Editorial 
200


Ky është numri i 200-të i gazetës. Muaj pas muaji kemi ardhur midis jush, duke u përpjekur të sjellim më të mirat nga Dibra: historinë, kulturën, artin dhe gjithçka që ka të bëjë me aktualitetin, problematikat e përditshme që ndeshemi.
Disa çështje jetike për komunitetin, jo vetëm në Dibër, por kudo ku ndodhen dibranët, jemi përpjekur t’i mbajmë të hapura dhe t’i pasurojmë vazhdimisht me lajme, analiza, opinione…
Ne jemi te numri i 200-të, pasi kemi pasur mbështetjen e lexuesve dhe bashkëpunëtorëve. Janë me qindra ata që kanë shkruar në gazetë, duke kontribuar me shkrime origjinale dhe serioze, që i kanë dhënë asaj një natyrë studimore, shkencore, ku botohen vlera.
Deri këtu kemi arritur edhe falë mbështetjes së financuesve të saj, sidomos z. Musa Riçku, të cilët, çdo muaj, kanë hequr nga buxhetet e tyre të biznesit apo të familjes për të mbështetur një media të lirë.
Gjatë punës sonë jemi përpjekur maksimalisht të respektojmë çdo kontribut, sado i vogël të jetë, duke respektuar të drejtën e autorit. Ne kemi ardhur në vatrat tuaja, duke e bërë gazetën muaj pas muaji, një mik të familjes suaj.
Të gjitha këto kanë ardhur deri këtu falë sakrificave të bashkëpunëtorëve dhe financuesve, të kontributorëve dhe lexuesve.
Gazeta ka shërbyer si lobim për ndërtimin e Rrugës së Arbrit – nga e cila mori edhe emrin, dhe ndërsa tani rruga është duke përfunduar, është detyra dhe përgjegjësia jonë, e komunitetit dibran, që kjo gazetë të bëhet më e mirë, më përfaqësuese, të bëhet një gazetë e të gjithë dibranëve, pa ngjyra politike. Ndaj është detyra e të gjithëve që ta mbështesim, ta ndihmojmë me shkrime, me kontribute autoriale dhe financiare, për ta bërë një zë serioz të komunitetit dibran nga Dibra në Tiranë e kudo që janë në botë.
Të gjithë ata që na ndjekin çdo muaj, që kanë paguar për të pasur gazetën, i kemi konsideruar dhe do të vazhdojmë t’i konsiderojmë kontribuues të përpjekjes sonë për vazhdimësinë e botimit të gazetës “Rruga e Arbrit”, duke marrë përsipër gjithashtu që të përcjellim më së shumti shqetësimet e tyre.
Ne mbetemi të përkushtuar për të sjellë gjithmonë të renë te lexuesi, për të sjellë shkrime ekskluzive, serioze, trajtime të çështjeve në mënyrë të pavarur dhe të saktë, rubrika nga personalitete dhe studiues të letërsisë e kulturës, që do ta bëjnë gazetën më të mirë, numër pas numri.
“Rruga e Arbërit” është një gazetë e lirë! Dhe liria e saj vjen vetëm nga mbështetja juaj! – Faleminderit!