Udhëtim drejt Lurës së shkretuar 


Edhe peizazhi rrethues i Lan Lurës të linte shijen e hidhur të katastrofës ma të pamëshirshme mbi pyjet me bredh, ah, rrobull, etj. që në vitet 1980 rrethonte shpatet e kësaj rrafshnalte prej rreth 100 hektar e lartësi mbi nivelin e detit 1363 metra. Sigurisht mund të shkruajmë se për nga pozicioni gjeografik, për nga forma e relievit e botanikën e llojeve do ta kishin zili zvicranët, austriakët apo Italianët e krahinave veriore. Tanimë, ne inxhinierëve të pyjeve, nuk na ka mbetur gjë tjetër veçse t’u gëzohemi e ndjemë kënaqësi shpirtërore e profesionale me shkurrëzat e barërat një dhe shumëvjeçare që kanë mbuluar sipërfaqet e sheshta shpatet, luginat, rrëpirat përqark saj.

Me dy koleg dhe dashamirës të natyrës ndërmorëm këtë udhëtim me dëshirën e mirë të shikonim nga afër ndryshimet dhe gjendjen reale të fosileve të pyjeve lurjane. Para se ti takoja përgjatë udhëtimit nga Miloti në drejtim të Rubikut vrejta me kureshtje pishnajat të mbjellura, tridhjetë vjet më parë që jeshilonin, vegjetonin në shpate të pjerrëta, biles edhe të grryera. E sot jetonin për bukuri me bisqet e simjetme, me të gjelbertën e çelur dhe rrënjët të futura në tokë e kurorat degë hapura e të harlisura. Edhe dushkajat tanima me shtatin mesatar por me një shpërndarje uniforme kishin zbukuruar peisazhet me relieve të valëzuara.
Ne ketë udhëtim kisha përkrah dy mirditor, inxhinierin Mark Zefi dhe teknikun e pyjeve Gjergj Dedaj. Në udhëtim e sipër, pimë kafen e mëngjezit në Perlat Qendër, të lokali Ermal Dukes i rrethuar me pisha deti dhe dushqe me nje  krua dekorativ ujë ftohtë. Në udhëtimin në rrugën e asfaltuar, na u shpalos një kullë modern në një kodër bri rrugës. Ishte e çuditshme se kulla cilindrike, kishte një arkitektur jo të kullave tradicionale mirditore, me qoshe të gdhendura prej gjuri etj. Arkitektura e saj e veçantë, punimet prej druri, lartësia e saj formë cilindrike, shprehnin dukshëm milionat lek të shpenzuar nga juristi Alfred Duka. Kuptohet nga Perlati, ku origjina e hershme ishte nga dukagjini me të njëjtin fis me komandantin e betejës së Sfetigradit Pjetër Perlatin.
Kemi lanun rrugën me asfaltin e lëmuar, ku makina e Markut u fut pas një devijimi befasues, përmes ferrave në drejtimin Kurbnesh – Lurë. Ndërsa pyjet e dushqeve faqeve të kodrave, kodrinave, luginave të përrenjëve, na shoqërojn vazhdimisht duke na ndjellur kënaqësi. Nuk vonon dhe na shpaloset fshati Perlat i Epër, pothuajse i braktisur. Dukeshin shtëpitë e pakta të sistemuara, por edhe gërmadha të të tjerave që të indinjonin, të shkaktonin një keqardhje të thellë. Kolegu ynë Gjergji na shpjegoi se jo shumë larg nga këtu, ndodhet mes shkembenjeve gëlqerore Shpella e Valit e propozuar për Monoment Natyre nga Bashkia Mirdite. Kthinat e saja, struktura e gurëve gëlqeror e bëjnë këtë një monument të skalitur nga natyra me një mjeshtri mahnitëse.
Makina zbret në Zallin e Ndrejave. Një përrua ku nuk i shihesh shtrati nga mbulesa e dushqeve, shkozave frashërave etj. të harlisura. Sapo fillojm ngjitjen në një udhë tërë gropa, vështrimin ndalet në lagjen Hasanaj. E cila ndodhet në një shpatinë të jeshiluar ku duken ngjyrimet e gjelbërta, me ndryshime nivelesh arkitekturale, me dushkajat që janë misrat, jonxhat, pemët drufrutore etj. Në pjesën e epërme ngrihet hijerand, plotë hijeshi kulla e Pjeter Nikoll Sulejmanit si një shqiponjë që ndrit nga bardhësia e mureve. Por, ja që ngazëllimi, bukuritë peisazhistike që u shpalosën deri këtu duke na dhanun krah e frymëzim u coptuan sapo dolëm në livadhet e Tharrit. Germimet dhe rrugët përshkonin dhunshëm shpatet e kodrinat, duke shëmtuar ndjeshem pamjet kënaqësi ndjellëse. Morëm vesh se dhëmbët e shkatrrimeve të politikës së hidrocentraleve do të nguleshin, thellë në zhbërjen e natyrës.
Hidrocentrali Bushi 1  do t’a merrte ujin nga një burim e përrua duke përshkuar dhunshëm me tubacion majën e Ngallit, faqen e saj. Ndërtesa e tijë, do të vendosesh në Zallin e Ndrejave. Ndërsa Bushi 2 do të burgoste me tubacionet e çelikta përrojin e Tharrit e do të përfundonte, pranë lagjes Ndreaj. Ku turbinat e sjellura prej forcës së ujit do të prodhonin energji elektrike. Kuptohet që gjallesat e shumta, bashkë me freskinë e ajrit, bimësinë, lagështi dashëse do të zhduken. Këto do të shëmtojn vlerat peisazhistike, natyrale e turistike të këtyre trevave. Por ja projekti për shkretim është gati.
Kështu të ngarkuar me diskutime, debate për këto prodhues energjie që tanima janë bamun si shushunjat e kënetave që thithin limfën e natyrës, vazhduam rrugën ne drejtim të lakut  Kryes i mbjellur para vitit 1990 me pisha të zeza, të rralla, përzier intimisht me dushqe, shkoza, frashër etj, me një shprehje panoramike tërheqëse. Arkitektura e gjelbërt e llojeve me një mbivendosje e gërshetim të tyre me thyerjet e relievit. Dikur e xhveshur dhe me rrëke të shumta, tanima bimësia shkurrore e drunore janë zgjuar, duke shoqëruar pishat të mbjellura nga dora e njeriut. Tregues i një bashkjetese, mirëkuptimi, ndërmjet njeriut e natyrës.
Ngjitemi përsëri duke përshkuar shpate, kurrize, vështrojm poshtë si në një humner natyrale gjigande,  fshatin Kthellë e Eper. Vazhdojm udhëtimin përgjatë një shpatine me plote kthesa ku pishnajat, po merrnin formën e një pylli. Në faqen lindore njëpamje e dhimbshëme e një sipërfaqeje prej rreth një dylim, kishte skelete drurësh pishash, ngjyrë kafe ose të zeza, sepse në Janar 2019, kishte ramun zjarr, por, fatmirësisht i fikur shpejt. Këto pishnaja kishin futur në gjirin e tyre, me të gjelbërtën e thellë, mbeturinat e kafejta e betonime të fabrikes së pasurimit të Bakrit tanima të padukshme. Ku dikur punonin dhjetra punëtor e kalonin qindra tonelata bakërr.
Zbritëm në kuotën më të ulët, ku na u shfaq papritmas një ndërtes një katshe prej betoni, me dy dritare. Njerëz me mosha të ndryshme, që kishin gotat e rakisë përpara, bisedonin qetësisht. Përball, matan një përroi të thellë mbuluar me shelgje, verrij etj. ngrihesh gjigand një peisazh gri i nje masivi shkambor gëlqeor, Guri Gjon, Monument Natyre. Duke ulur vështrimin në të gjelbërtën qetësuese e mrekulluese shtrihet qyteti i vdekur, gërmadhor i Kurbneshit në një rryp toke gjatsore prej, afërsisht tre kilometra. Ngërdheshje ndërtesash të madhësive e formave të ndryshme që të futnin tmerrin. Krejtësisht i ndryshëm plote gjallëri e bukuri, qyteti i minatorëve i vizituar nga unë, për herë të fundit në tetor të vitit 1994.
Posht rrugës, shtëpia e teknikut të pyjeve, Pjeter Gjikola e mbuluar nga deget e drufrutorëve plotë gjelbrim. Me dhimbje e përshtjellime zemrimi shquam derën prej dërrase siguruar me drinin e ndryshkur. Na u duk sikur muret e bardha me njolla të nxira, të zymtuara sikur lotonin për njerëzit që e kishin braktisur. Ndërsa gropat e shumta, kanalet përgjatë udhetimit na spostonin zemërimet, revoltën, plagosjen shpirterore nga peisazhet e dhimbshme në mallkimet ndaj qeverisjes e deputetëve që nuk kishin investuar asnjë qindark për mirëmbajtjen e rrugës automobilistike. As deputeti Luan Rama i lindur në Kurbnesh nuk kishte kontribuar aspak, ndërsa nërtesa gjigande e arkivit të shtetit me atë të rezervave shtetëror me dritare e dyer të shkyera, me dhjetra goje të hapura pa asnje dhamb. Kishin një pamje të llahtarshme, të futnin tmerin, dukeshin sikur po hanin kalimtarët.
Një pyetje e thjesht më lindi: A nuk mund të rindërtohesh e përshtatesh në hotel? A nuk mund të bahen depot e rezervave, një muze, historik edhe për minierën? A nuk mund…??? Por, fatkeqësisht llampat e fantazise u fikën. Jetojm në një botë vrastare. Kalojm arat e lena djerr, duke ndjekur përroin e Urakës ose grykën e Selitës. Hera herës dëgjojm zhurmën e ujit që kalon në gurishtet e rrumbullakosorura, me reflekset e çuditshme plotë valëzime të ndritshme nga rrezet e diellit, por, edhe freskinë ajër pastër të tijë.
Ndërsa shikojm lart kreshtave hije randa, duke u argëtuar e ndjerë kënaqësi me pamjet e majë maleve të Mullit, Didhjes, majës së Zezë, Kujgjatës shkambore me njollat margaritar të gjelbërta të disa shkurreve, barishteve etj. Edhe Valmorëm kreshnike te egër duke I shtuar madhështinë natyrore, kësaj lugine. Sejcila prej tyre zbret drejt ujëpaktit perrua të Urakës me një pjerrësi marra mendëse e shkëmbinj gëlqeror gunga gunga e thepa thepa të pambarueshëm. Por, mrekullia e natyrës nuk ka të mbaruar, ajo jo vetëm të josh me këto relieve të thyera frikshëm ose butë butë, por, të fut në galeritë e të panjohurave të saja. Në xhepat e këtyre shkëmbinjëve, në këto plasaritje, duken si lulishte të varura ballkoneve, drurët xhuxha, shkurret e llojeve që nga ahu, shkoza, frashëri, fshikarta. Dëllinja e kuqe dhe zezë, zogla etj.
Ndërsa bërshenin e gjejm buze përroit të Urakës, në ecje e sipër dhe e fotografojm, duke menduar edhe përdorimin e tyre si dru shumë i fort, por, edhe si shkurre zbukuruse përherë gjelbërt me halat shumë më pak therëse se të gjinisë së vetë të dëllinjave. Malsorët e vendbanimeve të thella të këtyre anëve jane çvendosur. Kuptohet aty ku kanë gjetur pak tokë e malin pranë kanë ndërtuar shtëpitë modeste. ‘’Lugina e Urakës,…është formuar me thyerje të fuqishme tektonike dhe në pjesën më të madhe ka formën e germës ‘’V,,. Shpatet e saja janë shumë të pjerrëta, kurse shtrati është i ngushtë( 3-5 m.) dhe formohet drejt për së drejti në shkëmbinjt rrënjësor. ( formacione gëlqerore. S.M).,, (Gjeogr. Fizike e Shqip. F.142 Tirane 1991).
Pikërisht kemi formimet e disa shpellave, e masiveve më shkembenj gelqërore ku spikat Guri Gjon, i cili bie në një rrëpirë afro 800 m, mbi Kurbnesh, ne jug me nën pllajen e bukur karstike të Valmorës, e përbri Gurit Gjon ndodhet Shpella e Fatmirave e cila është me randësi të madhe edhe arkeologjike. Kanioni Shut të Keq, Monument Natyre shpalos më së miri bukurit natyrore, me faqet shkëmbore të thepisura dhe të veshura me bimësi të llojeve të ndryshme. Kurbneshi shquhet për numrin e shpellave, ku mund të përmendim Shpella Kusia e Ndue Gjonit, Monumet Natyre; Shpella Mërkurthit (Doçit) në dalje të Merkurthit, përgjate rrugës për në Kumbull; Shpella e Borës gjëndet nën majën shkëmbore të Didhes shumë e thellë, plotë kthina, xhepa, madhështore e kureshtëndjellëse me borë të përjetshme (të dy shpellat e fundit të propozura për MNatyre nga Bashkia Mirditë).
Thyerejet tektonike në krahun e luginës së Urakës duke u dhanun atyre formën e rrëpirave. Gjithashtu formojn dy kanione të fuqishme me origjinë ‘’tektoniko – erozive,, dhe përbërjen gëlqerore të tyre. Arkitektura e relievit me coptimet e tyre, duke filluar nga Valmora e maja Dëllinjës. Në te djathtë të lumit Urak, deri në Merkurth me një sipërfaqe te 3450 ha pjesë e Kunor Valmorit  i është bashkangjitur Parkut Kombëtar Lurë – Mali Dejës.
Humbim pa dashje në peisazhet arkitekturore shumë formëshe, ku është shkrirë e gjelbërta e bimësis barishtore, drunore e shkurrore. Përpiqemi të futemi në dukurit natyrore mijëra vjeçare të formimit të tyre, në epoka gjeologjike të formimit e në ekositemet bimore, për t’iu pergjigjur pyetjeve të zakonshme: Si e qysh janë formuar gjithë këto krijesa në unitet veprimi e jete, lindje e shuarje të pjesshme?
Këtu drejt përdrejt Shehut të Keq, në përroin e Urakës, kanë qenë planifikuar dy hidrocentrale, të cilat me protestën e gjithë krahinës së Mirditës u fshine nga projekti, duke shpëtuar këto risi turistike nga shëmtira e kafshimeve të oligarkeve qeveritar. Duke vrejtur me kujdes, prurjet e tanishme të Urakes dhe ballafaquar me të dhënat e literaturës, të cilat shkruajn: ‘’Uraka në nëntor sjell 6.3m³/sek. kurse në maj 7.6 m³/sek… ndërsa burimi i Urakës me nje prurje mesatare vjetore 5.3 m³/sek.,,(po aty. f,148). Vallë çfarë llogaritjesh janë bërë nga projektuesit për sasinë e ujit që do të lëvizin turbinat? Apo do të ndërtoheshin për të pastruar parat e drogës, hajdutëve me këmisha qeveritare? Vazhdojme rrugtimin, ku përpara na del fshati Merkurth me shtëpiat gërmadha, çati të shqyera, sikur të kishte kaluar Totila i gotëve me trupat shkatrrimtare. Ne hyrje të fshatit, Ja aty, te ato kumbulla, lajthi e arra etj, me gjurme të një kulle të rrënuar e ka patur shtëpinë Gjeneral Sandër Lleshi, që kryen funksionin e Ministrit të Brendshëm, – ndërhyn Gjergji. Vështroni aty në qoshe të livadhit, ish  shkollën,- na tregon Marku,- e ndërtuar nga një shoqatë skoceze në vitn 1991. Tanima ajo është shembur dukee shëmtuar peisazhin sigurisht pa malsorin blektor, rritës e mik i natyrës. E njëjta panoram rrënqethëse, na shoqëron që nga Kurbneshi e deri te fshati i shkretuar i Selitës.
Në Qafën e Mërkurthit hapet para nesh një fushë, me një gjelbërim e luleshumtë që të mrekullon. Vërtet një dhurat fantasitike e piktoreske e natyrës. Nga këtu ndahet një rrugë atomobilistike që të çon për fshatin Kumbull e Kroi i Bardhe, tanima i njohur edhe nga vizitoret austriak të shekullit të XIX si uji me vlera shëruese për disa smundje. Por, siç shprehen mirditasit në dialktin e tyre ‘’udha asht për dreq, mos pyet ma,.,, Befasitë natyrore nuk mdarojn, pranë rrugës Qafë – Mërkurth – Kunor, në të majtë të saj, ndodhet Shpella e Mërkurthit, brenda e zbukuruar mrekullueshëm me shumë stalaktide e stalakmide, me shumë kate e nën kate, me thellësi shume të madhe, me mjaft interes, jo vetëm për turizmin malor por edhe për studime speleologjike e arkeologjike. Për nga përmasat mund të jetë me hapsirat më të mëdha në Shqipëri. Kuptohet e harruar nga studiuesit shqiptar dhe mbi të gjitha nga qeveritë e këtyre 30 vjeteve. E cila nuk na çudit aspak për braktisjen e natyrës e peisazheve mrekulluese e fitimprurëse për malsorët. Ku vetë, ky popull e brezat që do të vijnë do ta paguajn shumë shtrejt.
Kalojm anash fushës së Krej Lurës me shpatin verior veshur me pyje të rinj pishash, ahesh etj. jo uniforme. Krahu tjetër i xhveshur me ngjyrën gri të shkëmbinjëve gëlqeror, me bimësi të pakët kryesisht barëra. Ndërsa në mes saj një si ishull me bredha, pisha, ahe, lajthi etj. duke i dhanun bashkë me qylymin e luleve një bukuri mahnitëse, tërheqëse e shumë dashuruese. Forma e saj ‘’e perzgjatur me gjatesi 2,3 km. e gjërsi afro 1 km.,,(po aty f. 142)
Shtrojm pyetjen: Kur do të kemi shtëpia pushimi, prej druri për pushime dimrore e verore? Ne krahun e majt në afërsi të daljes nga fusha, ngrihet një kishë modeste me disa shkurre, drurë e pemë frutore përkundruall. Disa njerëz hynin e dilnin. Me tej, në qafë shikojm një baxho, tre djem të ri, pinin duhan të ulur në trupa. Ajo ishte një katshe. Përreth saj disa kazana me zjarrin posht, që tymosnin pak sa. Përgjatë udhëtimi në të dy anët e rrugës, kemi pisha të zeza trup holla buzë rrugës, ndërsa në faqet e pjerrta duke u ngjitur, shikohen pisha të rralla e shkurre të ndryshme. Fatkeqësisht sa më shumë të ngjitemi ato veç rrallohen duke u zëvendësuar me shtresën e gjelbërt të shkurrëzave, grathateli, boronica e barërave të ndryshme. Dikur këto vende skeletike, me shkëmbinj të zinj, shumë të pjerrta, kanë qenë të mbuluara me pishnaja të pafundme. Rruga automobilistike i ngjante një tuneli të gjelbërt. Tragjedia 30 vjeçare duket qartë me gjurmët e saja shkretuese, rjepa- rjepa në panoramat e pështira të këtyre shpatinave, sa të shikon syri. Ndërsa shpati tjetër I Kodrës së Rreneva është shkatrruar nga grryerje e rëshqitejt masive. Vetëm e vetëm se u ndërtua në Arrmall një hidrocentral. Si rrjedhoj për të çuar materialet e ndërtimit e maqinerit, u hap një rrugë automobilistike, përmes shpatit shumë të pjerrët, me traktor me rrusp, pa projekte, pa studime gjeologjike, pa mure mbajtëse, pa transportimin e gureve e dheut në vend grumbullim të përcaktuar nga projektuesi.
Masakrimi i pishnajeve nga gjërsia e skrapatave, hedhja e dheut në pjesën e poshtëme, shkaktuan këtë tragjedi mjedisore. Këto peisazhe të shpërfytyruara, jo vetëm që janë një shëmtir e pa përfytyrueshme, por, edhe i pakthyeshëm ish pylli uniform me pishnaja. Pylli me pisha në Zabelin e Nikës ishte trungishte e re me diametër mesatar shtatë centimetra e lartësi rreth tre metra, por, duke u ngjitur, fillonte zhdukja graduale e pishnajeve e zëvendësimin me barëra e shkurrëza. Ja si shkruan gazetari Velo Cfaku në librin ‘’Një jetë në mes dibranëve,, në vjeshtë 1983 ‘’Dhe menjëherë u nisëm për në drejtim të Lures së Vjetër. Në të djatht të rrugës, në një ngjitje të shkurtër, kthyem drejtimin mesë- përmes pishave gjigande 40 – 50 metroshe, të drejta si qiri enë mjaft të tilla të bëra kllapa për të mbledhur rrëshirën e tyre.,,
Ndërsa po i afrohemi të ashtuquajturës qendër të Lurës, mua papritmas më erdhi një ofsham e madhe, keqardhje, çudije, tragjedie mjedisore e njerëzore. Në ecje e siper dy kostar, një burrë rrreth të 35 vjetëve e një i ri, jo më shumë se 18 vjeç kositnin bar mbi rrugën automobilistike pranë një prroske pa ujë. Një lopë me një viç dhe një magjer po kullosnin pranë e pranë. Zbresim te klubi. Aty na priti me shumë kënaqsi e buzëqeshje tekniku i pyjeve Imer Mena. U ulëm në klubin brenda ku gumëzhinte nga zëra të njerëzve të moshave të ndryshme. Të shponte hundën era e rakisë dhe tymi i duhanit, të cilat të helmonin trupin e të vrisnin shpirtërisht. Dhe ja ofshama që më doli nga thellësit e shpirtit: Ah moj Lura shqipëtare dikur perla e bukurive dhe e njerëzve bujar e të qeshur ku paske ramun! Qënka shuar e kaluara gjallnore, ndërsa e ardhmja e bërë tym duhani e erë mbytese rakie. Njerëzqë të shikonin me dyshime, të vrejtur, syskuqur, shumica me nalla plastike Heshtje brënda, heshtje jasht në kuptimin e të qeshurave, bisedave gazmore, punës në ara, rrugë e pyje. Fatkeqësisht si kudo në peisazhe fshatrash shqiptare, ngrehina shtëpiash të çara, me mure gjysëm të shembura, çatitë dukeshin si tollumbat e lulit të vocër migjenian.
Nuk qe e mundur të shkonim te liqenet për 19 km. rruge e cila duheshin makina të larta, të fuqishme, sepse ajo e ka humbur funksionin e ketij emërtimi. Është kthyer në kanale e gropa të medha, praktikisht të pakalueshme. Trishtuese e revoltuese kjo gjëndje e tyre! Të vrarë shpirtërisht e moralisht nga një udhëtim pa kokë. Fatkeqësisht që t’i vihej ajo, duheshin 10.000 lekë të reja. Shoferi ynë inxhinieri Mark Zefi, i apsionuar pas natyrës në përgjithësi, lexoi dëshprimin tonë, theu heshtjen duke thanë:
– Po në Lan Lurë a mundtë shkojm?
Ndërkaq i hodhi një vështrim teknikut të pyjeve që sigurisht ishte vendali.
– Po atje mundemi, por me shumë kujdes duhet të ecni,- iu përgjegj Imeri, i pezmatuar në shpirt që nuk mundi të na ndihmonte për të arritur qëllimin final.
Një ngjitje tepër e vështir, ku edhe vetë gjërsinë e rrugës, po qe se mund t’i themi kështu, duhesh t’a merrnim me kthesa, për të mos takur shasin nën motorrin e saj mjaft të fuqishëm, bashkëvuajtës në këtë udhëtim të stërmundimshëm.
Ndalemi në një kthes pa hyrë në derën natyrale, ku të shihnim rrafshnaltën e Lanë Lurës. Hedh vështrimin përball. Një hapsirë shpatesh, luginash si kryet e qerosit pulla – pulla, ku mbisundonin sipërfaqet e barëzuara pa pisha ose dy tre të shpërndara, vertet si qimet në kryet e qerosit. Me keqardhje, me hidhërim që më gërvishte brenda shpirtit tim, me një tundim mendor e psiqik të pa përshkruem nuk mbajta dot dhimbjet e asaj katastrofe hiroshimjane te cilën në shumë shkrime mbi Lurën e kam emërtuar.
Në këto peisazhe  të shëmtuara marrëzisht nga hakmarrja e sistemit politik, ligjor dhe të banorëve të Lurës e jashtë saj. Vërtet politika e dallkaukeve të qeverive pas viteve ’90 dhe e banorëve se pari lurjanëve, pastaj mirditorëve, matjanëve, dibranëve, kanë kryer veprën teje kriminale kundër mjedisit pyjor lurjan?
Edhe peizazhi rrethues i Lan Lurës të linte shijen e hidhur të katastrofës ma të pamëshirshme mbi pyjet me bredh, ah, rrobull, etj. që në vitet 1980 rrethonte shpatet e kësaj rrafshnalte prej rreth 100 hektar e lartësi mbi nivelin e detit 1363 metra. Sigurisht mund të shkruajmë se për nga pozicioni gjeografik, për nga forma e relievit e botanikën e llojeve do ta kishin zili zvicranët, austriakët apo Italianët e krahinave veriore. Tanimë, ne inxhinierëve të pyjeve, nuk na ka mbetur gjë tjetër veçse t’u gëzohemi e ndjemë kënaqësi shpirtërore e profesionale me shkurrëzat e barërat një dhe shumëvjeçare që kanë mbuluar sipërfaqet e sheshta shpatet, luginat, rrëpirat përqark saj.
Ndërsa kundroja i mahnitur ketë pllaj të stërmadhe se çmë shkreptiu në mëndje: Po një pllakat, shtatore, lapidar kushtuar luftës nga më heroike të Lane Lurës nuk po e gjej? Dhe ja një fragment i shkëputur nga libri i studiuesit dibran Bajram Xhafës: ‘’Lufta e Dibrës 1920,, ku ndër të tjera shkruan: ‘’Më 28 Tetor 1921, ditën e premte, forcat serbe dhe mercenare bënë një mobilizim, u ngjitën në shtigjet dhe kreshtat malore të Lanë Lurës dhe u hodhën në një sulm të përgjithshëm. Kjo ishte dita e tretë e betejës më heroike: beteja në Lanë Lurë.,, Lanë Lura e zhveshur nga pyjet që vegjetonin përqark, e zhveshur nga heroizmat, e mohuar nga politikbërsit e 30 vjetëve, e braktisur nga vetë lurjanët. Eskili mund t’a kishte shkruar një tragjedi mbi atë. Sigurisht! Vikamat e këtyre trevave po shpojn qiellin që bubullinë vetëtinë e megjithatë askush nuk i dëgjon, i mëkon me dashuri, përkujdesje. A kam të drejt me ofshamat e mia?