Kostandini e Doruntina dhe legjenda e Rrugës së Arbërit


Në dalje të Tiranës, paksa poshtë varrezave të Tufinës, qëndron një tabelë rrugore me emërtimin “Rruga e Arbërit”. Këtu e ka zanafillën kjo rrugë, ndërtimi i së cilës është kthyer ne legjendë. Dhe, si padashur, të shkon mendja tek nje legjendë tjetër e lashtë që lidhet me varrezat, siç është legjenda “Kostandini dhe Doruntina”. Në mënyrë të beftë, mendja fillon të punojë e të përqasë këto dy legjenda me analogjitë dhe ndryshimet e tyre.
Legjenda e lashtë ka në themel mbajtjen e besës. Ajo thotë se, kur Doruntinën me 12 vëllezër e kërkoi për nuse një princ i huaj, i cii e kishte mbretërinë “nëntë male kaptuar”, ishte Kostandini që i mbushi mendjen së ëmës që kjo martesë të bëhej, duke i dhënë besën se do t’ia sillte të bijën pranë sa herë që ajo do ta kërkonte. Por, të tërë vëllezërit u vranë në luftë bashkë me Kostandinin.
Nëna e tyre e moshuar, që i kishte mbetur gjallë vetëm e bija, shkoi tek varret e djemve të saj dhe ndezi nga një qiri, ndërsa mbi varrin e Kostandinit ndezi dy qirinj dhe derdhi lot, sepse ishte ai që i kishte dhënë besën se do t’ia sillte vajzën kurdo që do ta kërkonte. Legjenda i përket periudhës kur njerëzit e shikonin trupin dhe shpirtin në unitet si dy elementë bazë të ekzistencës dhe krijimit të individit në familje dhe në shoqëri, dhe spjegimi është se Kostandini u ngrit nga varri sapo shpirti i tij dëgjoi vajtimin dhe trupi ndjeu lotin e nënës. Më tej, dihet se ai shkoi dhe mori të motrën dhe ia solli të ëmës.
Për analogji, edhe historia e stërzgjatur e Rrugës së Arbërit u kthye në një legjendë që lidhet me besën për ta ndërtuar atë. Elementët e analogjisë mund të shihen qartë. Kështu, a nuk i është premtuar prej njëzet vitesh Popullit të Dibrës dhe të tjerëve (ashtu siç iu premtua Nënës së legjendës) se Rruga e Arbërit (Doruntina) do t’i sillej Popullit nga Qeveritë/Politika (alias Kostandini)? Por, deri tani, asnjë Qeveri nuk e ka mbajtur besën, ndonëse Populli (Nëna) ia ka kërkuar vazhdimisht me lotët dhe me zjarrin e shpirtit.
Siç duket, shpirti dhe trupi i Politikës nuk janë më të lidhur si dikur ishin aq të lidhura tek Kostandini dhe njerëzit e dikurshëm të besës. Qeveritë, Politika duket se kanë shpirt të tjetërsuar që nuk u bën më përshtypje as loti i vuajtjeve dhe nevojave të Popullit.
Me sa duket, Konstandinët e sotëm të Politikës janë gati të krijojnë një legjendë që është në antitezë të plotë me legjendën e lashtë: ata janë gati të bëjnë çdo gjë që të rrojnë vetë së më gjatë në karriget e tyre, madje duke varrosur edhe motrën e tyre Doruntinën- Rrugën e Arbërit, pikërisht aty ku ajo fillon, në Tufinë!
Tiranë, më 28 mars 2017