Diaspora shqiptare në SHBA, rubini i kombit shqiptar


Nga njembledhje e shoqatës Atdhetare Dibra në New York. Foto Ilustruese.

Kur përmendim diasporën Shqiptare anekandë botës, si një aset vlerash, nuk mund të lemë pa përmendur dhe veçuar rolin dhe kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë e sidomos asaj dibrane. Mërgatat e para  që u larguan nga Dibra e Madhe, ishte ajo pjesë e veçantë dhe integrale e qytetarisë shqiptare, që u vendos në disa shtete të SHBA-ve. Kujtojmë të parin përfaqësues të dibranëve në USA, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, tregtarin e njohur dibran Eqerem Kllobuçista, i cili me punë dhe vullnet, për një jetë më të mirë, u largua nga Dibra amë për të shtegtuar në fillim në qytetet e Evropës si, Itali, Francë e pas disa vitesh u vendos përfundimisht në State Islande, NY, USA. Ai u bë pelegrini i pare dibran, i cili plot emocion, lot dhe vajtim për vendin e tij dhe të parëve të tij, tërhoqi me dhjetëra e dhjetëra familje shqiptare nga trevat e  Dibrës, Kosovës, Malit të Zi,  për një jetë më të mirë.

Sot po bëhen përpjeke të vazhdueshme nga ana e diasporës dibrane, që të kultivojë jashtë kombit zakonet, tradita, kulturën dhe doket e ruajtura brez pas brezi. Një rol tepër të rëndësishëm, ku mund të veçohen ekipet kulturore dhe muzikore, si dhe ato sportive, si p.sh., ekipi i futbollit “Korabi”, në Amerikë, ku ka korrur suksese dhe mjaft trofe, në emrin e Kombit Shqiptar, në kampionatin amator të futbollit. E gjithë kjo mërgatë, tashmë pjesë e pandarë e vlerave amerikane, nuk i ka humbur e as nuk i ka eliminuar traditat e vyera, doket e mira. Këto familje shpesh mblidhen në raste festash kombëtare, si për ditën e Flamurit Kombëtar dhe thurin jehonë për Shqiptarinë, për të drejtat, liri dhe pavarësi për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, e Çamërisë. Këto janë heronjtë e heshtur të kombit tonë, të cilëve ju valëvitet atdhetaria dhe trimëria kombëtare në Amerikë. Me profesionet e tyre të nderuara, me punët e tyre, qoftë intelektuale, akademike, shkencore, por dhe sidomos dhe me dëshirën patriotike, kanë kontribuar me të gjitha forcat për të ndihmuar shqiptarët kudo që ndodhen. Kanë ndihmuar me mijëra familje shqiptare në USA, në fillim të viteve 92’, po ashtu u bënë protagonistë për liri dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, me ndihma mjekësore dhe humanitare, me veshmbathje dhe ushqime, logjistike, përmes donacioneve të biznesmenëve të ndryshëm dibranë në USA, por dhe përmes njerëzve të thjeshtë kur shihnin vuajtjet dhe gjenocidin serb mbi fëmijët, gratë dhe pleqtë e pafajshëm shqiptarë në vitin 1998; Ata përsëri bënë jehonë, ngritën zërin fuqishëm për të ndihmuar dhe shpëtuar mjaft jetë njerëzish të shqiptarëve të Maqedonisë në vitin 2000-2001; E kjo nuk harrohet! Nuk duhet harruar, përkundrazi duhet kujtuar si një piedestal dhe një obelisk i vyer i kombit shqiptar, besa dhe mirënjohja.

Familje dibrane të nderuara sot të ndodhura në Amerikë e kudo, e kanë për zemër kombin, e nuk e lënë të njolloset apo errësohet, nga e keqja. Ato mblidhen dhe shpesh kujtojnë, emocionohen dhe thonë: Ah, sikur të jemi aty me ju! Ah sikur të vij ajo ditë që Dibra e Madhe dhe Dibra e Vogël të bëhet një, me Rrugën e Arbrit. Është ajo diasporë dibrane ku me trimëri dhe guxim protestoi kundër devijimit të lumit Radika në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e ku zëri i saj u dëgjua. Sikur ta shohim Dibrën e lulëzuar dhe të bukur, siç ishte para 1912! Ah sikur!

Familje dibrane tashmë të emigruara në USA si, Klobuçista, Pilku, Shatku, Ushtelenca, Kaziu, Buxhaku, Paçuku, Duka, Ruci, Rexha, Rusi, Dema e shumë e shumë familjeve të tjera u themi, Faleminderit dhe Mirënjohje, që mbani gjallë në zemrat dhe shpirtin tuaj, kombin e vuajtur shqiptar e që sytë e juaj të lotuar nuk e humbën kurrë mallin për vendin dhe gjakun shqiptar, edhe pse jeni shumë larg, përtej oqeanit.