Bledi Cami, djali i Dibrës


Nga OSMAN XHILI

Dikur, një nga fëmijët e kopshtit të Breshjas, sot përgatit projekte prej qindra mijë eurosh, në ndihmë të këtij institucioni. E tillë qenka jeta, si një lojë shahu, që ka mundësi të pafundme për zgjidhje.  Bledi kthehet pas në vite, kur hidhte hapat e parë te “Breshja”, kur mësonte këngët e vjershat fëminore dhe i recitonte, në evente të ndryshme, bashkë me moshatarët e tij. Kur kapeshin për dore në vallet popullore, të përgatitur aq mjeshtërisht nga mësuesit e tyre. U dukej vetja në ato çaste se do bëheshin këngëtarë, se do bëheshin balerinë të famshëm, se do bëheshin dijetarë e patriotë të mëdhenj. Këndonin këngën e babagjyshit të vitit të Ri dhe deri vonë e besonin se ai vërtetë ekzistonte, se do të derdhte nga thesi i madh që mbante në kurriz, plot lodra të dashura për fëmijët. 

Ja kështu i kaloi Bledi Cami ato vite të lumtura në kopshtin e fëmijëve, ku dhe pse e kishte mamin e tij, Mirelën, si edukatore, nuk donte të privilegjohej në mënyrë të padrejtë.  

Fluturuan vitet shumë shpejt, tamam si ato flutrat krahëbukura dhe një ditë e pa veten në gjimnaz. Mësues kërkues e profesionistë, por gjithsesi , të drejtë e korrektë. Shumë aktivitete bëheshin atëherë dhe Bledi Cami do të ishte përherë në qendër, duke dhenë më të mirën nga shpirti dhe talenti i tij. Bashkë me shokët vunë shumë drama në skenën, ku në njërën prej tyre ishte në rolin e shërbëtorit. Ju zgjua pasioni për të shkruar poezi, por dhe rrugën e romanit donte ta trasonte dhe pse ishte ende herët për ta realizuar.  Gjuhët e huaja ishin një tjetër dëshirë e Bledit. Madje, nuk ishte thjeshtë dëshirë, por një domosdoshmëri për ti hapur fort në të ardhmen dyert e jetës. Mësoi gjuhën maqedone, gjermane, turqishten dhe anglishten. Ato do të ishin aleatë të mrekullueshëm, që Bledi të trokiste pa ndroje në dyert e fondacioneve të njohura, për të qenë pjesë e punës dhe bashkëpunimit me to.  

Në atë kohë, jo vetëm gjimnazi, por dhe Pallati i kulturës në Dibër, ziente nga aktivitetet. Me programin “Blue Sky”, të British Counsil dhe ambasadës britanike, çdo dy javë bënin aktivitete të ndryshme, që vërtetë patën shumë ndikim pozitiv tek gjimnazistët. Aktorët e dikurshëm, jo vetëm që e kujtojnë me nostalgji atë kohë, por e ruajnë akoma shoqërinë e ndërsjelltë, dhe pse jeta i ka hedhur larg, në vende të ndryshme të botës . Të gjithë profesorët ishin të mrekullueshëm, por Bledi do të donte të veçonte Mirela Pustinën, mësuesen kujdestare, që i jepte gjuhën angleze, në të njëjtën kohë. Pjesët që ajo i jepte jashtë programit, rritën ndjeshëm aftësinë komunikuese të Bledit, por dhe anën gramatikore. 

Shkollimin e lartë Bledi e kreu në Universitetin e Shkupit, për mjekësi, në degën e radiologjisë. As vetë ai nuk e kuptoi, se përse nuk vazhdoi për gazetari, letërsi, apo gjuhë të huaja, që i kishte aq pasion. Ndoshta ngaqë babai i tij punonte në këtë profesion human dhe donte që dhe i biri të ndiqte hapat e tij. Por, shumë shpejt, ai zuri shoqëri të re, njohje dhe angazhime të reja dhe nuk kishte më kohë ta peshonte problemin, në kishte vepruar drejt me zgjedhjen e degës, apo jo. Në fund të fundit vetë dallgët e jetës e kishin hedhur në këtë universitet dhe në këtë degë.  

Shumë shpejt e gjeti veten të angazhuar në disa projekte, me organizata joqeveritare, si “Youth centër”, “ Volunteer”, “Kreativ” e të tjera si këto, që kishin të bëjnë me angazhimin e studentëve për të gjallëruar jetën universitare dhe për të qenë në të ardhmen aktivistë për lirinë, barazinë dhe të drejtat njerëzore. 

Për të komunikuar sa më mirë mes tyre, por dhe me publikun më gjerë, të rinjtë universitarë kishin hapur dhe një gazetë të titulluar “Voice”. Pra ishte gazeta “Zëri”, ishte zëri i tyre, që kërkonte ndryshimin e shoqërisë, që ajo të bëhej më e hapur, më e çiltër, më humane. Bledi bënte rolin e përkthyesit te gazeta, nga anglisht në shqip. Përkthente pjesë që bënin fjalë për të drejtat njerëzore, për të drejtat gjinore, si dhe bashkëvëllazërimin mes popujve e kombësive të ndryshme. 

Pas mbarimit me rezultate mjaft të mira të universitetit, Bledi Cami u mendua për një moment, se çfarë hapash do të hidhte më tej. Të ndiqte mjekësinë, apo ta kanalizonte gjithë atë përvojë të fituar diku tjetër. Cilëndo rrugë që të zgjidhte, ajo do të ishte në dobi të shoqërisë e të komunitetit. Ashtu si rastësisht, pa në internet një pozicion pune te një institucion arsimor dhe edukativ, shumë serioz europian, me qendër në Ankara. Quhej” Life long learning”. Përvoja e Shkupit kishte qenë me shumë vlera për formimin e shumanshëm të tij, ndaj nuk e pati të vështirë t’i pranohej kërkesa pas aplikimit. 

Programi “Erasmus”, ku filloi punën e re kishte disa departamente, si Youth, School, Adult dhe Higher education, pra që presupozonte shkallët e zhviilimit të fëmijës, deri në formimin e tij të plotë. Pas fitoi një përvojë mjaft të mirë në departamentin e parë, Bledi Cami kaloi tek departamenti tjetër, ai i School Education. Vjen një moment që njeriu i kthen sytë nga vendlindja, sado larg të jetë e sado kohë të ketë kaluar. Ju kujtuan ato kohrat e bukura, që pati kaluar tek gjimnazi i qytetit të tij dhe mendoi të aplikonte projekte për të kontribuar sadopak në funksionimin më perfekt të tij, si nga ana studimore, ashtu dhe ajo edukative. Por, për probleme burokratike nuk qe e thënë, që këto fonde ti përfitonte ky institucion, ndaj mendoi t’i kanalizonte në drejtim të kopështit të Breshias, aty ku kishte kaluar fëmijërinë e bukur dhe të papërsëritshme. Drejtoreshë Ajrie Dachi, si gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me këdo që i sjell interesa institucionit, që ajo drejton, e plotësoi krejt në rregull anën e dokumentacionit, përsa i takonte  asaj. Dhe pse nuk e kishte kuadrin e plotë të punonjësve, në vitin 20017 u aplikua projekti i parë me dy tre edukatore. Projekti u titullua “Shpikësit e vegjël”. Herën e parë nuk fitoi dhe u la në listën rezervë, pasi nuk ishin fituar të gjithë pikët e duhura. Një vit më vonë u aplikua sërish me të njëjtin projekt,pasi ishin parë e rregulluar disa pika të vogla. Pas zhgënjimit të lehtë të herës së parë, erdhi shpërblimi. Herën e dytë, projekti jo vetëm që u miratua, por mori dhe shumë vlerësime e lëvdata. Më pas gjërat u shtuan dhe u shumfishuan.  

   Një nga projektet e shumtë ishte dhe ai për fëmijët me aftësi të kufizuar. Dy ishin qëllimet që do arriheshin. Së pari donim të jepnim mesazhin, që dhe ata janë si të tjerët dhe së dyti t’i ndihmonim ata në mënyra të ndryshme, që të të ingranoheshin sa më mirë e më bukur në shoqëri. Disa aktivitete ata i kanë zhvilluar veças e disa bashkë me fëmijët e tjerë . Të gjitha këto risi e kjo punë me to është pasqyruar në një libër, që mund të shërbejë dhe si përvojë për kopshtet e tjera të republikës.  

Një ndihmesë e madhe j’u dha kopështit të Breshias nga përfitimi i projektit për laboratorin dhe klasën eksperimentale. Kjo klasë ka katër pjesë, ajo e shkencës, e gjuhës angleze, e matematikës dhe ajo e teknologjisë. Atje bëhen dhe shumica e aktiviteteve, pasi klasa ka një monitor me prekje, tapet të vijëzuar e me ngjyra, si dhe teteknologji të fundit të shkencës, në dobi të mësimdhënies në shkolla e kopshte. Vlera e këtij projekti kapte shumën prej 23 mijë eurosh. 

12 projekte të reja presin në radhë për tu aplikuar e vënë në zbatim. Po aplikohet për “Orf metodën”, për muzikën, që fëmijët të mësojnë sipas nivelit të tyre. Një tjetër projekt është dhe ai bilingual. Kjo nuk ka kuptim që në një klasë të jenë fizikisht nxënës që flasin dy gjuhë të ndryshme, porse ato të njihen e të vëllazërohen, të njohin kulturën e traditat reciproke e për pasojë të jetojnë në paqe e në harmoni, si lulet në një livadh shumëngjyrësh.  

Projekti për natyrën është një tjetër dhuratë që i bëhet kopështit të Breshias. Nxënësit njohin më në detaje natyrën që i rrethon.  Mësojnë ta duan, ta vlerësojnë dhe të bëjnë përpjekje, që ajo jo vetëm të mos dëmtohet, por të zbukurohet akoma më shumë, duke e bërë kështu më bukur dhe vetë jetën e njeriut. 

Nuk na ngelet tjetër, vetëm ti urojmë mbarësi në jetë këtij djali të Dibrës, që aq shumë po bën përpjekje, duke lartësuar veten, familjen dhe qytetin e tij të lindjes, ku hodhi hapat e parë dhe belbëzoi fjalët e para.