Portrete njerëzish, siç i kam njohur unë…


Është e njohur ndihmesa që i ka dhënë Dibra në fushën e letërsisë dhe arteve kulturës kombëtare. Në letërsi njihet ndihmesa e Haki Stërmillit, Inajet Shehut, Arian Kadiut, Xhafer Martinit etj. Dibra i ka dhënë muzikës shqiptare kompozitorin e njohur Muharem Xhediku, autorin e sa e sa këngëve dhe sidomos tangove të tij të mrekullueshme. Janë të njohur këngëtarët e muzikës popullore si Aziz Ndreu, Liri Rasha, Caje Poleshi, Qerim Sula, Shaban Dervishi, Abdyl Sturçja, Melita Shehu etj. Një sërë aktorësh të teatrit dhe filmit kanë dalë nga trevat e Dibrës si, Drita Agolli, Esma Agolli, Bexhet Nelku, Behar Mera. Skënder Cala etj. E ndjeshme është ndihmesa e piktorëve dibranë në zhvillimin e arteve figurative.Veprat Bajram Matës, Duro Karaibrahimit, Zaim Elezit etj., janë paraqitur në Ekspozita Kombëtare dhe janë vlerësuar dhe me çmime. Dibran është në origjinë dhe piktori i njohur Nexhmedin Zajmi, autori i veprës “Bisedë nga Lufta Nacional-Çlirimtare” etj.

Por unë dua të shkruaj sot për njërin nga piktorët dibranë, Bajram Mata, ndoshta nga më të talentuarit e brezit të tij, por dhe më fatkeqit. Me studime në Bashkimin Sovjetik (ndoshta, të papërfunduara). Talenti i tij ra në sy dhe atje. Kur shumica e të kthyerve u mbajtën në Tiranë, midis tyre edhe më pak të talentuar , ai u emërua në Peshkopi. Kjo, ndoshta, ndikoi më vonë dhe në ecurinë e veprës së tij, por dhe fatit të tij si njeri. Krijimet e tij tërhoqën vëmendjen e kritikës së specializuar të arteve figurative. Në Galerinë e Arteve Figurative në Tiranë, në ekspozitën me vepra nga epoka e realizmit socialist në pikturë, janë ekspozuar 3-4 vepra retrospektive të tij. Nuk mbaj mënd titujt, por këto vepra të tij janë nga ato të cilat kritika e kohës i quajti “të gabuara dhe me elemente moderniste”. Një e tillë është kompozimi “Kooperativistet”. Në mes të një parcele të mbjellë me misër tre gra zerqanase dhe bulqizake, që individualizohen si të tilla me veshjen karakteristike të këtyre zonave, po i gëzohen prodhimit të mbarë të misrit, i cili është gati sa dyfishi i grave në gjatësi dhe aq të dendura bimët sa gratë nuk shohin as dritë dhe as rrugën se si do dalin prej parcelës. Censura e ndaloi atëhere veprën me pretekstin se aty ka prodhim, por nuk ka perspektivë për njeriun. Misri na dilka mbi njeriun që e rrit atë! Me këndvështrimin e sotëm, kompozimi tingëllon i freskët dhe se ka fiksuar në telajo një aspekt të jetës së socializmit. Edhe dy veprat e tjera, sidomos ajo me tre portrete vajzash të reja, me një pozicion që më shumë të jep përshtypjen se duan të fluturojnë, se sa të punojnë. Nuk jam nga ata që e kuptojnë dhe zbërthejnë mirë pikturën, por këto vepra të Bajram Matës më emocionuan shumë, jo vetëm se janë vepra cilësore, por, ndoshta, dhe nga fakti qe unë pata fatin që ta njoh këtë njeri të talentuar në kohët e këqija për të.

Dhe ja si ndodhi: Atë ditë ndodhesha në Peshkopi, ndoshta në ndonjë seminar nga ata që organizonte shpesh kabineti pedagogjik. Po haja darkë te “Turizmi”. Më afrohet në tavolinë, dhe pa më marrë leje, një burrë , moshën e të cilit nuk mund ta përcaktoje dot, me trup mbi mesatar, i zeshkët, i bëshëm dhe me flokë të shpupurishura. Këtë skenë që po zhvillohej në tavolinën time e ndiqte me kujdes kamerier Ceni, nja nga kamerierët më të famshëm dhe me emër, jo vetëm në Dibër por edhe më tej. Më afrohet dhe më thotë ngadalë: “Jepi një dopio, se hik vetë ai!” Ashtu dhe bëra… Me të porsaardhurin rishtas në tavolinën time, i cili nuk ishte askush tjetër, veç piktori Bajram Mata. Nuk mund të bisedohej, ndoshta, nga që unë nuk e njihja dhe dëgjuar më parë. Nga befasia, nuk i krijova atmosferë të tillë që të mund të futej në bisedë. Më vonë mësova se ishte shumë i muhabetit, sidomos për pikturën, të cilën e njihte mirë dhe teorikisht, por dhe për letërsinë. Mësova se kishte një familje të shkëlqyer, të cilën e ka përshkruar shumë bukur, me të gjitha dritë – hijet që mund të ketë një familje artistësh, shkrimtarja Sadie Agolli, në një tregim të gjatë, gati një novelëz, të botuar pas vdekjes së piktorit, në revistën “NËNTORI”.

…Isha transferuar nga Ostreni, zonë nga e cila kishte origjinën Bajram Mata, në Zalldardhë. Një ditë, aty nga ora 10, shoh të zbresin nga një autobus me shofer Bilalin, burrin e shkurtër me mustaqe , i cili e kishte të veten rrugën Peshkopi -Kukës, një turmë njerëzish. Më thirri dikush në emër dhe pashë se ishte piktori i njohur, Duro Karaibrahimi. Dukej i lodhur dhe një trishtim i kishte mbuluar fytyrën. Pa arritur që ta pyes, se për ku po udhëtonte, më thotë me një zë të pikëlluar:

-Po çojmë Bajramin në Kukës!

Atëhere vura re se, bashkë me autobusin, ishte dhe një “Zuk” i mbuluar me një mushama të dalë boje. Aty, në atë lloj automobili, që kur ecte të mbyste me tym, ishte në arkivol Bajram Mata!

-Po pse në Kukës?!  -arrita t’i them Duros, me një zë ku dallohej keqardhja për një njeri të njohur dhe të talentuar.

-Aty ka vëllanë, – më thotë Duroja.

Kur autobusi me “Zukun” humbën në kthesat e Gjallicës mua se si m`u mblodh një lëmsh në fyt. Kështu mbaroi jeta e një piktori të talentuar. Dhe ishte vetëm 43 vjeç!

Kishte lindur në Lejçan të Gollobordës në vitin 1940. Dhe ngjarja që po rrëfej po ndodhte në vitin 1983!