Naim Berisha, krijues i sprovuar i këngëve të arrira


 

Naim Berisha, muhurraku, mësuesi dhe veprimtari, drejtues i arsimit, që tashmë jeton në Londër, numëron mbi njëzet libra letrarë-artistikë. Ai është njëkohësisht gazetar, këngëtar, krijuesi i muzikës, duke dëshmuar se është një krijues me interesa të gjera dhe me prirje në shumë fusha të artit.
Para gati dyzet vitesh pata punuar me Naim Berishën në arsim. Ish mësuesi i Qafë Murrës mbetet sërish në kujtesën time i përkushtuar, krijues tekstesh, kompozitor, interpretues i këngës, i dashur dhe korrekt, i lidhur me njerëzit dhe me traditat, dhe më gëzon fakti se, edhe pse ai ka ikur në Londër, i ruan sërish këto vlera dhe i manifeston ato, jo vetëm në kontakte të gjalla, po edhe në veprat e tij të mirëpritura nga lexuesi.
Veprat (romanet, poezitë, fabulat, publicistika) e tij meritojnë studime më të gjera e më të thelluara. Ato tashmë përbëjnë korpusin e një krijimtarie që me mund e djersë e i ka ngritur arkitekturën e ngrehinës së vet artistike, si rrezatimin e historisë dhe i shpirtit të brezave, po edhe i aktualitetit të marrëdhënies së individit shqiptar. Koha gjithnjë e bën të vetën, por asnjëherë nuk duhet harruar se ajo për çdo individ ka një fillim dhe kurbën e saj. Koha, shokët, provat e mësimdhënies në Qafë Murrë e të drejtimit arsimor në shkollën e mesme Burrel e ngado shërbeu, tregojnë sesi ai punoi, si një mësues i vërtetë, plot pasion e përkushtim dhe sesi me figurën e mësuesit rrezatoi besim e kurajo për nxënësit, duke i nxitur ata në udhën e dijes dhe të përparimit, një dimension ky i personalitetit të një njeriu që bashkonte figurën e mësuesit me atë të artistit, duke i dhënë prioritet herë njërës e herë tjetrës. Babai i tij, Osmani, ishte një njeri i urtësisë e i karareve, po kështu e ëma, një grua e mençur, si dhe dajat e tij.
Në rrugëtimin e karrierës së vet pedagogjike ai pati edhe ndihmën e njerëzve të tjerë drejtues të talentuar të arsimit si: Xhemal e Lik Berisha në Muhurr të Dibrës. Në majëmale, në Katër Grykët e mia, në Lukanin tim, rrëzë Runjës 2047 metra e lartë, s`ka ditë të javës që të mos dëgjoj në celular, facebook, këngët e Naim Berishës. Mbi njëzet vite në emigracion dhe mbi njëzet vepra letrare, një punë kolosale dhe e përkushtuar. Dhe të gjitha me prova zotësie.
Këngët e tij janë këngë për vendlindjen, për bukuritë natyrore të saj, për njerëzit, për dashurinë e tyre ndaj truallit, ndaj njëri-tjetrit dhe atdheut. Ato shprehin forcë, mall e brengë, janë epike dhe lirike, të ashpra dhe të buta, plot thellësi ndjenje e nivel artistik. Tani që po i mbush të shtatëdhjetat, i dëgjoj këto këngë si të isha i ri, më japin besim dhe më ngrohin zemrën se ato përcjellin jo vetëm jehonën e jetës, po japin edhe shpirtin dhe zotësinë e artistit. Me Naim Berishën na lidh jo vetëm fakti se jemi bashkëkrahinarë, po edhe rruga e artit, dhe së bashku me bashkëshorten time Shahe, patëm fatin ta prisnim në kullën tonë me bukë e kripë e zemër, ashtu si dikur babai i tij Osmani na pat hijeshuar kullën dikur me ardhjen e tij. Aty në kullën tonë ia thamë këngës dhe çiftelisë se këngët e Naim Berishës janë dritë zemre, dhe, për momentin, kur po dëgjoja këngët e tij u përlota. Ishte forca e këngës dhe e tingullit të pastër dhe të ngrohtë. Midis shumë e shumë këngëve veçojmë ato kushtuar trimave Dine Hoxha dhe Liman Berisha, “Moj dibrane”, “Moj e mira muhurrake” e plot të tjera. Krenar, i thjeshtë, sublime e frymëzues, kushtrimtar, i përmalluar, realist e mjeshtër i interpretimit, janë këto disa cilësi të spikatura të portretit krijues, artistik të Naim Berishës. Zëri kumbues e melodia sikur të thërrasin:
Dine Hoxha e lshon zanin
Bini or burra për vatanin
E faroi asqerin e ngratë
Dine Hoxha me Muhurrakë
E faroi asqerin të tanë
Dine Hoxha me dibranë.
Katër Grykë, Muhurr e Luzni
E kanë hedh asqerin në Dri
Lum dy Dibrat që të kanë ty
Dine Hoxha nga nji për shpi.
Këto janë moto e shpirtit dibran dhe arbëror, që japin lajtmotivin e një populli martir, qëndrestar e kulturëdashës, një populli që çmon lirinë dhe dashurinë dhe krenarinë për brezat. Vargjet e Naim Berishës lartësojnë vlerat dhe vetëm vlerat:
Liman Berisha, o pritë më pritë,
o kët serbin e ka korit,
Që në Hotesh e Topojan, Liman Berisha
o djalë azgan
Hej, s`jemi çika e s`jemi gra, por jemi
burra për me u vra.
Edhe lirika e Naim, Berishës janë thesare shpirti që burojnë nga një zemër e madhe.
Moj dibrane, lulja e blinit,
Ty të kam në dritë të synit
Apo: Hajde, hajde, moj muhurrake,
Je si lule, lulezambake
Ma e mira shtatbajrake
Je punëtore e bash e bukur
Degë më degë porsi flutur
Lule e rrallë porsi bletë
Muhurrake m`i luajte mendtë.
(Kënga”Moj e mira muhurrake”).
Këngët e Naim Berishës janë një vlerë e shtuar me intonacione nga folklori dhe traditat e krijimtarisë popullore. Ato ngjallin mall e dashuri, japin kënaqësi shpirtërore dhe krijojnë imazhe të bukura e frymëzojnë.