Pensionisti që bën punë të mëdha


Blegtori i ri Denis Miftari e ka shtruar rrugëtimin e tij të jetës, përmes një biznesi, që e dashuron dhe i fali vitet e tij më të bukura. Nga zemra na del një urim i sinqertë për njeriun e punës, për të patur sa më shumë suksese e të ardhura për familjen e tij.

Mensur Shehu, nga Dohoshishti i Dibrës, po u drejtohet të tetëdhjetave, por shpirtin e ka akoma të ri, trupin të fortë e zemrën të dhembshur për të bërë punë në dobi të komunitetit e të shoqërisë. Jeta e tij ka qenë vetëm punë e përpjekje, për të mbajtur familjen, por dhe për të qenë i dobishëm për të tjerët. Mensuri nuk bëri shumë shkollë, por fitoi shumë eksperienca në jetë, duke u shndërruar këto në universitete. Ai punoi në shumë ndërmarrje të kohës, por dhe më pas, derisa doli në pension në vitin 2004. Punoi në ushtri, punoi në ndërmarrjen e grumbullimit, punoi te spitali dhe gjithandej prezantoi anët më të bukura të karakterit, drejtësinë, ndershmërinë e sinqeritetin.
Dhe pse ka lindur në Dohoshisht, Mensuri rrjedh nga shehlerët e dëgjuar të Ilnicës, të shquar për besim e urtësi. Ai donte tu ngjante sadopak paraardhësve të tij dhe e kuptonte që vetëm punët e mira mund ta afronin drejt atij froni. Po çfarë na bëri të shkruajmë për këtë njeri të thjeshtë?

ÇEZMA E SHKOLLËS
Kur Mensuri doli në pension në vitin 2004, siç e përmendëm dhe më parë, pati një frikë se po shkëputej nga njerëzit, me të cilët kishte punuar gjithë jetën. I dukej vetja si një send i përdorur dhe i hedhur tej si i pavlerë. Brenda vetes ndjente se kishte akoma energji, se kishte akoma për tu treguar e për tu dhënë të tjerëve.
Për të dalë në qendër të fshatit e për të shkuar në qytet, ai duhej detyrimisht të kalonte pranë shkollës. Shpesh shihte nxënës që shkonin nëpër shtëpitë pranë për të pirë, apo për të mbushur ujë për pastrim, pasi shkolla nuk kishte. Nuk ishin pak asokohe, por të paktën 500 nxënës. A mundej ai ta rregullonte sadopak gjendjen, ta shuante etjen e atyre vogëlushëve. Në ëndërr shpesh shihte sikur kishte gjetur një burim të bollshëm uji te kodrat rreth fshatit dhe e kishte dërguar pranë shkollës. Dhjetra vogëlushë lanin duart, pinin ujë e freskoheshin, duke falenderuar njeriun e mirë, që kishte menduar për ta. Në mëngjezin e hershëm zgjohej dhe kuptonte që ajo kishte qenë vetëm një dëshirë, që donte shumë punë për ta realizuar.
Shumë kohë u end i vetmuar mbi kodrat e fshatit dhe ashtu siç kishte pikasur burime uji më parë, gjeti dhe një të mrekullueshëm për shkollën në kodrën Romanece. Mati distancën që atje dhe bëri një projekt të thjeshtë. Duhej bashkuar uji te burimi, duheshin 1700 metër tuba dhe po kaq kanal, që duhej ta hapte vetë. Ishte viti 2003. Dy vjet punë e përpjekje, pse jo dhe rreziqe, aty te burimi, ku mund ta zinte dheu përfund. Po sërish dhe në atë variant i fituar do të ishte. Do të ishte një dëshmor, duke u përpjekur për ujin e fëmijëve të shkollës.
Një fjalë të mirë do ta thonin për të brezat që do vinin. Kanali e lodhi mjaft. I takoi të punojë në kulmin e vapës, po ashtu dhe në dimër. Kujton se përdori dhe zjarrin për të shkrirë akullin, në të paktën 30 metër gjatësi. Së fundmi triumfoi. Kanali u hap në të gjithë gjatësinë e tij. Montoi tubat dhe uji i ftohtë, i pastër dhe i shëndetshëm, vërshoi nga burimi tek çezma e re, ngjitur me shkollën. Nuk do kishte më etje dhe shishe uji të marra nga shtëpitë. Ishte data 15 shtator 2005, dita e parë e shkollës. Njeriu i mirë kishte menduar për ta, ku e gjithë puna dhe shpenzimet kishin qenë të tijat dhe të familjes së tij.

URA E FSHATIT
Përroi që vjen nga Llixhat është mjaft i rrëmbyer, sidomos në vjeshtë dhe në dimër. Aty në qendër të fshatit është ndërtuar një urë, që lidh lagjet e tij, por shërben dhe për banorët e fshatit Selane për të ardhur në qytet e kthim.
Kishte hyrë muaji i bekuar i Ramazanit dhe Mensur Shehu shkoi në xhami për të falur teravinë e parë, bashkë me nipin e tij 14 vjeçar. Përroi ishte fryrë nga shirat dhe gjëmonte. Ishte errësirë dhe gjyshi e mbante nipin për dore, se mos humbte drejtimin e binte nga ura. Nipi e pyeti se përse nuk i kishin vënë mbrojtëse në të dy anët, pasi po të binte njeriu mbytej në atë përrua, që kishte marrë parmasat e një lumi. Gjyshi nuk i dha përgjigje. Ndoshta u ishin mbaruar lekët ndërtuesve të urës, siç na mbarohen shpesh ne shqiptarëve? Dhe sa kohë mund të vazhdonte ura të përbënte rrezik për njerëzit? Ndoshta gjithë jetën, nëse nuk do të kujtohej kush ta riparonte gabimin.
Një ditë, jo shumë kohë pas pyetjes së nipit, shkoi tek ura dhe bëri ca matje të thjeshta. Sajoi një preventiv të vogël në mendje dhe në një copë letër. Sa ishte gjatësia e njërit krah të urës? Po të dy së bashku? Sa tuba nga ata të mirat duheshin? Sa rrjetë teli nga ajo e mira me saldim? I shkroi të gjitha, i mori materialet dhe i vendosi aty ku duhej. Ishte 5 Nëntori i vitit 2018. E mori nipin për dore dhe shkuan te ura.
– Atëherë,o nipi im, atë natën e errët, kur u kthyem nga xhamia, ma bëre një pyetje e unë nuk ta dhashë përgjigjen. Sot besoj ta ka kam dhënë. Kështu dua dhe ti të bësh në jetë. Të bësh punë të mira, në dobi të njerëzimit. Pak muaj më vonë nipi u përplas në një aksident të frikshëm rrugor dhe përfundoi në spital. E gjithë kjo histori e trishtë u mbyll pa pasoja dhe ndoshta, vepra e mirë e gjyshit rezultoi shpëtimtare për nipin e tij.

RRETHIMI I VARREZAVE
Në pranverën e vitit të kaluar, tregon Mensuri, patëm varrimin e një shoku nga fshati. Varrezat ishin të parrethuara dhe blegtoria hynin e dilnin nëpër to sipas dëshirës, jo rrallë dhe duke i dëmtuar ato.
“Unë kisha qenë në Haxh, në vitin 2012, – vazhdon tregimin Mensuri – dhe po bëhesha gati të shkoja sërish, këtë rradhë në emër të prindërve. Ndoshta dhe për shkak të pandemisë, por jo vetëm, mendova që të bëja një “Haxh” ndryshe. Lekët që do të harxhoja në ritualin e rëndësishëm për muslimanët, do ti përdorja për rrethimin e varrezave të fshatit.”
Ai nuk kishte mundësi ti bashkojë njerëzit e fshatit në një aksion të tillë. Vetëm veten e vet mundej. Sa herë që merrte të tilla vendime të mëdha i kërkonte ndihmë Zotit dhe ndihma e Tij asnjëherë nuk i mungonte. Sërish preventivi, tubat, rrjetat cilësore, dera, çimento, rërë e zhavor. Nuk ishin pak, por mbi 500 metra gjatësi. Këtë rradhë shifra totale e projektit ishte akoma më e madhe për xhepin e një pensionisti, që merrte vetëm 180 mijë lekë në muaj. I duheshin dy vjet ta mblidhte pensionin për ta kryer një volum të tillë pune. J’ua tregoi planin e tij disa miqve e bashkëfshatarëve dhe ata i thanë se kjo ishte e pamundur për fuqitë dhe mundësitë e tij. Por Mensuri ishte i vendosur në projektet e tij.
“Dhe sikur të ndërroj jetë, pa e përfunduar projektin, e kam lënë amanet tek familja dhe vëllezërit për ta çuar deri në fund idenë time”.
E nisi punën. Ishte data 25 maj 2020. Punoi atë ditë, të nesërmen dhe të pasnesërmen. Më tej nuk mundi. Ishte dhe vazhdon të jetë një periudhë Kovidiane, nëse mund ta quajmë kështu. Virusi u fut në trupin e bamirësit Mensur Shehu dhe e mposhti për mbi dy javë. I këputi oreksin, e lodhi dhe e plogështoi mjaft. Mensuri nuk kishte frikë nga vdekja. E dinte që një ditë do të largohej nga kjo botë, andaj nxitonte në projekte e vepra bamirësie. Luste Zotin që ta përfundonte dhe këtë punë të mirë e prapë qetësohej dhe po të ndodhte më e keqja. E kishte lënë amanet, që puna të mbarohej.
Pak nga pak e mposhti sëmundjen dhe iu kthye punës si një luan i vërtetë. Punët i erdhën të mbara. Varrezat janë disi larg fshatit dhe ai ishte i detyruar ta sillte ujin që andej, me kosto shtesë. Rakip Bellova, një familje e vetme, që kishte shtëpinë aty pranë i hapi dyert.
“Nëse nuk të bëj ndonjë ndihmë tjetër, – i tha ai, – të paktën këtë problem të ta lehtësoj”. Një tjetër njeri bujar, Eduart Zajmi, i solli gurë e rërë, pa asnjë shpërblim. Më datën 28 korrik të vitit të kaluar, pas dy muajsh pune intensive, në të nxehtin e madh të verës, gjithçka ishte e përfunduar.

* * *
Para pak ditësh bëra një vizitë në fshat dhe i pashë nga afër këto projekte bamirësie të këtij pensionisti. Lava duart dhe piva ujë në çezmën e tij, kaluam te ura e rrethuar nga dy krahët dhe bëmë një vizitë te varrezat e fshatit. Aty gjetëm dy specialistë që po montonin varrin e dikujt, që kishte ndërruar jetë. Nuk i pyeta, por varri i punuar me mermer të shtrenjtë mund të kushtonte rreth dy milionë lekë. Sa të tillë mund të kishte? Hodha sytë kalimthi dhe mendova që mund të ishin mbi njëqind të tillë. E shumëzuar me shifrën që përmendëm për të parin, rezultonte 200 milionë lekë. Sa projekte bamirësie mund të bëheshin me një shumë të tillë lekësh?! Dhe mos harrojmë, se jo vetëm nuk po u bëjmë ndonjë dobi shokëve e miqve tanë, që kanë ndërruar jetë, por u vemë pesha e ngarkesa të kota, që u shtohen peshës së mëkateve njerëzore gjatë jetës.
Mensur Shehu, njeriu bamirës mendon e mendon projekte të reja. Idetë e tija nuk ngelen kurrë në letër, siç ndodh shpesh me politikanët, por e gjejnë rrugën e realizimit. Ai vërtet e ka pensionin e vogël, por ka shpirtin e mirë dhe zemrën bujare, duke merituar respektin e njerëzve.