Adivie Lazri, zonja e hekurt e maleve të Dibrës


Një bust në vendlindje, në Bllatë, në ndarje së Rrugës së Arbrit drejt Dibrës së Epërme dhe Dibrës së Poshtme, në 100 vjetorin e lindjes së ADIVIJE HASAN LAZRIT…

Nga Abdurahim Ashiku

Enjihni ADIVIE LAZRIN?
Brezi im e njeh. Mjafton të shkruash emrin ADIVIJE LAZRI dhe në kujtesë të vjen e gjallë, një grua-burrëreshë, e hekurt në punë dhe në jetë. Ajo jetoi në një kohë të vështirë, më të vështirën për një brez femëror, por më të lavdishmin për kontributet që dha në betejën që filloi ato vite, betejë që vazhdon edhe sot, emancipimin e gruas, emancipimin e shoqërisë shqiptare, ende nën thonjtë e obskurantizmit mesjetar.
Për të rinjtë dhe të rejat po e sjell zbehtë, se heroizmin e saj me shoqe nuk e nxënë volume të tëra.
Adivie Lazri lindi më 10 janar të vitit 1923 dhe u nda nga ata që i desh dhe e deshën më 6 shtator 1999, në moshën 76 vjeç, ende e re për ti dhënë[ Dibrës vlerat e saj…
Lindi në Bllatë të Epërme të Maqellarës në një familje të varfër fshatare. Pesë klasë të fillores i kreu në Allajbegi ndërsa shtatëvjeçaren në Maqellarë… Në vitin 1942 i vdes babai, për ti lënë më të madhes, Adivijes, ndër katër fëmijët e Hasan Lazrit, motrës dhe dy vëllezërve barrën e rëndë të familjes.
Thonë se ishte një vajzë e shkathët, e kudogjendur, e dashur dhe e lidhur me njerëzit.
Bashkë me Zife Gjocin Adivie Lazri zgjidhet për të drejtuar organizatën e rinisë dhe të gruas në fshat. Një detyrë e vështirë në kushtet e asaj kohe kur vajzat dhe gratë ishin nën trusninë e një jete të mbyllur nga zakonet dhe nga paragjykimet shoqërore e fetare. E kjo trusni fillonte në gjininë dhe gjakun e saj, xhaxhallarët e të tjerë që nuk e kuptonin të renë që kishte lindur e ecte duke mposht konceptet e paragjykimet prapanike. Dy nipërit e saj, Dilaver e Xhetan Muça iu bënë krah dhe barrikadë mbrojtjeje…
Në vitin 1945 në Bllatë vjen si doganiere një personalitet i gruas Dibrane, një ndër veprimtaret më të dalluara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Sibe Gjura. Adivija e priti me gëzim duke i lëshuar për jetesë, bashkë me djalin e saj Maliqin, një dhomë të familjes së saj. Bashkë me Zife Gjocin e prezantuan Sibe Gjurën fshat më fshat duke u pranuar me respekt e dashuri si banore e Bllatës së Epërme.
Në vitin 1946 emërohet instruktore e organizatës së Bashkimit të Grave të Shqipërisë për Dibrën. Në vitin 1947 zgjidhet kryetare e Bashkimit të Grave të Shqipërisë për rrethin e Dibrës.
Që nga viti 1946 e deri në vitin 1969, për 23 vjet ka punuar me gratë në Dibër…
Për një njeri që nuk e njeh kohën, që nuk ka lexuar asgjë e nuk ka dëgjuar për vështirësitë e atyre viteve kur buka, për shkak të luftës qe kthyer në legjendë, kur niveli arsimor dhe kulturor i popullit ndriçohej vetëm nga 32 shkolla fillore me 1280 nxënës e 62 mësues, kur zakonet prapanike rëndonin egër mbi shpatullat dhe qenien e gruas, është vështirë ta kuptosh vajzën e re Adivije Lazri në detyrën saj për emancipimin e vajzës dhe gruas dibrane.
“Sikur të isha djalë” shpërthente në një roman shkrimtari dibran Haki Stërmilli ku vajza dibrane e kërkonte të ardhmen jo në gjininë e saj, si vajzë dhe grua, por si djalë, si burrë.
Adivije Lazri do të bëhej simbol i kohës që vajzat dhe gratë të dilnin në dritë me tërë dhuntitë e saj, të punës, të personalitetit, të jetës shoqërore, të arsimit, kulturës…Një rrugë e gjatë, e vështirë, me shumë pengesa që obskurantizmi do ta shihte në grykën e pushkës.
“Shkollë femërore e mashkullore në Peshkopi, në Brezhdan, Bellovë, Grevë…” shkruhet në një dokument të 14 nëntorit 1934…“Shkollë femërore në Peshkopi me dy mësuese dhe 66 nxënëse…”
“Shkollë fillore e përzierë në Allajbegi me një mësues dhe 90 nxënës …”
E ndarë shihej vajza dhe gruaja dibrane, e ndarë në shtëpi ku shprehej se edhe trarët qajnë kur lind vajzë, e ndarë në shkollim, edhe në atë pak dritë dijeje që vinte nga pak vite larg, e ndarë në punë, jetën shoqërore. Ajo ishte e detyruar që botën ta shihte përmes perçes së zezë mbi fytyrë…
Duheshin pishtarë që fytyra e gruas dibrane të merrte pak dritë. E një ndër këta pishtarë do të ishte vajza e re nga Bllata e Maqellarës…
Nga arkivi im, lundrim faqe gazetash të atyre kohëve po përcjell disa tituj kronikash…
18 maj 1946
Pardje u bë në këtë qytet inaugurimi i maternitetit. Ky institut u ngrit me iniciativën dhe punën e palodhur të gruas antifashiste.
U bë inaugurimi i maternitetit edhe në Zerqan… Për herë të parë ngjet që Qeveria të hapë maternitet nëpër krahinat…
29 maj 1946
Me një ceremoni të thjeshtë ku merrnin pjesë mjaft të ftuar…u bë inaugurimi i shtëpisë së kulturës… Është e para herë që në Peshkopi hapet një shtëpi kulture, e cila do të jetë një vatër për përhapjen e kulturës së re.
2 qershor 1946
Në nënprefekturën e Qendrës hapen 16 shkolla fillore dhe një shkollë unike.
6 nëntor 1946
Në qytetin e Peshkopisë funksionon një bibliotekë popullore e cila frekuentohet mesatarisht prej 150 lexuesve në muej.
Në gazetën “Bashkimi” 2 qershor 1946 krahas njoftimit se “Në nënprefekturën e qendrës hapen 16 shkolla fillore dhe 1 shkollë unike” shkruhet që “Ngrihen 58 kurse kundër analfabetizmit me 875 nxënës dhe tre stacione shkollore. Japin mësim 37 mësues” Shkruhet se “I gjithë populli ka bërë 19.288 orë punë vullnetare në sektorin e arsimit, duke i kursyer pushtetit 90.400 franga shqiptare”
Për të zhvilluar arsimin dhe kulturën në këtë kohë gratë dhuruan edhe kujtime të çmuara të jetës së tyre. Në gazetën “Bashkimi” shkruhet se Safije Baholli dhuroi një palë vathë floriri kurse Mereme Shehu një myhyr floriri. “
“Bashkimi” shkruan më 12 korrik 1946 se “Populli i Peshkopisë u shpall garë gjithë prefekturave të Shqipërisë” me pikë të parë “Ngritja e 37 shkollave fillore”.
Shkolla pedagogjike e Peshkopisë, “universitet” i verilindjes së Shqipërisë, hapur në vitin 1947, do të ishte një shkollë “mashkullore” për shumë vjet derisa në vitin 1959 do të dilnin prej saj kontingjenti i parë i madh me mësuese të reja; Tefta, Kumria, Hidja, Sanie Berisha, Sanie Zeneli…, për të shpërthyer kënga-valle:
Oj Sanie oj motër-ooo
Hiqe vallen rrotull-ooo
Deri atëherë në Dibër do të vinin mësues e mësuese nga e gjithë Shqipëria. Nga një letërkëmbim me mësuesen time në Brezhdan NIGJARE VINÇANI në vitin 1951 po shkëpus një fragment që flet qartë për heroikën e një brezi që përcolli në Dibër emancipimin e gruas dhe dibrane…
“Akoma pa mbushur 16 vjeç, pas një kursi metodik pedagogjik, lash Beratin dhe erdha në Peshkopi, fillimisht në fshatin Brezhdan, i cili më ka lënë mbresa të paharruara në kujtesë dhe pastaj në kufi, në fshatin malor të Cerjanit ku e ndjeva veten në shtëpinë time. Pra për herë të parë hyra në jetë, në punë si arsimtare për tu dhënë njohuritë e para të gjuhës sonë të bukur shqipe vocërrakëve aq të etur për dije. Në këtë kohë aq të vështirë për të jetuar ku përveç varfërisë qemë të detyruar të përballemi edhe me kërcënimet dhe ofendimet e disa skeptikëve apo keqdashësve që e shihnin si luks duke ndikuar që fëmijët e sidomos vajzat të mos ndiqnin shkollën. Pra ne arsimtarëve të atij brezi na duhej jo vetëm të jepnim mësime në shkollën fillore etj. por edhe të shkonim në çdo familje, shtëpi më shtëpi për tu mbushur mendjen disa prindërve që hezitonin të dërgonin fëmijët në shkollë si dhe për të grumbulluar të gjithë analfabetët në kurset e luftës kundër analfabetizmit që i zhvillonim mbrëmjeve pas pune.
Për mungesë të klasave dhe numrit të domosdoshëm të arsimtarëve na duhej të jepnim mësim në klasa kolektive. Puna kaq e ngarkuar na detyronte të përgatisnim planet e punës për dy klasa dhe kurset e analfabetizmit deri natën vonë. Por kjo punë, megjithëse e lodhshme nuk na demoralizonte, përkundrazi ndjenim sadisfaksion. Ne e bënim këtë sepse e quanim për detyrë ndaj brezave, e quanim të domosdoshme dhe në asnjë mënyrë nuk na shkonte mendja se të kesh dhënë apo të japish mësim në fshat është ofendim apo ke qenë dhe je i persekutuar. Një mendim i tillë është ofezë për çdo patriot, ofezë për rilindësit që kthenin shtëpitë e tyre në shkolla dhe nën kërcënimin otoman apo të shovinistëve grekë, serb apo maqedonas, u jepnin dritë, pra u jepnin arsim fëmijëve shqiptarë të lënë në errësirë duke sakrifikuar edhe jetën. E pra, këta, qenë frymëzimi për ne dhe e quanim për nder të mësonim fëmijët e malësorëve të lënë në errësirë e injorancë pa shkrim e lexim.”
Ishte e vështirë “koha” e Adivije Lazrit. Pikërisht në rrjedhë të kësaj kohe i takoi të punojë. Kohë e vështirë ekonomike, nivel të ulët shëndetësor përballë epidemive (Një spital me 25 shtretër kishte Dibra në vitin 1946. Një spital vetëm në qytet. Asnjë në fshat. Pesë spitale do të kishte në vitin 1966, dy në qytet dhe tre në fshat me 223 shtretër… Zakone prapanike e paragjykimet fetare, veprime subversive që morën jetë veprimtaresh, hakmarrje e gjakmarrje, fillesat e kolektivizimit, tensione të luftës së klasave e një sërë problemesh që për gratë ishin të panjohura e të pa përgatitur për ti përballuar, lidhur kjo edhe me analfabetizmin dhe nivelin arsimor, presionin ndaj tyre që nga familja e akoma më shumë në rrethin e gjerë shoqëror.
Dy ngjarje të mëdha, hapja e Rrugës së Rinisë Kukës Peshkopi në vitin 1946 dhe aksionet kombëtare si ai i hidrocentralit të Ulzës do të ishin një shkollë e madhe për vajzën nga Bllata, tash drejtuese të gruas dibrane. Dy herë do ta çonte motrën e saj, Seren 14 vjeçare në aksionin e dritës. Do të shkonte edhe shoqja e saj e punës dhe e aksionit Hasie Miftari (Pira) një fotografi të së cilës po e përcjell si dokument i kohës ashtu siç po përcjell edhe shumë foto të tjera…
Në këtë vorbull të paparë problemesh vajzës së re nga Bllata e Maqellarës iu desh ta përqendrojë vëmendjen në ngritjen e nivelit të punës të organizatës së BGSH në çdo fshat: Krijoi grupe që u shquan për veprimtari kudo. Në Sllovë aktivizoi Fidaie Rexhën e cila shtëpinë e saj e ktheu në spital partizan, në Lurë Dile Vladin, në Mqellarë Zife Gjocin e Zirakë Gjonin, në Shupenzë Sibe Gjurën e Hasije Miftarin (Pira), në Ostren Hazize Muçën, në Klenjë Hatixhe Avdën, në Brezhdan Aishe Hajrullain etj.
Të gjithë veprimtaritë i ndiqte vetë. Në kushtet e kohës në të shumtën e fshatrave shkonte në këmbë. Edhe në dimër i ka takuar të shkojë me Dila Vladin në fshatrat Kumbull e Mërkurth asokohe pjesë e Dibrës…
“Nga viti 1972 deri në vitin 1986, kujton vëllai i saj Shahin Lazri, kemi jetuar 7 persona në një hyrje të vogël prej 42 metro katrore, Adivija dhe unë bashkë me familjen…”
Adivije Lazri do të mbahet mend si një nga deputetet e para gra të Dibrës, deputete në tre legjislatura të Kuvendit Popullor, si anëtare e Këshillit Popullor të Rrethi, anëtare e Byrosë së Partisë të rrethit, drejtuese të kuadrit në Ndërmarrjen Tregtare dhe Ndërmarrjen e Prodhimeve të ndryshme, si një grua e hekurt dibrane që dha gjithçka për Dibrën dhe gruan e vajzën dibrane.
Adivije Lazri përgatiti dhe la pas një brez të gjerë veprimtaresh të gruas dibrane…Tefta Cami, Sanije Batku, Sheza Balliu, Rina Rena, Ismete Jashari, Bukurie Kaja, Kumrie Shehu, Hatixhe Avda, Lirie Rexha, Lirie Rasha, Mira Neziri, Vera Muça, Hajrie Karasani, Hamdie Beqiri, Kimete Goxhi, Violieta Kola, Nevrez Manjani, Merita Lala, Dashurie Gjunkashi, Sanie Çipuri, Eli Gushi etj., etj., për të ardhur tek gratë e ditëve të sotme, Frezileta Gjika, Marjana Bulku Zeneli, Miranda Troci Derti, Margarita Markja … që janë në ballë jo vetëm të grave por edhe të burrave të Dibrës që i thonë JO SKAVICËS, jo zhdukjes përgjithmonë të luginës së saj pjellore e historike të Drinit të Zi e të mbarë Dibrës, me guxim qytetar, me dije shkencore e kulturë të gjerë publike.
Më 10 janar 2023, jo larg, 9 muaj më pas, Adivije Hasan Lazri ka përvjetorin e NJËQIND të lindjes.
Një vlerësim publik i saj, një bust në vendlindje, në Bllatë, në ndarjes së Rrugës së Arbrit drejt Dibrës së Epërme dhe Dibrës së Poshtme, do ti bënte nder Trevës…
Një firmë imja si gazetar, firmë që me siguri do ta nënshkruajnë mijëra burra e gra që e njohën dhe jetuan kohën e saj, në një kërkesë drejtuar Këshillit Bashkiak të Dibrës që ADIVIJE LAZRI të nderohet me titullin “NDER I DIBRËS”, një bust në vendlindje, në Bllatë, në ndarjes së Rrugës së Arbrit drejt Dibrës së Epërme dhe Dibrës së Poshtme, do ti bënte nder Trevës…
31 maj 2022