Intelektual i vlerave dhe përkushtimit për jetën


Krenaria dhe thjeshtësia, dy tipare të çmuara njerëzore, dy shina jete, të cilat, siç thotë populli, lum kush i ka. Krenarinë e ka intelektuali i përkushtuar, i urtë e zemërdlirë. Thjeshtësinë e ka po ky, por që djersë e shpirt i ve në sherbim të popullit, të jetës, të njerëzve në nevojë.
E dha mirësia, si i thonë, të njoh mjekun Kurt Kurti, birin e Shkallës së Xibrit të Matit, për atë që kisha dëgjuar për punën dhe provat në sherbim të detyrës. Vërtetë del ajo që thotë mençuria popullore: Me të mirin të pjek fati… E kur takon njerëz të mirë e fisnikë, si mjekun Kurt Kurti, sikur të thërret një zë i brendshëm, të nxit një thirrje njerëzore për të shkruar qoftë edhe pak radhë. Përsëri sikur mbetemi me një peng, një boshllëk të madh në zemër e në shpirt përpara punëve, provave, gomerëve të jetës, sepse kurrësesi nuk mund të thuhen në përimtësi shembëllimet në detyrë, arritjet, traditat e mbi të gjitha humanizmi në një shkrim të theshtë, si është ky imi, siç është rasti i familjes Kurti nga Shkalla e Xibrit të Matit. Një familje në frontin e mjekësisë, dy prindër: mjeku Kurt Kurti e ndihmës mjeke e mamì Nahile Kurti (Dalliu) me tre fëmijët intelektualë të shquar në mjekësi, në sherbim të shëndetit, të jetës.

• • •
Jeta është luftë, jeta është provë dhe shembëllim. Por këto i ka ai që e vlerëson, që lufton për jetën, për mirësinë, për të lënë gjurmë fisnikërie. Provat dhe shëmbëllimi janë dy bedena që e lartësojnë dhe e zbukurojnë jetën. Këto dy bedena rrezatojnë në jetën e mjekut Kurt Kurti.
Kurt Veli Kurti u lind më 4 prill 1953 në fshatin Shkallë të njësisë vendore të Xibrit të Matit. Arsimin fillor e mbaroi në fshatin e lindjes, në Shkallë, kurse atë 7-vjeçar në Klos. Arsimin e mesëm në gjimnazin “31 Korriku” e përundoi në vitin 1970. Në çdo cikël shkollimi ra në sy zelli, përkushtimi për dituri dhe arritjet e larta mësimore. Në vitin 1976 Kurt Kurti u diplomua mjek në Universitetin e Tiranës. I edukuar nga familja e tij me virtytet e rralla, me dashuri për mësimin dhe traditat, kulturën e mikpritjes, të peshës së fjalës së dhënë e të përpjekjeve për jetën.
Mjeku i ri Kurt Kurti filloi punë dhe shërbeu dy vite në Burrel, shtatë vjet në Xibërr, katër të tjera në Seksionin e Shëndetësisë në Burrel dhe i Qarkut Dibër nga viti 2007 deri 2013. Më 15 gusht 2018 mbushen plot 30 vite pune si mjek i palodhur i ekspertizës në degën e Sigurimeve Shoqërore në Burrel. Kudo ku punoi la gjurmë të përkushtimit, korrektësi e lidhje të ngushta me njerëzit, i thjeshtë, gojëmbël e i papërtuar në mbrojtje të shëndetit të popullit. S’ka fshat e lagje të Xibrit, Klosit, Matit në përgjithësi dhe rrethinat e tyre, që nuk ka shkelur mjeku Kurt Kurti. Te dashuria për profesionin dhe respekti për njerëzit, te vlerësimi i detyrës, njohja e gjuhës së popullit dhe traditave qëndron suksesi në arritjet e këtij intelektuali këmbëngulës në shërbim të popullit, në ndihmë të pacientëve a të njerëzve që janë në nevojë, në kërkim të së vërtetës ligjore në fushën e mjekësisë. Janë të panumërta rastet kur mjeku Kurt Kurti u ka ardhur njerëzve në ndihmë në Shkallë, Xibër, Ketë, Qafë-Murrizë, Guri i Bardhë etj, duke thërmuar edhe gjumin, duke rendur si maratonomak në ruajtjen dhe kujdesjen e shëndetit. Dhe puna e mirë, shpirti i dlirë, pasioni e sedra profesionale i ka dhënë emër, “dekoratat” më të mëdha, (ndonëse në 43 vite punë shembullore nuk ka asnjë dekoratë) të cilat janë nderimi dhe respekti i popullit, i kolegëve, i lagjes dhe vendlindjes. Provat dhe shembëllimi, ja dy bedenat e mjekut Kurt Kurti.

• • •
Udhët e dijes e të puës, provat në aftësimin profesional dhe ato të sherbimit të kulturuar janë dëshmitë e rritjes që rrezatojnë fisnikëri nëpër vite. Gjurmët e punës së mirë nuk arrihen lehtë. Ata kërkojnë dije, përkushtim, sedër e shpirtmadhësi, cilësi këto që kanë rrezatuar e rrezatojnë te mjeku Kurt Kurti. Kultura dhe traditat familjare, aftësimi dhe pasioni për profesionin, shërbimi ndaj popullit, kanë bërë që të rritet në sy të brezave, të shëmbëllejë dritën e humanizmit, dritë mirësie.
Cilido që e njeh mjekun Kurt Kurti zbulon tek ai thjeshtësinë, nderimin për shokët, urtësinë, dashurinë për vendlindjen, krenarinë legjitime për traditat e familjes, për bashkëshorten e nderuar Nahile Selim Kurti (Dalliu), për tre fëmijët si yje e të mbarë: Miranda, Eduardi dhe Arenita, intelektualë të palodhur në udhën dhe frontin e mjekësisë. Atdhetarizmi dhe geni i bujarisë familjare dëshmojnë qartë te provat e fisnikërisë së babait Veli Kurti e nënës bujare Hamide Osman Kurti (Hidri), të cilët rritën dhe edukuan mjaft mirë djemtë: Kurt (mjek), Ramazan (mësues histori-gjeografie në Kamëz të Tiranës), Haki (bujk në shkallë dhe minator miniere në Batërr e Bulqizë), Hydajet (elektricist në Xibër), si dhe vajzat Mane e Nazmie. Secili nga vëllezërit dhe motrat e Kurt Kurtit ka bërë emër pune, emër për vlerat njerëzore, për fisnikëri të trashëguar nga familja dhe farefisi i nderuar.
Babai, Veliu, në vitin 1944 u radhit në Brigatën XXIII Sulmuese, si luftëtarë i lirisë, ku kreu me besnikëri detyrat si partizan në skuadrën e disiplinës në rajonin Mat-Krujë. Sot bijtë, nipërit dhe mbesat ruajnë si relike të çmuar dëshminë e tij të partizanit, luftëtar i atdheut. Shpesh ai, krahas luftës e qëndresë, kujtonte emrat e Ali Rexhës, Mustafa Kaçaçit e plot të tjerëve. E ëma, Hamide Osman Kurti (Hidri), tregoi prova bujarie e kulture, ku me sakrifica rriti dhe edukoi gjashtë fëmijët (katër djem e dy vajza). Është mbesa e Ali Ahmetit në Xibër-Murrizë, i cili strehoi karvanet e Dibrës dhe njerëzit e eksodit që shkaktuan pushtuesit serbë e plot të tjerë. Për vëllezëtit e nënës së Kurtit, Beqir dhe Halil Hidri, ka shkruar i paharruari Dhimitër S. Shuteriqi. Saliu (brigadier në minierën e Batrrës) dhe Mehmet Hidri në bujqësi, janë modeli i njerëzve të punës, bij të lidhur me fshatin, me traditat e fisnikërisë, njerëz të urtë të kulturës popullore. Të lidhur me minierën dhe bujqësinë, me familjen dhe përvojat e jetës, ata janë shembulli më i mirë i virtyteve, i vlerave dhe tipareve të njerëzve punëtorë me shpirt të fisnikëruar.
Krahas prindërve e dajave të mjekut Kurt Kurti në ecjen përpara ka ndikuar edhe familja e tij e kulturuar dhe e përkushtuar. Bashkëshortja Nahile Selim Kurti (Dalliu), ndihmës mjeke e mamì, që prej vitit 1974 shërben me devotshmëri. Së bashku rritën dhe edukuan tre fëmijë, secili më i mirë e më i zoti se tjetri. Vajza e madhe është infermiere e lartë, specialiste e palodhur laboratori biokimie. Djali Eduardi ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë për stomatolog dhe ka klinikë pune në Paskuqan të Tiranës. Vajza tjetër, Arenita, ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë për farmaciste. Pra, pesë pjesëtarët e familjes Kurti shërbejnë në mjekësi, të gjithë të arsimuar e të përkushtuar. Edhe tre fëmijët me fakultet mjekësie pasojnë shembulllin e prindërve, shembullin human që këto tregojnë mbi katër dekada në ruajtje të shëndetit, në roje të jetës. Gjithçka në përvojat e traditës e të punës në familje ka lënë gjurmë te mjeku Kurt Kurti dhe nuk harrohet në udhët e profesionit e të shërbimit. Kështu, vëllai i gjyshit të Kurtit, Beqiri, ka qënë kryeplak në Shkallë për shumë kohë, por edhe 7-8 vjet emigrant në Turqi.
Mjeku Kurt Kurti gjithnjë flet për traditat dhe kujton me nderim kolegët Xhelal Dezhgiu, Fotaq Gjika, Besim Hoxha, Arianit Bukaçi, Nikollë Bushi, Muharrem Rama, Xhemal Keshi… Për mjekun Kurt Kurti flasin me respekt të thellë të nderuarit Hamdi Hysuka, Faik Xhani, Hasan Nur Frangu, Adem Taka i Xibrit. Jeta dhe puna e mjekut Kurt Kurti është sa e thjeshtë aq dhe e madhërishme, sa e bukur aq dhe e përkushtuar, sa e lodhshme aq dhe krenare. Për vitet e shkollës e të punës, për shërbimet e pakursyera në roje të shëndetit, për familjen dhe fëmijët e edukuar dhe të shquar si intelektualë të mjekësisë, për bashkëshorte Nahilen, ndihmës mjeke dhe mamì e dalluar, mbesë e filozofit, poetit dhe ish-mësuesit të parë Normalist, qëndrestarit përballë vuajtjeve nga diktatura, hafiz Ibrahim Dalliu, për shokët dhe miqtë e harruar, për përvojat dhe gjurmët në roje të shëndetit e të jetës. Ja pra, përse krenohet e duhet të krenohet mjeku Kurt Kurti i Matit. Shërbimet në Burrel e në vendlindje (krahinën e Xibrit), puna në Qarkun e Dibrës dhe përvoja në Seksionin e Shëndetësisë Burrel, tashmë tri dekada pune mjek i ekspertizës në Sigurimet Shoqërore në Burrel, thonë plot gjurmë pune e jete. Ndonëse më 1985 u vendos me banim në qytetin e Burrelit, së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët, nuk e harrojnë vendlindjen, traditat, përvojat. Shembëllimi ndaj detyrës, pasioni në profesion, korrektësia në sherbim mbi dyzet vite punë, kultura e komunikimit, mirësjellja dhe mirënjohja njerëzore, fjalët e mirësisë që shpreh cilido që e njeh në Mat e Dibër, Bulqizë, Klos e Xibër a gjetkë, tregon se mjeku Kurt Kurti është intelektuali i vlerave dhe përkushtimit për jetën. Urime në breznì mjeku Kurt Veli Kurti i Shkallës së Xibrit të Matit!