Lulzim Plaku, djali i mrekullive


Nga Osman Xhili

Aty në qendër të Okshatinës, në anë të rrugës që të çon për Bulqizë e më pas për Tiranë, syri të kap pamje me të vërtetë interesante e magjepsëse. Të duket sikur sheh një galeri artesh, apo një ekspozitë piktorësh të mëdhenj. Në fakt, autori i kësaj mrekullie është Lulzim Plaku, një djalë i thjeshtë, që jeta e përplasi furishëm në dallgët e saja për mbijetesë. Ndoshta dhe tetë klasët nuk i mbaroi tamam, pasi duhej të kulloste tufën e dhive për të mbajtur gjallë familjen. Në vend të çantës me libra, kërrabën e çobanit, në vend të lojërave fëminore, hallet e brengat. Kishte dëgjuar për demokracinë si një sistem vlerash, si një ëndërr e bukur, por jo, nuk paska qenë e tillë. Të paktën Lulzimit të vogël nuk i kishte sjellë gjëra me vlerë.
Vitet po ecnin dhe një ditë ai e la tufën e dhive. U nis për në brigjet e Italisë, si shumë të rinj të tjerë. Ishte vetëm 15 vjeç. Nuk ishte i madh, por ndjehej i tillë. Jeta e kishte kalitur dhe e kishte mësuar ta fitonte vetë bukën e gojës e të mos i bëhej barrë dikujt tjetër.
Italiani me emrin Andrea e trajtoi si djalin e tij. Ai kishte një biznes familjar, ku prodhonte vazo dhe gjëra të tjera artistike dhe Lulzimi e ndihmonte në procese të ndryshme të kësaj pune. Ndonjëherë shërbente dhe si shitës në dyqanin e familjes së tyre. Lulzimit po i pëlqente mjaft ky lloj biznesi dhe mendoi se mund ta realizonte vetë një gjë të tillë. Në fshatin e tij, në Okshatinë kishte dy dynymë tokë, ngjitur me rrugën. Ta provonte njëherë, nëse mund të ecte i vetëm, pa ndihmën e dikujt!

Hapat e parë në biznes

Viti 2014. Lulzimi i mban mend fare mirë punimet e para. Mendoi ta fillonte me lavamanë dhe bëri gjashtë të tillë. Emocione të mëdha përjetoi. A do ti dilnin të bukura punimet? Për më tepër, a do t’i shiteshin ato? Si të gjitha fillimet dhe i tij ishte disi i vështirë. Sa fitonte ndonjë lekë, nxitonte të marrë materiale për punën e re, apo të porosiste ndonjë formë, apo kallëp më të bukur se të parët.
Shtatë vite që atëherë. Lulzimi ka ngritur një perandori objektesh, aq sa dhe emrat tyre e ke vështirë ti thuash të gjithë. Aty gjen delen, bashkë me qingjat e saj, siç sheh dhe kuajt me lëkurë të lëmuar, që janë gati për gara. Shumë shqiponja! Të mëdha e të vogla në madhësi, me ngjyra të ndryshme, në pozicione të ndryshme. Aq shumë përngjasojnë me të gjallat, saqë të duket se do të nisen nga një moment në tjetrin për tu ngjitur në lartësi. Ndoshta, vetëm dashuria për Lulzimin, djali që u dha formën dhe shpirt nga shpirti i tij, i mban akoma aty akoma të palëvizura.
Kafshët e malit sigurisht që janë të pranishme. Ujku e dhelpra pranë e pranë njëri-tjetrit, si dy miq e armiq në të njëjtën kohë. Ka dhe lepuj në park, siç ka dhe gjela. Më tej vijnë kafshët e xhunglës të përfaqësuara nga tigri dhe luani. Sa shumë mund e lodhje, sa shumë përpjekje për të ecur përpara në këtë biznes të një lloji të veçantë! Piktori punon në letër dhe e ka shumë të vështirë, kurse këtu granili, çimentoja, hekuri, uji, përzihen sëbashku në masa të caktuara, në temperatura të caktuara. Lodhje fizike dhe mendore në të njëjtën kohë për të bërë më të mirën, për të arritur atë çfarë ka synuar në fillim.
Nuk do habiteni po të shihni në këtë “ekspozitë ” dhe bustin e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, të punuar me shumë kujdes e dashuri. Ndoshta ai ka rolin e komandantit të përgjithshëm për gjithë ato që janë prezentë në këtë koleksion interesant.
Lulzim Plaku e meriton të quhet djali i mrekullive . Gati një dynym vend është i zënë nga ekspozita e punëve të bukura, që ai ka krijuar gjatë këtyre shtatë viteve. Sa lavamanë të shitur mbajnë vulën e duarve të tij, sa vazo të prodhuara prej tij, janë vendosur në vila e resorte, të mbushura me lule, sa shpendë, pëllumba e shqiponja ! Punët e tij e kanë kaluar kufirin e Dibrës, kanë udhëtuar në qytete të tjera të vendit, por ka dhe punë të shitura jashtë shtetit.
Lulzim Plaku, ky mjeshtër duarartë dhe fjalëpak, ka një disiplinë të lartë në punë. Ai përpiqet të nxjerrë gjithmonë punime cilësore për të kënaqur klientët, por dhe veten e tij. Çdo gjë që hedh është në masën e duhur, pa kursyer asgjë, pasi do që njerëzit t’ja bëjnë hallall paratë që i kanë dhënë në këmbim të mallit.
Bashkëshortja e tij, Gëzimja, është partnerija e tij, pa të cilin ndoshta nuk do të kishte arritur këto gradë suksesi. Ajo, jo vetëm bën detyrat si zonjë shtëpie, por punon si specialiste klasi, bashkë me Lulzimin. Ata kanë tre fëmijë, tre djem, ku më i madhi i tyre është Aliu në klasën e pestë. Lulzimi dëshiron ti shkollojë ato më së miri, të paktën të plotësojë diçka nga ajo që nuk arriti vetë gjatë jetës. Por jo gjithnjë gjërat shkojnë sipas dëshirës. Krahas mësimit, djali që tani është bërë një mjeshtër i vërtetë i punës, ngjashëm me babain e tij. Ndoshta duan kështu të krijojnë një traditë familjare për ta përçuar në breza.

Me sytë nga e ardhmja

Lulzim Plaku rend e vrapon në garë me kohën. Ai nuk ka frikë nga konkurrenca e të tjerëve. Kur e sheh që dhe dikush tjetër ka bërë punime si të tijat, ai menjëherë gjen dhe sajon diçka të re, që askush nuk e ka prodhuar më parë. Zeja e tij nuk ka të ndalur në cilësinë dhe shumëllojshmërinë e gjërave. Ai zbukuron shtëpitë me kolona, ai prodhon zgara cilësore për të pjekur mish, apo për të bërë gatime të ndryshme. Kohët e fundit Lulzimi po u kushton vëmendje punës me oxhaqet, që i monton sipas porosive në vilat e reja. Klientët thonë, se askush si ai nuk di të bëjë montimin e oxhaqeve. Futja e leshit të gurit në sasi dhe cilësi, rregullimi i lëvizjes së ajrit në oxhak dhe shumë elemente të tjerë teknikë e bëjnë punën e tij të dallueshme dhe të kërkuar gjithnjë e më tepër.
Largimi i popullsisë në përgjithësi dhe i të rinjve në mënyrë të veçantë, siç dëmton çdo biznes tjetër, le gjurmë dhe te Lulzimi. Jo, ai nuk frikësohet për vete e për familjen e tij. Ai i ka letrat e rregullta për në Itali dhe fare mirë mund të transferohet atje, të punojë e të jetojë, madje me të ardhura më të mira. Lulzimi dëshiron të qëndrojë në fshatin e tij, ku kaloi fëmijërinë, dëshiron që rrugët e fshatit të mbushen me zhurma fëmijësh, dëshiron të vizitojë vendet e bukura që ka Dibra dhe Shqipëria, dëshiron që atdheu i tij të jetë modeli, që të tjerët duhet të ndjekin.