Hijet e tërbuara


Autori i përmbledhjes poetike “Hijet e tërbuara” Nuri Koleci, me një kujdes të stërholluar po shpalos ndjesitë që e preokupojnë përditshmërinë e botës së tij intime por edhe të nënqiellit ku jeton dhe vepron. Vetë titulli përvetëson dhe nxit lexuesin që me një frymë ta lexojë përmbledhjen dhe pastaj t’i rikthehet përsëri, të meditojë shpirtërisht dhe të fundoset në botën poetike sipas mënyrës që autori i sheh, shpalos dhe i percepton dukuritë.
“Hijet e tërbuara” të Nuri Kolecit shfaqen jo rastësisht, ato janë logo e vetë autorit, të cilat e preokupojnë, hijet të cilat herë duken e herë pas here sikur ikin, herë kanë maska të errëta e herë të tejdukshme. Herë e ndjekin e herë e braktisin. Edhe kur ikin nuk hetohen, edhe kur e ndjekin janë të qeta, të padukshme, por në shpirtin e poetit vlojnë në kohë dhe shprehin klithmën e pashterrur poetike.
Libri është i përbërë nga tre cikle ku dominojnë poezitë refleksive, sociale dhe erotike. Që të gjitha këto të gërshetuara me një filozofi tipike që flasin shumë në këndin e meditimit. Në këtë tufë poezish që të përvetësojnë hasen edhe poezi atdhetare, ironike dhe dominon porosia që nxit lexuesin të ballafaqohet me përditshmërinë që përcillet deri në mendjen dhe zemrën e lexuesit.
Nuk mungojnë as tematikat që shfaqin plagën e kurbetit. Në këtë përmbledhje poetike trajtohen tema që fuqizojnë moralin njerëzor drejt përditshmërisë.
Vargjet në tërësi janë vargje të lira dhe krejtësisht të shkarkuara nga rima poetike. Gjuha është tejet e pasur, plot me simbolikë dhe e përkapshme për të gjitha shtresat e lexuesve.
Recensent, Mr.sc. Adem Abdullahu, poet dhe botues
Ajo plaket nën dhé

Ajo e hetonte gjatëkohë
Se duhet kaq herët ta braktisë këtë botë
Dhe shkoi…
Andej në një botë tjetër
Pa asnjë fjalë
Pa amanet
Pa testament
Çdo gjë shkuli nga zemra ime
E vetëm kujtimet e shkreta
Që kurë s’do të jenë të zbehta
Mbetën.
Dhe shkoi…
Të plaket nën dhé
Andej në një botë tjetër…
Që mbetet e mallkuar për ne.

Stina jonë

Është koha e detit
Kujtimet ringjallen
Dallgët në ritëm
Rrahin shkëmbinjt
Vetmia i lut të gjithë zotrat
Vetëm hije e saj të më ndjekë
Edhe prapa diellit

Varkat e dehura të detit
Muzgun të përqafojnë

Është koha e detit
Mungojnë mikja me buzëqeshjen magjike
Vetëm hija e saj më mbetet besnike.

Në honin e shpirtit

Vargjet trurin fundosin
Në honin e shpirtit
Deri në buzëqeshjen e fundit
Dëshira mbeten peng

Vlon etja për të vrarë largësi
Për të ardhë deri te ty.

Po s’të gjeta

Sot mendova për ty
Mike
Dhe braktisa pritjet
Nomad i lodhur
Mbeta

Nesër po të gjeta
Asgjë s’do të ndodhë
Po s’të gjeta
Do të fal dy-tre vargje
Që ti kurrë s’i lexon.

Qytezës sime

Dibra ime
Flen a vlon
Ku je
Ku shkon
Ndalu
Mos vrit largësi
Mos rri në vetmi!

Dibra ime
Flen a vlon
Ku je
Ku shkon
A të ka mbetur ende bujari
Apo jeton vetëm me histori?

Dibra ime
Flenë a vlon
Ku je ku shkon
Pse hesht kur duhet pse flet
kur s’duhet Dibra ime
Brenga ime e thartuar.
Vetëm sonte

Unë sonte s’jam poet
As hamall, as mbret
(Por) Jam fantom i dashurisë
Vloj si në ditët e rinisë

Unë sonte s’jam poet
Jam njeri i thjeshtë e jo profet
Ngandonjëherë boheminë e imitoj
Në heshtje kujtime grumbulloj

Unë sonte s’jam poet
Nuk kam asnjë biografi
Sonte zëri i mikes më thërret
Për të vrarë largësi.

Te kisha e Moisiut

Pak më lartë shtëpisë sime
Atje mbi cukë
Gurë e ferra
Nën dhé dhe mbi dhé
Qëndrojnë të nemitur
Reliktet e kohës
Në qetësi funebre
Djersë e bukë
Të përziera
Koktej historie
Gërmadha enigmatike
Gjurmë të pashlyera
Bredhin
Pas meje apo
Pas hijes sime
Besnike.

Nënqielli im

Duket sikur flen
Në çerdhe nëpërkash

Edhe pse laviret virgjine
Shëtisin nëpër shesh

E zoti nuk e di
Si i pranon betimet e rrejshme

(Nënqielli im
ende duket sikur flen…)
Dikur

Gjyshja ime
Pranë oxhakut
Përralla më rrëfente
Dhe kujtesej për zjarrin
E dëgjoja
E besoja
Se varfëria
Pjell vetëm përralla
Dhe mendoja
Se vetëm
Me shkopin magjik
Me të cilin vritja gjarpërinjtë
Merr shije varfëria…

Kohë e thinjur

Kohën time e treti
Dhe pres…
Të vijë një engjëll i bardhë
Të bekojë bukën e njerëzve
Të zbusë copëza jete e mbijetese
Të përkëdhelë përjetimet
Të derdh kujtimet
E kohës së thinjur
E të zbusë shpirtat e uritur
Që fshehin njerëzit e ndershëm
Edhe pse
Barra e rëndë e fajit
Lazron lëkurëtrashët
Që s’dinë të skuqen.

Amulli dibrane

Dibra po mërzitet
Para luftës së fituar
Pas luftës së dështuar
Nga politikanët llafazanë
Trusakatë e megallomanë.

Dibra po mërzitet
Në pritje e përcjellje
Në ngrënie e në vjellje
Nga dredhakët plot histeri
Që e kaplojnë me neveri.

Dibra po mërzitet
Nga buzëqeshje të rrejshme
Përshëndetje servile
Nga atdhetaria e përsosur
Me zemër të përdhosur.

Dibra po mërzitet
Mbeti e nakatosur
Jetime e braktisur
Me zemër të copëtuar
Pa pranga e robëruar…

Vdes nga pak

Valixhen e kam gati
Nisem nesër
Sonte yjet do t’i vë në gjumë
Nisem nesër
Kam shpirt nomadi
Shpërngulem
Pa cak
Vdes nga pak.
Hajnia

(Klithje kundër devijimit
të lumit Radikë – 2015)
Merrni çdo gjë
Edhe atë që mbeti
Merrni
Ç’t’ju kujtohet
S’u bë kiameti
Merrni
Merrni ujin
Tokën
Botën
Merrni, merrni
Ç’të doni
Po trimërisë sonë
Ç’do t’i bëni?
Ju hajnat e motshëm
Ju hajnat e rinj
Ju hajnat e sotshëm
Merrni
Edhe ato pak gjëra që na kanë mbetur
Se një ditë në fyt kanë për t’u ngecur
Merrni
Merrni
Hajna të vjetër
Hajna të rinj
Kurrë mos u ngopshi
O derra të zinj!