Me personalitetin dhe shembullin e saj ndriçoi dhe ndryshoi jetën e shumë njerëzve dhe fali dashuri pa kushte


Nga Nikoleta Mita

Të dashur familjarë të Edës, miq, kolegë dhe të njohur,
Ndonëse jam ende e tronditur nga ndarja nga jeta e mikes sonë të dashur, Edlira, jam e përulur dhe e prekur nga jeta që ajo ndau me ne.
Të gjithë jemi këtu sepse diku, disi, jetët tona ishin të lidhura me Edën. Besoj se që të gjithë keni momentet tuaja personale, të veçanta dhe private me Edën që do t’i çmoni dhe do t’i mbani në zemrat tuaja.
Eda bëri një betejë të guximshme dhe të fortë për pesë vjet me sëmundjen, duke shpresuar se trajtimet do të përfundonin më në fund që të mund të vazhdonte jetën e saj. Kjo ishte edhe shpresa e të gjithëve ne. Por, nuk ndodhi kështu.
Është një detyrë e vështirë të përmbledhësh në fare pak minuta një jetë të tërë, e aq me teper një jetë të jetuar intensivisht, siç ishte jeta e Edës.
E lindur dhe e rritur në një familje të nderuar, ajo mbarti në personatiltetin e vet tiparet më të mira të prindërve dhe të fisit të saj. Mirënjohje prindërve, bashkëshortit, djalit, vëllait dhe Silvës të cilët e mbështetën Edën në rrugëtimin e saj të ndritur dhe në betejën e saj për jetën. Por, unë do të ndalem vetëm në katër aspekte që e bëjnë Edën të paharrueshme nga kushdo: humanizmi, aktivizmi, shumëkulturalizmi dhe profesionalizmi.
Eda ishte gjithmonë e zënë duke ndihmuar të tjerët. Ajo i bënte të gjithë të ndiheshin të veçantë. Kjo ishte dhurata e saj më e madhe për njerëzit. Eda ndihmonte këdo që kishte nevojë. Pozitiviteti i saj ishte një frymëzim për të gjithë ata që takonte. Askush që e ka njohur Edën, nuk e harron dot sepse ajo linte gjurmë e ndikonte te njerëzit në mënyra të ndryshme, ajo pati ndikim në jetën e shumë njerëzve përreth saj.
E gjithë jeta e saj u karakterizua nga një aktivizëm i shprehur. Ajo çdo ditë në mënyra të ndryshme promovonte vlerat më të mira njerëzore dhe vlerat më të mira të Shqipërisë. Kontributi i saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të drejtave të fëmijëve dhe të drejtave të grave dhe veçanërisht kontributi për mbrojtjen e grave, vajzave dhe fëmijëve të dhunuar është i spikatur. Strehëza për Gra dhe Vajza të Dhunuara në Tiranë identifikohet me emrin e Edës. Sa jetë ka mbrojtur dhe ka rikthyer në normalitet nëpërmjet Strehëzës! Aktivizmi i saj për një shoqëri demokratike, gjithashtu, është i rëndësishëm. Nëpërmjet pozicioneve drejtuese si prefekte e Qarkut të Tiranës dhe si zëvendësministre e arsimit, si zëvendësrektore e Universitetit të Tiranës dhe si drejtuese e Departamentit të Punës dhe Politikës Sociale të Fakultetit të Shkencave Sociale, ajo u përpoq të inicionte dhe të mbështeste ndryshimin. Ajo veproi me idealizëm për të sjellë ndryshimin. Ajo bëri gjithçka mundi për të bërë të njohur Shqipërinë në botë. Në takimet me të huajt e përshkruante Shqipërinë me ngjyra të bukura, e ndonëse kur të huajt vinin këtu dhe e shikonin që nuk ndriçonte aq sa e përshkruante Eda, ata iknin me një dëshirë për t’u kthyer përsëri në Shqipëri.
Eda me plot kuptimin e fjalës mund të quhet një individ shumëkulturor. Ajo mendonte, perceptonte, sillej dhe u përgjigjej çështjeve globale në mënyra më komplekse sesa individët monokulturorë. Ajo i mendonte në një mënyrë më komplekse gjërat se njerëzit e tjerë rreth saj që kishin njohje më të kufizuar të kulturave. Ajo ishte nga ata njerëz që përktheu veçoritë e të qenit shumëkulturor në sukses në karrierë, veçanërisht në transmetimin e kulturës perëndimore.
Eda studioi në mënyrë të thelluar gjuhën dhe kulturën shqiptare, amerikane dhe angleze, pedagogjinë, psikologjinë dhe punën sociale. Ajo njohu përvojat akademike të rreth 30 vendeve të botës, si të SHBA, të Britanisë së Madhe, Belgjikës, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Hollandës, Austrisë, Izraelit, etj. Pra, formimi dhe përvoja e pajisën atë me dije, aftësi, modele të disa kulturave. Eda përcolli te të huajt gjërat më të veçanta dhe karakteristike të Shqipërisë, ndërsa të njëjtën gjë bëri me përcjelljen e kulturës perëndimore në Shqipëri.
Shumë njerëz janë të hutuar nëse janë shumëkulturorë. Por kjo nuk ndodhte me Edën. Ajo i njihte kulturat dhe dinte veçoritë e tyre dhe nuk hutohej prej kësaj gjëje, por ky shumëkulturalizëm e ndihmonte të prodhonte ide dhe modele të reja. E kështu, duke u identifikuar me më shumë se një kulturë, kur ajo ndodhej në një mjedis ndërkombëtar, njerëzit nuk e identifikonin dot se nga cili vend ishte.
Eda spikati për profesionalizmin e saj. Ajo gërshetoi në një mënyrë unike vokacionin, misionin dhe kompetencat profesionale. Ajo dha mësim me përkushtim maksimal duke iu përgjigjur ndjenjës së fortë për shërbim. Nëpërmjet mësimit dhe kërkimit ajo kontribuoi në mënyrën e saj unike në humanizimin e jetës, në përmirësimin e kësaj bote. Si mësuese dhe pedagoge ajo edukoi dhe formoi breza të tërë nxënësish dhe studentësh të cilët jo vetëm fituan njohuri, por shumë prej tyre e zgjodhën Edën si model për ta ndjekur.
Dhe prandaj, le të shprehim me një duartrokitje të fortë një falenderim të madh për Edën që me personalitetin dhe shembullin e saj ndriçoi dhe ndryshoi jetën e shumë njerëzve dhe fali dashuri pa kushte.
Le ta mbajmë Edën në kujtimet tona përgjithmonë!