Ganimete Jashanica një këngë të re për Dibrën e Madhe


Ganimete Jashnica

Ganimete Jashanica, motra e Dibrës së Madhe,
pret përkrahjen e dibranëve për projektin e ri

Kënga është elementi kryesor që e ka krijuar populli ynë për t’i shprehur ndjenjat e tij ndër shekuj. Asnjë fatkeqësi, pushtim apo edhe fe nuk e kanë errësuar dot rrezëllimin e këngës në gojë e zemër të popullit shqiptar. Asnjë jetë shqiptare nuk mund të ketë qenë jashtë veprimit trazues të këngës, kjo falë grupit të atyre artistëve që me zërin e tyre ditën të depërtojnë në “palcën” e çdo patrioti shqiptar. E këtillë është artistja jonë Ganimete Jashanica, e lindur në vitin 1966 në Prishtinë, që ka një karrierë 35 vjeçare të suksesshme artistike. Ajo, në gjithë këto vite i ka kënduar jetës shqiptare, dasmave, mallit të kurbetit, dashurisë, heronjve, momenteve të bukura e të vështira të jetës. Në periudhën e Luftës së Kosovës, në vitin 1998-1999 ajo, bashkë me familjen ashtu si gjithë populli i Kosovës, u largua nga vendlindja, për t’u bëtë kështu motra dhe bija e Dibrës së Madhe. Me Dibrën ajo u mishërua që ditët e para, ndonëse të tillë janë dibranët, të dalluar për mikpritje. Në shenjë respekti Ganimete Jashanica vendosi që Dibrës t’i falenderohet me një këngë, projekt ky i punuar me kompozitorin Përparim Tomçini. Për ta plotësuar dhe aktualizuar temën e këngës, para disa vitesh vendos t’i realizojë spotin, për të cilin i ishte premtuar përkrahja, gjë që artistja nuk e gjeti. Për të folur pak më tepër rreth marrëdhënieve të saj me popullin dibran dhe projektin që pret ta realizojë, Ganimete Jashanica – motra e Dibrës, na rrëfen me mall:

– Si u njohët fillimisht me dibranët dhe pse zgjodhët Dibrën në periudhën e luftës?
Ganimete Jashanica: Në vitin 1996, në Prishtinë u takova me Ibrush Salovskin nga Dibra e Madhe dhe më ftoi të këndoj në Dibër për festën e 8 Marsit. Ftesën e pranova me gjithë dëshirë dhe kjo ishte hera e parë që erdha në Dibër. Mbresat ishin aq të mëdha sa s’kam fjalë t’i përshkruaj, ndaj pas kësaj kisha kërkesë që të vazhdoj edhe dy mbrëmje të tjera. Në të tre mbrëmjet publiku më priti aq mirë saqë nuk mund t’i harroj kurrë. Publiku dibran i këndonte këngët bashkë me mua, gjë e cila me habiti fillimisht, por për një këngëtar është nder i veçantë kur këngët e tij dëgjohen dhe këngohen nga artdashësit. E veçanta e gjithë kësa ishte se populli dibran më çmoi dhe më bëri për vete, duke më ftuar nëpër shumë dasma e ahengje të tjera nga ku u krijua një shoqëri e pazakontë, shoqëri kjo që vazhdon sot e kësaj dite njëlloj si dikur. Represioni dhe situata në Kosovë çdo herë e më shumë rritej, Ibrushi na thirrte në telefon shpeshë duke na thënë: – Mos harroni, e keni një shtëpi në Dibër. Përë këtë arsye e zgjodhëm Dibrën dhe erdhëm gjatë luftës që të vëllazërohemi edhe më shumë me vëllezërit dibranë, ndaj jo më kot më quajnë “motra e Dibrës së Madhe”.

– Çfarë mbresash ju kanë lënë dibranët?
Ganimete Jashanica: Dibranët janë njerëzit më të mirë, më bujarë e më fisnikë që kam njohur… Më besoni, sa herë që vij në Dibër më duket se kam ardhur në shtëpinë time të dytë, sepse me familjen e Ibrushit, familjen e Agim dhe Kadrije Cekut, edhe të tjerë, i mbajmë lidhjet dhe për çdo vit vij për vizitë te vëllezërit e mij dibran. Kam aq shumë gjëra për të folur për popullin dibran dhe mikpritjen e tyre, sa nuk do të na dilte një roman…

Si lindi ideja e realizimit të këngës kushtuar vëllazërimit tuaj me dibranët?
Ganimete Jashanica: Desha që me anë të një kënge t’i përshkruaj përjetimet dhe ndjenjat e mija për Dibrën dhe dibranët, këngë të cilën e realizova në vitin 1999 të cilën e punoi Përparim Tomçini, nga Peshkopia. Këtë këngë e këndova në koncertin kushtuar ndihmave për fëmijët nga Kosova, e në disa koncerte të tjera në Dibër. Më premtuan disa miq nga Dibra që do ta punojmë këngën dhe do ta bëjmë spot, si një falenderim për popullin dibran që dhanë aq shumë nga vetja e tyre, që e ndanë sofrën me ne, e ndanë vuajtjen bashkë me ne… Kënga u punua, por premtimet mbetën vetëm në sirtaret e tyre dhe nuk mundi që të realizohej spoti, edhe pse unë ende nuk jam tërhequr nga qëllimi im…
Biseduam me të gjatë, evokuam mjaft kujtime nga e kaluara me dibranët, por edhe për dëshirën e madhe që ka për realizimin e spotit të këngës, sepse thotë: “Nuk këndoj për t’u pasuruar, por për t’i shprehur ndjenjat e pupullit tim, e unë s’jam nga ata artistë që përfitojnë nëpër mbrëmje e diskoteka të ndryshme”. Të rralla janë artistët e këtillë, të cilët fatkeqësisht e kanë pësuar nga koha në të cilën jetojnë, por jo edhe nga ata që dijnë të çmojnë vlerat e vërteta artistike. Urojmë që ky përshkrim të shkojë deri te duart e dibranëve të vërtetë, duke përkrahur financiarisht këtë projekt, i cili do të identifikojë dibranët nëpër breza!…