Edmond Zhulali, karriera artistike nisi me një kitarë


Ndoshta më shumë se sa për talentin, ai fëmijë u fiksua në atë kohë për “veshin” e muzikës që kishte. I mbante mend të gjitha meloditë që luante, edhe pse nuk kishte bërë kurs. E për më tepër nuk bëhej fjalë për nota muzikore, në atë kohë. Madje edhe këtë kitarë e përdorte vëllai i tij i madh, Kadriu. Kur ai ikte në punë, vogëlushi hipte mbi stol, e zbriste nga muri, e vendoste në dysheme dhe ashtu siç ishte shtrirë, filloi të disiplinonte tingujt, deri sa t’i përngjasonte me ndonjë motiv që kishte dëgjuar në radio.

Shikoni këtë fëmijë që nuk mban dot kitarën… Hyn në skenë dhe pushton një sallë me qetësi dhe habi… Ulet në karrike dhe i sjellin një kitarë më të madhe se sa është vetë. Aq sa nuk e mban dot si të tjerët. Publiku çohet më këmbë dhe shpërthen në duartrokitje, paçka se akoma, nuk është dëgjuar asnjë tingull nga gishtat e tij… Më pas, dëgjohen melodi të interpretuara saktë nga vogëlushi gjashtëvjeçar, me emrin Edmond Zhulali. Ndoshta më shumë se sa për talentin, ai fëmijë u fiksua në atë kohë për “veshin” e muzikës që kishte. I mbante mend të gjitha meloditë që luante, edhe pse nuk kishte bërë kurs. E për më tepër nuk bëhej fjalë për nota muzikore, në atë kohë. Madje edhe këtë kitarë e përdorte vëllai i tij i madh, Kadriu. Kur ai ikte në punë, vogëlushi hipte mbi stol, e zbriste nga muri, e vendoste në dysheme dhe ashtu siç ishte shtrirë, filloi të disiplinonte tingujt, deri sa t’i përngjasonte me ndonjë motiv që kishte dëgjuar në radio. Aq sa “zbuti” edhe të vëllanë, duke fituar të drejtën që ta përdorte atë vegël muzikore, sa herë të dëshironte. Më pas doli në skenë, në një nga koncertet e fëmijëve të Peshkopisë.
Jehona e madhe në atë qytet lindor, u hoqi ndrojtjen pjesëtarëve të familjes që ta çonin të interpretonte edhe në një aktivitet artistik në Tiranë. Akoma edhe më shumë sukses aty. Pas shfaqjes, u lodh së luturi drejtori i Liceut të Tiranës. E si mund të bindej nëna e tij, për të lënë një fëmijë gjashtë vjeçar, vetëm në konvikt. U kthyen në Peshkopi, pa mundur të kuptonin nëse e kishin fituar apo humbur fatin. Vonë, pas shumë vitesh, kur përfundoi shkollën tetëvjeçare, ndjenë se kishin humbur. Rregullat e kohës nuk e favorizonin Mondin që të fitonte bursë, pasi atë e kishin përfituar disa herë vëllezërit e tij më të rritur. Ndaj, mundësia e vetme ishte që ai të konkurronte për muzikë. Shkoi në Shkodër dhe doli i pari. Për trompë, studioi ato katër vjet. Diçka më shumë kërkonte të mësonte gjatë studimeve në Institutin e Lartë. Ndaj konkurroi edhe për kompozicion. Të dyja degët i fitoi, por e dyta, ishte privilegj për studentët me mbiemër dhe jo ata me talent. Gjithsesi, në të njëjtën kohë, ai studionte dhe përvetësonte vetë edhe etapat e kompozicionit. Për këtë, i është mirënjohës edhe të nderuarit Gjon Simoni… U rikthye në qytetin e lindjes më i përgatitur dhe më i aftë se kurrë. Duke patur në krah edhe këngëtarët e shquar Arif Vladi dhe Liri Rasha, Edmond Zhulali do bëhej gjithnjë e më i njohur, në gjithë Shqipërinë…
Në udhën e gjatë dhe shumë të suksesshme, që ai ka përshkruar në vijim, kujtojmë se ka qenë drejtor artistik për disa vite në Radio Tirana, drejtor artistik i Festivaleve 45 dhe 46 në RTSH, ndërsa tani punon në studion e tij, nga ku ka përgatitur rreth 30 albume muzikore. Gjeografia e bashkëpunimit me këngëtarët përfshin të gjitha trojet shqiptare. Me ta, në studion e tij të pajisur me teknologji të kohës, ka realizuar kompozime, orkestrime dhe regjistrime. Mjafton të përmendim emrat e Irini Qirjakos, Eli Farës, Hysni Zelës, Petrit Lulos, Arif Vladit, Liri Rashës, Fatmira Breçanit, Dava Gjergjit, Vera Laçit, Ilir Shaqirit, Sabri Fejzullahut, Leonora Jakupit etj, etj., dhe nënkupton se sa në lartësi ka shkuar mjeshtëria dhe profesionalizmi i Edmond Zhulalit. Po aq të suksesshme janë edhe realizimet me këngëtarët e muzikës së lehtë, si: Kastriot Tusha, Aleksandër Gjoka, Manjola Nallbani, Myfarete Laze, Elsa Lila, Aurela Gaçe, Bleona Qereti, Ledina Çelo, Rovena Dilo, Anjeza Shahini, Mariza Ikonomi, etj.
Por vendin e nderit në krijimtarinë e vet ia lë asaj me temë nga Kosova. Duke njohur shumë mirë muzikën e trevave të Veriut ai ka kompozuar mbi 100 këngë për luftën e Kosovës. Ende emocionohet dhe loton kur kujton 81 koncertet e dhëna në 21 shtetet e Europës, ku ai ka qenë udhëheqës artistik e muzikor. Më shumë se sa këngë, ato mbeten në fondin e artë të pasurisë kombëtare, si kushtrim atdhetarie dhe lirie…
Jo pak interesante është historia e familjes Zhulali. Edhe pse me prindër të lindur në Gjirokastër, ata njihen si dibranë. Nga viti 1946-1991 ka jetuar kjo familje në këtë trevë. Themi trevë, pasi në Peshkopi mbërritën pas dhjetë vjetësh. Fillimisht, dy mësuesit e ardhur nga Gjirokastra u caktuan të jepnin mësim në Gurrë të Madhe të Burrelit. Ende nuk i kishin mbushur 25 vjeç, kur nisi përballja me vështirësitë, që u bënë udhëtarë të jetës së tyre. Me ta, edhe dy prindërit, njëri prej të cilëve ndërroi jetë në këtë fshat. Një familje e thjeshtë dhe e respektuar nga të gjithë banorët, jo vetëm si përçues të dijes dhe kulturës, por edhe për thjeshtësinë. Pas disa vitesh të stabilizimit në qytetin e Peshkopisë, familja humb të zotin e shtëpisë. Tani shtatë fëmijë, i madhi 24 dhe i vogli 6 vjeç rriteshin nën dashurinë dhe merakun e nënës së tyre, Dritës. Hallet dhe nevoja ekonomike burrëruan para kohe dy djemtë më të rritur në moshë, Kadriun dhe Safetin. Më pas kjo peshë, kaloi e gjitha te i dyti, sepse i pari iku në Tiranë. Me atë mbarësi që kishin ata fëmijë, një nënë do dëshironte të kishte jo shtatë, por shtatëmbëdhjetë…
Të gjithë ishin model në shkollë, lagje dhe në qytet. Fotografitë e Zhulalëve kishin zaptuar tabelat e nderit. Kështu, në tetëvjeçare, në shkollat e mesme dhe në të larta. Të shtatë kanë mbaruar universitetet. E nëse shprehet dyshim për këtë fakt, gati kemi tjetrin… Të tetëmbëdhjetë fëmijët e tyre, kanë mbaruar të gjithë shkollën e lartë… Ja pse janë kaq të dëgjuar dhe të respektuar Zhulalët! Me këtë fis, “e papritura” më e madhe ndodhi në fillim të lëvizjes demokratike. Para këtij momenti ata ishin njerëz me autoritet dhe pushtet në atë qytet. Safeti, mësues matematike në gjimnaz, Zymbylja, shefe e kulturës së rrethit, Mondi, shef i muzikës në estradën profesioniste të qytetit, Përparimi, përgjegjës i sektorit elektrik të rrethit… E kishte të fjetur mendjen partia, se të paktën këtu, nuk mund të këputej aq lehtë filli. Por ndodhi e kundërta.
Ndër të parët, në krye të atij uragani që zaptoi Dibrën, ishte biri i kësaj familje, Safet Zhulali. Nuk kishte dibran që të vinte në dyshim, pastërtinë, ndershmërinë, zgjuarsinë dhe largpamësinë e këtij matematicieni. Dhe vërtet, asnjë nuk u zhgënjye në llogaritë e veta, kush vendosi të ecë pas tij. Aq më tepër që ata nuk e quanin veten të persekutuar në atë regjim. Kjo i bëri edhe më të besueshëm në atë garanci absolute që jepnin për sistemin e ri demokratik. Sheshet e Peshkopisë dhe të mbarë Dibrës ishin të vegjël, në ato ditë që mes tyre kishin Sali Berishën dhe Azem Hajdarin. Mes tyre, i paepur Safet Zhulali…
Shpjegohet dhe mirëkuptohet rreshtimi i tyre aktiv dhe i palëkundur në të djathtën shqiptare. Vërtet ishin kuadro në administratën e atij sistemi, por ama dhe çdo ditë, ndjenin padrejtësinë dhe paaftësinë e njerëzve që kishin mbi krye. Edhe interesi i partisë dhe i pushtetit popullor tek ata nuk lidhej aq me besimin, se sa me shfrytëzimin e aftësive të tyre profesionale që ata i shpalosnin në frontin ku shërbenin. Ishin të tjerë ata që bënin militantin.
Karakteri i Zhulalëve ishte kristal. Mbaruar shkollën të gjithë, me rezultate të shkëlqyera, ata ndjeheshin zot në profesionet e tyre. Edukuar dhe rritur nga prindër të shkolluar dhe kulturuar, e patën më të lehtë të bënin pjesë të karakterit të tyre, ndershmërinë, pastërtinë dhe krenarinë. Ndaj, ata janë po aq të vlerësuar dhe të respektuar edhe në këto vite të demokracisë!

Hera e parë dhe e fundit
që veproi sipas porosive të partisë…

Në vitin 1989, një nga flautistet e orkestrës së estradës profesioniste të Peshkopisë, mori lejën e lindjes. Në vend të saj, erdhi një vajzë 18 vjeçare që sapo kishte mbaruar për flaut. E ndërsa të tjerëve u ra në sy kjo simpatike, dirigjentit i pikoi në zemër… Në atë kohë Mondi ishte 28 vjeç. Mjaftuan ato pak muaj që mes tij dhe Lilianës, të lindte ajo dashuri që nuk do shuhej kurrë. Një ndjesi e fuqishme, magjike, që nuk e la të mendohej gjatë për të shpallur fejesën…
Ishte e para dhe e fundit herë që Edmond Zhulali besonte te partia, e cila këshillonte që shoqen e jetës duhej ta zgjidhje në frontin e punës, në zbore ose aksione. Pas nëntë muajsh, në orkestër u rikthye flautistja që kishte marrë lejën e lindjes. Liliana iku nga ajo punë provizore, por hyri përjetësisht në zemrën e muzikantit të talentuar. Aq sa më pas edhe partinë nuk e deshte sa atë… Këtë e dëshmoi edhe turneu i Austrisë. Ishte bërë traditë që me vendet mike, Shqipëria organizonte Javën Kulturore, e cila përfshinte veprimtari kulturoro-artistike, si koncerte, ekspozita etj. Në Vjenë ishte caktuar të shkonte edhe ansambli folklorik “Dibra” i Peshkopisë. Natyrisht, pjesë e tij ishte edhe shefi i muzikës së estradës së atij qyteti, Edmond Zhulali. Por jashtë shtetit kishte ca lloj të tjerë shefash..
Në një nga ato ditë, Mondit i jep këshilla të çuditshme një “specialist”, që nuk e kishte idenë nga muzika. Mërzitet aq shumë për atë imponim të padëshiruar, sa për një moment vendos që të largohet jo vetëm nga veprimtaria, por edhe nga… Shqipëria. Ndërkohë që nga këta njerëz iu pështiros gjithçka, rigjeti qetësinë vetëm kur solli ndërmend Lilianën dhe familjen…

Çatia, çatia, por… të mos harrohet edhe themelia!

Ndjehet krenar dhe i është mirënjohës për gjithë jetën Safetit. Më shumë se vëlla, e ka ndjerë prind, pasi kur humbi të atin ishte vetëm gjashtë vjeç. Nën kujdesin e tij, u rrit, u edukua, u shkollua dhe u burrërua Mondi. I ka ndenjur pranë gati në çdo hap që ka hedhur në jetë. Jo pak i kënaqur, ka qenë edhe Safeti prej ecurisë së vëllait të vogël…
Lumturohej dhe entuziazmohej nga muzika e Mondit. Veçanërisht nga krijimtaria për Kosovën. Disa shumë herë shkonte në studion e tij, për të dëgjuar ato kushtrime atdhetarie dhe lirie. Ndryshe ishin vizitat për te zyra e Safetit. Jo se ishin të pakta dhe të kufizuara, por çdo i afërt apo mik nuk harronte këshillën e tij: “Hajdeni kur të doni dhe për çfarë të doni. Vetëm jo për punë biznesi !”. Mondi kujton dhjetëra raste kur Safeti u është ndodhur pranë njerëzve të thjeshtë dhe nevojtarë. Ishte shumë i dashur, i thjeshtë. Vuajtjet e kishin bërë njeri të arsyeshëm dhe të qetë. Karriera e tij në politikë e miqësoi akoma edhe më shumë me duhanin. Pinte dy-tri paketa në ditë. Cigarja e ndihmonte në qartësinë dhe pjekurinë e fjalës. Ai fliste pak, por saktë! Jo vetëm pjesëtarëve të familjes, por kujtdo i imponohej me kulturën dhe peshën e mendimit.
– Nuk mbaj mend të ketë sharë një herë në debatet politike apo në jetën e përditëshme familjare. Nëse do më pyesnin për një të metë të Safetit, do thosha se ishte më i ndershëm dhe i më i drejtë se sa duhej,- shprehet Mondi.
Edhe pse ai ka vite që është larguar nga kjo jetë, kujtimi dhe respekti është i vazhdueshëm te të afërmit dhe gjithë shoqëria. Kujtojmë gjithashtu, se dy qytete, ai i Peshkopisë dhe i Libohovës e kanë shpallur “Qytetar Nderi”. Veç kontributit të jashtëzakonshëm që ka dhënë Safeti për lëvizjen demokratike në qarkun e Dibrës, po aq e vyer është karriera e tij politike në qeverinë demokratike. Duke qenë për vite me radhë ministër i Mbrojtjes, iu dha shansi që të ishte në ballë të reformave ushtarake. Ishte porta nga ku do hynim në Europë.
Integrimi dhe pranimi në NATO, ishte motivi kryesor. Mondi kujton atë intensitet angazhimi dhe obligimi të vëllait të vet. Janë dhjetëra takime prezantuese dhe vlerësuese nga dikasteret homologe të ushtrive të të gjitha vendeve të Perëndimit. Për vetë kohën dhe nevojën, jetike kanë qenë kontaktet dhe bashkëpunimi me Pentagonin. Tri herë është pritur në SHBA, duke i organizuar ceremoni të plotë, me 21 të shtëna topi…