Sukseset e tyre në bujqësi, blektori, hoteleri dhe shërbimet turistike, është një dëshmi se agroturizmi ka të ardhme dhe se ky vend nuk duhet braktisur, pasi ofron plot mundësi për të jetuar
Kur njerëzit po i pakësojnë dita-ditës blegtorinë, kur të rinjtë gjejnë dhera të huaj për të jetuar, këta djem të mrekullueshëm, po bëjnë të kundërtën. Përcjellin mesazhin se ky vend nuk duhet braktisur, se afron plot vlera e mundësi për të jetuar.
Nga Osman Xhili
Këtu e 150 vjet të shkuara, Rahman Muça do të zbriste nga malet e Selishtës për një jetë më të mirë. Ndoshta e kishte pikasur që më parë në Bllatë, një tokë të rrafshët e pjellore, diku pranë kufirit të sotëm, me Maqedoninë e Veriut. Këtu shpresonte të fillonte një jetë të re për vete, familjen dhe brezat që do të vinin më pas. I derdhi florinjtë sundimtarit të vendit dhe e shkeli tokën, sipas zakonit. Familja e Rahman Muçës u bë një fis i madh e i njohur, duke lënë pas trashëgimtar të denjë, që punojnë e realizojnë projekte të mëdha.
Dilaver Muça ishte një nga tre djemtë e Rahmanit. Ai kishte trashëguar cilësitë më të mira të malësorit, punën, trimërinë dhe bujarinë. Akoma pa mbushur 18 vjeç u rreshtua në brigadën e 18 sulmuese dhe mori pjesë në shumë beteja. Njëra prej tyre ishte lufta për çlirimin e Tiranës, ku dhe mbeti i plagosur. Dhe pse në atë situatë kritike, ai mori pjesë dhe në luftën për çlirimin e Shkodrës, që shënonte dhe përfundimin e luftës.
Ashtu siç dhe kishte luftuar me heroizëm, me po aq vrull ai dinte dhe të punojë. E filloi në portin e Durrësit, në sektorin e trimozhave, për të ardhur më tej në Bulqizë, më afër vendlindjes. Kishte mall e nostalgji për tokën ku u lind dhe u rrit e nuk donte të largohej prej saj. Për dhjetëra vite u ndesh me malin, për ti thithur materialin e kromit, pa u lodhur dhe pa u ankuar. Shpesh i ndihmonte punëtorët e rinj, duke u treguar të fshehtat e profesionit. Sa herë që gjente njerëz të pastrehë, në netët e acarta të dimrit, ai i merrte, i strehonte, por dhe i ushqente, për t’i përcjellë të nesërmen në destinacion. I thanë të merrte shtëpi në Durrës, i thanë dhe në Bulqizë, por ai nuk pranoi. Sa të dilte në pension do të shkonte tek toka, që babai i tij e kishte blerë me florinj. Madje dhe fëmijëve do t’ua linte amanet, që të mos e braktisnin vatanin.
Bardhul Muça, bashkë me djemtë e tij, Landin, Ervinin dhe Genin janë nga filizat e këtij fisi, brezi i tretë dhe i katërt, pas shpërnguljes nga Selishta.
E kam njohur Bardhulin që nga bankat e shkollës tetvjeçare, kur ai shquhej si një sportist i talentuar në futboll, volejboll e gara vrapi. Ashtu vrapoi ai dhe në jetë, për të mos u ndalur kurrë dhe sot e kësaj dite. Bëri një shkollë për saldator, duke arritur në majat e këtij profesioni, të rëndë, të rrezikshëm, por dhe të bukur.
Metalurgjiku i Elbasanit do të ishte stacioni i parë i punës, por dhe sprova e madhe. Nuk mbeti qosh i kësaj vepre të madhe të kohës, ku ai nuk punoi, nuk saldoi e nuk derdhi djersë. Më tej vazhdoi në Tiranë me brigadën e montimeve, për tu kthyer më pas në Bulqizë. Këtu, jo vetëm punoi, por dhe përfundoi shkollën teknikum minierash, pasi donte, që të zgjeronte maksimalisht njohuritë e tij. Ai ishte saldator, pompist, elektriçist dhe shumë profesione të tjera të kësaj natyre.
Erdhën vitet e demokracisë dhe shumë shqiptarë provuan të punojnë në Perëndim. Bardhuli ishte njëri prej tyre. Nuk shkoi shumë larg, por në Greqinë fqinje. Shumë nevojë kishin për profesionin e tij. Duhej bërë lidhja e konstruksioneve të mëdha metalike në ura, liqene e projekte të tjera. Ai dinte t’i bënte më së miri këto lloj punësh, aq sa specialistët grekë mbetën të habitur. Duart e arta të Bardhulit dini të bënin mrekulli. Ndaj dhe letrat e tij të qëndrimit u bënë për 18 ditë, kur për të tjerë duheshin dhe vite nganjëherë.
Dhjetë vite zgjati kjo histori në shtetin grek. Një ditë Bardhuli u kthye në Shqipëri. U kthye dhe pse lejen e qëndrimit e kishte pa kufi, dhe pse mund të blinte lehtësisht një banesë për të jetuar. Veç dëshirës së tij ishte dhe amaneti i babait, apo gjyshit të fëmijëve. Kishte fituar mjaft para për të bërë një investim të fuqishëm. Durrësi e tundoi me plazhin dhe detin. Bleu një tokë, mjaft pranë bregut dhe ndërtoi një vilë trekatshe. Por gjyshi Dilaver e kishte dhënë verdiktin e tij, ndaj dhe sot e kësaj dite ajo vilë e bukur është bosh.
Sërish ndërtuan një vilë të re trekatshe, por tashmë në vendlindje, vetëm disa qindra metra larg trojeve të vjetra. Atje kishin dhe shumicën e tokës. Ndërtuan dhe një stallë gjysmë moderne për blegtorinë, që do mbarështonin. Nuk do të ishte një fillim i ri, pasi familja e tyre historikisht kishte pasur katër pesë lopë dhe mbi njëzetë të imta. Blegtoria duhej për të plehëruar tokat e shumta, që po mbilleshin me kultura të ndryshme.
Gjithë ai vrulli i saldatorit u konvertua në bujqësi. Filloi të sistemojë tokat, t’i rrethojë, të bëjë drenazhime në disa vende. Tashmë, nuk ishte më i vetëm. Tre djemtë e tij, Landi, Ervini dhe Geni ishin rritur. Hera herës shkonin në Greqi e Itali e më pas vinin dhe ndihmonin në punët e bujqësisë e blegtorisë. Ervini që 15 vjeç kishte provuar kurbetin. Kishte punuar në bujqësi, por dhe pica provoi të bënte me sukses. Këtë eksperiencë do ta kishte të nevojshme, kur të hapte lokalin e tij, vite më vonë. Po kështu punuan Landi dhe Geni, duke fituar para, profesione, por dhe gjuhën e kulturën e këtij populli, të përmendur që në lashtësi. Ndoshta ishte ai geni familjar, i babait, gjyshit dhe stërgjyshit, që diktonte karakterin punëtor.
Ferma e tyre kishte qenë e përmendur që më parë, por tani, sëbashku ata po e fuqizonin akoma më shumë. Gati çdo vit ata mbjellin mbi 50 dynymë grurë dhe elb, duke marrë rendimente për tu pasur zili. Të tilla janë rendimentet në misër, ku mbillen deri në 15 dynymë. Misri shkon për blegtorinë që mbarështojnë, kurse mbi 15 kuintalë fasule shitet e pëlqehet mjaft nga konsumatorët. Të tjera të ardhura vijnë nga jonxha, që plotëson nevojat e blegtorisë dhe sjell dhe të ardhura ekstra nga shitja e farës.
Perimet janë një vlerë e shtuar e kësaj ferme. Qepa, bamja, patëllxhani, karota, speci e shumë të tjera, mbushin jo vetëm tryezën e kësaj familje të madhe, por dhe tryezat e lokalit, që kanë hapur para dy vitesh. 50 kuintalë qepë u prodhuan vitin e kaluar, në më pak se një dynym vend. Vetëm një kokërr e saj mund të peshonte 750 gramë. Patatet e specat janë nga më të mirat e tregut.
Por, dhe pse këto arritje janë me goxha vlerë, sërish Ervini, i sheh vetëm si një stacion i përkohshëm, për tu transferuar më larg e më lart. Ai synon të ngrejë një stallë moderne me plot 100 krerë lopë e viça. Nuk është një ëndërr e gjithë kjo ide, por një synim i qartë. Nuk ka pasur ndonjë rast në historinë e kësaj familje, që të kenë synuar diçka e të kenë dështuar, për ta lënë më pas në sirtarin e harresës. Sa gjë e bukur realizimi i këtij projekti! Kur njerëzit po i pakësojnë dita-ditës blegtorinë, kur të rinjtë gjejnë dhera të huaj për të jetuar, këta djem të mrekullueshëm, po bëjnë të kundërtën. Përcjellin mesazhin se ky vend nuk duhet braktisur, se afron plot vlera e mundësi për të jetuar.
Thamë që familja Muça hapi lokalin dhe hotelin para dy vitesh, tamam në hyrje të doganës së Bllatës. Pamja e bukur, trëndafilat dhe bimët dekorative, parkingu i bollshëm, e bëjnë kalimtarin të ndalet e të pushojë për pak. Por dhe shërbimi brenda është në sinkron me pamjen e jashtme. Gjithë familja është angazhuar në këtë biznes, për të kënaqur maksimalisht klientët e shumtë që vijnë. Jo vetëm vendas, por dhe turistë të huaj kanë gjetur strehë dhe kanë kënaqësinë të akomodohen këtu, për një apo më shumë ditë. Ervini tregon se para ca ditësh patën disa persona nga Ukrahina, sonte një familje nga Çekia e më pas prenotimi se vjen e bëhet më i vështirë, sa më shumë që i afrohemi stinës së verës.
Para pak netësh familja organizoi një iftar me miq e besimtarë të zonës. Ushqime të bollshme e bio u sevirën me shumë bujari e ne nuk na ngelej gjë tjetër, veçse të lusnim Zotin e Gjithësisë, që t’ia shtojë bujarinë e furnizimin kësaj familje të mrekullueshme.