Shënime për një qytetar të thjeshtë të qytetit tim…
Dhe një dokument i rrallë -1946
Ata ishin dy vëllezër, Musai dhe Abazi, me rrënjë jetese shekullin XIX.
Musai la pasardhës Abdullain, Hatijen, Shemsiun, Ismailin dhe Verën…
Abazi la pasardhës Remen, Hajriun dhe Sulën…
Bedrika, bashkëshorte e Musait dhe Terja, bashkëshorte e Abazit deri pas viteve ’60 kanë qenë qytetare të respektuara të Peshkopisë si motra…
Hajri Hoxha, kushëri i parë i Abdullait, në kujtimet e tij (në dorëshkrim) përcjell një pamje të gjerë të kohës dhe rrënjëve të gjakut të tyre në Dibër…
Ai shkruan: “Me qindra familje nga Dibra e Madhe u detyruan që më 1913 e deri në 1922 të linin vatanin e të gjenin mikpritjen tek vëllezërit e tyre në Shqipëri vëllezër që hapën portat e tyre me zemrën bujare me çfarë kishin: bukë e kripë e strehim duke mos u marrë as edhe një cent qira, familje që në muajt parë e shtronin bukën së bashku në sofrën e tyre.
Kujtoj gjithmonë amanetin e gjysh Nazif Kurtagës (i ati i nënës) e të xhaxhait tim Musa Hoxhvoglit (Hoxha):
“Kurrë mos e harroni ta kujtoni bujarinë e popullit të Tiranës e të gjithë shqiptarëve që bënë për ne dibranët. Këtë amanet kalojeni brez pas brezi”.
Dhe sa herë kemi kaluar dhe kalojmë në një rrugë kryesore të Tiranës që të çon drejt spitalit e deri tek këmbët e malit të Dajtit, rrugë që tiranasit ia kanë vënë emrin “Rruga e Dibrës”, i sjell ndërmend ato fjalë. Rruga e Dibrës ishte rruga që ndoqën familjet dibrane drejt Tiranës e zonave të tjera, ishte rruga që në histori quhet “Rruga e Arbrit”, rrugë e cila lidhte kombin shqiptar nga bregdeti në thellësi të Ballkanit…
Kështu familja jonë me mbiemrin real që është shënuar edhe në Gjendjen Civile të Peshkopisë në atë kohë është “Abaz e Musa Shemsi Hoxhvogli”.Në vitin 1920 u strehuan dhe gjetën zemrën bujare të qytetit të Peshkopisë që në ato vite nuk kishte më shumë se 2-3 mijë banorë vendas. Gjyshi jonë quhej Shemsi dhe gjyshja Mereme, të vdekur në Dibrën e Madhe. Këta kanë pasur dy djem dhe një vajzë: Abaz (babai ynë) dhe Musai (xhaxhai) si dhe Reitka (vajza). Të dy vëllezërit janë martuar në Dibër të Madhe, respektivisht me Atere Nazif Kurtagën dhe me Bedrije Çeliku si dhe Reitka me Rustem Hamen (fshat në afërsi të Banishtit ku janë dhe llixhat termale).
Kur prindërit kanë ardhur në Peshkopi Abazi dhe Aterja kanë pasur një vajzë Meremen që ka lindur në Dibër të Madhe më 1916-tën, ndërsa xhaxhai kishte një djalë të lindur në Dibër të Madhe më 1919-tën. Ndërsa vëllai Sula dhe unë, Hajriu, kemi lindur respektivisht në Peshkopi më 1922 dhe 1925. Po ashtu ka lindur edhe motra e vogël më 1927 po në Peshkopi, Qefserja, por na ka vdekur në vitin 1929 në Kavajë pas vdekjes së babait në vitin 1928. Po ashtu, në Peshkopi kanë lindur edhe fëmijët e xhaxhait: Atija, Shemsiu, Pranvera dhe Ismaili. Motra jonë ka pasur emrin e gjyshes, Mereme, dhe djali i xhaxhait ka pasur emrin e gjyshit, Shemsi.
Mbiemri i familjes sonë është “Hoxhvogli”…
Prindërit tanë janë marrë në Peshkopi me tregti të vogël (tezga) me shitje çikërrimash, këna e të tjera, ndërsa Musai ka pas hapur një dyqan me shitje manifakture.
Babai ynë vdiq në vitin 1928 dhe nëna jonë, e paharruara Aterja, mbeti e ve me katër fëmijë; Meremen, Sulen, Hajriun dhe Qefseren. I ra barra shumë e rëndë në moshën 25 vjeçe të rrisë jetimët. Kështu ajo u bë Nënë edhe babë. I shoqi i la vetëm 20 napolona flori.
Në këtë kohë përveç kujdesit të kunatit të saj –Musajt, pati menjëherë dorën e babait të saj –Nazif Kurtagës, që kishte imigruar dhe banonte në Kavajë…”
(Hajri Hoxha: Kapitulli “Familja”)
* * *
Në 100 vjetorin e lindjes, Musa Hoxha, trashëgimtar i emrit të gjyshit i përlotur shkruan:
Gjithnjë në zemrat tona i dashur baba!
I ndodhur larg vendit tim në këtë 100 vjetor më duket sikur jetojmë në të njëjtën botë, të të gjallëve…
Dua ta harroj atë moment kur ti ike nga ne 20 vite të shkuara i dashuri babai ynë i mirë.
Vitet ikin shume shpejt, ashtu pa kuptuar, duke lënë gjurmë dhe mall në memorien tonë
Kujtoj gjyshen (Nana) kur me tregonte për momentet kur u larguat nga Dibra e Madhe.
I vogël, atëherë ishe vetëm 13 vjeç. Përshkuat rrugën nga Shkalla e Tujanit për tu vendosur më pas në Peshkopi si qiraxhi tek Shehlerët, por gjithnjë me shikimin prapa…
Duke mbetur jetim, vetëm 15 vjeç, të ra barra e mbajtjes së familjes me atë biznes që ta la babai.
Ishte pasioni yt tregtia dhe pak mund ta dinë që ti solle ndoshta kamionin e parë në Dibër të cilin pas çlirimit më 1947 ua shtetëzuan.
Duke pasur një trashëgimi tregtare natyrshëm ishit ndër të parët drejtues që ndihmuat në krijimin e strukturave të tregtisë në Dibër siç ishin Kooperativat e Konsumit. Më vonë u morët me një lloj tjetër “tregtie” atë kulturore. E kishit pasion Librin të gjithë ju vëllezër dhe motra sa edhe shoqëritë e familjes siç duket ishin ndërtuar me dashurinë e përbashkët për kulturën e librin ku spikat ajo me shkrimtarin e mirënjohur Haki Stërmilli.
Punuat për afro dy dekada Përgjegjës Rajonal i “Libraria Popullore” për Dibrën dhe Burrelin. Dashamirësit tuaj ju kujtojnë gjithnjë në këtë detyrë dhe ndjehemi shume krenar kur ato shprehen edhe sot me konsideratë dhe nderim për punën që ju keni bërë për shpërndarjen e librit dhe afrimin e tij sa më afër lexuesit.
Iu kthyet përsëri Ndërmarrjes Tregtare ku qëndruat deri sa dolët në pension gjithnjë i vlerësuar për korrektësinë e madhe në kryerjen e detyrës.
Sa herë ju sjell në mend është e pamundur t’ju mendoj pa librin në duar, qoftë ai artistik, historik apo politik, siç kujtoj pasionin tuaj për filatelinë, rregullin me të cilin mbaje çdo seri të pullave sipas kronologjisë, kategorive dhe vlerave që ato mbanin.
Ju ishit korrekt në përmbushjen e përgjegjësive zyrtare, shoqërore si i zgjedhur, ashtu dhe atyre familjare. Ju ishit gjithnjë kërkues i më të mirës tek ne fëmijët e tu por asnjëherë imponues. I rregullt në çdo gjë por rregulli është një temë e gjatë që më sjell shumë kujtime…shumë herë dhe të qeshura…
Kështu duke qeshur dua ta mbyll këtë memorie për ty i dashur baba në këtë 100 vjetor të ditëlindjes tënde.
I paharruar do të mbetesh në zemrat e pasardhësve të tu.
Faleminderit baba!
* * *
Tash, pas kujtesës së Hajri Hoxhës jeta e të cilit po i afrohet shekullit, dhe dedikimit emocionues larg nga Kanadaja të Muçit, më vjen këtu, njëmijë kilometra larg nga Dibra, Abdulla Hoxha i gjallë, i shëndetshëm, me atë vështrimin e tij ku shkruhej mirësia, me atë buzëqeshjen që i ishte ngjitur në fytyrë në mënyrë të pashqitëshme.
Abdullai më vjen më i gjallë dhe më xhentil se kurrë prapa banakut të librarisë në qytetin e vogël të Peshkopisë. Të hyje në Librarinë Popullore siç shkruhej asokohe në tabelën e dyqanit dhe të mos dilje pa një libër në dorë ishte e jashtëzakonshme. Abdulla Hoxha ta lexonte me vështrim të parë dëshirën për shkencën që doje, për romanin që të pëlqente, për poezinë që të ngacmonte shpirtin.
Unë, asokohe student, isha një ndër klientët e tij të veçantë, madje të çuditshëm për kërkesat e mija në atë qytet të vogël.
Në banakun e Abdullait asokohe kishte disa katalogë kërkesash për libra në gjuhën ruse. Mund të shënoje librin që doje, artistik, gjuhësor apo shkencor. Abdullai e merrte kërkesën dhe e përcillte në adresat që shënoheshin, larg në vendbotimet në Rusinë e largët.
Nga ato kërkesa, fryt i korrektësisë së Abdulla Hoxhës, në bibliotekën time kam disa fjalorë, disa libra shkencore për agronominë, një album pikturash që ia dhurova një miku për djalin e tij të talentuar në pikturë. Kam edhe Pushkinin në origjinal me poezitë disa prej të cilave edhe sot i di përmendsh…
Unë aplikoja asokohe edhe në “Librin ndërkombëtar” në Tiranë por korrektësia e Abdulla Hoxhës ishte një mrekulli shërbimi…
Të shtunën, më 8 janar 2000 do të shënoja në Ditar…
“Pasdite bëmë disa vizita. Të parën tek Remja e Vogël ku ishin edhe Rizai me Fatimen dhe me Iridën, Astriti me Engjëllushen, djalin dhe vajzën. Remja ishte mjaft mirë me shëndet.
Prej andej shkuam tek Abdulla Hoxha, i Madhi. Ishte i paralizuar në shtrat por me kujtesë të plotë. Ishte edhe Serja me Muçin dhe fëmijët”
Ishte ky takimi i fundit me Abdulla Musa Hoxhën e Dibrës së Madhe dhe të Peshkopisë.
Pak kohë më vonë, në prill 2000 më erdhi në Athinë lajmi për ikjen në përjetësi të Abdullait.
Bashkë me Natashën e kujtuam ashtu të gjallë, të qeshur e të gëzuar.
Bashkuam dhimbjen tonë me Musain dhe familjen e tij, me Lindën dhe Dhuratën, vajzat e tij të mrekullueshme, me të shoqen, Seren, që i qëndroi pranë me përkushtimin e një gruaje të vërtetë dibrane.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 22 prill 2020