Ç’kemi asaj Dibre!
Nga Bujar Karoshi


Bulevardi i ri. www.facebook.com/peshkopiaime

Sa herë mungoj, shqetësohet mileti. Kot shqetësohet, sepse dikur kemi pas thënë që: “Kur flet populli, politikanët heshtin”. Ndërsa tani është: “Kur flasin politikanët, populli hesht”. Dhe unë, si popull, heshta ca muaj! Heshta dhe pushova.

Meqë jemi te politikanët, zgjedhjet, siç e di, mbaruan. Në Dibër i mbaruam të qeta e të suksesshme. I kemi ndarë deputetet në mënyrën më të mirë të mundshme: tre burra e tre gra. Më mirë nuk ka. Nuk ankohen as femrat, burrat jo e jo!

Këto zgjedhje i bëmë më të mira se Amerika. Hashashin e lam, deputetët i kemi ndërruar, korrupsionin po e luftojmë, fletërrufetë i kemi rikthyer, udhëheqësit i janë kthyer muhabetit “gju më gju me popullin” – të paktën në foto, pushtetin po me popullin po e ndajmë. Ne na mbetet veç të jetojmë të lumtur e të gëzuar në Shqipërinë tonë buzë Adriatikut, që marshon drejt fitoreve të reja në Europën e përçarë.

Diku akollas… Bulevardi i ri. www.facebook.com/ketumblidhendibranet

Tani do thuash se nuk je dakord me mua, se deputetët janë bërë si ato që të qajnë ditën e të vrasin natën, por nuk ka problem. Për popullin  e bëjnë!

Ka ca dyshime për manipulime andej nga Bulqiza, por nuk ka problem. Pak vota ishin, sa të kalojë stuhia dhe hajduti harrohet. Pastaj vijnë zgjedhjet e prapë hajduti kthehet, na vjedh edhe votën, edhe kokën, por prapë nuk ka problem. Nuk jemi të përjetshëm… Në fund të fundit, ne dele jemi, të tjerat i di qeveria…

Në Dibër bashkia bëri shumë punë të mëdha para fushatës, gjatë fushatës shumë dhe tani pak më pak. Punët thonë se i bënte bashkia, por reklamën ia bënte PDIU-ja…

Zjarret, si gjithmonë, edhe këtë verë nuk munguan në Dibër. Jemi mësuar me to, rrimë që rrimë, ia vendosim një shkrepëse malit… Të paktën, dalim në lajme…

Dhe kur “hyjmë në lajme”, nuk kemi të ndalur për të dalë… Hyjmë në lajme se kryefamiljarët e një katundi ndiqen penalisht pse kërkojnë një të drejtë që u takon  me ligj e zakon, hyjmë në lajme se shoku vret shokun, por hyjmë në lajme edhe se vramë një arushë dhe, pasi e vramë, “ia nxorëm erzin”, duke e shëtitur nëpër katund. Pastaj u justifikuam se na “kishte ngrënë misrin”. Por, të kishte arusha “kallashnikov”, na kishte vrarë të gjithëve që ia premë pyllin dhe, pasi ia premë, i vumë edhe zjarrin.

Arusha dhe derrat bënë dëme të mëdha edhe andej nga Dibra në arat me grurë e kosheret me bletë. Këto të egrit dalin andej nëpër fshatrat përreth Dibrës së Madhe, sepse, këndej kufirit, nuk ua mban. Këtu i presin kushërinjtë e tyre me dy këmbë, me çarkun ngritur e çiften gati…

Nga Dibra e Madhe ziente kësaj vere problemi i deponisë dhe ujit. Çdo verë e njëjta histori, zjarri në deponi, ajri i pistë dhe mungesa e ujit në shtëpi. Çdo vit dihen përgjegjësit, por historia vazhdon. Atje në Dibër e kanë gjetur zgjidhjen kur vjen puna te problemet. Bazuar të parulla: “Ti moj Dibër mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, iu drejtuan për ndihmë financiare dibranëve të Amerikës për të blerë një buldozer… Dhe përgjigja erdhi: “Ti moj Dibër kij pak frikë, ua morët shpirtin djemve n’Amerikë”. Të njëjtin problem e kishte dhe Struga. Por atje u zgjidh brenda ditës…

“Ujë, ujë, ujë” – ka bërtit mileti gjithë verës edhe këndej në “Dibër të Vogël – siç thuhet tani, por kuçedra nuk don me e l’shue… “Nuk e l’shoj, jo, i kishte thanë dikujt, se nuk kam ka ta l’shoj. Shtroni tubat e pastaj m’thoni”. Po rropatet deputetja e re ta zgjidhë këtë punë në takime nëpër zyra, por prapë ujë nuk ka…

Meqë ujë nuk ka e punë jo se jo, kemi gjetur një punë të re: ndërrojmë zyra dhe ndërrojmë mësues.

E mbani mend gjimnazin e Peshkopisë? Mos thoni jo, se u mburrët që godinën nga gjimnaz, e kthyem në universitet. Pastaj universitetin e mbyllëm dhe godinën po e kthejmë në… zyra për bashkinë. Ndërsa nxënësit i kemi nxjerrë jashtë qytetit dhe shkollat i kemi me dy turne… Kot që nuk i mbyllim, se nuk ka kujt i duhen. Sepse të bëhesh zyrtar e arsimtar sot është shumë kollaj, në vend të shkollës duhet të shkosh te tregu… ta blesh një diplomë. Pastaj kemi mësues diplomablerës analfabet që zëvendësojnë mësuesit me 34 vite punë…

Ah, se harrova, hymë edhe në “gojë të Lolitës”, pasi në restorant peshku “porosajtëm grosh Muhurri ene jufka të ftajrme hollë”…

Andej nga Dibra e Madhe, pasi zgjidhëm problemin e deponisë, i jemi kthyer zgjidhjes së zgjedhjes së kryekomunarit. Dhe kandidatët mbetën duke u takuar së bashku, në emisione, në kafe e në fund në rrugë… Ata të gjithë e dinë se si do shkojnë zgjedhjet, por sidoqoftë komedia duhet luajtur… Dhe me takimet e përbashkëta në shesh, akti konsiderohet i suksesshëm.

Pyetjet për kandidatët i bëjnë vetëm ata që kanë të mbushin barkun dhe nuk kanë ku çojnë lekët. “Kush je tëj të bujsh pitje, tej s’ke bukë të ashë en s’ke dinar në xhep”, i tha një sejmen i një kandidati një qytetari të varfër…  Ama, të varfrit që nuk kanë një dinar në xhep, nuk kanë të drejtë me fol, por votën kanë të drejtë me e hedhë te “partia jonë”.

Për rrugën mos pyet… Tenderi u bë, të tjerat i di qeveria. Në mos filloftë këtë vit, me siguri vitin tjetër. Në mos në janar, me siguri në shkurt a në maj. Sipas motit…