Turizmi në Dibër, risitë dhe problematikat


Pamje nga “Kampinu i fluturave”, një nga destinacionet e reja turistike të kësaj vere në Dibër.

Situata pandemike në vend dhe botë ndërpreu këtë vit udhëtimet jashtë vendit, kështu që interesi për turizmin vendas, së paku mediatikisht, ishte në rritje këtë vit. Dhe në këtë interes nuk mund të qëndronte jashtë vëmendjes Dibra, me të gjitha resurset e saj natyrore, që nga lumi e deri te mali.

Tre televizionet kombëtare në vend, Top Channel dhe Klan i kanë kushtuar reportazhe guidave dhe vende turistike në Dibër. Televizioni Klan ka udhëtuar në malet e Dibrës, ndërsa emisioni “Pushime on Top” u ka kushtuar dy emisione të dedikuara, Tre mundësive më të reja turistike në Dibër: “Kampingut të Fluturave”, raftingut nga “Black Drin Adventure” dhe “Bujtinës së Jufkave”.

“KAMPINGU I FLUTURAVE” – NJË OAZ I VËRTETË NË BREG TË DRINIT 

“Kampingu i fluturave” është një nga risitë e reja të këtij viti në Dibër. I ngritur buzë lumit Drin në fshatin Hotesh, mbetet një destinacion jo vetëm i ri, por edhe i prekshëm për të gjithë moshat. Ndërthurja e plazhit, ecjeve në natyrë, raftingut dhe lojërave, ka shfaqur shumë interes për adhuruesit e natyrës dhe ekspertët e turizmit.

“Buzë Drinit e karshi maleve, fiks në Luzni! Kur ideja, dëshira, ëndrra, sfida, vështirësia shoqërohen me qëndrueshmëri drejt qëllimit, arrijnë në rezultatet konkrete! Provoni ecjen në shtigjet njësh me natyrën, shijoni ajrin, ujin, pemët, fluturat, zakonet e historinë e vendit tonë! Plot eksperienca argëtuese ju presin”, – shkruan për këtë kamping Suela Kocibellaj nga Vizion OJF, një organizatë jofitimprurëse që merret me mbështetjen ndaj shtresave në nevojë.

Në një postim në Facebook, Labinot Murrja, krijuesi i “Kampingut të Fluturave” falënderon për mbështetjen organizatat Yunus Social Business Balkans, Giz Albania, IDEA, USAID, ALCDF dhe ekspertë të turizmit në vend, të cilët i kanë dhënë mbështetje idesë dhe realizimit të këtij projekti.

“Labinot Murrja – një i ri nga Dibra, që ka hedhur një ide të “çmendur”, për të kthyer bregun e Drinit ku është lindur e rritur, në një atraksion turistik dhe rrjedhimisht në një biznes”, shkruan në facebook Ndoc Mulaj, drejtor i “AlbanianAlps”, një organizatë joqeveritare që merret me promovimin e turizmit malor.

“Duke shtegtuar gjithkund vetëm pak metra paralel me lumin Drin, shoqëruar nga muzikaliteti i valëve të lumit dhe cicërimat e zogjve, arritëm tek ëndrra e Labit. Arritëm aty ku ëndrrat tona u bënë bashkë, por edhe “çmenduria” për ta kthyer atë vend në mes të ferrave, shkozave, përrenjve e shkëmbinjve në një vend për të pritur turistë”, shkruan Mulaj.

“Kampingu i Fluturave”, ngado që të sheh syri dhe kudo që të shkel këmba, ka një tregim, ka një legjendë dhe shumë e shumë histori…  Një punë e mrekullueshme, e jashtëzakonshme, pa energji elektrike, pa mjete motorrike, vetëm krahë, me kmesë, kosë, drapën, sharrë e sëpatë, çekiç e mistri, me shumë djersë, por me kënaqësi të madhe për të realizuar ëndrrën e jetës së tij. Një oaz i vërtetë në breg të Drinit, ku fluturat janë vetëm një detaj i kudondodhur, pasi mundësitë për ecje nëpër shtigjet e atyre kanioneve të Lugut të Drinit janë pambarim, pastaj noti, kanotazhi, kalërimi me kuaj, peshkimi, lojëra sportive e popullore, këngë e valle dibrane përreth zjarrit të natës nën dritën e Hënës” – e vlerëson kampingun Ndoc Mulaj.

Një nga tabelat informuese mbi shtigjet turistike në Dibër. Projekti D2T ka ndërtuar disa të tilla në rrugët që të çojnë në këto destinacione

Një vlerësim për kampingun shkroi edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi: “Drini i Zi është një atraksion turistik pak i njohur, po vizitorët po shtohen nga dita në ditë. Buron nga liqeni i Ohrit dhe gjarpëron me shumë degëzime nëpër fshatrat e Dibrës, duke krijuar panorama të mrekullueshme”.

Deputetja e Dibrës Almira Xhembulla e vizitoi kampingun dhe shkroi se është “një mrekulli e vogël në mes të askundit, ku gjithkush mund të provojë eksperiencën e të jetuarit mes natyrës, anës lumit, të shijojë gatimet e zonës në sofrat e drunjta, të shëtisë me kuaj në luginën e të freskohet në ujërat e pastra të Drinit”.

RAFTING, ADRENALINA MBI DALLGËT E LUMIT

 Raftingu mbi Drin ka nisur vitet e fundit, por këtë vit duket sikur ka marrë më shumë frymëmarrje. Edi Truka, një i ri i pasionuar pas natyrës dhe sporteve ujore, ka prej 6 vitesh që ushtron raftingun mbi Drin, por këtë vit, me emrin e ri të biznesit “Black Drin Adventure”  ka pasur më shumë turistë. Guidat e zakonshme nisen nga Ura e Topojanit deri në Luzni, por për më të dashuruarit e aventurës ky udhëtim edhe mund të zgjasë.

Raftingu në Dri është një nga risitë e turizmit në Dibër, i përshtatshëm për të gjithë familjen

“Udhëtimi është krejtësisht i sigurt, pasi ne nuk neglizhojmë asnjë masë sigurie, thotë Edi Truka. Ndërsa për pushuesit kjo është një përvojë e paharrueshme”. 

Edi e njeh çdo pëllëmbë të lumit dhe gjatë viteve të kaluara ka punuar shumë në pastrimin e mbetjeve gjatë luginës së Drinit.

Siguria dhe suksesi i këtij sporti të ri në Dibër ka edhe mbështetjen e Federatës Shqiptare të Raftingut, ku Edi bën pjesë.

 “BUJTINA E JUFKAVE” – GJITHÇKA TRADICIONALE

 “Bujtina e Jufkave” është një nga bizneset e reja në Dibër që mbështetet kryesisht mbi agroturizmin. Ajo shumë shpejt mund të kthehet në një shembull të ngjashëm me “Mrizin e Zanave” në Fishtë, jo vetëm si biznes familjar, por edhe mbështetje për fermerët dhe blegtorët vendas. 

Ajo drejtohet nga një grua, Dashuria Zerja, e cila mund të konsiderohet si një nga sipërmarrëset më të suksesshme në qytetin e Dibrës. Biznesi i tyre ka nisur në vitin 2008 me prodhimin jufkave të famshme të Dibrës. Më vonë filloi të prodhonte edhe produkte të tjera ushqimore si komposto dhe reçelna me frutat e pemishtes së familjes. Shumë shpejt produktet e prodhuara prej saj u bënë shumë të kërkuara në treg. 

Pamje ballore e Bujtinës së Jufkave, një nga destinacionet e reja turistike në Dibër, me perspektivë të madhe në zhvillimin e agroturizmit, ngjashëm me shembullin e mirë të “Mrizit të Zanave” në Fishtë.

“Biznesi po zgjerohej dita-ditës, produktet shiteshin shumë shpejt dhe arritën në çdo trevë shqiptare, madje kaluan edhe kufijtë. Klientët shtuan kërkesat edhe për shërbime të tjera agroturizmi. Nuk do të vononte dhe Dashuria do të hapte edhe një restorant tradicional, ku do të shërbeheshin një gamë më e madhe produktesh të gatuara në mënyrë tradicionale dibrane. Pak nga pak, shtoi edhe shërbimin e hotelerisë, duke i qëndruar besnik stilit tradicional. Tashmë “Bujtina e Jufkave” është e njohur jo vetëm në Dibër dhe ndër dibranë, por në mënyrë të veçantë nga turistët që shijojnë gatimet e shijshme nga duart e Dashurisë, që nga pula me jufka, në formën e birjanit, llallangia, qeshkek, ëmbëlsirat tradicionale si: sheqerpare, shëndetli, bakllava, hashure, kungull etj.” – shkruan për “Bujtinën e Jufkave” revista “Ëomen in Business”

 DIBRA – TURIZËM DHE TRADITË: NJË PUNË E MADHE PËR TURIZMIN 

“Dibra – Turizëm dhe Traditë”, i njohur si D2T, punoi për 3 vjet në zhvillimin e turizmit në rajonin e Dibrës. Ky projekt u mbyll në pranverën e këtij viti me një botim special, ku evidentohen 13 guidat turistike më të njohura në Dibër, shënjimin e 5 shtigjeve, rreth 120 km,  për të pasionuarit e ecjeve, si dhe me nxjerrjen në pah të kuzhinës tradicionale dhe regjistrimin e 8 festave lokale, me qëllim thithjen e turistëve vendas dhe të huaj në Dibër. 

D2T ka përkrahur ndërtimin dhe meremetimin e 9 shtëpive tradicionale, 4 kampingjeve dhe një rrjeti hostelesh dhe hotelesh, me kushte optimale për të pritur turistë.

Lindita Manga, shefe ekzekutive e ALCDF, thotë se gjatë këtij projekti janë evidentua disa destinacione turistike kryesore, mes të cilave përmendet: mali i Korabit, banjat termale të Peshkopisë, liqenet akullnajore në Lurë dhe Kacni, Drini i Zi, bjeshka e Gramës, Rabdishti – fshati i gurtë,  Kërçishti i Epërm – ballkoni i Maqellarës, Muzeu i Dibrës, Muzeu i Skënderbeut dhe kanioni i Setës, agro-parku i Begjunecit, bjeshka e Hinoskës, fshati Zimur – “Çatia e Peshkopisë” etj.

Sipas Mangës, gjatë realizimit të projektit janë evidentuar “burime njerëzore të aftë për të shërbyer në turizëm. Janë 30 guida të certifikuar që po punojnë në turizëm, mbi 24 njësi akomodimi që ofrojnë shërbim cilësor; mbi  200 fermerë, agropërpunues dhe artizanë që dalin në treg dhe marrin pjesë në panaire dhe 150 biznese që mallrat e tyre i shesin në tregun lokal falë ndërmjetësimit të këtij projekti”.

Lindita Manga vë në duke se “janë 25 anëtarë aktivë të forumit ‘Dibra Turistike’ që punojnë dhe promovojnë turizmin në Dibër, duke bashkëpunuar njëri me tjetrin dhe me donatorë dhe qeveritarë”. Sipas Mangës, “Dibra është bashkia e vetme në Shqipëri që ka strategjinë e turizmit dhe zyrën më të kompletuar të Informacionit Turistik”.

Grehans Uka (i pari në foto), një nga guidat turistike të certifikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, duke udhëhequr një grup turistësh drejt majës së Korabit. Projekti D2T ka identifikuar 9 guida turistike që të udhëheqin të sigurtë drejt destinacioneve natyrore e kulturore në të gjithë rajonin e Dibrës.

Manga thekson në një prononcim për gazetën “Rruga e Arbërit” se “janë 8 festa lokale që organizohen me një program vjetor, ku mes tyre vlerësohet ‘Festa e të Vjelave” si panairi më i madh agrobujqësor në Shqipëri. Janë 10 njësi akomodimi të mbështetura nga projekti, ku sot funksionojnë 5 kampingje dhe shpi pritëse, janë rehabilituar infrastruktura e dy fshatrave si modele të fshatit turistik me ujë të pijshëm, rrugica me kalldrëm, kanalizime, ndriçim rrugor, sinjalistikë për Rabdishtin dhe Kërçisht i Epërm” etj.  

Projekti D2T ka realizuar edhe një fushatë mediatike me emisione mbi turizmin në televizionet kombëtare si dhe materiale mbështetëse si broshura, harta turistike etj.

 UJËVARA E SOPANIKËS  – SHEMBULLI SE SI NUK DUHET TË JETË TURIZMI

“Mish në saç”, menuja bazë e restoranteve në natyrë pranë ujëvarës së Sopanikës.

Te Ujëvara e Sopanikës, e cila ndodhet në kanionin e Setës, një nga atraksionet turistike në zhvillim, kanë filluar të mbijnë restorantet e para. Banorë të zonës kanë zënë vende të ndryshme – jo larg njëri-tjetrit dhe kanë ngritur aty objektet e shërbimit për turistët: mish në saç dhe jufka, shoqëruar me birra dhe pije freskuese që ftohen në ujërat e Sopanikës.

Por ndërsa hanë dhe pinë, mbetjet hidhen e fshihen ferrave, duke rrezikuar shumë shpejt që mjedisi të shkatërrohet. 

Ujërat e Sopanikës shpëtuan nga futja në tubacione për një hidrocentral që u ngrit aty vitet e fundit, por tashmë rrezikohet të degradohet nga zhvillimi kaotik i biznesit të  “misht në saç” dhe birrave të ftohta.

 

Zhvillimi kaotik i shërbimeve te Ujëvara e Sopanikës rrezikon degradimin e mjedisit.

FSHATRAT TURISTIKË  PA RRUGË

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj dhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj së bashku me drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si dhe krerët e bashkive Mat, Bulqizë e Dibër prezantuan projektin për ndërtimin e segmentit rrugor Perlat – Kurbnesh – Fushë Lurë me gjatësi 42 km.

“Ky është një angazhim i qeverisë shqiptare që parashikon një investim me vlerë 23 milionë euro dhe që do t’i hapë rrugë zhvillimit të këtyre trevave”, tha ministrja Denaj në Lurë. Ajo theksoi se nga ky projekt “fitojnë 12 mijë banorë të këtyre zonave, të cilët rrisin mundësitë e tyre për zhvillimin e ekonomive familjare, turizmit, por edhe të rikthejmë lurjanët në vendin e paraardhësve”.

Fondi Shqiptar i Zhvillimi ka dhënë financimin për rrugën e Radomirës, e cila pritet të mbyllet vitin e ardhshëm. Ndërsa mbetet problematik rruga për në Rabdisht, një nga fshatrat e përzgjedhur me destinacion turizmin. Po ashtu, problematike mbeten rrugët për disa destinacione turistike natyrore, të evidentuara me mundësi të zhvillimit të turizmit.

SHENIM: Ky shkrim nuk ka vendosje produkti a reklame. Ai është shkruar me qëllimin e mirë të informimit të publikut për risitë e turizmit dhe nuk ka synim reklamimin e tyre.