Faleminderit Zaide Çela


Një zile e zgjatur telefoni që tringëllinte me insistim në mëngjesin e të dielës së datës 8 shtator, me kapi në befasi . Një telefonatë në atë orë të hershme, sigurisht që bëhet për ngjarje jo të zakonshme  dhe mendja të shkon gjithmonë për keq. Nga ana tjetër e telefonit më fliste me trishtim Nexhmie Cami , një kolege e imja e punës në shëndetësi në Dibër e në Tiranë. Më bënte me dije se Zaide Çela nga Gjorica e Bulqizës kishte ndërruar jetë dhe varrosej atë ditë. Më tha se e kishte lënë me fjalë për disa që duhet të lajmëroheshin dhe se isha edhe unë midis tyre. Pas ngushëllimeve të rastit, pa  një e pa dy, u bëra gati dhe u nisa për në Gjoricë.
Plot burra e gra, nga fshati e rrethinat, nga Gryka e Vogël dhe ajo e Madhe, nga Maqellara e Luznia, nga Dibra e Tirana, bile edhe mjaft emigrantë ishin mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit një zonje fisnike që lindi në Luzni të Dibrës, jetoi në Gjoricë dhe i mbylli sytë e u nda nga jeta jashtë vendit, në Modena  të Italisë. Amanetet e saj shumë njerëzore më bëjnë ta vlerësoj me veneracion, ashtu si dikur kur ishte midis nesh. Bashkëshorte e ish partizanit të Luftës Nacionalçlirimtare Zenel Çela, ajo erdhi në atë fshat me mençurinë e një vajze nga Luznia dhe u shndërrua në një zonjë e respektuar, e ditur e bujare që traditat e veta i gërshetoi me ato të familjes ku erdhi . E respektuan dhe e vlerësuan të gjithë. Ai popull që di të njohë e të  vlerësojë vlerat njerëzore, e zgjodhi nënkryetare të kooperativës bujqësore ku punoi për shumë vjet për krah të mirënjohurit Ramiz Osmani e u përpoqën të bënin më të mirën. Ishte e zgjedhur në forumet e gruas në rreth, ishte anëtare e pleniumit, po ashtu në rreth dhe fjala e saj dëgjohej e respektohej . Me bashkëshortin e saj model, Zenel Çelën, krijuan një familje për tu marrë shembull. Aso kohe, në fillim të viteve 70-të, bëja stazh dhe punoja në prodhim në Gjoricë. Shpejt arsimtari i mirënjohur, Zeneli, që kishte qenë miku i babait tim, u bë gjithashtu  edhe miku im. Shpesh, do të zinte rrugën aty anës së fushës së Sportit ku kalohej për në Shupenzë dhe do të shkonim në shtëpinë e tij. Unë nuk isha mangët për motra, pasi kisha disa, por shpejt Zaide Çela do të bëhej motra ime më e mirë. Të dyve bashkë me Zenelin ju kishte lezet fjala, ju kishte lezet buka, kafja dhe miqësia që të ofronin. Ajo derë e hapur për këdo, por sidomos për kuadro të ardhur dhe që kishin nevojë për mbështetje duhet të ketë qenë më e mira ndër të mirat dyer bujare që na pritën e na respektuan në atë kohë. Bukën e duarve të saj e provova vetëm dhe me shokë, me Mersimin (Rama), me Leninin (Vladi), me Nduen (Kola), me Bardhokun (Rajta), me Besnikun (Sade), por dhe me Festimin (Pishtari), me Elezin (Xheka), me Xhetan Tashen  e Dan Jellen, me Hasan e Irfan Çelen, me miqtë e familjes Hamdiun (Leka ) dhe Sherifin e dhjetëra të tjerë. Për të gjitha këto dhe kujdesin që tregove ndaj nesh duke na pritur e përcjellë si një motër e vërtetë po të them publikisht, faleminderit Zaide Çela.
Zaidja u nda nga jeta jashtë vendit nën kujdesin e familjareve të saj të devotshëm midis të cilëve mbajti peshën kryesore nipi  Kujtim Bexhet Markja. Në këto raste në Dibër thonë: “Pastë faqen e bardhë” ai që u kujdes si djalë e si nip për jetën dhe amanetet e saj. Zaidja kërkoi që trupi i saj të sillej në Gjoricë, kjo dhe të gjithë amanetet e tjera të saj u plotësuan me besnikëri. Sot ajo prehet atje në “fushë të thatë” në Gjoricë, përkrah bashkëshortit të saj që e deshi , besnike dhe shoqe e mirë në këtë e në atë jetë. Trupin tënd nuk e treste dheu i huaj dhe kërkove të prehesh në vendin tënd. Mesazhi që na le është po ashtu shumë njerëzor. Edhe për këtë faleminderit Zaide Çela!
Siç është zakon dhe tradita jonë në Dibër e kërkon, u mblodhën miq e shokë nga të katër anët . E kanë shprehje të tyre këtë kosovarët kur thonë se “ra ky mort e u pamë”. Konaqet plot, lokali ky shtrohej dreka e darka plot. Bisedat në këto raste vijnë për atë që është sebepi, por jo vetëm për atë. Biseduam për Zaiden e Zenelin, por edhe për fisin Çela në Gjoricë e atë Dardha (Hysa) në Hotesh  të Luznisë, për hallet tona, për emigracionin, për rrugën e Arbrit. Kujtuam edhe kohe të shkuara pasi edhe ato pjesë e jetës sonë janë. Biseduam shtruar me dajën Nezir Loca nga Katundi i Ri, u takuam me Hasan Çelën, Xhetan Tashën, Hazis Osmanin, Irfan Çelën, me Elez Murrën, Shaqir Murrën, Shyqyri Ballën, Avni Osmanin e dhjetëra të tjerë. Na mblodhe si dikur në sofrën tënde bujare miq e shokë nga të katër anët. Edhe për këtë faleminderit Zaide Çela. Shembulli në jetë ishte frymëzues e inspirues, prandaj kujtimi dhe shembulli jot i mirë rron e do të rrojë, prandaj vendosa të të them faleminderit dhe se të jam shumë mirënjohës ty personalisht, familjes e fisit tënd, popullit të Gjoricës e të Grykës së Vogël që edhe pse kanë kaluar 35 vjet nga largimi im prej atje, nuk më ndani nga të afërmit tuaj. Prandaj mesazhi yt është njerëzor dhe hyjnor e më obligon të them: Faleminderit! U prehsh në paqe Zaide!

Nazmi Koçi

Tiranë, Shtator 2019.