Nuk ka ikur Agron Tufa, por ju të gjithë


Nuk ka ikur një individ, por ka ikur shkrimtari që shihte çdo ditë batakun në të cilin klikat uzurpatore të artit e kulturës zhysin shpirtin e një kombi.

Ikja e Agronit ka 30 vjet që ka filluar. Nuk ndodhi sot. Ka ndodhur ditën kur na bënë bashkëvuajtës e bashkëfajtorë.

Ikja e Agron Tufës është me e rëndë se ikja e Kadaresë në kohën kur diktatura numëronte ditët e fundit të saj dhe e kishte marrë rrugën e varrit.
Nëse ikja e Kadaresë rrëzoi fasadën e fundit të demokracisë proletare shqiptare, ikja e Tufës rrëzoi fasadën e mbetur të demokracisë së pretenduar shqiptare.
Të Demonkracisë dhe Demokraturës shqiptare 30 vjet pas rrëzimit de jure të regjimit komunist në Shqipëri.
Ikja e Kadaresë ishte akuze ndaj atyre që ushtruan diktaturën, ndërsa ikja e Tufës në të njëjtën masë është akuzë edhe për të gjithë shoqërinë shqiptare, stanin që prodhon bulmetin e thartuar në tridhjete vjet rresht.
Nuk ka ikur Agron Tufa. Ka ikur shkrimtari, publicisti, pedagogu, dhe së fundmi edhe drejtuesi i institucionit më antidiktaturë në Shqipëri. Nuk ka ikur një individ, por ka ikur shkrimtari që shihte çdo ditë batakun në të cilin klikat uzurpatore të artit e kulturës zhysin shpirtin e një kombi.
Ka ikur publicisti i censuruar që përballej çdo herë më botuesit e shitblerë të mediave dhe me dyert e mbyllura të studiove të uzurpuara nga këlyshët dhe shërbëtorët e Klikës së Rilindjes.
Iku pedagogu që prekte çdo ditë jo vetëm mungesën e interesit për ushqimin kulturor dhe artistik të atyre që do të jenë e ardhmja e vendit, por edhe politikat mediokre dhe klienteliste arsimore në atë vend.
Ka ikur edhe drejtuesi i atij institucioni që duhet të ishte më i shenjti dhe i paprekshmi në një vend që ka dalë nga diktatura më e egër komuniste e Europës për gjysmë shekulli.
Agron Tufa u neverit dhe u ngrit e iku nga ajo hale e madhe kutërbimim e së cilës mësëpari e ndjejnë shqisat intelektuale dhe jo ato fizike. Iku dhe ka bërë shumë mirë. Nuk ia vlen sakrifica individuale për të ndryshuar të ardhmen e atij vendi të banuar në pjesën dërrmuese nga njerëz indiferentë, apatikë dhe rehatlinj, nësë do përdorja fjalet më të buta.
Nuk ka fatkeqësi më të madhe sesa në vitin 2020 të kërcënohet me jetë nga mbetje të neveritshme të diktaturës një intelektual prominent. Por në një vend ku kryetar parlamenti është ish ministri i Diktaturës, ku kupola qeverisëse përbëhet nga nipat dhe bijtë e Bllokmenëve, kur në krye të Akademisë së Shkencave është vënë një figurë politikisht e diskredituar, pritet të ndodhin gjithnjë të tilla gjëra.
Ikja e Agronit ka 30 vjet që ka filluar. Nuk ndodhi sot. Ka ndodhur ditën kur na bënë bashkëvuajtës e bashkëfajtorë.
Atë ditë ka ikur Agroni.
Ka 30 vjet në ikje Agroni shqiptar. Për turpin e të gjithë atyre që drejtuan atë vend në këto tridhjetë vjet. Majtas e djathtas, njësoj përgjegjës për çfarë ka ndodhur pas rrëzimit të monumenteve të diktatorit e deri më sot.
Vallë nëse nuk do të ishte tradhtuar që në djep ëndrra jonë e dhjetorit 90-të do kishim rreth nesh sot si vendimmarrës për fatet e vendit qënie pa integritet dhe moralisht të pështira si Brahot, Brokajt e Gjinushët? Pa përmendur qindra të tjerë si ata që shfaqen herë si politikanë, oligarkë e herë si manjatë mediash, të gjithë njësoj spekulatorë të neveritshëm në një vend të mbushur me spektatorë.
Ikja e Agron Tufës nuk është kambanë alarmi, por thyerja e kësaj kambane. Ishte thyerja e kambanës e fundit që ra për veshët tuaj të shurdhët për shumë kohë, por ju e injoruat, e anatemuat, bëtë sikur nuk ishit aty, ju dukej delirant, arrivist, i ekzagjeruar.
Tashmë është vonë.
Moralisht keni ikur të gjithë nga ai vend, edhe pse fizikisht vazhdoni të frymoni aty.
Pyeteni një herë veten: A kishte nevojë Agron Tufa të kacafytej aq keq me monstrat prostatike deri sa të detyrohej të merrte në atë moshë me gjithë familjen rrugën e mërgimit? Me kapacitetin intelektual dhe artistik të dëshmuar më së miri ndër shumë vite ai mund të siguronte një jetesë të qetë e të sigurtë për veten dhe familjen.
Përse vallë zgjodhi të jetë David vetmitar përballë hordhive të Goliadhëve të kuq dhe mavi që akoma mbajnë peng Shqipërinë?
“Think about it!”, – thonë këtu ku jetoj unë në raste të tilla.”Think about it!”