Vetëm s’ më lë dot vetmia
Cikël me poezi nga Halil Teodori


Cikli poetik i Halil Teodoir “Vetëm s’më lë dot vetmia” është një tjetër hap në rrugën plot yje të ligjerimit poetik të këtij autori. Në këtë cikël ajo që pikas është një nevojë e shpirtit të poetit për të thurur vargje për vetminë, këtë gjëndje plotësie dhe boshi, këtë sprovë të ndjenjave dhe emocioneve të ndryshme. Vetminë, shpirti i poetit e ndjen si një zbrazje, e cila është me thellë dhe më e trishtë kur atë e gërryen braktisja e dashurisë. Nuk ka vetmi më të dhimbshme se sa ajo që ikën duke lënë pas kujtime dhe plagë. Por shpirti i poetit nuk jepet, ai është sfidues i të gjithë dhimbjeve dhe asaj të vetmisë. Sepse vetë jeta është një vetmi që kërkon shenjtërimin e vetmisë së vet në një betejë afrie dhe bashkëjetimi me njerëz, gjendje, emocione, dëshirime. Një vetmi që vjen për ta shuar vetminë e poetit është një vetmi që vjen për t’i mësuar atij se si s’mund ta lërë atë vetëm asnjë vetmi që i qaset.
Errësirë, jam
shkrepëtimë rrufeje
E thellë,
e ftohtë,
e zezë dhe ngjethëse.
Perde prej terri që i hidhet syve prej drite.
Mjegull, që peshon mbi drurë dhe ajër,
heshtje që struk frikën,
lëshohet kah me sy vizatoj,
duke marrë të përpjetën.
Majëmalesh si pishtar i Prometheut
shihen me qiellin;
me retë e yjet,
më flutirimet dhe horizontin

Poshtë;
rrënjët dhe trungjet,
rrugët dhe gjurmët,
ikjet dhe shastisjet,
rënkojnë nën peshën e territ.

Në ditë me borë,
në bardhësinë që nderet si vello,
gjurmët si pend korbi,
një mesazh pikëllues më sjelli,
një krisje në zemër më çelin,
dhe..
kruspull mblidhem me dhimbjen,
me mallin dhe plagën.

Sa herë që i jepem lartësive,
epjes së kreshtës,
kaplimit të thirrjes,
ngasjes së gjakut dhe ashtit,
beh si një shkrepëtinë,
atje ku limfa dhe loti,
qumeshti dhe dëshirimi,
jepen.

Jo i them errësirës,
unë jam prej drite dhe jehonash,
jam prej plagësh dhe sralli,
prej amaneti dhe plisi, jam.
Jam dhe do të jem,
ai zë dhe ajo prekje
që peshon në gurin e pragut,
dheun e varrit.
Jam,
në çdo britmë dhe prehje
në çdo kryengritje dhe theror,
shkrepëtimë rrufeje.

I vetmuar nuk jam

Vetminë e njoh,
ajo nuk e di se kush jam unë,
nuk di asgjë për heshtjen dhe braktisjet,
nuk e mësoi kurrë rrugën e kthimit tek unë
mbeti vetëm në vetminë e vet,
unë…
jam gjithnjë atje ku gumëzhin,
ku zërat dhe sytë preken,
ku duart dhe buzët puthen.
Nuk jam asnjëherë vetëm,
as nuk e di se çfarë është vetmia.
Iki dhe vij gjithnjë me veten,
me kujtimet e mija,
me pëshpërimat e zërave.

Edhe kur dua vërtetë të rri vetëm,
s’më lë zëri i nënës,
vështrimi i atit,
dhe heshtja ime që kuvendon me ta.
Jo, i vetëm nuk jam,
edhe nëse dua,
s’më lënë…
vajzat dhe gruaja
gjaku dhe miqt
… poezia.
Vetëm nuk jam me ty

Shkojnë e vijnë udhëve të mia
rrugët ,
me baltë dhe kujtime të pluhrosura.
Ikin dhe rivijnë ,
në sytë që mallin i vadit me lotë
e dora jote e bardhë si re i shpalon,
siç era ta shpalosi petkun tënd,
e unë u mrekullova,
viseve tua prej drite dhe zjarri.

Iki dhe kthehem.
aty ku më pret një heshtje.
aty ku zëri yt vjen me zogjt çdo pranverë.
e ikën më gjethet çdo fillimdimri.

Ndërsa nata ka kapluar e dritat vezullijnë si yje,
hëna është strukur pas një reje,
e pema ku jam ulur me veten time,
gurron si guvë taftin e freskët të mbrëmjes.

Asnjë zë nuk vjen ti bëjë shoqëri vetmisë sime,
veç një bulkthi që zhubros heshtjen,
errësirën që ka mbuluar gjithçka.
Vërshoj mendimet me vështrimin rrethe e qark
vijnë tek ti dhe ikin gjithashtu.

Ti nuk je as sonte,
të mi bësh shoqëri vetmisë dhe mua,
pas një drite që pluskon diku tej,
ndoshta fshihesh.

Po, atje,
atje ku nata pikon drita,
shkëndi shkëlqimtare je ti,
duke numëruar yjet dhe frymëmarrjet,
duke prekur buzët e kafshuar puthjet.

Atje,
ku vetmia ime nuk vjen dot je ti,
këtu,
këtu ku vetmia jote s’më gjen dot,
unë prek në gishta trupin tënd,
ndjej në puls gjakun tënd.

Mbetëm larg duke i bërë shoqëri,
vetëmisë së njëri-tjetrit,
duke heshtur në pëshpërimën e zërave tanë,
duke u epshur në flakët e zjarreve
që na dogjën.

Ikëm ku një vetmi na priste,
sytë e tu mbeten të ngulur në mua,
puthja jote plagë la tek unë,
ikëm me vetmitë tona,
larg, atje ku vetmia s’të lë vetëm
ishim dhe mbetëm.
Të duash

Po te kesh pasuri, unazë më blej
Po je i varfër,
një puthje më jep,
një zjarr më ndez,
diell mu bëj ti çast shkëndijash,
dhe do të shohësh,
dhe do ta ndjesh,
dhe do të…
shkrehesh në mua si dëshirim.
Do të harrohesh,
në rreze do të shndërrohesh.

Ndalo në gjoksin tim,
prehje kërko në gjëmimin e atij kraharori,
e kokën struke në atë prush,
buzën ngjyje në atë zjarr,
trokthin e asaj zemre kalëro,
shko atje ku jetohen ëndrrat,
atje ku pranverat nuk shterrin,
dhe diejt nuk perëndojnë,
kur zogjt nuk ikin,
dhe fluturat të çojnë te aromat.

Shko dhe mos u kthe,
aty ku kishe ikjen,
askush nuk mund të të presë.
Rri te kafazi i kraharorit tim,
e jeto dhe këndo si zog,
dëshiro dhe ndjej si ajri,
fryma ime në ty fryn.

Le të shuhet kjo natë
ky cak që të solli tek unë,
të fiket si drita që na ndezi e na dogji.
Në agim

Kur vesa te ketë dehur diellin,
dhe gjithçka që ngjyhet me ar,
kur flokët e tu të rrëzohen nga gjoksi,
e kurmi yt të shkrehet në dritë,
bashkë me ditën,
një zgjim na thërret
një zgjimi i jepemi.

E dëgjojmë këtë zë,
në heshtjen,
që nderet mbi çarçaftë e bardhë
në të purpurten,
që kaplon trupat tanë.

Marrim gjithçka të bardhë,
vetëm çarçafët lëmë këtu e ikim,
ikim ku ajri na rrok me tërbim,
e drita na sheh me kureshti.
Ikim ku nuk ka sy që na ndjekin,
as heshtje që na vihet nga pas.
Ikim ku na çojnë këmbët,
ku vetëm frymëmarrjet,
dhe tik-taket e zemrave dëgjojmë,
e fëshfërimën e barit të njomë,
që na ngjitet për trup,
afshin e ditës që na eshket në buzë,

Ikim për tu shkrehur te njëri-tjetri
për të ngjizur një yll
atë që na ndezet në sy.
Në atë mëngjes

Në atë cak ku dielli vesh me dritë gjithçka,
kur nata…
dhe heshtja reshtin si të lehurat e qenve,
unë dhe ti,
i jepemi një zgjimi të bardhë,
një përqafim strallë,
në gjokse na ndez.
Syve pijmë dhe dehim agimin,
e zërave që flasin me heshtjen,
u pëshpërijmë ninulla netësh të largëta.

Gumëzhin jeta përtej kësaj dhome,
tej kësaj perde bota luan në skenë,
në të dy shihemi,
puthemi dhe presim,
do tregojmë se çfarë nata na tha,
çfarë heshtja na çuçuriti në heshtje,
çfarë dita është gati të na japë,
çfarë sublime kemi ne të japim.