ULTRAMARATONA “ARTERIA E ARBRIT”


Nga ceremonia e hapjes në sheshin Skënderbej në Tiranë (Foto: B.Karoshi).

Më 24 korrik  pasdite, në sheshin Skënderbej në Tiranë u zhvillua ceremonia e hapjes së Ultramaratonës së parë të quajtur “Arteria e Arbrit”.  Kjo maratonë, 116 km e gjatë, e organizuar nga shoqata “Maraton Albania” zhvillohet për herë të parë në këtë aks, me synimin e krijimit të një tradite në të ardhmen.

“E ndjej thellë emocionin e dhënies së sinjalit të hapjes, për një veprimtari sportive në përmasa të tilla, e cila që në hapin e parë, i ka kaluar caqet kombëtare”, tha në ceremoninë e hapjes Dashamir Çali, kryetar i shoqatës “Maraton Albania”.

 “‘Arteria e Arbrit’, apo ‘Ultramaratona 1’ do të jetë, lulja e parë që do të lajmërojë lulëzimin e një pranvere të paparë kurrë ndonjëherë më parë për atletikën shqiptare e njëherësh ballkanike, që kemi ndër mend nga viti në vit ta zgjerojmë apo ndërkombëtarizojmë, si shprehje e unitetit dhe ndjenjave të pastra që aspiron veçanërisht ky sport kaq i dashur për ne që e praktikojmë. por edhe më gjerë. 

Çali tha në ceremoni do të jetë pjesëmarrës të grupmoshave të ndryshme dhe se organizatorët kanë marrë masa që secili pjesëmarrës ta kryejë maratonën sipas fuqive të tyre fizike.

Maratonistët drejt sheshit “Skënderbej”, Dibër e Madhe, 26 korrik 2020. (Foto. FB/A.Lleshi).

“Shoqata “Maraton Albania” pas një pune të stërlodhshme për harmonizimin dhe vënien nën kontroll të çdo detaji përgatitor, praktikisht ka hyrë në përjetimet e mobilizimit për të përshkuar distancën e 116 km që shtrihen në një natyrë të jashtëzakonshme për nga origjinaliteti dhe bukuria. “Arteria e Arbërit” po na pret ne, që duke filluar nga agimi i nesërm, të ndjejë rrahjet e para të Zemrës së garimit të ultramamaratonës”, tha ai.

“Udhëtimi i këtyre atletëve drejt maleve të Dibrës dhe grykës së Radikës, me pikënisje dhe stacione kryesore tre përmendoret e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Tiranë, Dibër e Shkup, përcjell mesazhin e krenarisë e mbijetesës së shpirtit arbëror dhe nderon qëndresën e shqiptarëve për mbrojtje të identitetit kombëtar. Ato male të larta kanë qenë fortesat e atdhetarisë dhe qëndrueshmërisë së kombit tonë përgjatë gjithë ekzistencës së tij tha Presidenti i Republikës Ilir Meta në ceremoninë e hapjes”.

Në këtë ceremoni, Presidenti i Republikës dekori më urdhërin “Naim Frashëri” me motivacionin “për kontributin e Maraton Albania, për bashkimin e qytetarëve në një veprimtari të suksesshme sportive, kulturore dhe atdhetare. Gjithashtu, për dhënien e mesazheve me rëndësi të lartë të edukatës fizike, paqes, zhvillimit sportiv e bashkimit shoqëror”.

Në ceremoni folën edhe pjesëmarrës nga Kosova dhe maratonistë të njohur. Nuk mungoi as përshëndetja e sekretarit të shoqatës “Bashkësia Dibrane, Saimir Shatku, i cili bëri edhe një panoramë historike të kësaj rruge.

Maratona nisi të shtunën më 25 korrik në 5 të mëngjesit nga sheshi “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e 67 sportistëve dhe të pasionuarve pas ecjes në natyre dhe stafit mbështetës, si shoferë e mjekë.

E gjithë maratona ndahej në 9 etapa, 6 prej të cilëve janë zhvilluar në ditën e parë. Etapa e parë ishte Tiranë-Tufinë-Linxë-Tujan, 9.5 km; Tujan – Zall Dajt 7 km; Zall Dajt-Qafë Murrizë 13 km; Qafe Murrizë – Guri i Bardhë 8 km; dhe Ura e Vashës – Plani i Bardhë – Fushë Bulqizë 25 km. 

Pas 72.5 kilometrave ecje në ditëne  parë, maratonistët e kaluan natën te Bujtina Hupi në Fushë-Bulqizë. 

Ndërsa dyta e dytë përfshinte intineraret Fushë Bulqizë – Vaikardhë – Zerqan 10 km, Zerqan – Sopot – Strikçan – Gjoricë e Poshtme 18.4 km dhe Gjoricë – Blladë – Dibër e Madhe – 10 km.

Nga pjesëmarrësit në maratonë ishte edhe profesor Sazan Guri, i cili është i njohur për veprimtarinë e tij në evidentimin e historisë së lashtë dhe  mbrojtje ssë mjedisit. Në profilin e tij në Facebook ai ka hedhur disa video dhe mesazhe përgjatë udhëtimit.

“Duke ecur mbi rrugën me kalldrëm të Arbrit, atëherë si arterie e aortës, rrugë Egnatia, sot si rrugë dëfrimi, marshimi, pse jo për biçikletë e motoçikleta apo aventure, ku nuk lodhesh por çlodhesh për shkak të ajrit të freskët, gjelbërimit pa fund”, shkruante ai në një nga postimet e ti në Facebook.

Guri ngriti edhe problemin e menaxhimit të ujërave të lumit Klos, të cilët janë shkatërruar nga dora e njeriut si dhe përpunimi i mbetjeve dhe plehrave që njerëzit hedhin në natyrë.

Maratonistët u pritën në qytetin e Dibrës së Madhe nga kryetari i komunës Hekuran Duka me një ceremoni mirëseardhje, ku u shpërndanë medaljet dhe certifikatat e pjesëmarrjes.

Mbërritja e maratonistëve në Dibër të Madhe u përshëndet edhe me një mesazh nga Presidenti i Republikës në Facebook.

“Atletët e “Ultramaratona1” pasi kanë kaluar përmes bukurive përrallore të Rrugës së Arbrit, maleve fisnike të Dibrës dhe grykës mbresëlënëse të Radikës, kanë mbërritur sot në Dibër të Madhe e janë përulur me respekt para përmendores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke përcjellë në të dy anët e kufirit mesazhin e krenarisë, qëndresës e mbijetesës së shpirtit arbëror në mbrojtje të identitetit kombëtar”, shkroi ai në Facebook.

Organizatorët kanë shkruar në faqen e tyre në Facebook  se kjo maratonë do të vazhdojë deri në Shkup dhe për këtë po bëhen gati përgatitjet e nevojshme.

Korresp. “Rr.A.: