Dibra, “jastëku” i lagur i Ramës


Nuk do ketë më shtëpi të babës apo gjyshit pa fundosur nën ujë, dhe as varre babe, gjyshi nuk do gjeni më: as ju emigrantë dhe as ju që jeni aty e strukeni e nuk flisni sot, për t’ia hedhur surratit të gjitha fjalët boshe të së djeshmes. Dhe as ju që do ngeleni në ato shpata malesh me një mjegullmbledhës përballë që edhe lajthite nuk do ju piqen më, le frutat e perimet e tjera; as për ju s’ka bujtinë e agroturizëm.

Nga Majlinda Hoxha

Teksa lexoja një shkrim më të fundit për shkeljet ligjore të privatizimit të disa heceve të rëndësishme në Shqipëri, më ra ndërmend vegjetimi i dibranëve në gjithë këta muaj, qëkur është promovuar me të madhe ndërtimi i Skavicës.
Dhe vendosa të ridëgjoja disa nga fjalimet e kryministrit tonë me vegjetuesit atje, përgjatë një viti.
Nuk di se si ia dola t’i dëgjoja të gjitha pa vjellur, nga gjithë ato grahma çjerrëse, tallëse. Dhe nuk ishte nevoja të ndodheshe afër për ta ndjerë atë kundërmim lëtyrës.
Më duhet të shprehem kështu, pasi diferenca e prijësit me tipare diktatoriale përballë turmës së nënshtruar, ishte tepër e dukshme. Si për ironi edhe me maskën e logos “Voto 12PS”.
Por në një vend që aspiron BE-në dhe është pjesë e organizatave më të rëndësishme botërore, ishte një kontrast shumë i madh.
Po flas për atë takimin në stadiumin e Peshkopisë gjatë fushatës elektorale dhe le të analizojmë ca nga premtimet e thëna aty.

Gjatë gjithë atij fjalimit të gjatë paraqiste me britma se do jenë 1 miliardë euro të investuara në bujqësi për 2021-2025. Do ketë 150 pika grumbullimi, 6000 hektarë serra, dhe 0 taksë për 5 vitet e ardhshme për agro-turizmin. Sepse shqipëria tashmë eksporton 3 dhe importon 1 pasi punon dyfishin e tokës së para 6-7 viteve.
Por Dibra nuk do përfitojë asgjë nga këto sepse Skavica nuk do lërë asnjë tokë bujqësore të punueshme, si rrjedhojë nuk do ketë asgjë për ato pikat grumbulluese dhe nuk do ju duhet asnjë taksë zero sepse nuk kanë çfarë pordhojnë e përpunojnë. Do jenë vetëm konsumator që do blejnë për të mbijetuar.

Për më tej vijonte më delirin e madhështisë duke premtuar se do jepte nga 5 milionë lekë të vjetra për çdo emigrant që vendos të vijë dhe të investojë për shtëpinë e babës dhe të gjyshit, sepse do kemi 1000 bujtina dhe 500 agroturizme.
Edhe në këtë rast Dibra nuk do përfitojë. Sepse nuk do ketë më shtëpi të babës apo gjyshit pa fundosur nën ujë, dhe as varre babe, gjyshi nuk do gjeni më: as ju emigrantë dhe as ju që jeni aty e strukeni e nuk flisni sot, për t’ia hedhur surratit të gjitha fjalet boshe të së djeshmes.
Dhe as ju që do ngeleni në ato shpata malesh me një mjegullmbledhes perballë që edhe lajthite nuk do ju piqen më, le frutat e perimet e tjera; as për ju s’ka bujtinë e agroturizëm.

E gjithë madhështia e treguar aty lidhej me Rrugën e Arbrit, se siç shprehej ngazëllueshëm: “-E cila nuk është thjeshtë një rrugë, por një rrugë që do hapte një hapësirë të pafund zhvillimi ekonomik; zhvillimi ekonomik familjar dhe komunitar. Rrugë e cila do u shërbejë edhe turistëve nga porti i Durrësit”.
Të themi të vertetën, Rruga e Arbrit ështe gjëja më me mend që ka berë qeveria edhe pse e ka ndërtuar pa mend, duke parë sot rezultatin dhe sa po kushton.
Por me ndërtimin e Skavicës shohim se kjo rrugë nuk do ketë asnjë nga këto benefite që thuhen, sepse Dibra do vdesë me përmbytjen e saj, gjë që nuk do sjellë asnjë zhvillim turistik në të ardhmen. Kështu i bie që kjo rrugë u bë vetëm në shërbim të projektit të Skavicës dhe parisë, jo të dibranëve.

Nuk di se si e kanë emërtuar këtë takim elektoral, por aty si duket iu përshfaq mesias së ardhmërisë sonë, shprehja e bukur “Dibra, jastëku i gjelbër i Tiranës”. Si duket, kjo duhet të jetë edhe gjetja elektorale meqë vazhdon të përdoret edhe sot në çdo takim në Dibër.

Dhe për ‘t’i vënë vulën” në fund zotëria në fjalë paska folur edhe për Skavicën, duke e ringritur tonin e tij acarues se çdo dibran do marrë një shtëpi më të mirë se sa e ka tani. Ndërsa për tokën do marrë ashtu siç e meriton dhe kështu do u hapët të gjithëve perspektiva e jetës.
Kjo “meriton” duhet të kishte merituar më shumë vëmendje.
Jo vetëm për faktin që mikrofoni kishte vetëm një pronar, por askujt nuk i është kujtuar të pyesë se:”-Për tokën që kemi trashëguar dhe punojmë, apo për atë që është me dokumenta?”
Sepse shumica më e madhe e dibranëve nuk kanë dokumente pronësie për tokën. Per t’mos harruar që pyjet dhe kodrat nuk quhen pronë private.

Ndërkohë që premtohej dhe deklarohej aty se çdo shqetësim i juaji është i imi, dhe çdo zë i juaji do dëgjohet, ku do ketë dëgjesa publike, konsultime, studime fizibiliteti, në po të njëjtën kohë deklarohej se punimet e Skavicës do nisin sa më shpëjt të jetë e mundur.
Mjafton ky fakt për të treguar hipokrizinë e qeverisë aktuale dhe gënjeshtrën e madhe se po presin përfudimin e studimit për të nisur punimet. Aq më pak të pyeteni ju, të pyetemi ne, apo të maten ndikimet sociale, mjedisore sipas standarteve.
Ky fakt është vërtetuar edhe me mënyrën se si kanë rrjedhur ngjarjet më vonë.
Në çdo dalje të kryeministit, ministres apo përfaqësuesve të KESH, kemi dëgjuar vetëm një fjali “Ndërtimi i Skavicës do sjellë këtë apo atë përftimin, të mirë, zhvillim”. Në asnjë dalje nuk është thënë që po shohim mundësinë e ndërtimit të kësaj vepre, nëse studimi dhe të dhënat dalin positive.
Tashmë që shohim tunele dhe rrugë që hapen dhe zgjerohen çdo ditë, nuk kemi asnjë dyshim për këto deklarata dhe që punimet kanë nisur pa përfunduar studimi.

J’ua solla këto fakte për t’ju bërë me dije edhe njëherë e shumëherë, se propaganda për digën e Skavicës dhe benefitet e saj, janë të rrejshme; ashtu siç janë të gjitha ato premtime elektorale. Ashtu siç duket të jetë çdo investim i ashtuquajtur strategjik gjatë kësaj dekade.
Për ju dibranët e mi që keni vegjetuar ato ditë, çdo ditë dhe po vazhdoni të vegjetoni edhe sot, duhet të dini se Skavica do jetë një rezervuar i madh, dhe “peshqit” e vetëm që do lundrojnë aty, DO JENI VETË JU, populli dibran.
Popull, që do flerë në jastëkun e lagur në pellgun e Skavicës, se jastëku i gjelbër është vetëm në imagjinatën e kryeministrit.