MËRIA E MOISI GOLEMIT


  1. Hyrje. 

      Në vijim të ciklit kushtuar Aranitëve në Librazhd, në këtë shkrim do të ndalemi te figura e Princit Moisi Golem Araniti.

      Moisiu ka qenë një nga kryegjeneralët më të sprovuar e më të shquar të ushtrisë arbërore të shek. XV,1) i cili “…kishte famën se vinte i dyti në zotësi pas Skënderbeut”, si “krahu i djathtë” dhe “gjenerali më i mirë i ushtrisë së Skënderbeut”.2) Për shkak të marrdhënieve dashuri-urrejtje, të mërisë dhe qëndrimit inatçor që ka ai mbajtur gjatë një periudhe të caktuar me Skënderbeun, figura e tij ka qenë e mbuluar me një hije misteri, admirimi, urrejtje dhe përçmimi njëkohësisht. 

      Në këtë shkrim do të përpiqemi të hedhim dritë mbi disa të dhëna për jetën e Moisi Golemit, për disa të vërtetat që dihen por nuk thuhen dhe të lëna qëllimisht në heshtje, enkas për të denigruar figurën e tij, mbi disa fakte, veçanërisht ato të marrëdhënieve me ulje-ngritje që ai ka pasur me Gjergj Kastriot Skënderbeun, arsyet e prishjes së këtyre marrëdhënieve, zemërimi dhe mëria e madhe inatçore e tij, që e çoi atë drejt degradimit dhe kthimin e armëve kundër komandantit të tij të luftës. Gjithashtu do të risjellim disa fakte mbi të vërtetën e “faljes“ së tij prej Skënderbeut, me qëllim për të zbardhur të vërtetën që e ka mbuluar padrejtësisht në errësirën e shekujve këtë figurë të madhe historike të popullit shqiptar. 

  1. Jeta. Familja. Pronat

      Para se të shqyrtojmë çështjet që kemi ngritur më lart, duhet të themi dy fjalë për jetën e Princit Moisi Golemi: cila ishte origjina dhe familja e tij, ku ka lindur, lidhjet familjare të Moisiut me disa nga figurat më të rëndësishme arbërore të shek. XV, ku shtrihej Principata dhe pronat e tij etj.  

      Moisi Golemi është një nga pinjollët e Familjes së madhe të Aranitëve. Marin Barleti, në librin“Historia de vita et gestis Skanderbegi, epirotarvm principis”,3) shkruan: “Moisiu i Dibrës ishte epirot (shqiptar) nga kombësia”, që  kishte lindur në qytetin e Valmëve (Elbasani i sotëm).4)  Babai i tij ishte Muzakë Komneni, i cili kishte dy vëllezër: Gjergj Aranit Komnenin, vjerrin e Skënderbeut, dhe Vladan Aranitin, babain e Muzhaqit të Angjelinës e të Gjuric Vladanit.5) Nëna quhej Vojsava Muzaka (Barleti), apo Suina (sipas Gjon Muzakës),6) e cila ishte nga Dera e Muzakajve të Beratit.7) Nuk ka të dhëna, në se Moisiu ka pasur vëllezër apo motra të tjerë. Dimë nga Gj. Muzaka se ai ishte i martuar me Zanfina Muzakën, me të cilën pati dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.8) Djali quhej “Zot Komneni ose ndryshë Cezar Komneni”,9) i cili la vetëm një vajzë, e quajtur Johana Komnena, e martuar me Pal Brankaçi, një fisnik italian i derës “Nido”,10) ndërsa vajza e Moisiut, Despina, u martua me Stanisha Kastriotin, nipin e Skënderbeut nga i vëllai (Stanishi).11) 

      Nuk kemi asnjë të dhënë se ku shtrihej Principata e Moisi Golemit dhe as se ku gjendeshin pronat e tij në territoret e Aranitisë, ndonëse dimë, p.sh., se ku ishin pronat e të atit dhe djalit të tij. Gjon Muzaka, i cili ishte një njohës i mirë i familjeve fisnike të kohës, shkruan se pronat e babait të Moisiut ndodheshin në një pjesë të krahinës së Çermenikës dhe një pjesë në Mokër. Ato përfshinin këto fshatra: Librazhdi (Liborasi), Drago, Stugna (Dragostunja), Dorëzi (Dorisa), Qukësi (Zuchisi), Gurra (Guri) dhe disa fshatra të tjerë.12) Gjon Muzaka ka përmendur edhe pronat e djalit të Moisiut. Muzaka, kur bën përshkrimin e krushqive të familjes së tij me familjet e tjera princërore të Arbërisë, shkruan se motra e katër, që quhej Zonja Komita Muzaka, ishte e martuar me “Zotin Aranit, të birin e Muzak Aranitit”, i cili “kishte një Principatë të mirë në Çermenikë…”.13) Dhe ky Araniti, shkruan Dhimitër Shuteriqi, ishte djali i Moisi Golemit.14) Këtë djalë Moisiu, me sa duket, duhet ta ketë pasur nga ndonjë martesë e parë e tij dhe jo nga martesa me Zanfina Muzakën, pasi, siç e pamë më lart, Muzaka shkruante se djali që Moisiu pati me Zanfinën quhej Cezar Komneni. 

      Ku ndodheshin pronat e Moisiut? Dhimitër Shuteriqi, një nga njohësit më të mirë të Aranitëve, në një nga studimet e tij për zotërimet e pronave të Aranitëve në viset e Librazhdit të sotëm, shkruan: “…zotërimet e Moisiut e të familjes së tij gjendeshin në viset afësisht që nga Maqellara e gjer në kufijtë e Mokrës së sotme, në anët më lindore, të krahinave ku sunduan Aranitët. Dimë, në mënyrë më të përcaktuar, se familja e tij kishte pasur fshatrat e Librazhdit…, këtu ishte, si të thuash, bërthama e “shtetit të tij”.15) Gjon Muzaka, bashkëkohës me të, përmend vetëm pronat e atyre Aranitëve që kishin lidhje me familjen e tij, por, për fat të keq, nuk jep asnjë të dhënë për pronat e Moisiut, të cilat na vijnë nga Marin Barleti, biografi i Skënderbeut, i cili shkruan se Moisiu i kishte pronat në Dibër dhe se këto prona atij ia kishte dhuruar Skënderbeu,16) ndofta si trofe apo si një shpërblim për heroizmin që ai kishte treguar gjatë betejave kundër ushtrisë osmane. Ndërsa pronat e tij në Çermenikë, supozojmë se Moisiu ia pati lënë djalit të tij, Aranitit, që ai kishte pasur nga martesa e parë, por që Muzaka nuk e përmend këtë martesë, për arsyet që ne i kemi përmendur në një shkrim të mëparshëm kushtuar Muzhaqit të Angjelinës.17)

      Moisiu thirrej si“Moisiu i Dibrës”, shkruan Barletit, për shkak se ai banonte në Dibër, ku Skënderbeu i kishte dhuruar shumë prona dhe një pjesë të madhe të vendit, ndonëse Moisiu ishte i njohur gjërësisht me emrin “Moisi Golem Arianiti”.18) 

  1. “Gjenerali më i mirë i ushtrisë” (Noli)

      Padyshim, që një nga gjeneralët më të mirë, ndër gjithë gjeneralët e shquar që pati Gj. K. Skënderbeu në ushtrinë e tij, më i zoti ndër ta ka qenë Moisi Golem Araniti. Marin Barleti, biografi i parë dhe autor i Historisë së Skënderbeut, ka shkruar:“Të shumtë ishin në atë kohë ata që kishin autoritet të madh dhe gëzonin fort besimin e Skënderbeut si në kohë paqeje, si në luftë, por vendin e parë ndërmjet tyre e pretendonte Moisiu, jo vetëm për trimëri në luftë, por edhe për një farë shkëlqimi të pashoq të emrit të vet…”.19) Pas kthimit të Gjergj Kastriotit në Arbëri, Moisiu, si shumica e princërve arbër, iu soll Skënderbeut vullnetarisht, duke i bashkuar armët e tij me bashkëluftëtarin dhe komandantin e ardhshëm kundër ushtrisë pushtuese osmane.  Marin Barleti e quante fat që Moisi Golemi i ishte bashkuar me Skënderbeut një burrë i shquar dhe bujar si ai. Barleti shkruan: “Ndërmjet të tjerëve, fati kishte sjellë këtu Moisi Pjetër Golemin, burrë të shquar dhe bujar, me fis e me shpirt”.20) Janë të shumta betejat që kanë zhvilluar të dy sëbashku kundër ushtrisë osmane. Disa herë ai i ka qenë vendimtar në betejat më të rëndësishme që ka zhvilluar ushtria e arbërorëve kundër ushtrisë osmane.

      Një nga detyrat më të rëndësishme që i ngarkoi Skënderbeu sapo nisi luftën kundërosmane në Arbëri, e cila ishte dhe sprova e parë për Moisiun si gjeneral, ishte pushtimi e kështjellës së Sfetigradit, pasi kjo kështjellë ishte një nga pikat më të rëndësishme strategjike, e cila shërbente si portë për kalimin e ushtrive osmane që futeshin në trojet e ku sundonte Kastrioti. Moisiu në atë betejë, shkruan Barleti, çfaqi një strategji të jashtëzakonshme, e cila bëri që, pas një rrethimi të gjatë,  kjo kështjellë të pushtohet dhe të binte lehtësisht në dorën e luftëtarëve arbër.21) 

      Beteja pasardhëse ishte ajo e vitit 1444, ku Moisiu u tregua një luftëtar dhe një drejtues i shkëqyer. Barleti shkruan: “Në krahun e djathtë vepronte, po me këtë mënyrë, Moisiu i Dibrës, kapedan i tij. Edhe ky vijën e parë e zuri me turmën e kalorësve të legjioneve të veta, me një mënyrë që këmbësorët ta kishin  të lirë daljen nga çdo anë dhe zmbrapsjen e sigurt”.22) 

      Pas këtyre betejave dhe fitoreve të rëndësishmë që korri ushtria e Skënderbeut kundër osmanëve, Moisiu dhe luftëtarët e tij merrnin pjesë në çdo betejë, atje ku rreziku ishte më i madh dhe ku përcaktohej fati i betejave. Ai, shkruan Barleti, i inkurajonte bashkëluftëtarët e tij dhe i ftonte në beteja  duke u bërë thirrje për të çfaqur heroizmin e tyre.23) Moisiu tregonte një kujdes të jashtëzakonshëm për ushtarët dhe bashkëluftëtarët e tij, kur ata ishin plagosur në betejë, apo ishin në gjëndje të vështirë emocionale. 24)  

      Skënderbeu, shkruan Barleti, kishte një dashuri dhe admirim të jashtëzakonshëm për Moisi Golemin. Në një nga betejat Moisiu ishte plagosur shumë rëndë dhe, për kurimin e tij, ai u përkujdes nga vetë Skënderbeu.25) Moisiu këshillohej dhe qortohej shpesh prej Skënderbeut, që ai të tregonte kujdes për jetën e tij dhe të ishte më i vetëpërmbajtur në betejë. “Moisiu ishte fort i admirueshëm si për merita ushtarake, ashtu dhe meritat prej kapedani, – shkruan Barleti, – por ishte me gojë ngaherë të gjakosur e, siç thonë, me kreshta përpjetë, që s’i frenonte dot dhe që shumë pak e urdhëronte veten. Prandaj thonë ai u qortua nga Skënderbeu dhe u këshillua që guximin e tij ta përdorte më me masë dhe fitoren më me mend; një veprim i tillë do t’i falej një ushtgari të thjeshtë të turmës; për një kapedan ai do të ishte i rrezikshëm, si rrjedhim, fort i qortueshëm dhe një shembull shumë i keq”.26) 

      Deri në fund të jetës së tij Moisi Golemi mori pjesë gati në të gjitha betejat që zhvilloi ushtria arbërore kundër ushtrive osmane,27) venedikase,28) por dhe kundër ushtrive italiane në Itali,29) kur Skënderbeu shkoi për të ndihmuar djalin e mikut të tij, mbretin Ferdinand të Napolit, që kërcënonhej nga princërit rebelë të Italisë së jugut, të cilët ishin aleatë me Burbonët e Francës, rivalë të hershëm të Mbretësisë së Napolit. 

  1. Mëria e Moisi Golemit

      Disa autorë shqiptarë, duke filluar nga Barleti, Frangu e deri te Noli etj., në monografitë e tyre kushtuar Skënderbeut, Heroit Kombëtar të shqiptarëve, kanë shkruar se Moisi Golemi ka tradhëtuar Skënderbeun për shkak të një mwrie, apo zemërimi të madh, dhe u bashkua me osmanët kundër tij. 

      Përse u nda Moisi Golemi nga Skënderbeu dhe cili ishte shkaku i zemërimit të tij? Si qëndron e vërteta e “tradhtisë” së luftëtarit më të famshëm të ushtrisë arbërore të shek. të 15-të? Përse iku në Stamboll dhe ç’e shtyu atë që të ngrinte armët kundër bashkëluftëtarit dhe mikut të tij më të ngushtë? A është e vërtetë se ai, pas disfatës që pësoi ushtria osmane e komanduar prej tij, u kthye fshehurazi e i penduar dhe, siç shkruajnë Barleti dhe Frangu,30) u përul i gjunjëzuar duke i kërkuar Skënderbeut “me lot në sy” që ta falte? Këto dhe disa pyetjeve të tjera do të mundohemi t’iu japim përgjigje në vijim të shkrimit tonë.

      Sipas Barletit dhe Frangut, “tradhtia” e Moisiut zuri fill pas humbjes së rëndë që pësoi ushtria e Skënderbeut në betejën e Beratit.31) Barleti shkruan se shkak i tradhtisë së Moisiut ishte “Barbari”, dmth, Sulltani, i cili, sipas tij, pasi nuk e mundi Skënderbeun në fushën e betejës, ai bëri ç‘mos për ta mposhtur me anë të dredhive, duke i “grishur” (ftuar) në bisedime bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë e më të zot me qëllim për t’i joshur e korruptuar dhe, për këtë, gjithnjë sipas Barletit, ai përzgjodhi Moisi Golemin, kryegjeneralin e ushtrisë së arbërorëve dhe krahun e djathtë të Skënderbeut. Sulltani, shkruan Barleti, “s’la gurë pa luajtur për këtë punë. Mbi të gjitha ai vuri në veprim tërë urtësinë dhe mençurinë e vet për të në bisedime Moisiun…”.32) Kurse Dh. Frëngu shkruan se pas Betejës së Beratit dhe të përmbysjejes, sipas tij, së gjendjes në Arbëri: “Moisiu nuk shpresonte më se Skënderbeu të qe në gjendje të mbronte vendin” dhe kaloi tek osmanët, me qëllim “për ta shporrur Skënderbeun prej Shqipërisë nëse i jepeshin mijëra ushtarë turq të zgjedhur dhe me kusht që, pasi ta kishte përzënë Skënderbeun prej Shqipërisë, të bëhej zot i atij vendi, duke i paguar Turkut një tribut vjetor”.33) Kurse F. S. Noli, biografi më i shquar shqiptar i Skënderbeut në shek. e 20-të, shkruan se ishin venedikasit ata që e kanë nxitur Moisiun dhe princërit e tjerë arbër që ta tradhëtonin Skënderbeun dhe të hidheshin te turqit. “Ka të ngjarë, – shkruan ai, – që vendikasit të kenë dashur që ata të hidheshin në anën e turqve dhe të ktheheshin pastaj me ushtrinë turke, kundër ish komandantit të tyre të përgjithshëm. Në fakt ata i kanë inkurajuar dezertorët për të vepruar në kërë mënyrë (Makushev, Marinesco). Ata shpresonin ta likujdonin Skënderbeun me anë të luftës vëllavrasësë dhe të agresonit turk (112)”.34) Kurse shtysën e “tradhtisë” së Moisiut, ai e shikon te bashkëshortja e tij, Zanfina Muzaka, të cilën Skënderbeu e kishte ndarë prej burrit të saj të parë, Muzak Topisë, për ta martuar këtë të fundit me të motrën, Mamica Kastriotin. “Ta dini që Zot Muzak Topia, ose ndryshe Karl Muzaka, – shkruan Gj. Muzaka, – pati për grua Zonjën Zanfina, ose ndryshe Suina, me të cilën bëri dy fëmijë, një djalë me emërin Andrea dhe një vajzë më emrin Jella, që kjo e quajtura Jella u martua me Zot  Gjergj Cernoviçin dhe ju them se Zot Skënderbeu e prishi këtë martesë të të lartpërmendurit Zot Muzakë e zonjës Zanfina Millosaka e lartpërmendur, pa e dashur as perëndia dhe askush,  dhe as fëmijët që ata kanë dhe i dha të motrën, Mamicën.35)

      A është e vërtetë se Moisiu e “tradhëtoi” Skënderbeun për shkak se, siç shkruan Barleti,  të grishjes që i bëri Sulltani, apo, siç shkruan Frangu, të egoizmit të tij që ai të bëhej Zot i Arbërisë, apo për shkak të intrigave të Venedikasve, siç shkruan Noli?! Akuzat e dy prej biografëve të Skënderbeut, të cilët kanë qenë bashkëkohës të ngjarjeve të mëdha të shek. të 15-të, janë sa naive aq dhe të njëanëshme. Kurse insinuatat e Nolit, se kanë qenë intrigat e venedikasve shkaku i tradhtisë së Moisiut, nuk nuk mund të merren në konsideratë, pasi nuk ka dëshmi apo fakte reale që e vërtetojnë një pohim të tillë. 

      Por cili ishte shkaku i vërtetë i mërisw së Moisi Golemit, që çoi atë në një reagim ekstrem kundër Gjergj Kastriot Skënderbeut? Këtë na e thotë një tjetër bashkëkohës i Skënderbeut, Despoti i Beratit, Zoti Gjon Muzaka, autori i “Gjenealogjisë” së Derës së Muzakajve. Ai shkruan se arsyeja e vërtetë e zemërimit të Moisi Golemit ndaj Kastriotit kishte shkaqe më të thella, që kishin të bënin me rrëmbimin tokave të tij dhe përvetësimin e Principatës së Moisiut në Dibër. “Zot Skënderbeu…, – shkruan ai, –  pasi mori Matin, Principatën e të atit,  u bë Zot i qytetit të Krujës, të cilën i ati nuk e kishte … e në pak kohë synoi të zotëronte të gjithë vendin… mori dhe Moisi Komnenit principatën e tij, e cila ishte në Dibër”.36) Skënderbeu ishte Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë Arbërore me ambicie për t’u bërë Mbret i Arbërisë, ndaj synonte zgjerimin e territoreve të shtetit të tij, që ishte ende i vogël, dhe këtë zgjerim ai kërkonte ta bënte duke u rrëmbyer tokat e fisnikëve shqiptarë. Skënderbeu nuk ia rrëmbeu toka vetëm Moisiut, por edhe fisnikëve të tjerë arbër, ndër të tjerëve dhe dy nipërve të tij nga e motra Jella, vëllezërit Gjon dhe Gojko Balsha, të cilët, pasi ua rrëmbeu pronat që kishin midis Krujës dhe Lezhës, i burgosi dhe i internoi në Itali.37) Ai, shkruan Muzaka, “na mori dhe neve Tomorrishtën, domethënë Myzeqenë e vogël dhe kështu bëri dhe me zotërinjtë e tjerë të krahinave të Komit dhe të Randisës që nuk mbroheshin dot, sepse ai kishte ushtrinë për luftë dhe turku kërcënonte çdo vend”.38) Fan Noli i konsideronte si të natyrshme rrëmbimet e përdhunshme që u bënte Skënderbeu pronave të feudalëve të tjerë arbër. “Ishte fare e natyrshme, – shkruan ai, –  që Skënderbeu t’i hiqte këta krerë të paafrueshëm, t’i aneksonte kantonet (krahinat e tyre) dhe ta bashkonte të gjithë vendin kundër Turqisë dhe Venedikut”.39)  Por, nga ana tjetër, Noli i pranon pasojat që rrjedhin nga nga një veprim i tillë. “Këto dezertime, – shkruan Noli, – i detyrohen faktit që Skënderbeu po i aneksonte principatat e gjithë këtyre gjysëm feudalëve, ose më mirë, krerëve patriarkalë, të cilëve s’u mbetej më gjë tjetër, veç të kërkonin mbrojtje nga turqit ose nga venedikasit….“.40) 

      Nëse fisnikët e tjerë, që u ishin rrëmbyer pronat, ishin më të dobët dhe të pafuqishëm që të përballonin fuqinë e Kastriotit, kurse Moisiu, duke qenë se nuk mund ta përtypte dot poshtërimin dhe fyerjen që i shkaktoi Skënderbeu, iu kundërvu këtij të fundit dhe u arratis në Anadoll (Turqi). “Moisiu ishte njeri me zemër dhe trim, – shkruan Muzaka, – dhe, duke mos mundur të durojë një dhunë të tillë, u arratis tek Sulltani dhe ky Sulltani e bëri komandant të njërës nga ushtritë e tij dhe  e dërgoi kundër Skënderbeut”.41) Një tjetër shkak përse Moisiu është ndjerë i fyer, kishte të bënte me sojin (rangu) e lartë të fisit të tij të Aranitëve, të cilët, në krahasim me atë të Kastriotëve, që vinin nga një familje e vogjël  fisnikësh, e kishin origjinën e tyre nga familje të vjera feudale, me lidhje të shumta me dyer mbretërish e perandorësh europianë. Historiani Pëllumb Xhufi, kur analizon marrdhëniet e familjes Araniti me Kastriotët, shkruan: “Gjergj Arianiti … nuk e duronte lehtë autoritetin epror të Skënderbeut, aq më shumë kur bëhej fjalë për një kapedan që, ndryshe nga ai, vinte nga një familje fisnikësh të vegjël…”.42)  

      Në Mesjetë marrdhëniet midis të fisnikërisë arbërore të shekullit të 15-të, si aleancat, vasalitetet, ndarjet, mosmarrëveshjet, tradhtitë etj. ishin të vendosura mbi bazë të një kodi, të quajtur “Kodi i nderit”. Mosmarrëveshjet, armiqësitë, mëritë etj. ishin të nxitura nga shkaqe apo motive të ndryshme, por kryesisht ato shkaktoheshin për territoret. Mjaft nga çështjet e mprehta, siç ishin, mëritë, apo zënkat, zgjidheshin në fushën e betejës, në dyluftimet trup me trup, apo me vrasje në pusi, siç pati ndodhur vrasja në pusi e Lekë Zaharisë nga Lekë Dukagjini,43) e cila nxiti një luftë të re të Skënderbeut kundër Venedikut, pasi venedikasit, pas vdekjes së  Zaharisë, kishin zaptuar pronat e këtij të fundit si dhe qytetin e Danjës. 

      Kishte dhe armiqësi të mëdha mes fiseve dhe familjeve të mëdha, të cilat shkaktonin luftime të përgjakshme mes tyre. E tillë ka qenë ajo e Dukagjinëve kundër Kastriotëve. Dukagjinët dikur kishin qenë aleatë të Skënderbeut. Ata morën pjesë në Beslidhjen e Lezhës (2 mars 1444), por kurrë nuk iu nënshtruan këtij të fundit dhe në mes tyre kishte plasur një mëri dhe armiqësi e egër, gjë që shkaktoi një përçarje mes ish aleatëve dhe Dukagjinët kaluan me osmanët.44) Kjo gjë shkaktoi shqetësim te Vatikani, sa që e detyroi Papën Nikolla V t’i kërcënonte Dukagjinët me shkishërimin e tyre.45) 

      Moisi Golemi, pas mërisë, u largua nga Skënderbeun dhe, ashtu siç kishin bërë fisnikë të tjerë para tij, për ta luftuar atë u bashkua me Sulltanin, me armikun më të madh të tij. Parimi: “Armiku i armikut tim është miku im”, që ishte normale për kohën, ndoshta ka qenë arsyeja kryesore përse Moisiu shkoi te Sulltani. Shkaktari dhe fajtori kryesor i konfliktit mes tyre ishte i Skënderbeu, i cili kishte rrëmbyer pronat e Moisi Golemit dhe e kishte detyruar këtë të fundit që të hakmerrej. Në këtë përfundim ka mbërritur historiani zvcerian Oliver Jens Schmitt, autori i librit “Skënderbeu” (Tiranw 2009), i cili shkruan: “Fajin nuk e ka tradhtari, por Skënderbeu, i cili kishte fyer rëndë një fisnik dhe e kishte detyruar këtë të hakmerrej. Moisiu nuk kishte rrugëdalje tjetër, nëse donte të ruante nderin e vet…”.46) 

      Moisiu u rikthye në Arbëri në krye të një ushtrie osmane, por u thye keq nga Skënderbeu. Ashtu siç kam nënvizuar dhe në një shkrimin tim kushtuar Muzhaqit të Angjelinës,47) në këtë betejë, Skënderbeu hartoi një strategji të jashtëzakonshme kundër Moisiut. Ai e vendosi ushtrinë e tij, e cila ishte e ndarë në dy pjesë, nën komandën e. dy vëllezërve Araniti, Muzhaq Komnen Araniti dhe Gjuric Vladan Araniti, që ishin djemtë e xhaxhait të Moisiut, duke i vënë Aranitët përballë njëri-tjetrit, gjë e cila bëri të pamundur dyluftimin vëllavrasës dhe siguroi fitoren e ushtrisë së tij.  

      Moisiu u kthye te Sulltani i mundur dhe me ushtri të shpartalluar. Brenda shpirtit të tij duhet të ketë pasur tallaze të mëdha. Dy nga biografët e tij më të hershëm, Barketi dhe Frangu, shkruajnë se Moisiu u kthye i penduar dhe i kërkoi falje Skënderbeut. Barleti shkruan: “I pikëlluar sa s’ka, i ra përpara në gjunjë, i kërkoi me lot në sy që ta falte e të mos i bënte gjë, jo se e meritonte, por për vetë bujarinë dhe njerëzinë e shpirtit të tij… Skënderbeu e zuri prej dore dhe e porositi që të ngrihej menjëherë. I gatshëm për ta falur, i foli me shumë mirësi dhe, duke e përqafuar e puthur shpesh, ia hapi zemrën krejt dhe u pajtua me të…”,48) ndërsa Frangu shkruan: (Moisiu) erdhi fshehurazi në Shqipëri zëmërdridhur dhe me lot për të kërkuar mëshirë. Skënderbeu shtriu menjëherë dorën, e ngriti dhe nisi të bisedonte me të në një mënyrë të tillë, a thua se nuk kishte marrë as edhe një fyerje më parë nga ana e tij”.49) 

      A ishte e vërtetë se Moisiu u kthye i përulur ndaj Skënderbeut dhe i kërkoi falje? Muzaka shkruan krejt të kundërtën, se ishte Skënderbeu ai që i shtriu dorën e pajtimit dhe i bëri thirrje Moisi Golemit që të kthehej.50) Muzaka shkruan: “…por pastaj ai (Skënderbeu) i dërgoi lajm që të kthehej e të mbeteshin vëllezër dhe Moisiu, duke parë se nuk ishte i sigurtë tek Sulltani dhe për të mos rritur më gjakderdhjen e të krishterëve, u kthye”.51 Skënderbeu kishte gabuar me Moisi Golemin, por dhe Moisiu, me sa duket, kishte qenë i penduar për aktin që kishte kryer dhe që të dy zotërinjtë më të mëdhenj të Arbërisë bënë pajtimin e tyre historik. O. J. Scmitt-i, shkruan: “…Skënderbeu e kishte kuptuar gabimin e tij edhe Moisiun e kaploi pendesa… kështu që interesat e të dy zotërinjve përputheshin me njëri-tjetrin; ishte harruar fyerja, ishte rimëkëmbur vëllazëria e armëve deri në vdekje…”.52) 

      Opinionet e disa prej historianëve për Marin Barleti kanë qenë kritike nga veprës së tij “Historia e Skënderbeut”, sa që ndonjëri prej tyre (Babingeri) e ka quajtur edhe “përralltar”.53) Ai është kritikuar nga disa të tjerë edhe për një lloj njëanshmërie të skajshme dhe jo reale në favor të Skënderbeut, që, siç shkruan Noli, i “ngre në qiell fitoret e heroit (Skënderbeut-A.A.), ndërsa fatkeqsitë e tija i kalon në heshtje. Të vrarët turq i shumëzon me mijëra, ndërsa humbjet shqiptare i pakëson deri në disa dhjetëra…”.54) Krejt të ndyshme janë opinionet për Gjon Muzakën, pasi vepra e tij, “Gjenaologjia”, ka karakter përshkrues, është më realiste dhe ka një qëndrim kritik ndaj figurës së Skënderbeut, ç’ka e bën më të besueshme se veprën e Barletit, i cili vetëm lavdëron anët heroike të Skënderbeut. “Muzaka, – shkruan Noli, – është kundërshtar i hapur i Skënderbeut, të cilin e konsideron si arrivist dhe uzurpator, që u muar me aneksimin e tokave të principatave fqinje. Dëshmia e tij është, pra, shumë më e vlefshme se ajo e biografëve të tjerë që janë pak a shumë lavdërues”.55) 

  1. Beteja e Vajkalit. Fundi i Moisi Golemit

      Në prill të vitit 1465 u zhvillua Beteja e Vajkalit, midis ushtrisë së Skënderbeut dhe ushtrisë osmane të udhëhequr nga sanxhakbeu osman i Sanxhakut të Ohrit, Ballaban Badera, i cili ishte një renegat me origjinë arbërore, i dërguar nga Sulltan Mehmeti II që të shkatërronte Skënderbeun. Ushtria arbërore i ishte besuar Moisi Golemit. Para betejës, Skënderbeu u paraqiti luftëtarëve planin e luftimit, në të cilin ishte planifikuar që t‘i mashtronte osmanët, duke i bërë të mendojnë se forcat e tij janë shumë më të dobëta për të luftuar dhe tepër të frikësuara. Osmanët u futën në betejë me një ndjenjë të rreme sikur luftëtarët shqiptarë ishin më të pakët se ata në numër. Skënderbeu i lejoi ushtarët osmanë që të vinin sa më pranë tij dhe pastaj filloi kundërsulmin. Beteja u zhvillua e ashpër dhe ushtria osmane u frikësua dhe ushtarët filluan të largohen në panik. Në ndjekje të ushtrisë së shpartalluar të Ballabanit, shkruan Franku,56) disa prej drejtuesve të ushtrisë së Skënderbeut nuk zbatuan urdhërat e tij për të ndaluar ndjekjen e forcave osmane dhe u kapën në befasi. Disa nga njerëzit më të afërt e më të besuar të Skënderbeut, duke përfshirë: Moisi Golemin, Gjuric Vladanin, Muzhaqin e Angelinës, Gjin Muzakën, Gjon Perlatin, Nikollë Berishën, Gjergj Kukën dhe Gjin Maneshin, “të rrëmbyer nga furia e Marsit dhe vrulli i luftës, shkuan më tej nga ç’duhej”.57) Ata u zunë të gjallë. Robërit u dërguan në Konstandinopojë, ku u torturuan në mënyrë çnjerëzore. 

      Skënderbeu dërgoi ambasadorë te Sulltani, që, kundrejt një shume të madhe të hollash, apo duke i shkëmbyer me robër osmanë, t‘i këmbete me luftëtarët e tij, në të kundërt ai do të ekzekutonte të gjithë robërit osmanë të luftës. Sulltani nuk pranoi, por urdhëroi ekzekutimin e robërve. “Me vdekjen e tyre, – do të shkruante Barleti, – e bënë Arbërinë më të përlotur se ndonjëherë më parë, sepse që të gjithë shquheshin shumë si për fuqinë e trupit, si për forcën e shpirtit dhe për dijen ushtarake”.58)  

F U N D

_________________________

  1. “Të shumtë ishin në atë kohë ata që kishin autoritet të madh dhe gëzonin fort besimin e Skënderbeut si në kohë paqeje, si në luftë, por vendin e parë ndërmjet tyre e pretendonte Moisiu, jo vetëm për trimëri në luftë, por edhe për një farë shkëlqimi të pashoq të emrit të vet”. Barleti 1983, faqe 408;
  2. “Moisiu i Dibrës kishte famën se vinte i dyti në zotësi pas Skënderbeut”. Noli 1967, faqe 140;
  3. Ne do t’i referohemi librit të Marin Barletit: “Historia e Skënderbeut”, botim shqip i vitit 1983, i përkthyer nga Stefan Prifti. Shënim i autorit; 
  4. Barleti 1983, faqe 402;
  5. “Muzaka kishte dy vëllezër, d.m.th., Aranit Golemin, Kominatin, të vjehrrin e Skënderbeut… dhe Vladen Golem Aranitin…”; Po aty, faqe 402;
  6. Baba kishte Muzakën dhe nënë Vojsavën”. Barleti 1983, faqe 402; “Zonja Suina, pati për burrë Zot Muzak Komnenin, të birin e Komnen Arianitit”.  Muzaka 1996, faqe 35; 
  7. “Zonja Suina (Muzaka) pati për burrë Zot Muzak Komnenin (d.m.th., babain e Moisi Golemit-shënimi im A.A.). Muzaka 1996, faqe 35;
  8. “…dhe ky Zot Moisiu pati për grua të quajturën Zonjën Zanfina, ose Suina Muzakën…”, Muzaka 1996, faqe 45;
  9. Muzaka 1996, faqe 52;
  10. Po aty, faqe 52;
  11.  Muzaka 1996, faqe 52; “…Një vajzë e Moisiut (Golemit), Despina, u martua me Stanisha Kastiotin e ri, djalin e Stanishës, vëllait të Skënderbeut”. Shuteriqi 2011, faqe 59;
  12.  “Zonja Suina, pati për burrë Zot Muzak Komnenin, të birin e Komnen Arianitit, i cili kishte shtet të tij pjesën e Çermenikës dhe në pjesën e Mokrës. Fshati i parë (i tij) quhet Librazhdi (Liborasi), një tjetër Drago (Drago), një tjetër Stunja (Stugna), një tjetër Dorësi (Dorisa), një tjetër Qukësi (Zuchisi), një tjetër Guri dhe fshatra të tjerë”.  Muzaka 1996, faqe 35; 
  13. Muzaka 1996, faqe 37;
  14. Shuteriqi 2011, faqe 27, 105;
  15. Po aty, faqe 106;
  16. Barleti 1983, faqe 402;
  17. Alcani 2019, faqe 146-147;
  18. Po aty, faqe 442;
  19. Barleti 1983, faqe 408;
  20. Po aty, faqe 91; 
  21. “Përsa i takon rrethimit të qytetit (Sfetigradit) u çfaqën tri mendime (faqe 103)… Moisiu,… ndryshe nga të tjerët, mendonte se me anë të rojes që mbahej atje në kufi, e gatitur për nevoja të tjera, ishte e mundur që edhe për ushtrinë të kujdeseshin shumë mirë, edhe rrethimin të mos e ndërprisnin, duke i mbajtur armiqtë të mbyllur ndërmjet mureve dhe duke e shtyrë kështu luftën pak e nga pak për një kohë më të përshtatshme të vitit, pa u dhënë mundësi që të merrnin frymë. Ky mendim i matur u pranua dhe kjo barrë iu ngarkua vetë nismëtarit nga Skënderbeu”. Barleti 1983, faqe 104;“Sfetigradi, mbi kufirin turk, i vetmi vend që qëndronte akoma i pamposhtur, u muar pas një rrethimi të gjatë prej Moisiut të Dibrës, një nip i Gjergj Aranitit”. Noli 1967, faqe  81;
  22. Barleti 1983, faqe 142; “Beteja pra filloi rishtazi. Tanushi dhe Moisiu, pasi i ndanë në mes tyre krahët e armikut, ia nisën ndeshjes me rreptësi”. Barleti 1983, faqe 143; 
  23. “Por kuajt dhe burrat dibranë, të këputur nga lodhja, që po ua shkundte fuqitë për gditje dhe gati të thyer, do të ishin tërhequr dalëngadalë para armikur, sikur Moisiu të mos i kishte bërë të ndienin turpin për frikën dhe lodhjen, ndërsa po tërhiqeshin, dhe sikur të mos t’i kishte kthyer në mjeshtër të fitores, kur ishin gati të thyheshin…”. Barleti 1983, faqe 196;
  24. “Rënkimi i pandërprerë i një ushtari të dëgjuar për trimëritë e tij në shumë luftëra, dhe dhembja e paduruar nga plaga, Moisiu, që i erdhi keq për të, kërceu nga kali dhe, pasi e mori me duart e veta, ia besoi njerit nga ushtarët që të mos rrëzohej në vrap e sipër të kalit… dhe e urdhëroi që ta shpinte sa më shpejt në kamp…”. Po aty, faqe 244-245;
  25. “Skënderbeu, i tronditur keq nga dhembja e paduruar prej asaj kërdie të të vetëve, veçanërisht prej plagosjes së Moisiut, të cilin e dërgoi për t’u kuruar në kamp…”. Barleti 1983, faqe 314; 
  26. Po aty, faqe 402;
  27. Skënderbeu e pati këtë (Moisiun) në mënyrë të veçantë shok trimërie dhe mundi në të gjitha punët e mëdha e shumë të vështira”. Po aty, faqe 426; faqe 142, 143, 234, 243, 246, 263, 270, 279, 309, 314, 352, 399, 403, 407, 470, 512, 603, 604;
  28. Barleti 1983, faqe 194, 196, 197; Noli 1967, faqe 92;
  29. Barleti 1983, faqe 531, 537, 547, 548, 550, 587; Frangu 2000: faqe 35, 36, 52;
  30.  Barleti 1983, faqe 468; Frangu 2000, faqe 31;
  31. kur u mor vesh kërdia e ushtrisë (Beteja e Beratit) dhe u bë e ditur fatkeqsia e Skënderbeut, atëhere Moisiu, duke gjetur më në fund rastin e dëshiruar prej kohe, i ktheu armët e krimit kundër atdheut dhe ia filloi, siç i thonë“. Barleti 1983, faqe 422; “… pas gjithë asaj përmbysjeje të gjendjes, Moisiu nuk shpresonte më se Skënderbeu të qe në gjendje të mbronte vendin. Kështu që nisi ta konsideronte kaq të pazotin Skënderbeun, sa më në fund e braktisi, la detyrën që mbante dhe shkoi me vrap te Turku, të cilit i afroi shërbimin e vet për ta shporrur Skënderbeun pre Shqipërisë nëse i jepeshin mijëra ushtarë turq të zgjedhur dhe me kusht që, pasi ta kishte përzënë Skënderbeun prej Shqipërisë, të bëhej zot i atij vendi, duke i paguar Turkut një tribut vjetor...”, Frangu 2000 faqe 29;
  32. Barleti 1983, faqe 409-468;
  33. Frangu 2000, faqe 29;
  34. Noli 1967, faqe 113;
  35. Muzaka 1996, faqe 48; “Padyshim zonjë Zanfina, e shoqja e Moisiut të Dibrës, duhet të ketë pasur gisht në dezertimin e tij. Ajo do t’i ketë mbajtur mëri Skënderbeut që i kishte marrë burrin e saj të parë për ta martuar me të mo(112)trën,  Mamicë Kastriotin”. Noli 1967, faqe 113;
  36. Muzaka 1996, faqe 50;
  37. “Vuri në pranga Zot Gjonin dhe Zot Gojkon e balshajve që ishin dy vëllezër dhe ia dërgoi Mbretit Ferrant plakut në Napoli, i mbajti në burga dhe iu mori Principatën e tyre që shtrihej midis Krujës e Lezhës e që thirrej vendi i Misisë”. Muzaka 1996, faqe 50;
  38. Po aty;
  39. Noli 1967, faqe 113; 
  40. Po aty, faqe 113;
  41. Muzaka 1996, faqe 50;
  42. Xhufi 2019, faqe 61;
  43. Buda 2018, faqe 132;
  44. “Dukagjinët u bashkuan me osmanët, pranuan, pra, më mirë të tërhiqnin sulltanin në vend se sa t’i nënshtroheshin Skënderbeut”. Schmitt 2009, faqe 204-205;
  45. “Atëhere Nikollës V iu desh t’i kërcënonte Dukagjinët dhe klerilët në malësi me shkishërim“. Schmitt 2009, faqe 205;
  46. Schmidtt 2009, faqe 216;
  47. Alcani 2019, faqe 147; 
  48. Barleti 1983, faqe 468; 
  49. Frangu 2000, f aqe 31;
  50. Schmidtt 2009, faqe 216;
  51. Muzaka 1996, faqe 50; “…nuk ishte Moisiu ai që u kthye i përgjëruar te Skënderbeu, porse, sipas Muzakit, ka ndodhur gati e kundërta”
  52. Schmidtt 2009, faqe 216;
  53. Po aty, faqe 479
  54. Noli, faqe 162;  
  55. Po aty, faqe 164; 
  56. “Mirëpo Moisiu, Jurici, Muzhaqi i Angjelinës, Gjergj Kuka dhe Gjin Maneshi… harruan për një çast porosinë e Skënderbeut që të mos e kalonin vendin e caktuar dhe krejt papritur u gjendën në mesin e luginës së Vajkalit. E atëhere, skuadroni i armikut, që rrinte fshehur atje, u hodh i tëri mbi të tetë kapedanët…”. Frangu 2000, faqe 52;
  57. “Por 8 burra luftëtarë shumë trima nga skënderbegasit, çdonjëri prej të cilëve mund të numurohej sigurisht ndër kapedanët dhe komandantët më të mirë, të rrëmbyer nga furia e Marsit dhe vrulli i luftës, shkuan më tej nga ç’duhej… Ndër të parët, pra, që u hodh kështu në sulm ishte ai Moisiu i dëgjuar i Dibrës, për të cilin kemi folur shumë më lart, më i dashuri dhe më besniku për Skënderbeun, që i kishte besuar komandën e përgjithshme të ushtrisë. Pas këtij vinin Gjuric Vladeni, i cili ishte në lidhje gjaku me Skënderbeun, Muzaka i Angjelinës, nip prej motre i Skënderbeut, Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Koka, dhe Gjin Maneshi, të cilët me vdekjen e tyre, e bënë Arbërinë më të përlotur se ndonjëherë më parë, sepse që të gjithë shquheshin shumë si për fuqinë e trupit, si për forcën e shpirtit dhe për dijen ushtarake. Barleti 1983, faqe 603-604;
  58. Po aty, faqe 604; 

Literatura:

Alcani 2019: ALCANI, Avni, Muzhaqi i Angjelinës, Princi i Çermenikës dhe i Tomadhesë, Aranitët në Librazhd, Tiranë 2019;

Babinger 2004: BABINGER, Franc, Fundi i arianitëve (Botim shqip), Tiranë 2004;

Barleti 1983: BARLETI, Marin: Historia e Skënderbeut (Botim shqip), Tiranë 1983; 

Buda 2018: BUDA, Aleks, Studime për Skënderbeun, Tiranë 2018;

Frangu 2000: FRANGU, Dhimitër: Kumtar i luftrave të turqve kundër  Skënderbeut (Botim shqip), Tiranë 2000; 

Grup autorësh 2002: Historia e Shqipërisë, Vol.I, (Tekst), Tiranë 2002; 

Noli 1967: NOLI, Fan S. Gj. K. Skënderbeu 1405-1468 (Botim shqim), Tiranë 1967;

Muzaka 1996: MUZAKA, Gjon: Memorje  (Botim shqip), Tiranë 1996; 

Schmitt 2009: SCHMITT, Oliver Jens, Skënderbeu (Botim shqip), Tiranë 2009;

Shuteriqi 2011: SHUTERIQI, Dhimitër S.: “Aranitët – Historia, Gjenealogjia, Zotërimet”, Tiranë 2011;

Xhufi 2009:  XHUFI, Pëllumb: Nga Paleologët te Muzakajt, Tiranë 2009;

Xhufi 2019:  XHUFI, Pëllumb: Nga Principata e Arianitëve tek shteti i Skënderbeut”, Aranitët në Librazhd, Tiranë 2019.