Çeta e Martaneshit


ME RASTIN E 80-VJETORIT TË FORMIMIT TË SAJ, 26 SHTATOR 1942

Nga ZABIT LLESHI

Martaneshi është një krahinë malore që shtrihet në grumbullin malor qendror midis Dibrës, Matit, Tiranës dhe Elbasanit e njohur për veprimtari patriotike brez pas brezi kundër Perandorisë Osmane dhe ushtrisë së saj deri në shpalljen e pavarësisë. Të njohur janë martaneshasit për heroizmin kundër Mahmut Pashës, Hurshit Pashës, Avdi Pashës e Dërgut Pashës për mbrojtjen e tokës amtare, bashkë me luftën për mbrojtjen e pavarësisë nga pushtuesit serbë, austrohungarezë, italianë e gjermanë. Për të fituar lirinë dhe pavarësinë e popullit të Martaneshit iu desh të sakrifikojë shumë jetë njerëzore, shkatërrim, grabitje e plaçkitje të pasurisë vendosur me shekuj me mund dhe djersë. Megjithatë armiqtë kurrë nuk e mposhtën patriotizmin, shpirtin luftarake e atdhedashës të malësorëve trima të trevës së Martaneshit.

Pushka e Martaneshit u dëgjua në Shkodër, Janinë e Follorinë, në Elbasan e Dibër, në Tiranë, Shkup e Prishtinë. Kur shtrohej problemi i trojeve shqiptare në rrezik, vullnetarët trima të Martaneshit ishin aty ku derdhej gjaku, ku bashkoheshin zemrat me heronjtë dhe dëshmorët e kombit.

Si kudo në vendin tonë pushtimi i Italisë fashiste më 7 prill 1939 u prit me shqetësim të madh edhe në Martanesh. Në fshatin Peshk, në Belik u mblodh kuvendi i burrave për të analizuar situatën lidhur me lajmet që ishin përhapur për vendimin që kishte marrë Italia Fashiste për pushtimin e Shqipërisë dhe zbarkimin e trupave të saj në Durrës. Kërkuan armë pranë postës së xhandarmërisë, nuk ja dhanë, vendosën të vetë organizoheshin dhe të shkonin në front. Më 7 prill u grumbulluan vullnetarët e parë, ndërkohë morën njoftimin se Italia hyri në Durrës, ushtria e saj ishte nisur drejt Tiranës. Malësorët vullnetarë pa armë, koha nuk premtonte të arrinin në Tiranë para trupave italiane. 

Me dëshpërim u detyruan të ktheheshin në shtëpi, ishin tradhtuar nga qeveria që kishte braktisur popullin e Atdheun bashkë me mbretin.

Vendosja e regjimit fashist u shoqërua me rritjen e taksave për popullsinë fshatare, kështu me tagamledhësit filluan konfliktet. 

Lindën tensionet e para të popullit me milicët, që do të vazhdonin me kundërshtimet, përplasjet e protestat ndaj urdhëresave për çarmatosjen e popullatës (dorëzimin e armëve). Arma ishte e shenjtë për malësorin, ishte gjetur e siguruar me sakrifica, ato ishin të vjetra, trofe të fituara në beteja, të ndryshme me ushtritë armike. Gjatë gjithë historisë as fuqitë e ushtritë e mëdha nuk kishin mundur t’i çarmatosin shqiptarët. Martaneshasit nuk hynë në shërbim, as pranuan të visheshin milicë, as të futeshin në radhët e Partisë Fashiste. Baba Faja i frymëzonte malësorët të kundërshtonin pushtimin e Italisë fashiste dhe qeverinë profashiste të Shefqet Vërlacit. Ai nuk i braktisi besimtarët, por u bashkua dhe u vu në krye të malësorëve duke qëndrua konsekuent idaleve patriotike për lirinë dhe pavarësinë e atdheut1.  Në qershor 1940 Prefekti i Dibrës e ftoi Baba Fajën në Peshkopi. U takua gjithashtu me kryetarin e Bashkisë, oficerin Federal dhe inspektorin Rafaele Brenda. I bënë thirrje të përkrahte fashizmin, të vendosnin qetësinë në Martanesh, të respektonin normat dhe ligjet italiane, por nuk e gjetën gadishmërinë e Baba Fajës.

Ai doli dhe foli hapur kundër masave që kish marrë qeveria fashiste për forcimin e regjimit fashist në Shqipëri.

Më 31 korrik 1940 gjenerali (Agostinuçi) takoi në Tiranë Baba Fajën, i kërkoi mbështetje Teqes së Martaneshit e Bektashizmit për realizimin e programit fashist. Mbas dy javësh i çuan vendimin e autoriteteve fashiste “Të qëndrojë në banim të detyruar në mjediset e Kryegjyshatës pa të drejtë takimi me publikun deri në një urdhër të dytë”2. Malësorët protestuan kundër këtij vendimi dhe kërkuan me forcë kthimin e Baba Fajës në Martanesh për t’u shërbyer besimtarëve. Në krye të protestave qëndronin Sali Fejza, Bajram Quka, Rexhep Koxheri, Jonuz Isaku, Lam Cani, Beshir Bala, Qazim Alia, Hasan Grrica, Halil Alhasa, Jashar Muça etj.

Në korrik-gusht 1940 Italia fashiste mori me forcë disa të rinj ushtarë dhe i çoi në frontin grek. Ata si patriotë jo vetëm nuk luftuan kundër popullit grek, por dezertuan, lanë frontin duke sabotuar luftën për të afruar humbjen e ushtrisë italiane në Greqi. Siç ishin: Nasebi Rama, Hajdar Mali, Ibrahim Peshku, Abdyl e Avdi Bala, Jonuz Saliu, Destan Saliu, Tahir Koxheri, Hysen Alhasa, Hysen Çuka, Lam Bami, Xhafer Gaçi, Mehmet Cakoni, Ali Kurti etj., pas kthimit ng Greqia do të bëheshin propagandistët e zjarrtë të luftës së organizuar kundër pushtimit fashist në trevën e Martaneshit.

Milicët dhe karabinierët në Martanesh herë pas here tensiononin situatën për shkak të kontrolleve në shtëpi e familjeve të djemve që nuk kishin shkuar ushtarë në frontin grek, të të dezertuarëve, të cilët ishin larguar nga fshati dhe strehoheshin në pyje, në teqe etj. Kontaktet e Baba Fajës në Tiranë me Mustafa Gjinishin, Sami Bahollin e Qemal Stafën në Elbasan në nëntor-dhjetor 1941 siç tregon Baba Faja në kujtimet e tij lanë mbresa të thella, forcuan bindjet për luftën pa kompromis kundër pushtuesve italianë e tradhtarëve të vendit si bashkëpunëtorë të tyre.

Në Elabasan m’u krijua rasti të takohem me Sami Bahollin dhe herë pas here me QEmal Stafën, të cilët më furnizuan me lëndë propagande me broshura revolucionare, me komunikata, me trakte dhe të tjera materiale. I mora me vete dhe i shpërndava në Martanesh3.

Në mars 1942 Sami Baholli me pretekstin për të festuar ditën e verës erdhi disa ditë në teqen e Martaneshit. Bashkë me Baba Fajën organizuan një takim me njerëzit më të besuar të teqes siç ishin Nasebi Rama, Hasan Grrica, Ibrahim Rama, Bajram Gjoni, Beshir Bala, Qazim Alia, Halil Alhasa, Dervish Rrushi, Rrem Rama etj. “Ju jeni njerëzit më të besuar, më patriotë e më të vendosur për luftë kundër fashizmit. Martaneshi është zonë e thellë malore e strategjike. Forcat italiane duhet me i sulmue, por edhe me qenë në gadishmëri për të kryer aksione jashtë Martaneshit. Dalë nga dalë do të krijojmë edhe çetën si ajo e Myslym Pezës, tha Sami Baholli. Ky ishte njësiti i vogël partizan që përbënte dhe bërthamën e çetës së ardhshme të Martaneshit. Ky njësit me 20 mars do të organizonte aksionin e parë kundër forcave italiane në rrugën Elbasan-Bizë. Dy triçikla me ushtarë italianë kontrollonin çdo ditë rrugën, çonin njëkohësisht postën ushtarake. Në Linos dhe Kroi i kuq ishin dy grupe teknikësh italianë që ndiqnin punimet në rrugën Tiranë-Bizë. 

Tek kthesa e Gurit të Zi u bë prita. Grupi u nda në dy pjesë. Sapo triçiklët i futën në kthesë u hap zjarr ndaj tyre. Njësiti udhëhiqej nga Nasebi Rama. Ushtarët dorëzuan armët dhe u liruan si robër.

Më 7 prill 1942 aksioni tek Kroi i Kuq Shëngjergj me objektiv djegia e depos së materialeve dhe kapanoni i ushtarëve italianë. Njësiti në mesin e natës së 7 prillit zbriti  pranë kaparonit. Dervish Rrushi e Hajdar Mali izoluan rojën dhe i vunë zjarrin Kapanonit ku morën zjarr edhe dy depot. Njësiti u largua për Ballenjë të Vogël pa dëmtime. Italianët u alarmuan, kërkuan roje të përforcuara për vazhdimin e punimeve.

Baba Faja punoi me këshillin e Teqes, organizoi takime me kryetarë fisesh, me persona e njerëz me influencë, tashmë për ta zgjeruar lëvizjen antifashiste në mbarë Martaneshin4.

Në prill 1942 në kthim nga Peza, Haxhi Lleshi vjen në Martanesh. Gjatë gjithë muajit maj Teqja e Martaneshit u bë strehë e ilegalëve si Mustafa Kaçaçi, Haki Fejza, Hasan Bajraktari, Petrit Hakani, Qamil Guranjaku, Sofokli Buda, Tomor Sinani, Ramadan Çitaku, Kadri Hoxha etj. Me Baba Fajën u diskuan shumë probleme, më e ngutshme ishte krijimi i çetës partizane. Baba Faja i bëri thirrje popullit nga një pushkë për shtëpi të mblidheshin për luftë kundër pushtuesit dhe tradhtarëve të vendit, përjashtoheshin familjet që kishin një djalë. Lëvizjet vajtje-ardhje, përpjekjet për organizim të luftëtarëve antifashistë nuk kaluan pa u vënë re nga autoritetet fashiste në Martanesh. Për këtë thirret në Kuesturën e Tiranës Baba Faja për të shpjeguar: A mban armë Teqja e Martaneshit? A vjen Myslym Peza e Haxhi Lleshi? Po partizanë të tjerë? Përgjigjet mohuese dhe mungesa e provave e liruan Baba Fajën. 

Në qershor vjen në Martanesh Vasil Shanto, i cili solli mjaft komunikata e trakte një radio me bateri, rikthehet Ramadan Çitaku tashmë me Miladin Popoviçin. Çdo ditë në Teqen e Martaneshit vinin miq, patriotë, komunistë, nacionalistë, partizanë, ilagalë e besimtarë. Filloi një aktivitet i gjerë propagandistik, njerëzve u bëhej thirrje hapur për luftë ndaj robërisë fashiste. Filluan aksionet e mëdha siç ishin ato të prerjes së linjave telefonike me 24 korrik 1942 ku njësiti i Martaneshit preu linjën Martanesh-Librazhd, LInos-Tiranë, Librazhd-Elbasan, Martanesh-Klos, Martanesh-Bulqizë, që tronditi themelet e pushtetit fashist dhe e paralizoi plotësisht atë.

Më 3 gusht aksioni në qafën e Tjegullave, pritë 3 kamionëve me ushtarë italianë. Dy makina u dogjën pas 2 orë shkëmbim zjarri, u vranë 2 ushtarë italianë, u siguruan dhe morën shumë armë, disa granata dore, batanije, 2 arka makarona, oriz, fasule dhe 1 arkë me konserva mishi.

16 shtator 1942 aksioni i Dhoksit, Qazim Alia dhe Ferit Myrtezai organizuan sulmin ndaj kantierit të punëtorëve italianë (shoqëria italiane e minierave) Dhoks. Punëtorët i larguan nga kantieri. Morën 10 armë, 20 batanie, 20 kg dinamit, 100 kodonatorë, 100 m fitil dinamiti etj.

20 shtator, aksioni në Labinot-Fushë kundër një autoblinde tek Rrapat e Labinotit, por shpëtoi pa dëmtime, megjithatë pati jehonë në popull. Ishte një sinjal i fortë se populli po ngrihej, i përkrahte forcat partizane kudo, jo vetëm në Malësi, por edhe në fushë e afër qendrave të banuara.

Konferenca e Pezës, zgjedhja e Baba Fajës si anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar shtroi detyra të reja edhe për Martaneshin. Më 26 shtator 1942 ndonëse shumë martaneshas ishin bashkuar me lëvizjen, njësiti ishte rritur, u zyrtarizua çeta partizane e Martaneshit me komandant Baba Fajën dhe Komisar Ramadan Çitakun.

Nisi puna për ngritjen e këshillave nacionalçlirimtare dhe shtimin e radhëve të çetës. Martaneshi u bë një shqetësim i madh për regjimin fashist prandaj duhej sulmuar. Gjeneral Zannini, komandant i forcave për sigurimin publik të Mbretërisë, mobilizoi 400 karabinierë e milicë shqiptarë për të asgjësuar çetën e Martaneshit me mendimin se në Martanesh mund të strehohej dhe Myslym Peza me çetën e tij. Operacioni kishte për qëllim të rrethonte Martaneshin. Një kompani me milicë do të vinte nga Burreli, dy kompani nga Tirana do vinin nga Shëngjini. Me avionë do bëhej rikonicioni i terrenit, do të bombardoheshin pozicionet e partizanëve dhe Teqet. Të viheshin në gadishmëri stacionet e Karabinierëve dhe milicisë fashiste në Klos, Bulqizë, Zerqan, Lunik, Shëngjergj, Qafë Murriz, për bllokimin e shtigjeve nga ku mund të dilnin nga rrethimi forcat partizane. Baba Faja duke vlerësuar situatën vendosi të tërhiqej në Ballenjë, në pyjet e Kaptinës mbasi nuk mund të përballohej kjo fuqi e madhe ushtarake.

Në Teqe la pak njerëz. Më 5 tetor 1942 forcat fashiste kontrolluan Teqen dhe arrestuan gjithë personelin dhe i çuan në kuesturën e Tiranës. Operacioni dështoi, Baba Fajën nuk mundën ta arrestonin. Ai kaloi në ilegalitet të plotë. Gjatë muajve tetor-dhjetor Baba Faja bashkë me çetën organizuan punën për ngritjen e këshillave nacionalçlirimtare dhe shtimin e rradhëve të çetës. U shquan si veprimtarë të Këshillave Nacionalçlirimtare, në Val, Sali Fejza, në Peshk, Ali Lena, Sul Gjoni, në Gjon, Kamber Haslika, Staf Koxheri, në Lenë, Rrem Rrushi, Rremë Gjyla, në Kostenjë, Jashar Muça, Nezhdë Feta Alceni etj.

 

14 tetor 1942 aksioni Labinot-Fushë

Çeta e Martaneshit bashkë me çetën e Matit dhe Çermenikës në Labinot Fushë në rrugën Elbasan-Librazhd kishte lëvizje të mëdha me autokolona ushtarake. Me të hyrë në rrezen e pritës u sulmua autokolona me 5 makina, 2 makina u dogjën, plagosën disa ushtarë, çeta u tërhoq në Labinot Mal pa humbje. Milicia më 30 tetor i vuri zjarrin Teqes së Ballenjës.

31 tetor aksioni tek tre urat në Librazhd

Nën komandën e Kadri Hoxhës e Nasebi Ramës, 3 çetat (Martanesh, Mat, Çermenikë), zunë pritën tek 3 urat. U dogjën 3 makina, u arrestuan oficeri dhe 12 ushtarë, dy arka me municione, disa pushkë e ushqime.

16 nëntor aksioni tek ura e Murrashit

Në rrugën automobilistike Elbasan-Librazhd. Pas asgjësimit të rojeve partizanët sulmuan për 3 orë rresht kazermën. U vra një nënoficer dhe një ushtar, tetë italianë u dorëzuan, të tjerët u larguan luginës së Shkumbinit. 

Në këtë aksion u sigurua një mitraloz, 28 pushkë, 60 bomba dore, 4 arka municionesh, 40 batanie. Në tërheqje shkatërruan linjën telefonike Elbasan-Librazhd.

Çeta e Martaneshint më 27 nëntor 1942 i erdhi në ndihmë çetës së Dibrës në rrugën Dibër-Strugë.

Më 16 dhjetor 1942 kjo çetë sulmoi postën e milicisë në qendër të Martaneshit i bënë thirrje komandës që të dorëzoheshin. Milicët u larguan natën dhe në fshehtësi, Martaneshi u gdhi pa milicë dhe asnjë këmbë ushtari të huaj. 17 dhjetor 1942 u festua si ditë e çlirimit të Martaneshit. Tani shtroheshin detyra për organizimin e pushtetit në zonën e çliruar. Më 23 dhjetor u zgjodh këshilli krahinor Nacionalçlirimtar me kryetar Sali Fejza dhe sekretar Bajram Muça.

Në çetë numëroheshin 55 partizanë. Në të gjitha fshatrat ishin dhjetëra veprimtarë që ishin gati të bashkoheshin me çetën rast nevoje.

Regjimi fashist nuk mund të pajtohej me gjendjen në Martanesh, prandaj më 20 shkurt 1943, 3000 forca të Divizionit Firence; sulmuan me avionë, u bombarduan Teqja dhe fshatrat, u vra Xhide Sallaku, arrestuan 60 burra në Staveç e Gjon, dogjën 20 shtëpi në Lenë, shumë të tjera u bastisën, pushkatuan Ramazan Alhasa, Demir Alhasa, Rrahman e Muharrem Alhasa, Riza Kenga me bashkëshorten Mereme dhe nënën e tij Farie Kënga. Teqja e Poshtme e Martaneshit u dogj plotësisht.

Flaka e Teqes së Martaneshit ishte pishtari i luftës Nacionalçlirimtare që ndezi akoma më shumë urrejtjen e popullit shqiptar kundër pushtuesve, shkruante buletini i “Zërit të Popullit”, më 23 shkurt 1943.

Më 16 prill 1943 aksioni i Xibrakës në rrugën Elbasan-Librazhd. 3 makina u dëmtuan u plagosën 5 ushtarë italianë, një shaptilograf dhe disa pako letër ranë në duart e partizanëve. Tradhtarët dhe bashkëpunëtorët e pushtuesve megjithëse të pakët edhe në Martanesh bënë përpjekje për të sabotuar luftën Nacionalçlirimtare. Ata nxitën gjakmarrjet e vjetra, pakënaqësitë, ish kryepleqtë bënë përpjekje për të sabotuar luftën. Haxhi Llani zv/komandanti i çetës së Mataneshit ishte një nga dëshmorët që u sakrifikua nga reaksioni vendas në bashkëpunim me pushtuesit e huaj. Veprimtaria armiqësore e tyre u frenua nga vrulli dhe shpejtësia më të cilin u rrit lëvizja Nacionalçlirimtare. Vetë fshatarët demaskuan parinë dhe pasuesit e tyre. Baba Faja me autoritetin e respektin e madh që kishte në popull dha një kontribut të pazëvendësueshem.

Në shkurt 1943 në çetë erdhi komisioni i ri Llambi Dishnica. Krijua celula e Partisë me anëtarët e saj Avram Koja (Zv.komisar) Nasebi Rama, Qazim Alia, Jashar Muça e Hasan Bajraktari. Komisari ishte edhe sekretar i celulës së Partisë. Çeta u rrit me partizanë të rinj midis tyre edhe gra si Farie Shehu (qysh në ditët e para) Zenepe Goxheri, Fatime Ndreu, Zyhra Lena bashkë me Hanife Balën, Fatime Canin, Mine Peshku, Sajme Mali, Tane Ndreu, Hatije Peshku, Sajme Peshku, Tane Biçaku, që i dhanë një ndihmë të madhe lëvizjes Nacionalçlirimtare në Martanesh.

Aksioni kundër postës së xhandarmërisë Lunik-Librazhd. Kuestori i Prefekturës së Elbasanit në një njoftim për Drejtorinë e Policisë mbretnore nënvizon. Në orën 3.00 të datës 1 të këtij muaji (qershor) afro 80 vetë të armatosur të bandës komuniste të Babait të Martaneshit rrëzuan kazermën e e xhandarmërisë në Lunik. Partizanët morën të gjitha armët, municionet dhe materialet e tjera dhe u larguan drejt Orenjës për në Ballenjë (morën pjesë çeta e Martaneshit, Grykës së Madhe dhe Çermenikës).

Dëshmorë të çetës së Martaneshit janë Hasan Islami, Rihana Kenga, Rihana Kaca, Demir Alhasa, Shaban Kenga, Riza Kenga, Ramazan Alhasa, Muharrem Alhasa, Merjeme Hysa, Hysen Koxheri, Rexhep Kenga, Hajdar Mali, Rustem Hasa, Hike Sallaku, Myslym Grica, Zenel Koçi, Ramiz Fejza, Mahmut Lena bashkë me Ramazan Isakun, Naim Gjonin që u vranë pas çlirimit, por ndihmuan si fëmijë në vitet e luftës.

  1. Alia, Lutfi, iranë 2018, f. 154
  2. AIH. Epopeja e Luftës Nacionalçlirimtare, Tiranë 1980, f. 162.
  3. Alia, Qazim, “Historia e Luftës Nacionalçlirimtare Martanesh”, Kujtime, 1970.
  4. Alia, Qazim “Kujtime, Historiku i Martaneshit”, 1970.