janë më të vështirat për t’u përvetësuar nga nxënësit. Profesori, duke e ditur këtë fakt, kishte programuar, përveç orëve të mësimit, edhe program shtesë konsultimesh për të gjithë nxënësit, të cilët vinin nga shkolla të ndryshme dhe nga vende të ndryshme të Shqipërisë Verilindore. Puna me nxënësit vazhdoi në mënyrë sistematike dhe pa ndërprerje. Ajo i dha rezultatet e veta dhe në provimin semestral, që jepej në atë kohë në shkollën pedagogjike, rezultatet e nxënësve qenë të mira. Ai përdorte metoda të ndryshme pedagogjike për të bërë të mundur rritjen e nivelit të dijeve te nxënësit dhe mundësisht, për të arritur të gjithë nxënësve rezultate maksimale. Ngriti grupe me nga katër nxënës. Çdo grup kishte një nxënës shumë të mirë dhe kishte tre nxënës në një nivel më të ulët. Nxënësi i mirë do t’i ndihmonte shokët për të rritur nivelin e nxënies së dijeve dhe për të bërë të mundur përvetësimin e programit mësimor në lëndët e matematikës.
Përveç punës shumë të mirë si mësimdhënës, e cila u pasqyrua në rezultatet në mësime të të gjithë nxënësve, profesori qe edhe edukator shembullor. Ai shoqërohej me të gjithë nxënësit, sikur të ishte shok i tyre. Ai kishte hequr barrierën ndarëse të pedagogut me nxënësit; përkundrazi, kishte krijuar një lidhje me nxënësit, e cila jepte rezultatet në mësime. I miqësuar me nxënësit, ai mësonte edhe ndonjë hall që mund të kishte ndonjë nxënës dhe ndërhynte, duke e ndihmuar për ta zgjidhur. Në vitin e parë, shumë nxënës që vinin nga rrethe të tjera dhe që jetonin në konvikt, mërziteshin dhe mendonin të largoheshin nga shkolla. Profesori bëri të mundur që disa nxënës që donin të linin shkollën – dhe kjo kryesisht nga vështirësitë në matematikë, t’i bënte që të vazhdonin shkollën sepse me punë të përbashkët me mësuesin do t’ia dilnin që ta mbaronin shkollën. Dhe ata, vërtet ia dolën. Kjo ishte kënaqësi për nxënësit dhe për mësuesin.
Profesor Kadriun, për fatin tonë të mirë, e patëm mësues për 4 vjet. Nga viti në vit rriteshin rezultatet në mësime dhe forcohej miqësia e nxënësit me profesorin. Ai ishte mësues i dalluar i kolektivit pedagogjik të shkollës. Vitet kalonin dhe profesori i shtonte lidhjet me nxënësit. Ishte pjesë e aktiviteteve të ndryshme sportive e kulturore bashkë me nxënësit. Ne nxënësit e tij kujtojmë me nostalgji kur profesori merrte kitarën dhe luante pjesë të ndryshme muzikore – si muzikë popullore, ashtu edhe muzike klasike.
Rezultatet shumë të mira të punës së profesorit qenë të pranishme gjatë gjithë 4 viteve. Ato dolën në pah kur ne dhamë provimin e shtetit në lëndën e matematikës. Profesori, duke ditur punën që kishte bërë në katër vite dhe se sa i kishin përvetësuar nxënësit dijet, kur filloi provimi futi 8 nxënës brenda. Anëtaret e komisionit i thanë se ishin shumë dhe se duhej të fuste vetëm 5 nxënës. Profesori u tha se pesë nxënës do të uleshin për t’u përgatitur, ndërsa tre të tjerët do të përgjigjeshin direkt. Kështu, tre nxënës u përgjigjën direkt, pa bërë përgatitje dhe u përgjigjen shkëlqyeshëm e u vlerësuan me notën 10. Anëtarët e komisionit mbetën jo pak të habitur. Kështu bëri edhe në turin e pasdites. Rezultati i përgjithshëm i gjithë klasës qe shumë i mirë.
Dua të theksoj edhe dy gjëra, të cilat flasin shumë për profesor Kadriun.
E para. Bëra katër vjet mësim me të. Gjatë gjithë katër viteve, nuk mbaj mend që profesori të mungonte qoftë edhe një orë mësimi (bëhet fjalë për mungesa me arsye). Ky veprim i profesorit ka ngelur në kujtesën time si simbol i vlerësimit dhe përkushtimit për punën.
E dyta. Me pati thënë një anëtar i këshillit pedagogjik të shkollës se në një analizë vjetore të punës së shkollës, drejtori i asaj kohe pati thënë: “Shkolla pedagogjike, po t’i ketë të gjithë mësuesit si Kadri Zhulali, nuk ka nevojë për drejtor”. Mendoj se kjo thënie i thotë të gjitha për profesorin e nderuar Kadri Zhulali.
Qe fati im që pas 9 vitesh, kur unë erdha student në Fakultetin Ekonomik, dega financë, e gjej profesorin pedagog për lëndën e matematikës.
Edhe këtu në Fakultet profesori qe i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë kolegët dhe eprorët e tij. Ai gëzonte respekt edhe te studentët.
Më vonë, profesori mbaroi Fakultetin Ekonomik me rezultate shumë të mira dhe kaloi pedagog i lëndës së statistikës. Më pas u bë shef i katedrës së statistikës. Rezultatet në punë i pati gjithmonë të shkëlqyera. Në vitin 1992 profesori u bë dekan i Fakultetit Ekonomik. Për të gjithë aktivitetin e tij si pedagog, si shef katedre dhe si dekan, ka folur stafi pedagogjik i Fakultetit kur ndërroi jetë profesori.
Tani ishim në pluralizëm dhe gëlonin mediat e “lira” e ku shkruhej si t’i tekej gjithkujt.
Gazeta “Koha Jonë” shkruante çdo ditë kundër qeverisë demokratike që ishte në pushtet. Ndër të tjera, një ditë, te gazeta botohet një kryeartikull “Klani Kapo” me autor anonim. Pasi thuheshin shumë gjëra, për të cilat nuk ia vlen t’i kujtojmë, thuhej se “Kadri Zhulali, pasi qe 10 vite anëtar i Partisë së Punës, tani bëhet demokrat dhe emërohet dekan i Fakultetit Ekonomik”. Një ish-student i tij, që e njihte mirë profesorin, bën po në gazetën “Koha Jonë” përgënjeshtrimin, duke e sqaruar se profesori nuk kishte qenë asnjë minutë anëtar i Partisë së Punës. Gazeta e boton përgënjeshtrimin. Kolegët e profesorit marrin gazetën dhe i shkojnë në zyrë. Pasi përshëndeten, e pyesin nëse e kishte lexuar shtypin. U përgjigjet: “Ende jo se isha i zënë me punë”. I thonë se ka shkruar prapë gazeta “Koha Jonë”. Jemi në pluralizëm, – përgjigjet profesori dhe duhet të përballemi me të tilla fenomene. Kolegët i thonë: Këtë radhë është ndryshe sepse ka shkruar një ish-studenti juaj. Profesori pa pyetur se çfarë ka shkruar, u përgjigjet kolegëve: Nëse është ish-studenti im (deri në atë kohë profesori duhet të kishte kaluar qindra studentë, në mos mijëra), atëherë ato që ka thënë studenti, janë të vërteta. Profesori ishte i bindur për këtë nga marrëdhëniet korrekte dhe të shkëlqyera që kishte me të gjithë studentët.
Ky qe profesori i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë – Kadri Zhulali.
R.Hoxha