Shkolla “Myslim Shehu”, një model që duhet ndjekur nga shkollat e tjera


Është një nga shkollat më të reja në rrethit, por sot është një nga shkollat model të qytetit të Peshkopisë. Bëhet fjalë për shkollën 9 vjeçare “Myslim Shehu” që ndodhet në lagjen Aksion, Kamen. U ndërtua dhe u hap më 13 nëntor të vitit 2003 me drejtor Zabit Trupja, tashmë i ndjerë dhe me një staf prej 24 mësuesish me emër dhe me një eksperiencë për të pasur zili. Viti i parë shkollor, viti 2003-2004 filluan mësimin 502 nxënës, 224 të arsimit fillor dhe 278 arsimit 9 vjeçar. Nëndrejtor i aso kohe ishte zoti Uzri Ziberi, mësues Afrim Tomja, Idriz Bulku, Gafur Markeci, Beqir Osmani, Violeta Neziri, Skënder Torba e shumë të tjerë, shumë prej këtyre tashmë ato janë në moshë të pencionit.
Shkolla 9 vjeçare Kamen i është vënë një emër i një prej mësuesve të parë dhe të shquar dibran si Myslim Shehu. Ai ishte mësues i parë pas viteve 30 dhe me profesionalizmin e tij, urtësinë dhe butësinë ka lënë gjurmë në arsimin e rrethit të Dibrës. Ai lindi në vitin 1930 nga një familje qytetare dhe edukoi fëmijët e tij me virtytet më të mira. Shkollimi dhe puna e Myslim Shehut ka pasur një territor të gjerë. Nga nxënës në Peshkopi me pas në Internatin e Kastriotit, nxënës shembullor në shkollën “Harry Fults” në Kavajë u panë tek ai prirje për tu bërë nxënës shembullorë. I devotshëm dhe i papërtueshëm, ai ka punuar si mësues nga Mati, Bellova, Limjani, Herbeli, Muhurri, Pilafe, Dohoshisht deri në Staravec. Profesor Myslimi përveç profesionit të mësuesit ka qenë dhe inspektor arsimi e shumë detyra tjera që ka bërë gjatë jetës së tij.
Edhe përse është një shkollë relativisht e re, ajo ka pasur dhe ka një kolektiv për të pasur zili. Disa prej tyre sot janë në pension, disa janë akoma mësues të kësaj shkolle e disa drejtojnë institucione të rëndësishme të administratës shtetërore dhe jo vetëm në Dibër. Përveç kësaj shumë nxënës të dalluar që kanë përfaqësuar shkollën në olimpiada të organizuara nga DAR dhe Ministria e Arsimit duke u shpallur fitues, si nxënësi Roland Plaku dhe Besa Delishi. Në vitin 2010 në këtë shkollë vendoset busti i profesor Myslim Shehut ku morën pjesë personalitete të shumtë të Dibrës, familjarë të tij, drejtues institucionesh me rënëdësi në vend.
Sot, shkolla 9 vjecare “Myslim Shehu” Kamen falë përvojës së mësuesve renditet në një nga shkollat model të Drejtorisë Arsimore Rajonale Dibër duke parë dhe analizuar faktorët tregues për rezultatet që ajo ka treguar. Teksa futesh në ambientet e kësaj shkolle vihet re pastërtia dhe rregulli që mbizotëron. Kjo falë bashkëpunimit model mësues, nxënës, komunitet që për hir të vërtetës nuk gjen në shumë shkolla më të mëdha në rrethin tonë. Përkushtimi dhe gatishmëria e çdo mësuesi për tu përgjigjur nevojave mësimit këto mësues janë të gatshëm të bashkëpunojnë edhe jashtë orarit të punës nëse do ishte nevoja. Bashkëpunimi serioz dhe reciprok me DAR, Drejtorinë Arsimore Rajonale Dibër dhe me organizata të ndryshme ka bërë që kushtet ku mësojnë fëmijët e lagjes Kamen, Aksion, Lushe, Cipure, Staravec të jenë të mira dhe optimale për të zhvilluar një orë mësimi.
Në ditët e sotme kjo shkollë është pasuruar me bazë materiale didaktike si tavolina, stola, laborator fizike, kimie, biologjie dhe mjete të tjera të përgatitura nga vetë mësuesit. Në vitin shkollor 2017/ 2018 vazhdojnë mësimin 274 nxënës. Në 12 klasa do të ulen këto nxënës ku mësim japin 20 mësues, 18 me arsim të lartë dhe 2 me arsim të mesëm pedagogjik. Nga fillimet e shkollës e deri më sot numri i nxënësve ka rënë ndjeshëm për arsye të ndryshme. Pakësimi i numrit të lindjeve vitet e fundit është bërë problem për një numër të madh shkollash, duke u ndikuar dhe nga lëvizja e popullsisë drejt zonave urbane disa shkolla me përvojë dhe histori janë drejt mbylljes. Shkolla “Shehat Halili” Shimcan ishte shkolla që për fat të keq u mbyll dhe për arsye gjeografike nxënësit e kësaj shkolle janë transferuar duke zhvilluar mësimin pranë ambienteve të shkollës Kamen. Stafi pedagogjik po përpiqet maksimalisht që këto nxënës të integrohen në programet dhe proceset mësimore të shkollës.
Kjo shkollë është ndryshe nga të tjerat. Gjallëria që zotëron çdo ditë në këtë shkollë mbetet për tu admiruar. Koordinatorja e qeverisë së nxënësve, njëkohësisht edhe mësuese në këtë shkollë Dyshka Rustani tregon se për ta çdo datë është e rëndësishme. Aktivitetet edukative me tematika të ndryshme, aktivitete sportive, manifestime, përvjetore, olimpiada brenda dhe jashtë shkollës, bashkëpunime me shkolla dhe institucione të ndryshme mbushin kalendarin e ngjeshur të aktiviteteve që kolektivi dhe nxënësit e kësaj shkolle organizojnë. Punime nga nxënësit paraqiten për komunitetin në panaire dhe ekspozita të posaçme ku të ftuar janë personazhe të të nivelit të lartë në administratë dhe banorë apo prindër të fëmijëve të kësaj zone. Libri nuk mbetet pas në aktivitete ku organizohen ditët e librit, ditë që libri zotëron çdo fjalë të tyre ditëve. Kjo shkollë zotëron një bibliotekë të pasur ku çdo nxënës ka fatin e mirë të ketë tituj të rëndësishëm në duart e tyre. Si rrallë shkollë mësuesit janë kujdesur që të krijojnë një blog me emrin e shkollës ku paraqesin aty të gjithë aktivitetet e zhvilluara për një publik më të gjerë. Shkolla “Myslim Shehu” është zgjedhur si shkollë pilote nga Ministria e Arsimit ku këtë vit bën vitin e katërt pilotim për programe të reja mësimore.
E pyetur se cili është sekreti i suksesit të kësaj shkolle, edhe përse është kaq e re, Dyshka Rustani thotë: “Harmonia mes kolektivit, profesionalizmi i mësuesve të vjetër dhe këmbëngulja për të mësuar e mësuesve të rinj, për të qenë sa më produktiv dhe për të shfrytëzuar çdo aspekt për të qenë pranë nxënësve. Dëshira e nxënësve nxitur vazhdimisht nga stafi pedagogjik për të qenë sa më aktiv, është ndoshta një nga aspektet që shkolla jonë cilësohet nga ekspertët si shkollë model në qarkun e Dibrës. Edhe përse jemi një nga shkollat më të reja të qarkut, ne si kolektiv ndihemi krenar me punën e palodhur të stafit dhe nxënësve tonë që suksesin e shikojë vetë njerëzit, prindërit dhe komunitetit ku ne punojmë”.
Shkolla “Myslim Shehu” nuk i ka shpëtuar problemeve që të gjithë shkollat po i shqetëson ditët e sotme. Zhvendosja e popullsisë në zonat urbane për një jetë më të mirë dhe ulja e lindshmërisë ka bërë që numri I fëmijëve në shkolla të bie ndjeshëm dhe si pasojë klasat kolektive bëhen gjithmonë e më të pranishme. Kjo shkollë zhvillon mësimin në dy turne, nuk ka klasa kolektive, por numri i nxënësve ka rënë dukshëm.