Protestë në Londër kundër Skavicës


“Kemi besim që dibranët do të zgjohen nga gjumi letargjik, për ta vlerësuar vendlindjen. Nuk kemi kohë për kritika të merituara, por do gjejmë durimin për ti pritur krahë-hapur, për të na u bashkuar në ditët në vijim”, thuhej mes të tjerash në njoftimin pas protestës.

Protesta përballë zyrave të Bechtel në Londër. Foto nga faqja në Facebook e Aleancës për Dibrën

Çështja”Skavicës” vazhdon të trazojë jetën e banorëve në Dibër dhe komunitetit dibran nëpër botë. Më 23 shkurt 2023, grupimi i quajtur “Aleanca për Dibrën” që drejtohet nga biznesmeni Zenel Hoxha, zhvilloi një protestë në Londër, përballë zyrave të kompanisë qendrore të Bechtel.
“Aleanca për Dibrën” njoftoi në faqen e saj në Facebook se “protesta e Londrës përçoi mesazhin e duhur të kompania Bechtel, e cila është përfshirë në klanin mafioz qeveritar shqiptar dhe atë ndërkombëtar të sojit McGonigal, për zhdukjen e Dibrës”.
Aleanca për Dibrën (AD) synon që ta ndalojë ndërtimin e Skavicës përmes vënies në dukje të korrupsionit qeveritar si dhe akuzave se kjo qeveri punon kundër interesave kombëtare.
Sipas AD kjo “qeveri është më antikombëtare në histori, është qeveria më e korruptuar në botë, është qeveria shqiptare më anti Amerikane në histori!”.
“Projekti ‘Skavica’ është projekti më korruptiv në Europë”, thuhet në njoftimin e protestës së 23 shkurtit në Londër. Aleanca u bën thirrje shqiptarëve të ngrihen “në këmbë, për Dibrën, që nga fëmija në djep”.
“Shqiptarët, dibranët nuk duhet ta njohin atë qeveri që spastroi atdheun nga rinia. Çdo marrëveshje me këtë qeveri është e pavlefshme”, thuhet në deklaratën e Aleancës për Dibrën të shpërndarë në Facebook.
Drejtuesit e protestës kanë premtuar se “nuk do të ndalemi kurrë derisa Lugina e Drinit, Dibra mbarë vendlindja e Heroit tonë Kombëtar, të shpallet zonë e mbrojtur nga Bashkimi Europian”.
Protesta kishte pak pjesëmarrës dhe, pas protestës, në një reagim në faqen e tyre në Facebook, shprehën pezmin për pjesëmarrjen e pakët të dibranëve në protestë.
“Kemi besim që dibranët do të zgjohen nga gjumi letargjik, për ta vlerësuar vendlindjen. Nuk kemi kohë për kritika të merituara, por do gjejmë durimin për ti pritur krahë-hapur, për të na u bashkuar në ditët në vijim”, thuhej mes të tjerash në njoftimin pas protestës.
Kjo protestë në Londër ishte e dyta, pas asaj të zhvilluar në tetor 2022 nga grupimi “Kundërshtimi ndaj digës së Skavicës”, drejtuar nga Ferzileta Gjika. Kjo e fundit organizoi më 25 shkurt 2023 në Peshkopi, në Hotel Veri, një takim me temë “Për Dibrën o Sot o Kurrë, Nesër është Shumë vonë”, ku disa banorë të zonës dhe aktivistë kundër Skavicës dhanë argumentet kundër këtij projekti.