Sheh Mehmeti i Limjanit


Shehlerët e Limjanit me teqen e tyre, nga më kryesoret e shtatë teqeve të Dibrës, kanë shërbyer si qendër e përhapjes së Islamit në mbarë Dibrën, prej 15 brezash, duke nxjerrë shumë kuadro drejtues të Islamit që kanë shërbyer si imamë në shumë fshatra të Dibrës së Poshtme, kryesisht në zonën e Çidhnës dhe të Muhurrit etj.

Ditën e hënë, datë 09.09.2019, ndërroi jetë në Tiranë, njëri nga personalitetet më të shquara të kulturës fetare islame në mbarë Dibrën dhe më gjerë, sheh Mehmeti i Limjanit. Mehmeti, i biri i Sheh Ismailit, lindi në Limjan Dibër, në vitin 1936. Edhe i ati, sheh Ismaili, njëri nga personalitetet më të shquara të kulturës islame për brezin e vet, ishte i mirënjohur në mbarë Dibrën jo vetëm si teolog, por edhe si filozof popullor, nga më të spikaturit në Dibër.
Fisi i shehlerëve të Limjanit në Dibër rrjedh nga Mehmet Dede, njëri prej misionarëve të parë për të përhapur Fenë Islame në Shqipëri, i ardhur nga Bagdadi, dhe në vitin 1724, me dekretin e nënshkruar nga Sulltan Bajazidi II, i emëruar imam në Limjan të Dibrës. Sipas historikut të fisit Shehu, të hartuar prej Sheh Ismailit, rezulton që Mehmeti ynë, që ndërroi jetë këto ditë është i 15-ti brez i Mehmet Dede-s që përmendëm më sipër. Shehlerët e Limjanit me teqen e tyre, nga më kryesoret e shtatë teqeve të Dibrës, kanë shërbyer si qendër e përhapjes së Islamit në mbarë Dibrën, prej 15 brezash, duke nxjerrë shumë kuadro drejtues të Islamit që kanë shërbyer si imamë në shumë fshatra të Dibrës së Poshtme, kryesisht në zonën e Çidhnës dhe të Muhurrit etj. Secili brez ka pas të shquarit e vet, por nga më të shquarit e tyre gjatë këtyre tre-katërqind vjetëve pas Mehmetit të parë të vitit 1724, përmendim këtu Sheh Isufin dhe Sheh Musën, të dy përveç kryesues të Teqes, kanë qenë edhe imamë në Grykë-Nokë të Çidhnës, të cilët me veprat e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyera, dhe pas tyre, sipas brezave, përmenden Sheh Ismaili dhe Sheh Mehmeti, të cilit i kushtojmë këto radhë.
Theksojmë se jo vetëm Teqja e Limjanit, por të shtatë teqet e Dibrës së Poshtme kanë përgatitur dhe kanë mbuluar me imamë gjithë trevën e Dibrës. Kontributi i tyre në përhapjen e parimeve islame në Dibër ka qenë vendimtar.
Në aspektin e edukimit islam të paqëtimit, sidomos lidhur me pajtimin e gjaqeve dhe me pushimin e ngatërresave të intrigave e thashemeve ndërmjet individëve dhe përçarjes ndërmjet fiseve të ndryshme dhe të parandalimit të pasojave të tyre; roli i teqeve të Dibrës ka qenë shumë herë më i madh se sa i shtetit laik, jo vetëm në vitet e Perandorisë Osmane dhe të pavarësisë, por edhe në periudhën e sundimit të sistemit komunist, deri në vitet 1967, kur ushtrimi i fesë u ndalua me ligj nga diktatura komuniste. E thënë ndryshe roli i tyre në edukimin e popullit lidhur me paqëtimin dhe harmoninë në mjedisin e popullit ka qenë në masën e një shteti islam brenda shtetit laik.
Mehmet Ismail Shehu, si pinjoll i këtij fisi të shquar në fushën e kulturës islame, edukimin e parë islam e mori në familjen dhe fisin e tij; po kështu edhe arsimin fillor shtetëror (laik) e mori po në vendlindje gjatë viteve 1946-1950.
Pas përfundimit të studimeve teologjike njëherësh edhe laike, të mesme, në Medresen e Përgjithshme të Tiranës (1951-1957), Mehmeti u emërua imam (prijës fetar) në Zimur të Dibrës me dekret të Komunitetit Musliman të Shqipërisë. Ai ishte emërimi zyrtar i tij, por reputacioni që fitoi Mehmeti në popull me kulturën dhe njohuritë e tij fetare dhe shkencore dhe me cilësitë që rrezatoi në sjelljet dhe në komunikimin me masat dhe me kolegët e tij, imamët e tjerë të zonës, në bisedat e tij për përhapjen e Islamit, ai fitoi një reputacion të tillë në shoqëri, sa që konsiderohej jo si një imam fshati, por një kryeimam, më sakt, një lider i kulturës fetare në gjithë zonën dhe në mbarë Dibrën.
Pas vitit 1967 kur ushtrimi i besimit dhe i riteve fetare u ndalua nga shteti me ligj dhe më pas edhe me kushtetutë, Mehmeti punoi, së pari, llogaritar në kooperativën bujqësore të Bashkuar të Kastriotit, dhe më pas, kur kreu me korrespondecë edhe studimet e larta ekonomike u emërua shef Llogarie po aty, si edhe në ndërmarrje të tjera shtetërore, deri sa doli në pension. Me autoritetin që krijoi në shoqëri me punën, kulturën dhe sjelljet e tij në shoqëri, të gjithë kolegët e tij nëpunës të shtetit, e konsideronin si një intelektual të mirëfilltë, ndaj asnjë ziliqar e intrigant, sado ateistë që mund të ishin, nuk guxonin t’i bënin ndonjë provokim duke e quajtur me nënçmim si ish-hoxhë etj., pasi nuk mund të mateshin me të as në debatet shkencore e jo më për çështje teologjike.
Pas vitit 1990, kur zhvillimet politike demokratike postkomuniste lejuan ushtrimin e riteve të besimit fetar, Mehmeti, krahas punës shtetërore në ndërmarrje ku punonte si ekonomist, iu rikthye qysh në momentet e para punës për përhapjen e kulturës fetare islame dhe edukimit të masave me njohuritë fetare islame, së pari, si imam në Zimur dhe më gjerë.
Nga viti 1992 e më pas dha kontributin e vet si mësues i Kur’anit Kerim dhe i lëndëve të tjera fetare në Medresen e Peshkopisë, për aq kohë sa funksionoi ajo, deri në 1995, kur e mbylli KMSH dhe qeveria. Mehmeti ka qenë anëtari më aktiv i Komisionit të Pajtimit të Gjaqeve në Dibër, i krijuar në vitin 1997. Autoriteti i tij ishte i padiskutueshëm në masat e gjera të Dibrës.
Askush nga populli nuk e vinte në diskutim fjalën dhe sugjerimin e Mehmetit. Kontributi i Mehmetit zë vend të veçantë në pajtimin e rreth 30 gjaqeve dhe në parandalimin e pushimin e rreth 100 rasteve ngatërresash e konfliktesh të ndryshme në rrethin e Dibrës. Mehmeti, si predikues i Islamit dhe njeri i paqes, dhe i harmonisë ndërmjet njerëzve, e ka treguar vetveten me vepra, me shembullin e vet personal, duke qëndruar larg intrigave e thashethemeve, për të mos u dhënë shkak gojëve të liga për të thurur intriga kundër Islamit etj.

Nga viti 1992 e më pas dha kontributin e vet si mësues i Kur’anit Kerim dhe i lëndëve të tjera fetare në Medresen e Peshkopisë, për aq kohë sa funksionoi ajo, deri në 1995, kur e mbylli KMSH dhe qeveria. Mehmeti ka qenë anëtari më aktiv i Komisionit të Pajtimit të Gjaqeve në Dibër, i krijuar në vitin 1997. Autoriteti i tij ishte i padiskutueshëm në masat e gjera të Dibrës.

Në këtë aspekt, sa për konkretizim theksojmë këtu se në vitet 1996-1997, kur Komuniteti Musliman bëri disa ndryshime organizative në Myftinitë e Dibrës dhe e emëroi Mehmetin imam në xhaminë e qytetit të Peshkopisë, Mehmeti e refuzoi emërimin e tij në atë detyrë vetëm me qëllimin e mirë për të mos shkaktuar pakënaqësi tek ish-imamin i mëparshëm. Jo vetëm kaq, por për të mos shkaktuar konflikte të tjera, për rreth dy vjet, dhe rrogën që KMSH ia dërgonte Myftinisë së Dibrës në emër të Mehmetit, ai nuk e ka marrë atë, por ai ka lënë ish-imamit të mëparshëm për aq kohë, deri kur KMSH e riktheu atë në detyrë me vendim të posaçëm.
Në vitin 1998 Mehmeti u vendos familjarisht me banim në Tiranë, pranë të birit, Nexhbedinit, i cili pas mbarimit të specializimeve dhe studimeve pasuniversitare në Strukturat e NATOS në Gjermani etj, Nexhbedini i graduar me gradën ushtarake “Kolonel”, ishte emëruar në funksione të larta shtetërore në ushtrinë kombëtare shqiptare si Komandant i Akademisë Ushtarake dhe më pas, shef i Kuadrit në Ministrinë e Mbrojtjes.
Aktualisht prej dy vjetësh Nexhbedini është emëruar nga Qeveria dhe kryen detyrën e Prefektit të Qarkut të Dibrës.
Pas ardhjes me banim në Tiranë Mehmeti ka punuar si ekonomist për disa vjet rresht, në shoqatën islame “Ringjallja”, e cila ndihmonte jetimët e Shqipërisë. Kryesia e KMSH dhe Myftinia e Tiranës e emëroi Mehmetin në detyrën e imamit në “Xhaminë e Xhurës”, në qytetin e Tiranës, por për arsye shëndetësore dhe moshe ai nuk e vazhdoi gjatë atë detyrë në atë xhami, por në detyrën e prijësit fetar, të imamit të popullit, ai de fakto ka qenë në krye të detyrës në kryerjen e ceremonive fetare islame në shërbim të gjithë popullit, veçanërisht të gjithë dibranëve të Dibrës dhe të Durrësit, deri një vit më parë, kur ai ishte i pamundur fizikiksht.
Për vlerat dhe kontributin e tij në aspektin fetar dhe shoqëror, një jetëshkrim për Mehmet Shehun, përfshihet edhe në librin me titull “Personalitete të Kulturës Fetare dhe Atdhetare në Tiranë”, i autorit medresist Xhemal Balla, viti 2014 fq.90-91, botim i Komunitetit Musliman të Shqipërisë.
Ne, shokët e tij medresistë, e kemi pas Mehmetin vëllain tonë më të madh. Prandaj, i lutemi Zotit të Madhëruar që ta bëjë Mehmetin një nga banorët e Xhenetit!
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Ali Hoxha, ish – Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Musliman të Shqipërisë (në mandatin e viteve 2003-2004);
Ahmet Çaushi, ish-Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH (në mandatin e viteve 2004-2007);
Ismail Dizdari, ish-Drejtor i Medreses së Durrësit.
Ing.Mehdi Cani, ish-drejtor i Investimeve në Kryesinë e Komunitetit Musliman të Shqipërisë.

Tiranë, shtator 2019