Koçaj – fshati i vendosur mbi një qytet misterioz të varrosur


Katundi i qefalinjve dhe kampionëve të botës

Fshati ka burime ujore të konsiderueshme, ndërsa arteria kryesore lumore është përroi i Balgjait, afro 9.2 km i gjatë, që buron nga liqenet akullnajore të sheshit të Balgjait.

Nga Adriatik Balla*

Në gjirin e Bulqizës së Vjetër ndodhet fshati Koçaj, i cili pozicionohet në të majtë të rrjedhjes së Zallit të Bulqizës. Ky fshat ka kufi perëndimor kurrizin e Balgjait, nëpërmjet të cilit ndahet nga pellgu i Matit. Në veri kufizohet me kreshtat magmatike të faqes së Thatinës, qafën e Helmes (ose Helmit) dhe gropat e Ukut pranë Gurit të Vashës, që e ndajnë me zonën e 4 Grykëve në Dibër. Në lindje kufizohet me fshatin Dushaj, në jug ka Fushë-Bulqizën e në jugperëndim kufizohet me fshatin Dragua. Brenda këtyre kufinjve, Koçaj ka një sipërfaqe 23 km katrorë, prej të cilëve 10 km katrorë janë fushorë e luginorë, e 13 km katrorë të tjerë janë malorë mbi 1 mijë metra lartësi. Territori i fshatit shtrihet nga 675 m (pranë shkollës 9-vjeçare) e deri në 2064 m në majën pranë qafës së Allamanit (kujtojmë që maja e Kreshtës 2101 m i përket Vajkalit e ajo e Gurrave të Zeza 2079 m i përket Dragunit). Vetë katundi Koçaj shtrihet nga 680 m në jug e deri në 940 m në veri në lagjen Shytaj.
Është fshat interesant, me reliev fushor, luginor, kodrinor e malor, me ekspozim formash të shumëllojshme, që diktohet nga përbërja litologjike e larmishme (magmatikë, gëlqerorë, flishe dhe natyrisht depozitime kuaternare) dhe tektodinamika e fuqishme. Elementët e tjerë fiziko-gjeografikë janë të ngjashëm me atë të zonës së Bulqizës në tërësi.

Rreth toponimisë së emrit “Koçaj”

Tre kampionët, Ismail, gjetan dhe Ferit Keta. Foto: Arben Bici.

Për toponimin “Koçaj” jepen dy variante të gojëdhënës, e për respekt të njerëzve po i paraqesim të dy. E para që është më e besueshme lidhet me faktin se Koço ishte djali i dytë i Stefan Dushos, atij që themeloi katundin Dushaj (për të cilin kemi folur, vëllai i parë ishte Çiro ose Qyro), kurse varianti i dytë e lidh këtë toponim me një banor të ardhur nga Korça, ikur nga hasmëritë, që i dha më pas emrin fshatit. Natyrisht, qëndron më fort varianti i parë, e për këtë ka shkruar mirë e bukur autori Ymer Keta në “Bulqiza e Bulqizakët”, 2008.
Fshati Koçaj i sotëm shtrihet në dy lagje të mëdha. Së pari në kodër Koçaj, në pjesën lindore, pozicionuar mbi një kodër të përzgjatur JP-VL, që ka qenë bërthamë e këtij katundi, e lagjja tjetër e madhe është Kokërdhaku, një toponim mjaft i vjetër, i vendosur në një kon depozitimi me përmbajtje fluvioglaciale të përroit të Balgjait. Pra blloqet, poplat e zajet që ka sjellë ky përrua e që ka krijuar një kon të fuqishëm depozitimi, jo plotësisht i stabilizuar, mbi të cilin vendoset kjo lagje e që mban një pjesë të rëndësishme të fondit bujqësor të këtij katundi.
Koçaj është fshat i kontradiktave: sa i vjetër aq dhe i ri, sa i pasur aq dhe i varfër, sa i vogël aq dhe i madh, sa rural aq dhe urban.
Vendbanimi i parë e ndër më të vjetrit, prej kohësh që s’mbahen mend, në territorin e këtij fshati dhe pikërisht në pjesën e sipërme të Kokërdhakut, ka qenë qyteti i Xullinit, shqiptuar nga vendasit si Xullajni. Nuk kemi shumë të dhëna për këtë qytet, për shtrirjen dhe madhësinë e tij, nivelin e zhvillimit dhe rolin që kishte ai në prehistori e historinë antike. Natyrisht, nuk ka qenë qytet i madh dhe i njohur, por as këtë nuk e themi dot për sa kohë kanë munguar gërmimet arkeologjike. Shumë fshatarë, kur kanë bërë punimet e tyre në këtë lagje, kanë zbuluar mure të trashë gati 1 m, me qoshe të gdhendura e të latuara që janë tipike për vendbanimet antike, si dhe copëza qeramike, poçe, e deri sende argjendi, e që fatkeqësisht asnjëri nuk ua ka ditur vlerën e nuk kemi të ruajtur ndonjë objekt. Por rrënojat e këtij qyteti janë ende aty, të varrosura e një ditë ndoshta do të “flasin”. Mendohet se qyteti u shkatërrua nga një përmbytje apokaliptike, nga përroi i Balgjait, i cili i fryrë në ekstrem e mbuloi qytetin me depozitimet e tij. Për të përshkruar ndonjë fenomen natyror të frikshëm, vendasit përdorin shpesh shprehjen “po mësojmë si në kohën e Xullajnit”. Do të ishte me interes të përgjithshëm të kishim gërmime arkeologjike në këtë vend dhe jam i bindur se do të kishim rezultate surprizuese.
Duke njohur zonën, morfologjinë e relievit dhe cilësitë e pellgut ujëmbledhës të përroit të Balgjait, gjykoj (dhe nuk duhet përjashtuar si mundësi), se shekuj më parë, ndoshta në antikitet, një nga liqenet akullnajore të Balgjait (që në atë kohë kanë qenë me përmasa shumë më të mëdha se sot), të ketë shpërthyer, duke marrë përpara gjithçka gjente dhe të ketë mbuluar qytezën antike. Është një hipotezë, por sa kohë nuk ka gërmime arkeologjike nuk e argumentojmë dot.
Po në këtë lagje, gjatë epokës së artë skënderbejane, kur kryetrimi arbëror fortifikoi mbretërinë e tij (1450-1465), në Kokërdhak u ndërtuan magazina të kohës për grumbullimin e produkteve bujqësore dhe që shërbenin si rezerva në shërbim të ushtrisë. Ky vend ishte zgjedhur me kujdes, pasi ishte i futur thellë dhe i mbrojtur, larg rrugës së karvanëve dhe larg mundësisë që të kapej nga turqit, si dhe për shkak se ndodhej me mundësi evakuimi nëpërmjet qafave malore drejt zonave të tjera.

Shumë fshatarë, kur kanë bërë punimet e tyre në këtë lagje, kanë zbuluar mure të trashë gati 1 m, me qoshe të gdhendura e të latuara që janë tipike për vendbanimet antike, si dhe copëza qeramike, poçe, e deri sende argjendi, e që fatkeqësisht asnjëri nuk ua ka ditur vlerën e nuk kemi të ruajtur ndonjë objekt. Por rrënojat e këtij qyteti janë ende aty, të varrosura e një ditë ndoshta do të “flasin”.

Qafat janë shumë të rëndësishme për këtë katund, pasi ato e lidhin shpejt dhe sigurt me zona të tjera të Dibrës e të Matit, sikurse janë qafa e Helmes, qafa e Epërme, qafa e Allamanit, qafa e Kllogjit etj.
Majat kryesore malore janë ato të qafës së Allamanit (2064 m), kreshtës në kufi me liqenet e Kacnisë (2019 m), maja e Bataqes (1943.5 m), Maja e Rrumbullit 1941 m) etj.

Burimet ujore
Fshati ka burime ujore të konsiderueshme, ndërsa arteria kryesore lumore është përroi i Balgjait, afro 9.2 km i gjatë, që buron nga liqenet akullnajore të sheshit të Balgjait. Në krye të lagjes Kokërdhak bashkohet me përroin e Sheshit të vogël dhe atë të Shytajt, e më në jug merr emrin përroi i Zallit të Thatë, deri sa derdhet në Zallin e Bulqizës, me një prurje mesatare shumëvjeçare, afro 0.4 m3/s, por me luhatje të madhe gjatë stinëve dhe me një karakter torrencial të shprehur për shkak të disniveleve të mëdha të relievit nga grykëderdhja e deri në kreshtat malore (mbi 1200 m). Është meritë e këtij përroi, krahas cilësive tektonike e tipareve të strukturave në përgjithësi, që lugina e Bulqizës në këtë sektor arrin gjerësinë 3 km.

Gjeologjia
Sa i takon gjeologjisë, sektori perëndimor i fshatit që i përket masivit të Balgjait ndërtohet tërësisht nga magmatikët ultrabazikë të Jurës, kurse në lindje të zallit dominojnë gëlqerorët triasikë dhe një brez flishor me drejtim afro veri-jug. Kontakti i tyre është tektonik dhe brezi i shkatërrimit është shfrytëzuar nga rrjedhja ujore që ka krijuar përroin e Shytajve e në vazhdim atë të Zallit të Thatë. Në fund-vitet 80-të të shekullit të kaluar, në masivin magmatik të Balgjait ka punuar Gjeologjia dhe Gjeofizika, sepse ky mal ka rezerva të konsiderueshme kromi, natyrisht jo si në Dhoks.

Reshjet
Sikurse në të gjithë zonën e Bulqizës, bien mesatarisht 1000-1100 mm reshje në vit. Ndërkohë, bora është fenomen i zakonshëm në këto anë dhe trashësia e saj shkon deri në 50 cm e në raste të veçanta 1 m, madje në lartësitë e mëdha të relievit afro 1.5 m.

Tokat dhe bimësia
Tokat janë aluvionale në Kokërdhak (kryesisht) dhe të kafenjta në Kodër Koçe. Bimësia është e pasur, me dushqe, shkozë e mëllezë deri në 1200 m, një brez ahishtesh i zhvilluar mirë e në areale të veçantë (sikurse është pella e madhe) në gjendje klimaksi, në lartësinë deri në 1700-1800 m. Ky brez ka ndërthurje me pishë, arn dhe bredh në sektorin e Balgjait, e mbi këto lartësi spikasin kullotat alpine me bimësi të familjeve graminore e leguminose. Sektori fushor e kodrinor është i kthyer në tokë bujqësore.
Mjedisi, pavarësisht dëmtimeve jo të pakta në pyje, paraqitet i ruajtur relativisht mirë. Ky mjedis i pastër dhe i vyer çmohet shumë dhe mbrohet me fanatizëm nga banorët e fshatit.

Pak historik
Koçaj arritën si katund një pjekuri të konsiderueshme aty nga viti 1800, duke marrë edhe prioritetin në Bulqizën e Vjetër. Nga dokumenti arkivor i vitit 1834, ku jepen me emra pleqtë e Bulqizës, nga ky fshat spikasin dy burra me emrat Bajram Fera dhe Fejzë Xhobi. Nga osmanishtja ne dimë që “C” lexohet Xh dhe “b” është zëvendësim i “h”. E thënë ndryshe, ky anëtar i pleqësisë e ka pasur emrin Fejzë Ҫupi. Për emrin tjetër, Bajram Fera, mendimi im është ky: Për vitin kur bëhet fjalë, i parë në këtë fshat ka qenë Bajram Karaj, e nuk e di për ç’arsye është regjistruar Fera. Pra kemi të bëjmë me Bajram Karajin. Ky person ka qenë qefali i Bulqizës, pra një lloj kryeplaku, administrator i zonës. Përplasjet e Teqesë së Madhe me Baba Fejzën e pozicionuan qefaliun në krah të Teqes së Madhe dhe kjo përplasje në ato vite ka qenë e fortë. Babai u plagos dhe u arrestua në betejën e Xixullës në Martanesh. Për ta turpëruar turqit e vunë së prapthi mbi kalë, por gjesti ishte shumë i rëndë. Këtë veprim e përjetoi shumë djaloshi Dalip Karaji, i cili më vonë u bë qefali dhe një nga patriotët më të mëdhenj të zonës, njeri që pati influencë jo vetëm në Bulqizë por në mbarë Dibrën, duke dhënë kontribut në Lidhjen e Prizrenit e më pas në kryengritjet para pavarësisë.
Pra Karaj ishin qefalinjtë e Bulqizës. Nga kjo derë e shkëlqyer kanë dalë mendje të zgjuara, njerëz me kontribute në shoqëri e në sektorë të ndryshëm shtetërorë, si ushtarakë, mësues, inxhinierë, ekonomistë, juristë etj.
Në këtë fshat, janë organizuar edhe kuvende të rëndësishëm, me pjesëmarrje deri në 500 vetë, që ishte shumë për kohën (1832, 1844, 1856 etj), si tek qarri i Damës, Mani i Koxhajve, Mulliri i Bardhë etj, kryesisht organizuar nga Baba Fejze Bulqiza.
Në Vjetarin Statistikor të Teki Selenicës, siç e kemi përmendur edhe në numrat e tjerë, fshatrat e Bulqizës figurojnë si një i vetëm, me emrin Bulqizë, në nënprefekturën e Zerqanit, me 2500 banorë. Por regjistrim më i saktë është ai i vitit 1916 nga austriakët, ku Koçaj përfshiheshin si lagje e fshatit Komaj, e çuditërisht Komaj përkon me një lagje të fshatit Dushaj (Kome quhet edhe sot). Në këtë regjistrim mësojmë se:
Në krahinën e Sheh Hysenajt (sot Zerqani), bënte pjesë edhe fshati Komaj me lagjet Dragonaj (Dragu), Koçaj dhe Kokerlakaj (Kokërdhak). Ky fshat regjistrohet me 116 shtëpi, me 121 familje e një popullsi 647 banorë, prej të cilëve 6 vetë nuk merren me punë fshati (domethënë bënin punë tjetër si ushtarak, tregti ose tjetër).
Në kohën e mbretërisë, Koçaj ishte fshati kryesor në Bulqizë, për shkak të influencës së disa personazheve të rëndësishëm të kohës që punonin oficerë në qeverinë e Zogut.
Ky fshat dha një kontribut të çmuar gjatë LANC-it. Nga ky fshat ishte, ndër të tjerë, dëshmori Asllan Keta, një nga eksponentët kryesorë të Ҫetës partizane të Haxhi Lleshit. Po nga ky fshat, Ali Lika, ra në luftime gjatë provokacioneve greke të gushtit 1949 në zonën e Korçës (nuk e di a i njihet statusi Dëshmor i Atdheut).

Hartat topografike japin 9 liqene akullnajore në Sheshin e Balgjait. Gjatë një ekspedite në terren më datë 3 korrik 2021 dhe hasa me ujë vetëm dy prej tyre, njëri mbuluar nga bimësia dhe me vetëm 10-15 cm ujë, e tjetri me thellësi deri në 1 m, i qëndrueshëm dhe me sipërfaqe 0.3 hektarë, e ku në orën 9 të mëngjesit “na përshëndeti” specia karakteristike e liqeneve akullnajore, pra tritoni apin.

Popullsia
Pas vitit 1945 Koçaj shfaqet si fshat i dallueshëm qartë, me dy lagjet e tij, si pjesë përbërëse e rrethit të Dibrës, e pas vitit 1990 si pjesë e komunës Fushë-Bulqizë të Bashkisë Bulqizë.
Në vitin 2007 katundi Koçaj kishte 197 familje, me gjithsej 709 banorë. Natyrisht, në këtë moment që flasim ky fshat ka humbur gati gjysmën e popullsisë së tij. Dy dekada më parë, në komunë kishte të regjistruar 122 hektarë tokë arë dhe 12 hektarë pemëtore, por të dhënat e komunave duhen marrë me rezervë. Kultivohen misri, gruri, perimet, por edhe frutat si mollë, gështenja, kumbulla etj.

Objektet natyrore dhe kulturore të rëndësishme
Qyteti i varrosur i Xullinit, për të cilin duhet të ketë iniciativa për gërmime arkeologjike, disa ndërtesa tip kulle, njëra prej të cilave figuron si monument kulture e që me shumë gjasë është e paraqitur si pullë postare në vitin 1982 (shih pullën ilustruese të këtij shkrimi), liqenet akullnajore në Balgjai, kompleksi i cirqeve po në lartësitë e Balgjait që janë nga më të mëdhenjtë në Shqipëri, Gurra e Ftohtë, Vallja e Shkëmbit, disa teqe, etj. Hartat topografike japin 9 liqene akullnajore në Sheshin e Balgjait. Gjatë një ekspedite në terren më datë 3 korrik 2021 dhe hasa me ujë vetëm dy prej tyre, njëri mbuluar nga bimësia dhe me vetëm 10-15 cm ujë, e tjetri me thellësi deri në 1 m, i qëndrueshëm dhe me sipërfaqe 0.3 hektarë, e ku në orën 9 të mëngjesit “na përshëndeti” specia karakteristike e liqeneve akullnajore, pra tritoni apin (shih foton).
Ajo që nuk kemi mundur deri tani që t’i japim shpjegim, është “Shkëmbi i Kulturës” në anën lindore të fshatit. Nga vjen ky toponim, për më tepër në në një zonë që s’ka shtëpi afër, që nuk kultivohet, e as ka ndonjë shenjë që aty mund të jenë luajtur shfaqje teatrale apo të jenë vënë në skenë këngë e valle. Kjo është një enigmë që kërkon analizë të kujdesshme në të ardhmen.
Lehtësia e arritjes me rrugë automobilistike që në vitet 90-të i ka dhënë këtij fshati përparësi, sikurse afërsia me qendrën e njësisë administrative dhe me shkollën 9-vjeçare dhe të mesme, por problemi i viteve të fundit, ashtu siç po ndodh me shumë zona të vendit, është emigracioni në nivele të larta.

Fshat me njerëz punëtorë e bujarë
Koçaj është fshat me njerëz punëtorë, bujarë dhe të shkolluar. Nga ky fshat kanë dalë arsimtarë të spikatur ku, për kontributin e tyre në arsimin bazë, dua të veçoj dy burra, Xhemal Karajin dhe Hasan Daxhën. Në fushën e letrave duhet përmendur Aqif Karaj (Qytetar Nderi i Bulqizës), me botimin e tij “Bulqiza, teqe e lapidar”, 2007, si dhe “Bulqiza në udhën e historisë”, 2009, por edhe autorë të tjerë.
Ky fshat ka nxjerrë agronomë të mirë, veterinerë, mjeshtra të ndërtimit, muzikantë, inxhinierë, profesorë, personalitete të ushtrisë, pilotë, biznesmenë etj.
Koçaj, sikurse të gjithë fshatrat e Bulqizës, ka qenë baza e punëtorisë e minierës së kromit, e vetëm nga ky fshat, kanë humbur jetën dhe kanë vdekur në aksidentet minerare mbi e nëntokë, 15 vetë, pasqyruar emër për emër në librin “Heronjtë e nëntokës” të Ymer Ketës, 2013.
Jo më kot i lashë në fund, tamam si ëmbëlsira, nga ky fshat kemi tre kampiona bote, pikërisht vëllezërit Keta. Ismaili ka dalë tre herë kampion bote në kik-boks, Gjetani, i mbiquajtur “Tajsoni i Bardhë” është kampion i madh, si dhe Feriti, kampion bote në kik-boks më 2021 dhe i pamposhtur deri më tani ne ring. Këta janë kampionë në ring por edhe në jetë, pasi kanë ndihmuar njerëzit në nevojë, por edhe komunitetin bulqizak në tërësi, duke dëshmuar shpirtmadhësi.

* Adriatik BALLA është Doktor i Shkencave Gjeografike