Më 23 mars 2023, në New York, përballë zyrave të OKB, mbahet një protestë kundër ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës.
“Gjatë qeverisjes time nuk është ndërtuar Skavica, pasi nuk pranova asnjë projekt që shkaktonte përmbytje”, tha Berisha në Peshkopi më 1 prill 2023. Duke akuzuar qeverinë se po angazhohet të ndërtojë një projekt të hartuar në kohën e Enver Hoxhës, ai theksoi se “Skavica është një aferë korruptive”.
“Dibra është vendi i tretë bujqësor më i përmendur në veri të Shqipërisë. Në qoftë se përmbytet Dibra, mbeten vetëm Lezha dhe Shkodra. Skavica është një vepër krejt e pabazuar në shkencë, por është e ushqyer me dollarë”.
Grupimi “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës” (Opposition to Skavica Dam) organizoi më 23 mars 2023 në New York, përballë zyrave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), një protestë kundër ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës.
Protestuesit mbanin në duar parulla të shkruara në anglisht, mes të cilave spikasnin “Skavica është korrupsion”, “Mbroni Dibrën!”, “Mbroni Drinin” etj.
Arif Mata, një nga aktivistët kundër Skavicës, vuri theksin në fjalën e tij në këtë protestë se hidrocentrali i Skavicës “prek mbi 20 mijë familje, duke sjellë zhdukjen e Dibrës, – theksoi Mata.
Mata tha se “nuk luftojmë vetëm për vete, por luftojmë për Shqipërinë”. Sipas tij, “Dibra është vendi i tretë bujqësor më i përmendur në veri të Shqipërisë. Në qoftë se përmbytet Dibra, mbeten vetëm Lezha dhe Shkodra. Skavica është një vepër krejt e pabazuar në shkencë, por është e ushqyer me dollarë”. Mata akuzoi qeverinë shqiptare dhe kompaninë ndërtuese për një marrëveshje korruptive mes tyre. Ai u bëri thirrje dibranëve dhe shqiptarëve të angazhohen për mbrojtjen e Dibrës.
“Të mbrojmë trojet tona, të mbrojmë Dibrën”, theksoi Mata.
Shpëtim Ndreu, një tjetër aktivist në protestë, në një kontekst gjeopolitik, tha mes të tjerash se ka një përpjekje për ta zhdukur Dibrën përmes ndërtimit të hidrocentralit.
Ai, në gjuhën shqipe, iu drejtua me një lutje anëtarëve të OKB që të bëjnë përpjekje për të ndaluar ndërtimin e hidrocentralit.
“Mos na e merrni ujin! Mos na i merrni tokat! Mos na i mbuloni varret! Ruani 35 fshatrat që duan ti zhdukin duke i mbuluar me ujë!” – bëri thirrje Ndreu.
“Drini është pasuri e Dibrës, është pasuri e Shqipërisë. Na ndihmoni të ruajmë Dibrën, të ruajmë ujin e Dibrës, të ruajmë jetët tona, pronat tona”, u bëri thirrje Ndreu përfaqësuesve të shteteve në OKB, të cilët ishin mbledhur për një konventë që kishte të bënte me ruajtjen dhe mirëpërdorimin e rezervave të ujit në botë.
“Grupi i Aktivistëve Ruralë të Dibrës – GARD” ka hapur zyrën në Peshkopi, ku do t’u krijojë mundësinë aktivistëve të shoqërisë civile, banorëve dhe organizata joqeveritare, të mblidhen dhe të diskutojnë, jo vetëm për Skavicën, por edhe për çështje të tjera që shqetësojnë komunitetin
Ferzileta Gjika, drejtuese e grupimit “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”, në një deklaratë të shpërndarë për publikun përmes faqes së saj në Facebook, shkruan se “dhjetëra shqiptaro-amerikanë, protestuan përballë selisë së Kombeve të Bashkuara në Manhattan dhe kërkuan që të ndalohet menjëherë projekti i ndërtimit të Skavicës”.
Ajo e vë theksin te emetimet e gazit metan që krijohet nga digat, si një burim kryesor i emetimeve globale të metanit.
“Tubuesit kërkuan që anëtarët e Kombeve të Bashkuara të kërkojnë pranë mekanizmave ndërkombëtarë ndalimin e hidrocentralit të Skavicës dhe për sigurimin e energjisë në vend të konsiderojnë mënyra të tjera që janë më miqësore me mjedisin”, shkruan Gjika.
Gjika vë në dukje në deklaratën e saj se “Qarku i Dibrës, përgjatë Luginës së Drinit të Zi, është pikë e nxehtë e biodiversitetit të vendit, veçanërisht për sa i përket biodiversitetit të ujërave të ëmbla. Malet e larta, sistemet e lumenjve dhe liqeneve në rajonin e Dibrës janë shtëpia e llojeve të shumta të rrezikuara dhe habitateve të rëndësishme me një shkallë të lartë endemizmi”.
Protestuesit kanë nënshkruar edhe një notë proteste, e cila u drejtohet përfaqësuesve të shteteve të OKB, të cilët po zhvillonin po atë ditë një konferencë botërore për ujin.
“Ne, nënshkruesit e kësaj deklarate të përbashkët, besojmë se ndërhyrjet e duhura për shpëtimin e lumit Drin dhe ndalimin e projektit të Digës së Skavicës janë të një rëndësie të madhe dhe urgjente, e cila mund të ofrojnë mbrojtje dhe rikuperim për peshqit dhe specie dhe habitate të tjera të rëndësishme, duke ruajtur vlerën unike të biodiversitetit të lumenjtë e rajonit të Dibrës. Mbrojtja dhe restaurimi i lumit Drini i Zi në Shqipëri ofron një mundësi të madhe për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve që jetojnë pranë luginës së Drinit të Zi. Ato ofrojnë ujë të pijshëm, ushqim, ujë për ujitje, mbrojtje nga përmbytjet, rregullimin e klimës, mundësi për të zhvilluar peshkimin, sportet ujore, ekoturizmin dhe mundësi për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis vendeve, shkencëtarëve, institucioneve, bizneseve dhe organizatave joqeveritare”, thekson Gjika.
Kundërshtarët e ndërtimit të hidrocentralit vlerësojnë se diga e miratuar nga qeveria shqiptare do të zhvendosë nga trojet e gjyshërve mijëra banorë si dhe do të zhysë nën ujë mbi 30 fshatra, duke shkatërruar mënyrën e jetesës, historinë, kulturën dhe identitetin.
Në lidhje me shqetësimet klimatike që sjell ndërtimi i HEC të Skavicës, aktivistët evidentojnë faktin se “janë vetëm 70 km e fundit të Drinit të Zi, të cilat rrezikohen të zëvendësohen me rezervuarin e Skavicës. Mbyllja e lumenjve eliminon burimet e ushqimit për mbijetesë dhe minon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Qëllimet e përshtatjes klimatike të Marrëveshjes së Parisit do të shërbeheshin më mirë duke mbrojtur lumenjtë me rrjedhje të lirë dhe njerëzit që varen prej tyre”.
“Diga e Skavicës bllokon kalimin e peshqve, krijon liqene artificiale që strehojnë specie jo vendase, nxisin lulëzimin e dëmshëm të algave, bllokojnë sedimentet që janë thelbësore për të ruajtur grykëderdhjet ne lumin Drin dhe dëmtojnë cilësinë e ujit në lumenj”, thekson Gjika.
Drejtuesja e protestës, Ferzilera Gjika, vë theksin se “përmirësimi i digave ekzistuese për të prodhuar më shumë energji mund të mohojë nevojën për diga të reja. Energjia diellore, era dhe gjeotermale mund të ofrojnë burime energjie me kosto më efektive dhe shoqërore”.
Duke iu referuar “Marrëveshjes së Parisit”, nënshkruar në dhjetor 2015, e cila synon marrjen e masave të nevojshme që lidhen me reduktimin e emetimeve globale, Gjika thekson në njoftimin për publikun, se projektet e kompensimit të digave minojnë synimet e kësaj marrëveshje.
Protesta e zhvilluar përpara zyrave të OKB ishte protesta e katërt e organizuar jashtë vendit, njëra prej të cilave është mbajtur po në New York, ndërsa dy të tjerat në Londër përballë zyrave të Bechtel më tetor 2022 dhe shkurt 2023.
GARD, grupi i aktivistëve
ruralë të Dibrës
Ndikimi që ka në publik ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës, problematikat që sjell si dhe çështjet e tjera mjedisore e sociale që shqetësojnë banorët që janë të detyruar të zhvendosen apo fshatrat dhe banorët që do të jetojnë brigjeve të ujëmbledhësit të hidrocentralit, sjellin nevojën e një riorganizimi të komunitetit, ballafaqimit të pikëpamjeve si dhe nevojës për një organizim më të mirë dhe më të qëndrueshëm të protestave.
Me nismën e Majlinda Hoxhës, një aktiviste kundër ndërtimit të hidrocentralit, është krijuar një Dibër “Grupi i Aktivistëve Ruralë të Dibrës – GARD”, e cila ka hapur një zyrë të sajën në qytetin e Peshkopisë.
“Zyra është një mjedis ku aktivistët e shoqërisë civile, banorë dhe organizata, do të mblidhen dhe diskutojnë, jo vetëm për Skavicën, por edhe për çështje të tjera që shqetësojnë komunitetin”, thotë Hoxha.
Zyra do të jetë e hapur edhe për organizatat e tjera të shoqërisë civile, të cilat mund ti përdorin mjediset e saj për takimet e tyre.
Skavica dhe zgjedhjet lokale.
Çështja e Skavicës pritet të jetë edhe një temë e nxehtë gjatë këtyre zgjedhjeve vendore. Gjatë prezantimit të kandidatit të grupimit “Bashkë Fitojmë” më 1 prill në Peshkopi, Sali Berisha – ish kryeministër dhe kryetar i PD, deklaroi se “Skavica është varri i Dibrës”
“Të fundosësh 37 fshatra, të zhvendosësh 20 mijë banorë, çfarë mbetet në Dibër?”, pyeti Berisha.
Më tej, ai tha se gjatë qeverisjes së tij nuk është ndërtuar Skavica, pasi ai nuk pranoi asnjë projekt që shkaktonte përmbytje. Duke akuzuar qeverinë se po angazhohet të ndërtojë një projekt të hartuar në kohën e Enver Hoxhës, ai theksoi se “Skavica është një aferë korruptive”.
Berisha, gjatë fjalës së tij në Pallatin e Kulturës, drejtuar mbështetësve të tij, i kërkoi kompanisë Bechtel të heqë dorë nga HEC i Skavicës, sepse “është një kontratë pa garë”.
“Në vendin e tij, në vendin tim dhe në çdo vend, kontratat pa garë janë korruptive”, tha Berisha.
Gjithashtu, drejtuesi i opozitës tha se, sipas informacioneve të tij, “Bechtel po u shet aksione kompanive britanike”, ndaj ai i bëri thirrje qeverisë britanikë që të mos lejojë kompanitë britanike të blejnë aksionet e Bechtel.
“Dibra nuk mund të varroset. Dibrën e kanë prurë dibranët në shekuj e mijëvjeçar dhe do të ecë në shekuj e mijëvjeçarë e lirë”.
Bujar Karoshi