Hakmarrjen ma lini mua


Jetonte dikur një burrë që nuk linte punë të ligë pa bërë. Ishte hajdut me çizme, si thonë. Por ishte frikacak i madh. Vidhte aty ku sigurohej se nuk do ta gjente gjë e keqe. Atë natë, kur zë fill tregimi ynë, iu afrua shtëpisë së një plake, që nuk kishte asgjë mbi shpirt, veçse një kotec me pula. Hapi derën e kotecit, vuri thesin dhe i futi pulat një nga një në të. Shkoi në shtëpi, ku jetonte vetëm, dhe, si ndezi një zjarr të madh, poqi njërën prej pulave dhe e hëngri me oreks të madh e me shumë shije. Por nuk kaloi as gjysmë ore dhe trupi filloi t`i mbushej me pupla. I hipi një kromë kaq e madhe, sa donte ta lëshonte lëkurën në tokë. Kruhej sa mundtte, por kjo nuk e lehtësonte fare.
Nuk la doktor pa vajtur, por asnjëri prej tyre nuk i erdhi në ndihmë. Ishte një sëmundje e pashërueshme për ta. Mësoi që në një krahinë jetonte një plak i ditur. Takoi plakun dhe ia tha hallin që kishte. Plaku i tha: “Do të shpëtosh nga kjo sëmundje vetëm nëse bën plakën që të shfaqë dëshirën për hakmarrje ndaj teje”.
Hajduti i shkoi plakës në shtëpi dhe e pyeti:
A t`i vodhën pulat, moj plakë?
Po, m`i vodhën.
Po sikur të ta gjej unë njeriun që të vodhi pulat, çfarë i bën ti?
Asgjë nuk i bëj. I kam lënë Zotin.
Plaka tha si thoshte Perëndia: “Hakmarrjen ma lini mua!” Atij filluan t`i shtoheshin puplat në trup dhe kroma iu bë e padurueshme.
Po ja, moj plakë, – nisi prapë ai, – ta pruna këtu, ta mbaj që t`i biesh me një dru, nuk do ta bësh këtë me hajdutin?
Të thashë: i kam lënë Zotin.
Hajdutit iu duk se e hodhën në zjarr, në prushin e dushkut. Bëri një përpjekje të fundit që ta kandiste plakën për hakmarrje.
Po sikur atë hajdutin ta sollën ushtarët e mbretit të lidhur këmbë e duar dhe të thanë: “Jepja dënimin, se e zbatojmë ne”, ti nuk do t`i bësh asgjë?
Plaka, për të shpëtuar nga ky njeri i bezdisshëm, i tha:
Do t`ia këputja kokën, sikur ua ka këputur ai pulave te mia!
Me të thënë plaka ashtu, hajdutit filluan t`i bien puplat dhe e ndjeu veten të lehtësuar. Pak më vonë edhe kroma iu hoq fare. U ngrit dhe iku i gëzuar që e kaloi edhe kësaj radhe, falë atyre fjalëve të fundit të plakës…